English

Haxhinasto firmos marrëveshjen. Kush janë aksionerët eTAP-it

Shqipëria, Greqia dhe Italia firmosën në datën 13 shkurt 2013, në Athinë marrëveshjen ndërqeveritare për ndërtimin e gazsjellësit “Trans Adriatic Pipeline” (TAP). Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Edmond Haxhinasto, ministri i Jashtëm i Greqisë Dimitris Avramopoulos dhe ministri për Zhvillim Ekonomik i Italisë Corrado Passera.
Ministri Haxhinasto theksoi se me këtë marrëveshje, Shqipëria ka mundësi furnizmi me gaz të lirë në një projekt me vlerë “mbi 2 miliardë dollarë amerikanë (USD) investime vetëm në territorin e saj” si dhe shtoi “se gjatë ndërtimit dhe funksionimit të tij mbi 20 mijë qytetarë shqiptarë do të punësohen”.
Haxhinasto e vlerësoi TAP-n si një projekt madhor për secilin nga vendet, rajonin dhe Europën. “Me këtë projekt Shqipëria bëhet një kontributor direkt për sigurinë energjetike në Europë”,- tha ministri Haxhinasto gjatë firmosjes në Athinë. Ai e konsideroi TAP-in si një urë që i bashkon vendet rreth një qëllimi të përbashkët për bashkëpunimin, integrimin, sigurinë dhe prosperitetin.
Gazsjellësi TAP ka rëndësi strategjike për Shqipërinë për përdorim të brendshëm duke mundësuar rritjen dhe diversifikimin e burimeve energjetike, si dhe e shndërron vendin në epiqendër të shpërndarjes së gazit në rajon dhe më gjerë.
Më herët në shtator të 2012, qeveritë e tre vendeve konfirmuan mbështetjen politike për projektin TAP duke nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi mes tyre.

Aksionerët e TAP-it janë: kompania zvicerane AXPO, norvegjezja Statoil dhe gjermania E.ON Ruhrgas. Gazsjellësi TAP do të sjellë gaz natyror nga fushat gazmbajtëse të Shah Deniz II të Azerbajxhanit në drejtim të Europës.

KOMENTE