English

"Hail Hitler" thirrje në parlamentin grek

Një skandal i ri ka ndodhur sot në Parlamentin e Greqisë, ku gjatë seancës parlamentare janë dëgjuar thirrjet naziste “Hail Hitler”.
Gjithçka ka filluar me një debat të fortë mes deputetit të partisë neo-naziste “Agimi i Artë”, Panajotis Iliopulos dhe nënkryetarit të Parlamentit. Ky i fundit, urdhëroi nxjerrjen jashtë të deputetit neo-nazist, për sjellje joparlamentare dhe pas këtij urdhri nga salla doli gjithë grupi i deputetëve të “Agimit të Artë”.
Gjatë largimit të deputetëve në sallë është dëgjuar tri herë thirrja “Hail Hitler”.
Nuk është shumë e qartë se kush i lëshoi këto thirrje, pasi sipas deputetëve të “Agimit të Artë”, ato u lëshuan nga deputetët e SYRIZA-s, të cilët donin të provokonin neo-nazistët.
Sipas një versioni, kur deputetët e “Agimit të Artë” po largoheshin nga salla, deputeti i SYRIZA, Stavros Kontonis, tha me ironi: “Hail Hitler”. Pastaj, po sipas këtij versioni, deputeti i Kristos Papas u përgjigj duke thirrur tri herë të njëjtën parullë. Ndërkohë “Agimi i Artë” këmbëngul se thirrjet për Hitlerin u shqiptuan nga deputeti i SYRIZA-s.
Sidoqoftë, fakt është se prania e partisë neo-naziste “Agimi i Artë” në Parlamentin grek po provokon incidente të papara ndonjëherë në institucionin më të lartë të një vendi demokratik.
Kjo situatë ishte pasojë e diskutimit për projekt-ligjin kundër racizmit, ku deputetët sulmuan praktikat e ndjekura nga “Agimi i Artë”.

KOMENTE