English

Takimi i ekspertëve të Konventës së Bashkëpunimit Policor për Europën Juglindore

Nga data 12 deri më 13 shkurt, në Tiranë, zhvillohet takimi i ekspertëve të Konventës së Bashkëpunimit Policor për Europën Juglindore, ku Shqipëria ka kryesinë e radhës gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2013.

Në këtë takim marrin pjesë ekspertë nga Shqipëria, Austria, Bosnjë Hercegovina, Hungaria, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, si dhe vëzhgues e përfaqësues nga Zvicra, organizata CEPOL, Marri Center, përfaqësues nga Sekretariati i konventës, si dhe nga Këshilli rajonal i bashkëpunimit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z. Hysni Burgaj, gjatë fjalës së tij në këtë takim, e vlerësoi Konventën e Bashkëpunimit Policor si një ndër instrumentet më të rëndësishëm ligjor, mbi të cilin ndërtohet bashkëpunimi ndërmjet vendeve të rajonit, si dhe evidentoi në mënyrë të veçantë treguesit e arritur nga policia shqiptare falë këtij bashkëpunimi:

“Shqipëria e ka vlerësuar dhe e vlerëson Konventën e Bashkëpunimit Policor, jo vetëm e thjesht, si shprehje deklarative e vullnetit të vendeve të rajonit për të bashkëpunuar midis tyre, por e konsideron atë si një ndër instrumentet më të rëndësishëm ligjor, mbi të cilin bazohet bashkëpunimi policor në mes vendeve tona. Për këtë qëllim, Shqipëria, nga momenti i miratimit të saj, vazhdon të jetë shumë e interesuar për implementimin në praktikë të fushave të bashkëpunimit policor me të gjitha vendet anëtare në Konventë.

Falë vullnetit të mirë për bashkëpunim që kemi demonstruar të gjithë bashkë, sot Shqipëria shënon një nivel më të lartë të bashkëpunimit me vendet anëtare të Konventës dhe, veçanërisht me vendet fqinje.

Vetëm gjatë vitit 2012 shërbimet e policisë shqiptare kundër narkotikëve e trafiqeve të paligjshme kanë realizuar 67 operacione policore në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Po në bashkëpunim me homologët tanë evropiane është mundësuar arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i 71 personave si dhe arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendeve të tjera i 78 personave të tjerë. Këta tregues kanë shënuar rritje nga viti në vit duke folur qartë për thellimin e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, si dhe shndërrimin e shërbimit policor shqiptar në një partner serioz e të besueshëm për homologët tanë euro-perëndimorë.” – u shpreh Z. Burgaj.

Po ashtu z. Burgaj ftoi ekspertët për negocimin dhe implementimin e marrëveshjeve të posaçme të bashkëpunimit policor për fusha shumë të rëndësishme si: hetimet e fshehta për parandalimin e krimeve, dorëzimin e kontrolluar, ndjekjen në gjendjen e flagrancës, grupet e përbashkëta të hetimit, si dhe survejimin ndërkufitar.

“Në stadin ku jemi, vlerësoj se “ka ardhur koha për bashkëpunim konkret operacional”. Ju siguroj, të nderuar zotërinj, se besimi krijohet dhe forcohet më shumë kur shërbimet tona të punojnë së bashku. Le të bashkojmë kapacitetet tona njerëzore, burimet tona logjistike dhe financiare, sepse vetëm në këtë mënyrë resurset tona do të prodhojnë efektivitet më të lartë në fushën operacionale dhe në implementimin e Konventës.”- theksoi Z. Burgaj.

Në përfundim të fjalës së tij Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit rikonfirmoi angazhimin e Policisë së Shtetit, që gjatë kryesimit të dytë të Konventës do të vazhdojë më tej punën e bërë nga vendet e tjera kryesuese për implementimi e bashkëpunimit policor.

Ndërkohë kreu i Sekretariatit të Konventës për Bashkëpunimin Policor në Europën Perëndimore, Z. Anton Travner, duke ju referuar iniciativave të zhvilluara në kuadër të kësaj konvente theksoi se janë implementuar një sërë projektesh për forcimin e bashkëpunimit policor mes vendeve të rajonit dhe sfida të reja na presin dhe për këtë nevojiten dhe ide të reja, që besoj që do të evidentohen gjatë ditëve të zhvillimit të këtij takimi.

Gjatë takimit të ekspertëve u prezantuan dhe prioritetet e Shqipërisë gjatë kryesisë së radhës, ku fokusi do të jetë në dhënien e kontributit në drejtim të implementimit praktik të fushave të bashkëpunimit të Konventës, duke e shndërruar Konventën në një dokument të rëndësishëm për strukturat përgjegjëse në parandalimin dhe goditjen e krimit ndërkufitar. Disa ndër prioritet do të jenë: forcimi i bashkëpunimit për shkëmbimin e informacionit, identifikimi i akteve të nevojshme ligjore për implementimin e fushave të Konventës, promovimi i zbatimit të bashkëpunimit policor në fusha specifike të konventës, promovimi dhe mbështetja e vendeve të tjera të Europës juglindore për t’u bërë pjesë e Konventë, organizimi i takimit të Komitetit të Ministrave etj.

Po ashtu u prezantuan dhe ecuria e një sërë projektesh në proces në kuadër të kësaj konvente në drejtim të fuqizimit të bashkëpunimit rajonal mes policive.

Bashkëpunimi policor ndërmjet vendeve të rajonit dhe vendeve të tjera ka qenë dhe mbetet një prej prioriteteve kryesore të strukturave përgjegjëse për parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri.

Konventa e bashkëpunimit policor për Europën Juglindore është nënshkruar më 5 maj 2006 dhe ka hyrë në fuqi më 1 tetor 2007.

KOMENTE