Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Biznesi, 8 ditë afat për t'u ankuar nëse gjobiten
English

Biznesi, 8 ditë afat për t'u ankuar nëse gjobiten

Tashmë vetëm 8 ditë afat kohor i lejohet bizneseve për të bërë ankimet e tyre kur dënohen me gjobë, ka thënë në një intervistë për “Shekull”-in, drejtoresha e Inspektimit, Mimoza Hajdarmata.

Sipas saj, bizneset mund të paraqesin kontestimet e tyre në lidhje me konstatimet e kryera nga inspektorët. Ky vendim do të jetë i ankimueshëm pranë një trupe kolegjiale e cila vendos përfundimisht në lidhje me vendimin e marrë nga inspektorët.

Në Kuvend është duke u shqyrtuar projektligji për inspektimet. Përse u mendua që amendimet të vijnë në këtë forme, pra ndryshimet në 77 ligje të ndryshohen përmes një drafti të vetëm?

Reforma në inspektime është hallka e tretë që është ndërmarrë nga qeveria si pjesë e Reformës Rregullatore ku dy të parat kanë qenë reforma për regjistrimin e bizneseve dhe ajo për licencimin e tyre. Ashtu siç licencimi prek fusha nga më të ndryshmet të ushtrimit të veprimtarive të biznesit edhe inspektimi është i shtrirë pothuajse në çdo fushë si një ndër procedurat administrative kryesore që ka për qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe të interesave të ligjshme të personave fizikë e juridikë. Duke pasur një larmi të tillë fushash ku procedohet nëpërmjet inspektimit, është e kuptueshme që po ashtu ka edhe shumë ligje që rregullojnë aktualisht procedurat e inspektimit. Që në muajin korrik të vitit 2011 ka hyrë në fuqi ligji nr. 10433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë që është ligj kuadër për inspektimin në vend i cili përcakton rregullat mbi qëllimin dhe parimet e inspektimit, organizmin dhe funksionimin e inspektorateve në nivel qendror dhe vendor, rregullat e përgjithshme për programimin dhe autorizimin e inspektimit, procedurat e inspektimit, procesverbalin e inspektimit dhe vendimin përfundimtar të inspektimit. Duke qenë se të gjithë këto rregulla u parashikuan nëpërmjet këtij ligji, u pa e domosdoshme që në të gjithë ligjet e posaçme të shfuqizoheshin ato dispozita që ishin konfliktuale apo në përsëritje me ligjin kuadër. Pas ngritjes së grupit të punës me konsulentët e Bankës Botërore, me përfaqësuesit e Ministrive të linjës dhe stafin e Inspektoratit Qendror u konkludua se duhej të amendoheshin rreth 77 ligje të posaçme. Në mënyrë që të respektoheshin afatet për ecurinë e Reformës në Inspektime, e vetmja mënyrë për amendimin e këtyre ligjeve ishte procedura e amendimit të tyre me një ligj të vetëm, teknikë legjislative kjo e ndjekur edhe më parë në vendin tonë, më konkretisht në reformën e licencimit apo në ligjin për pagat. Kjo teknikë legjislative është përdorur dhe vazhdon të përdoret si teknikë legjislative nga vende si Italia apo Spanja si dhe nga Komisioni Evropian që e ndjek vazhdimisht për harmonizimin e legjislacionit Evropian.

Në Komisionin e Ligjeve pati akuza nga deputetët e majtë duke i cilësuar inspektorët si një trupë gjobëvënëse. Si i komentoni këto deklarata?

