English

Rama: Vendimi i sotëm përqafim vrasësish (VIDEO)

Deklarata e kryetarit të PS-së Edi Rama lidhur me vendimin e shpallur ku jepet pafajësi për vrasësit e 21 janarit.

"Nuk jam aspak i befasuar.

Kohët e fundit pyetjes së partnerëve ndërkombëtarë për ecurinë e procesit të 21 janarit, i kam dhënë të njëjtën përgjigje: Së shpejti vrasësit do të shpallen të pafajshëm. Sepse pafajësia e vrasësve i duhet më shumë edhe se vetë atyre, urdhëruesit të vrasjeve. Atij që i ka kthyer gjykatat në plotone ekzekutimi për drejtësinë kur duhet të vjedhë zgjedhjet, të pafajësojë vjedhjet apo të luftojë familjarisht opozitën. Pafajësia e vrasësve i duhet më shumë edhe se vetë atyre, kryeministrit që i ka kthyer gjykatësit në gardistë togëzinj të cilët me urdhër nga lart, e pushkatojnë në publik drejtësinë njësoj siç pushkatoi garda katër dëshmorët e 21 janarit.

Pafajësia e vrasësve i duhet më shumë edhe se vetë atyre, atij që pas 23 qershorit do të jetë thjesht dhe vetëm kryetari i Partisë Demokratike, përballë një procesi publik transparence për shkeljet e Kushtetutës e të ligjit, me pasojë humbje jetësh, grabitje pasurish kombëtare apo zhdukje parash të popullit shqiptar. Sot s’pati gjykim, por vetëm një përqafim mes vrasësve të drejtësisë dhe vrasësve të katër protestuesve që kërkonin një atdhe të drejtë.

E nëse vrasjet e 21 janarit ishin krimi më barbar shtetëror në Shqipëri pas rënies së diktaturës komuniste, vendimi i sotëm i gjykatës është vrasja më barbare e drejtësisë në Shqipëri pas rënies së diktaturës komuniste. Por kjo e sotmja është edhe shprehja më kuptimplotë e rrënimit moral e politik, të pushtetit që urdhëruesi i vrasjeve të 21 janari do ta mbajë edhe pak muaj, falë votave të vjedhura në vitin 2009.

Familjet e katër dëshmorëve të 21 janarit nuk duhet ta vuajnë sot, përfundimin vrastar të një gjyqi që në të vërtetë nuk ka filluar akoma. I siguroj të katër familjet, siç siguroj edhe vrasësit e sotëm të drejtësisë, se 21 janari është nga ato ngjarje që historia mëson se as nuk harrohen pa u gjykuar drejtësisht dhe as nuk mbyllen duke u gjykuar padrejtësisht.

Çdo shqiptar që dëshiron të jetojë në këtë vend, të punojë në këtë vend, të rrisë fëmijët në këtë vend, duhet të ndjehet sot ende më shumë në borxh me atdheun e sakatuar nga padrejtësitë. Ky i sotmi s’është një turp për ata vrasës të drejtësisë që togën e zezë e kanë marrë peshqesh pikërisht se nuk kanë asnjë turp.

Ky është një turp për çdo shqiptar që nuk e ndien se çfarë turpi është për shoqërinë tonë pafajësimi i sotëm i vrasësve dhe që nuk e kupton akoma as sot se kjo Shqipëri e padrejtë s’është më faji i vrasësve të drejtësisë, por përgjegjësia jonë historike si shoqëri. Një përgjegjësi që duhet ta ndjejë çdo prind në këtë vend, çdo e re dhe i ri në këtë vend, çdo qytetar i këtij vendi nga veriu në jug, në qytet apo në fshat, socialist apo demokrat, që ka respekt për veten dhe për ato vlera e parime që ka marrë si trashëgim nga edukata e familjes së tij.

Ndërsa çdo mik e partner ndërkombëtar i Shqipërisë, që u angazhua në mbështetje të drejtësisë për 21 janarin, SHBA dhe Bashkimi Europian në radhë të parë, besoj se sot ndjehet më afër realitetit të një shteti ku ligjet s’vlejnë asnjë grosh, ndërsa kultura e pandëshkueshmërisë bën ligjin.
1642

KOMENTE