English

Vëllai i Arben Frrokut: Do të sjell ekspertë amerikanë për të provuar pafajesinë e vëllait

Ne gazeten Shekulli sot botohet pjesa e panjohur lidhur me historine e vrasjes se komisar Lamajt dhe kurthin qe u ngrit ndaj Arben Frrokut si i dyshuari kryesor i vrasjes.

-Ekzekutimi mafioz i Dritan Lamajt, shefit të Komisariatit nr 6., duket se nuk ka rrënuar vetëm familjen e kryekomisarit. Nxitimi i Policisë së Shtetit për të deklaruar një fajtor, ka tronditur edhe një tjetër familje. Përveç se është luajtur seriozisht me jetën e personit të akuzuar, ende pa asnjë provë, si i dyshuari kryesor i i atentatit, familja e biznesmenit Arben Frroku, po vuan peshën e imazhit në publik. Për ta sjellë te lexuesi pjesën e panjohur të kësaj historie, pra për ta parë ngjarjen edhe me sytë palës së vënë në rreth për keq, “Shekulli” kontaktoi dje me vëllain e Arben Frrokut, Markun. Mbi Mark Frrokun tashmë ka rënë gjithë barra e rëndë e përballimit të akuzës publike. “Ne na njohin mirë, të dy kahet e politikës. Ne na njeh mirë edhe shteti, ky shtet të cilit familja ime me punën e saj i paguan taksë 220 deri në 250 mijë dollarë taksa në muaj. Ne, im vëlla dhe unë, kurrë s`kemi përfituar një grosh nga asnjëra palë, veç çfarë kemi investuar, e tani vetëm që im vëlla do të kandidonte në Shkodër për deputet donin edhe ta eliminonin. E dërguan në grykë të pushkës së grekëve. Kjo është e rëndë dhe ata e dinë mirë ç`kanë dashur të bëjnë atë natë me Arbenin...”.

Ndalon për një moment dhe rikthehet sërish tek ajo betejë që ka nisur tashmë me të gjitha pushtet. Në fakt, ende Policia, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe asnjë instancë tjetër nuk ka evidentuar prova konkrete. Marku tregon se familja e tij, kryesisht e ëma dhe i ati, po e vuajnë jashtëzakonisht shumë historinë e djalit të tyre, përgojimin e tij si autori i vrasjes së Dritan Lamajt. Ndërkaq kjo ngjarje sjell rrezikun e një hasmërie në kushtet kur e vërteta mbetet e turbullt. “Kjo është me të lënë në hasmëri shteti me familjen e tjetrit. S’u kemi gjë borxh; jemi gati jo para ligjit dhe të gjitha instancave të këtij vendi të përgjigjemi, por jemi gati të përgjigjemi edhe para Zotit. Si mund ta bëjnë diçka të tillë?! Po kur nesër Beni të dalë i pafajshëm, se do dalë, se s`kanë dhe s`mund të kenë asnjë provë, çfarë do të bëjë Policia e Shtetit, apo Ministria e Rendit, apo vetë shteti që i nxorën emrin për vrasës?!”.

Vijon të besojë në Zot, në një Zot që sipas tij, do të bëjë që kushdo që ngriti këtë kurth dhe pabesi ndaj familjes së tij dhe Arben Frrokut do të ndëshkohet. Krejt i qetë kërkon të tregojë për itinerarin e Arbenit natën e vrasjes. “Unë e di se këta mund të manipulojnë edhe prova, këta mund të bëjnë gjithçka, por për të vërtetuar pafajësinë e tim vëllai, do të sjell në Shqipëri edhe ekspertë amerikanë.

KOMENTE