Janë akuza krejt të pabaza, edhe në ato raste sporadike ku inspektorët mund të kenë shpërdoruar detyrën janë marrë masat ligjore të domosdoshme për procedimin e tyre administrativ apo edhe penal kur veprimet ose mosveprimet e tyre janë klasifikuar si vepra penale. Nëpërmjet Reformës në Inspektime dhe Inspektoratit Qendror si institucion i centralizuar me funksione monitoruese dhe mbikëqyrëse po punohet më tej drejt shndërrimit të inspektimit në një procedurë këshilluese për biznesin dhe mospërdorimin e sanksionit me gjobë si qëllim në vetvete. Gjithsesi përderisa legjislacioni në fuqi parashikon edhe dënimin administrativ me gjobë për ato subjekte që shkelin kërkesat ligjore, normalisht që edhe gjoba do të vendosen, ajo çka është e rëndësishme për t’u respektuar është procedura administrative e inspektimit, pasi kurrsesi nuk mund të jepen dënime administrative qofshin ato me gjobë apo jo kur janë në shkelje të këtyre procedurave. Gjithsesi sa i përket gjobave që do të vendosen nga inspektorët shtetëror, do të ndiqet një procedurë mjaft transparente deri në ekzekutimin e tyre. Nëpërmjet kësaj procedure bizneset kanë të drejtë që brenda një afati, jo më të vogël se 8 ditë, të paraqesin kontestimet e tyre në lidhje me kontrollet e kryera nga inspektorët dhe, vetëm kur ky afat të kalojë, këta të fundit do të mund të marrin vendim në lidhje me konstatimet e tyre. Ky vendim do të jetë i ankimueshëm pranë një trupe kolegjiale e cila vendos përfundimisht në lidhje me vendimin e marrë nga inspektorët, e më pas, gjithmonë ekziston mundësia e ankimimit në rrugë gjyqësore, që me krijimin e Gjykatës Administrative bëhet një proces akoma dhe më i shpejtë e transparent.

A keni dërguar inspektorë para prokurorisë për shkelje?

Në nëntor të vitit 2011 u vunë në pranga 9 inspektorë të Drejtorisë së Metrologjisë të cilët u akuzuan për shpërdorim detyre duke abuzuar me kontrollin ndaj disa subjekteve të inspektimit, më pas ishin institucionet e drejtësisë ato të cilat u morën me procedimin e mëtejshëm të këtyre zyrtarëve. Gjithsesi, ne mbetemi të hapur ndaj çdo ankese të bërë nga bizneset apo edhe nga qytetarët për çdo rast që interpretohet si shkelje e procedurave të inspektimit nga ana e inspektorëve shtetërorë. Inspektorët e Inspektoratit Qendror shqyrtojnë çdo ankesë që paraqitet pranë nesh dhe procedojnë me propozime për masa disiplinore për të gjithë ata inspektorë që shkelin procedurat e inspektimit dhe me kallëzime penale pranë Prokurorisë për çdo rast kur arrihet në përfundimin se mund të jenë konsumuar elementë të figurave të veprave penale.

Sa është numri i gjobave që keni vendosur për 2013? Sa prej tyre janë lënë në fuqi nga gjykata?

Inspektorati Qendor është institucion rregullator dhe monitorues dhe për rrjedhojë nuk vendos gjoba, por propozon masa disiplinore për inspektorët ose kryeinspektorët që shkelin ligjin dhe procedurat e inspektimit. Në rastet kur Inspektorati Qendror do të mbikëqyrë procedurat e inspektimit, do të verifikojë edhe numrin e gjobave të vendosura nga inspekotorët që janë shfuqizuar nga gjykata. Të gjitha këto gjoba të shfuqizuara nga gjykata do të shërbejnë si pikë negative në vlerësimin vjetor dhe ricertifikimin e inspektorëve që i kanë vendosur.

Sa të ardhura janë realizuar nga gjobat e vendosura ndaj biznesit nga inspektorët?

Gjobat nuk konsiderohen si qëllim në vetvete për vetë natyrën e inspektimit, përkundrazi Inspektorati Qendror ka për mision përmirësimin e efektivitetit dhe përgjegjshmërisë së veprimtarive të inspektimit në vend duke qenë partner me biznesin për uljen e barrës administrative ndaj të gjitha subjekteve. Sa i përket gjobave të vendosura nga inspektoratet shtetërore vihet re se ka edhe raste kur gjobat nuk paguhen nga subjektet e inspektimit. Procedura që ndiqet në të tilla raste është ajo që parashikohet në ligjin “Për kundërvajtjet administrative” dhe në Kodin e Procedurës Civile për ekzekutimin e detyrueshëm.

Arbitrariteti i tatimeve, 5 mijë biznese apelojnë gjobat.

