English

Berisha: TVSH-ja do të hiqet për çdo vegël që ka destinacion bujqësinë

Kryeministri Berisha përmes një konference të posaçme për shtyp, prezantoi nismën më të re të qeverisë, e cila do të jetë heqja e TVSH-së për çdo vegël, pajisje, makineri, traktor, kombajnë, çfarëdo që të jenë ato, të cilat kanë destinacion bujqësinë, blegtorinë, pemëtarinë, bletarinë, agrobiznesin, përpunimin ushqimor.

Kryeministri theksoi se, ajo është një listë e shumë re gjatë prej rreth 110 artikujsh, makineri që përdoren në të gjithë spektrin e bujqësisë, blegtorisë, pemëtarisë, bletarisë, peshkimit etj., të cilat do të importohen pa TVSH.

Por, përveç kësaj, qeveria, - theksoi kryeministri,- do të ndërmarrë nismën ligjore dhe do të dërgojë së shpejti në Parlament heqjen e TVSH-së për të gjitha llojet e kimikateve, plehrave kimike, substancave të ndryshme, fidanëve, farërave dhe të gjithë çka tjetër që importohen për qëllime të zhvillimit të bujqësisë, frutikulturës, blegtorisë e të gjithë sektorëve të kësaj fushe shumë të rëndësishme për qytetarët shqiptarë. Për kryeministrin kjo masë përbën mbështetjen më të fuqishme që fermeri shqiptar ka marrë nga qeveria, në rrafshin fiskal, gjatë këtyre 20 viteve dhe se ajo synon hapësira të reja për krijimin, konsolidimin e bizneseve të vogla bujqësore, blegtorale, frutikulturë apo të tjera në fshat, krijimin e mjedisit të favorshëm dhe inkurajimin e çdo fermeri, për një ambicie më të madhe për zhvillimin e konsolidimin e fermës së tij, rritjen e prodhimit e përpunimin e tij.

Gjithashtu kryeministri Berisha u shpreh se, kjo nisëm synon nxitje të re të importimit të varieteteve më të mira të fidanëve, farërave, për të gjitha llojet e kategoritë e prodhimeve në bujqësi, blegtorisë e çdo fushe tjetër.

Kryeministri gjithashtu u shpreh se, ajo është edhe shtylla ndër më kryesore e programit të qeverisë të drejtuar prej tij për nxitjen e biznesit, si rruga më e mirë për krijimin e vendeve të punës, krijimin e mijëra e mijëra vendeve të punës si dhe për shfrytëzimin e potencialeve të mëdha që ofron sektori i bujqësisë.

KOMENTE