English

Berisha takon kryetarin e Partisë Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen (M.E.G.A)

Kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një takim me kryetarin e Partisë Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen (M.E.G.A), zotin Kristo Kiço dhe drejtues të tjerë të kësaj force politike, me të cilët diskutoi për bashkëpunimin mes dy forcave politike.

Kryeministri Berisha dhe zoti Kiço në një prononcim pas takimit u shprehën:

Kryeministri Berisha: Sapo përfunduam një takim me kryetarin dhe drejtues të tjerë të Partisë M.E.G.A, parti e minoritetit grek dhe minoriteteve të tjera në Shqipëri, më të cilët diskutuam gjerësisht për një aleancë elektorale, por edhe afatgjatë. Unë dua të theksoj se mbetem shumë i impresionuar nga fakti se gjatë këtij takimi, drejtuesit e partisë M.E.G.A nuk paraqitën kërkesa për karrige, por kërkesa, të cilat të gjitha që lidhen me liritë, të drejtat, me jetën, investimet, infrastrukturën, me sigurinë dhe të gjitha problematikat e minoritetit grek në Shqipëri. Nga ana tjetër, kërkuan që në përputhje me ligjet e vendit dhe konventat ndërkombëtare të kenë të gjithë hapësirën e merituar, për të luajtur rolin e tyre në një vend e sistem demokratik.

Ramë dakord të përpunojmë sëbashku, duke i garantuar se mbetem i vendosur për standardet më të mira për minoritetin grek dhe të gjitha minoritetet që janë në Shqipëri. Kërkesat e tyre janë kërkesa kryekëput të bazuara në Kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare për minoritetin. Përgjegjësia e tyre është shumë madhe. Veçanërisht dua të theksoj se kjo parti merr një rëndësi të veçantë, në një kohë kur partia tradicionale, do ta quaja, e minoritetit u dëmtua në mënyrë të pariparueshme nga aleanca e pazareve, në rastin konkret. Aleancë, në të cilën, edhe para firmosje së saj, viktimë e parë ishte përfaqësuesi i votës së minoritarëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Unë dua të informoj qytetarët se nuk kisha ndërmend të angazhohesha dhe të mobilizoja votën për shkarkimin tij. Sikur zoti Dule të kalonte në anën tjetër, ne do ta zëvendësonim një nga përfaqësuesit tanë, por jo përfaqësuesin e minoriteteve. Nuk ka gjë më pa moral në qëndrimin ndaj minoriteteve, që edhe atë përfaqësues të vetëm t’ia bësh plaçkë tregu. Minoritetet nuk kanë nevojë për pazare, por për standarde të lirive dhe të drejtave njerëzore. Kështu që unë e përgëzoj zotin Kiço dhe të gjithë udhëheqjen e M.E.G.A-s, për vendosmërinë e përkushtimin e tyre në mbrojtje të interesave, të të drejtave njerëzore, lirive të minoriteteve. E garantoj gjithashtu se në këtë proces do të kenë përqindjen e vet në komisionerë e në çdo gjë, për të garantuar numërimin e votave, pasi kurrë ndonjëherë vota e minoritarëve nuk ka qenë më në rrezik se në këtë periudhë, nga aleanca e pazareve. Edhe vota e tyre mund të tregtohet tani, po të mos ishte M.E.G.A, e cila do ta administrojë me përfaqësuesin më serioz të minoritetit, çdo votë që ata do të hedhin në kutinë e votimit për cilindo subjekt elektoral, me ndershmërinë më të madhe.

Zoti Kristo Kiço: Duke falënderuar Kryeministrin, përpjekjet këmbëngulëse e të sinqerta të partisë M.E.G.A, për bashkimin e minoritetit etnik grek në një aleancë të qëndrueshme, natyrale dhe të suksesshme për vetë minoritetin grek, nuk patëm reflektim nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.

Në programin tonë, ne kemi në plan të parë zgjidhjen e problemeve të minoritetit etnik grek dhe jo përfitimet personale nga ndarja e pushteteve. Parashtruam te të gjitha forcat kryesore politike në vend, kuadrin e kërkesave të minoritetit etnik grek, të bazuara në konventat ndërkombëtare për minoritetet dhe në Kushtetutën e vendit dhe që lidhet me participimin pa kushte politike të minoritetit në të gjitha nivelet e administratës publike, mbrojtjen dhe zhvillimin e arsimit e kulturës, zgjidhjen e problemeve të pronës dhe garantimin e sigurisë dhe drejtësisë. Gjetëm mirëkuptimin e mbështetjen e Partisë Demokratike dhe veçanërisht të Kryeministrit, zotit Sali Berisha. Ndaj edhe sot jemi pjesë e këtij koalicioni. Programi ynë janë kërkesat e minoritetit etnik grek e do të përbëjnë boshtin e strategjisë politike të Partisë Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen, e cila do ketë në parlamentin e ardhshëm përfaqësuesit e saj, që do të dalin nga zgjedhjet e 23 qershorit.

KOMENTE