English

100 mijë ndërtime pas 2006-s tashmë me ligj do të legalizohen

Amnisti edhe për shtesat e pallateve, ndërtimet pranë rrugëve dhe banesat 5-katëshe.
Përcaktohen kuotat për legalizimin e 100 mijë ndërtimeve pa leje, ku përfshihen shtëpi, shtesa pallatesh dhe ndërtime të tjera, të cilat ishin përjashtuar deri tani nga ligji.

Rreth 100 mijë ndërtesa pa leje në të gjithë Shqipërinë, ku përfshihen shtesat e pallateve, ndërtesat mbi 5 kate dhe banesat pranë akseve rrugore, do të pajisen me leje legalizimi nga miratimi i projektligjit të ri në Parlament. Sipas drejtorit të ALUIZNI-t, Ardian Kollozi, nuk disponohet ende një shifër e saktë se sa është numri i ndërtesave informale të ngritura që nga vitit 2006 e në vazhdim, por sipas tij, një studim i Bankës Botërore ka evidentuar se në total janë rreth 80 deri në 100 ndërtime informale që preken nga ky projektligj.
Drafti i propozuar nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, parashikon për herë të parë të lejojë legalizimin e ndërtimeve mbi 5-katëshe nga niveli zero, që janë ndërtuar në troje private brenda vijës së verdhë, duke i kufizuar sipërfaqen e truallit, e cila kalon të drejtën e pronësisë. Po ashtu, do të krijohet dhe mundësia që të përfshihen në procesin e legalizimit dhe shtesat e pallateve për të cilat njëri prej aplikuesve nuk paguan tarifën e legalizimit. Në ligjin e vjetër, nëse njëri prej bashkëpronarëve të shtesës së pallatit nuk paguante, atëherë procesi do të mbeste pezull. Ndërkohë që me ndryshimet e reja, procesi i legalizimit vijon për pronarët që paguajnë tarifën e legalizimit për shtesën e pallatit, ndërkohë që për ata që nuk paguajnë, shtesa kalon në pronësi të ALUIZNI-t, deri sa të bëhet pagesa nga qytetari i interesuar. Këto ndryshime u prezantuan dje nga zëvendësministri i Punëve Publike dhe Transportit, Flamur Kuçi, i cili tha se: “Rasti është i thjeshtë, behët fjalë për shtesat e pallateve, kur ka një bashkëpronësi të detyrueshme mbi truallin poshtë pallatit. Në qoftë se një prej aplikantëve nuk paguan truallin, mbesin të gjithë peng të asaj mospagese. Ne me këtë amendim po zgjidhim lehtësisht një situatë për katër qytetarët e tjerë, ndër pesë që kanë aplikuar për legalizim. Të vazhdojë procesi i legalizimit dhe të mos pengohemi nga mospagesa e këtyre bashkëpronarëve të detyruar. Ajo pjesë e truallit të personit që nuk paguan kalon në pronësi të ALUIZNI-t, në momentin që qytetari bën pagesën, legalizohet edhe ai. Ai truall nuk mund të përdoret për asgjë tjetër, veçse për legalizimin e atij subjekti”. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është edhe legalizimi i ndërtesave informale në akset rrugore. Ligji i ri ngushton distancat nga 100 metra deri në 20 metra. “Përllogarisim rreth 30 mijë ndërtime pa leje që penalizohen nga fakti se duhet të ruhet distanca 100 metra nga dy anët e aksit të rrugës. Kemi bërë propozimin t’i referohemi Kodit Rrugor. Reduktohen distancat në 20, 25 dhe 30 metra nga aksi i rrugës. Reduktohen distancat e ndërtesave pa leje në akset rrugore në të dy anët dhe në distancat 20-30 metra”, eshte shprehur drejtori i ALUIZNI-t.

Pagesat sipas parcelave, kuatat në bono dhe lekë

Brenda vijës së verdhë

• Parcelat 1-300 m2, 70% pagesë me bono

• Parcelat mbi 300 m2, 50% pagesë me bono Jashtë vijës së verdhë

• Parcelat 1-500m2, 70% pagesë me bono

• Parcela mbi 500 m2, vetëm pagesë me lekë

Tarifa e shërbimit

4 mijë lekë për çdo kat shërbimit për përditësit të të dhënave 6 mijë lekë për çdo kat tarifa për dokumentacionin tekniko-ligjor

Çmimi i shitjes në zonat informale për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha çmimi është si më poshtë:

a) për sipërfaqe deri në 100 m² 100 mijë lekë;

b) për sipërfaqe deri në 200 m² 150 mijë lekë;

c) për sipërfaqe deri në 300 m² 200 mijë lekë;

ç) për sipërfaqe deri në 400 m² 300 mijë lekë;

d) për sipërfaqe deri në 500 m² 400 mijë lekë;

dh) për pjesën e sipërfaqes mbi 500 m², sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë. Është kryer përditësimi në terren për 210 mijë objekte informale

Rreth 90 mijë ndërtime pa leje kanë marrë tapitë

Kanë marrë shpërblimin 4 818 pronarë pasurish të paluajtshme

Kanë përfunduar aplikimin 120 mijë objekte pa leje

Janë lëshuar lejet e legalizimit për 55 mijë objekte në të gjithë vendin

KOMENTE