English

Roland Trebicka, aktori që s'do të harrohet kurrë, ndahet nga jeta. Mos qani për mua, ishte amaneti i tij i fundit

Lajmi i hidhur ka pushtur zemrën e të gjithë familjarëve, miqve dashamirësve dhe të gjithë ata që e adhuronin humorin e tij.

Vdekja e aktorit Roland Trebicka ka tronditur të gjithë botën e artit. Ai ka ndërruar jetë ditën e sotme në mëshon 66 vjeçare pas një sëmundje të pashërueshme.

Trebicka ishte një nga aktorët që nuk do të harrohet kurrë, më të mirë të skenës shqiptare, i cili është spikatur për një mori rolesh në skenën e teatrit shqiptar, sdiomos për atë të Jovan Bregut.

Ndërkohë që në familjen Trebicka janë hapur dyert e mortit, vajza e aktorit ka bërë të ditur se babai i saj vdiq duke menduar për familjen, madje u ka lënë amanet që të mos qajnë e të mos dëshpërohen nga humbja e tij.

Ndërkaq në dyert e Teatrit Kombëtar është vendosur edhe lajmërimi për vdekjen e aktorit të madh, ndërsa homazhet në nderim të tij do të zhvillohen të enjten në ambientet e Teatrit nga ora 11:00-13:00.

Me gjithë luftën ndaj një sëmundje të gjatë, Z. Trebicka nuk e la pasionin e tij për aktrimin, duke u aktivizuar deri para pak javësh në “Teatrin Kombëtar”, me pjesën “Ëndrra e Ismail Qemalit”, ku interpretonte rolin e Seit Beut.

Një interpretim, mes shumë e shumë të tjerësh, që u prit suksesshëm nga publiku vendas.
Jeta e aktorit

Roland Trebicka lindi në Korçë në vitin 1947. Karriera e Roland Trebickës si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin "Debatik", më 1961. Ishte kjo përvojë që shënoi kursin që do të merrte më vonë jeta e djaloshit korçar. Prirja e tij e jashtëzakonshme për humor spontan, i siguroi një pozitë të "privilegjuar" në kohën e shërbimit ushtarak. Vitet në këtë trupë profesioniste ku debutuan edhe aktorë të tjerë, të cilët më vonë do të bëheshin të famshëm në fushën e humorit skenik dhe televiziv si Aleko Prodani, Koço Devole, Zef Deda, Sejfulla Myftari (Cekja), Mehdi Maljak, Behar Mera etj, ishin për Trebickën stazhi i nevojshëm, që i hapi më pas rrugën drejt Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. Kritika dhe kolegët e kanë vlerësuar vazhdimisht me nota maksimale për sensin e jashtëzakonshëm të humorit brenda dhe jashtë skene, në rol dhe jashtë rolit. Është mjeshtër i farsës dhe i groteskut, që e bazon lojën e tij në një fantazi të shfrenuar dhe improvizime të paparashikueshme, jo vetëm për shikuesit, por edhe për partnerët. Nga ana tjetër është kampion i përkushtimit dhe disiplinës në punë. Këto cilësi të tij e kanë bërë një nga aktorët më të kërkuar nga regjisorët. Kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë "Pallati 176". Por rolet e Trebickës në teatër janë të shumta. Shikuesit e kujtojnë me nostalgji në rolet e Xhenarinos tek "Magjia e madhe", Zganarelit tek "Don Zhuani", Hlestakovit tek "Inspektori" ("Revizori")... tek "Një burrë me trëndafil". Në vitin 2002, për rolin e rojës tek "Mbreti po vdes", Trebicka ishte kandidat për çmimin "Aktori më i mirë mbështetës" në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental, në Kajro. Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden "Ëndërr për një karrige" (Vaska) dhe "Koncert në vitin 1936" (Nesti).

KOMENTE