Çështjet kryesore: gabime në llogaritjen e shumave dhe gjobat e pabazuara në ligj.
Arbitrariteti i administratës tatimore është kthyer në një nga çështjet me shqetësuese për biznesin në vend. Rreth 5 mijë ankesa janë depozituar pranë Drejtorisë së Apeltimit të Tatimeve, të cilat nisin nga kundërshtim i masës së gjobës, përllogaritja e saj dhe deri te gjoba të pabazuara në ligj. Përllogaritja e masës së gjobës sidomos në rastet e bizneseve të vogla dhe të mesme shoesh herë bëhet burim i sjelljeve arbitrare ndaj subjekteve. Në ankesat që janë depozituar gjatë vitit të shkuar dhe në janar të këtij vitit vërehen edhe pretendimet e bizneseve në lidhje me rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Drejtoria e Apelimit në një pjesë të konsiderueshme të rasteve të shqyrtuara ka vendosur shfuqizimesh për vendimet e akt-kontrolleve të inspektorëve tatimorë, por edhe në këto raste, kur biznesi ka fituar betejën me tatimet, ai nuk është kompensuar për vlerën e dëmit që i është shkaktuar.

Apelimi
Një biznes që është subjekt i gjobe të cilën e konsideron të padrejtë ai ka të drejtën e ankimit në Drejtorinë e Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duke kërkuar rishqyrtimin e pavarur të çështjes. Sipas legjislacionit në fuqi, tatimpaguesi mund të apelojë kundër çdo njoftim vlerësimi, çdo vendimi që ndikon në detyrimin e tij tatimor, çdo kërkese për rimbursim dhe çdo akti ekzekutiv të posaçëm tatimor. Gjithashtu tatimpaguesi mund t’i drejtohet zyrës së Apelimit të Tatimeve edhe për çdo akt që ndikon kërkesën e tij për rimbursim dhe për të gjitha gabimet në llogaritjen e përqindjes së kamatëvonesës ose për gabimet në llogaritjen e shumave dhe llojeve të gjobave.

Ndryshimet ligjore
Ndryshimet e fundit në ligjore në lidhje me masat shtrënguesve ndaj bizneseve që nuk paguajnë detyrimet ndaj shtetit reflektohet në rritjen deri në pesëfish të gjobave mbi bizneset që nuk deklarojnë të punësuarit. Pjesë e ndryshimeve në sistemin fiskal pritet të jetë edhe heqja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për makineritë e pajisjet. Është parashikuar që të përjashtohen nga TVSH në doganë, të gjitha ato makineri dhe pajisje që shkojnë në lidhje me investimin, pasi ky është qëllimi, për ato investime që shkojnë deri në 50 milionë lekë, apo 500 mijë dollarë. Ndërkohë që ka hyrë në fuqi ligji për heqjen e akcizës për kafen e papjekur, e cila nga 30 lekë për kilogram u bë zero. Ndërsa akciza e kafesë së pjekur nga 140 lekë zbret në 60 lekë për kilogram.

SME-të, 110 ankesa ndaj tatimeve
Bizneset e mesme drejtohen për ndihmë në rastet kur përballen me gjoba pranë Avokatit të Tatimpaguesve. Në shumë raste gjobat në vlera të konsiderueshme nuk janë të argumentuara. Avokati i Tatimpaguesve, Artur Papajani, i cili shpjegon se kjo zyrë merr në mbrojtje biznesin e mesëm, ndërsa biznesi i vogël mbetet jashtë kësaj mbrojtje për shkak të handikapit ligjor. Mësohet se në 70 % të rasteve persont që ka shkuar për kontroll pranë bizneseve nuk ka respektuar procedurat dhe në rast se nuk janë zbatuar procedurat do të thotë që nuk është zbatuar ligji dhe janë shkaktuar probleme, jo vetëm tatimpaguesit që ka të bëjmë në anën ekonomike, por edhe është deformuar tregut. “Shikojmë që anashkalohet baza ligjore, vendosen gjoba për pajisje fiskale të pa argumentuar, gjobat janë jo të vogla. Për një kupon është 100 mijë lekë të reja një gjobë, por ka raste që vendosen 10 të tilla në një biznes dhe kjo është më e rrezikshmja. Në rastet kur e shikojmë të motivuar gjobën nisim hetimin. Konstatojmë se asnjëherë nuk gjobitet edhe klienti”-bën të ditur Papajani.

KOMENTE