English

Rama: Fshati pas 23 qershorit do të rilindë. Jo votë për tifozllëk, por për ndryshim rrënjësor

Në vijim të rrugëtimit për prezantimin e programit për një Rilindje Shqiptare, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar edhe nga deputeti Paulin Sterkaj ka zhvilluar një bashkëbisedim të ngrohtë e mjaft miqësor në Malësinë e Madhe. Mes entuziazmit të banorëve të kësaj, zone kryesocialisti ka folur për drejtimet kryesore të programit të PS, kryesisht për prioritetet ekonomike, sistemin fiskal, sistemin shëndetësor e atë arsimor, por sigurisht që në pjesën më të madhe te fjalës së vet është ndalur në atë çfarë parashikon programi për një Rilindje Shqiptare për fshatin dhe rimëkëmbjen e ekonomisë fshatare.

“Kjo është një situatë e padurueshme dhe e patolerueshme dhe ne do ta ndryshojmë këtë situatë. Me votën për Partinë Socialiste në 23 qershor të gjithë duhet ta kuptojnë se nuk do të japin një votë për tifozllëk, por do japin një votë për një program që do të ndryshojë situatën ekonomike, do të ndryshojë situatën në sistemin e shëndetësisë dhe kujdesin shëndetësor për njerëzit, do të ndryshojë situatën në fshat, ku ne jemi shumë të vendosur që të bëjmë disa politika shumë të reja nxitëse, për të lehtësuar njerëzit që duan të jetojnë me punën dhe tokën, në bujqësi apo në blegtori, duke ulur kostot e prodhimit dhe duke u dhënë mundësi që të dalin në treg dhe të shesin. Sot ne jemi këtu në një zonë që qysh në kohën e Skënderbeut ka prodhuar dhe ka eksportuar, ndërkohë që tani e dinë mirë se sa shumë ka rënë fuqia prodhuese e kësaj zone dhe sa shumë ka rënë fuqia e familjeve për të jetuar më prodhimin bujqësor dhe blegtoral.

Zanatet në Shqipëri po zhduken. Dhe ndërkohë që Gjermania, Italia, Franca, të gjitha vendet e zhvilluara, investojnë tek zanatet dhe ju thonë të rinjve që disa do të shkojnë në universitet, disa të tjerë do marrin zanat. Dhe u japin një shkollë ku marrin një zanat, hapin një biznes dhe për këtë arsye biznesi i vogël në vendet e zhvilluara është baza e ekonomisë dhe është baza e fuqisë blerëse të familjes, këtu shkollat profesionale janë zhdukur. Ashtu si kundër ne nuk kemi qar ta imagjinojmë një të ardhme ndryshme në qoftë se ne nuk investojmë në fshat, në qo fto se ne nuk investojmë në prodhimin bujqësor dhe blegtoral. Po si mundet ne të shkojmë përpara me fshatin, në qoftë se edhe në fshat nuk investojmë në zanat, në teknikët e bujqësisë, teknikët e blegtorisë. Kjo është një nga sfidat tona dhe ne duam që ta rrokim edhe këtë sfidë për t’u dhënë mundësinë të rinjve që të punojnë me zanatin e tyre dhe jo vetëm të punojnë por dhe të fitojnë lekë. Të fitojnë lekë dhe të mund të mbajnë nesër familjen e tyre me një biznes të vogël.

Nesër si kryeministër unë do të vij këtu po njësoj dhe do të jem pranë çdo fermeri dhe çdo grupi fermerësh që kanë një problem për të zgjidhur për prodhimin e tyre. Ne nuk do të lëmë me prodhime që të bllokohen nga interesa klienteliste, korruptive dhe monopoliste dhe unë do të jem mbrojtësi më i flaktë i të prodhimit të çdo bujku dhe fermeri shqiptare në gjithë Shqipërinë.

Transformimi në fshat do të jetë i jashtëzakonshëm sepse njerëzit do të fillojnë t’ja shohin hajrin prodhimit të mundit dhe të sakrificave të tyre dhe duke u bërë kështu zot në shtëpinë e tyre, jo me çifte për të mbrojtur shtëpinë nga hajdutët, por me punën e tyre dhe me respektin që vjen nga puna.”

KOMENTE