English

Ministria e Mbrojtjes: Ja pse lirohen 3 gjeneralët e brigadës

Drejtoresha e Kabinetit të ministrit të Mbrojtjes, znj. Donika Çapi, dha sot në mesditë një deklaratë për mediat, lidhur me lirimin nga detyra të tre gjeneral brigade, në të cilën thuhet:

Kabineti i ministrit të Mbrojtjes lidhur me lirimin nga detyra të gjeneral brigade Sandër Lleshi,
gjeneral brigade Dhori Spirollari
gjeneral brigade Abaz Lleshi, sqaron se: Pretendimi për mungesë reference ligjore nuk qëndron, sepse:

1. Për lirimin e gjeneralëve nga detyra është zbatuar me përpikmëri kuadri ligjor, si nga Ministria e Mbrojtjes ashtu edhe nga institucioni i Presidentit të Shqipërisë, përkatësisht: Ligji Nr. 9171, datë 22.01.2004 “Për gradat dhe karrierën në Forcat e Armatosura”, neni 10, si edhe ligjit Nr. 8671, datë 26.10.2000 “Për Pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit dhe të Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, pika 8, neni 7.
Pretendimi i njërit prej gjeneralëve të dalë në lirim për diskriminim me bazë përkatësie fetare është i papranueshëm, madje nuk do të gabonim po të thonim absurd, sepse:

2. Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë dhe do të mbeten një institucion laik. Diskriminimi apo përparimi në gradë për shkak të përkatësisë fetare shkojnë kundër frymës së institucionit. Përdorimi i argumentit, përpos se krejtësisht i pavërtetë, është kundër kësaj fryme.

Pretendimi për heshtje apo mos vënie në dijeni, nuk qëndron sepse:

3. Me daljen e dekreteve të Presidentit të Republikës, shefi i Shtabit të FARSH, ka komunikuar individualisht me secilin prej gjeneralëve, në respekt të plotë të njoftimit në kohën e duhur dhe personalisht, për të shmangur me sa mund njoftimin, së pari nga mediat, siç edhe ka ndodhur në raste të tjera të ngjashme. Ministria e Mbrojtjes ka propozuar edhe organizimin e një ceremonie të largimit nga detyra, ceremoni kjo e refuzuar prej tyre.

Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm ka vlerësuar kontributin që gjeneralët e liruar kanë dhënë për Forcat e Armatosura, pasi ata për shkak të funksionit dhe gradës kanë ushtruar gjatë gjithë kësaj kohe detyra të rëndësishme, ashtu siç i njeh edhe mangësitë e punës së tyre. Funksionimi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura mbështetet tek principi i drejtimit të politikave nga ministri i Mbrojtjes, ushtarakët zbatojnë këto politika. Refuzimi për të pranuar një proces tërësisht ligjor dhe në funksion të menaxhimit sipas rregullave të FARSH, duke i veshur këtij procesi ngjyra kinse ekstra-procedurale, shkon ndesh me figurën e një ushtaraku me gradë madhore.
I gjithë personeli i Ministrisë së Mbrojtjes dhe veçanërisht gjeneralët, janë në dijeni për punën e vazhdueshme që po bëhet, veçanërisht këto dy vitet e fundit, për t’i ofruar Forcave të Armatosura ligjet dhe procedurat administrative që do të rregullojnë edhe më mirë karrierën e ushtarakut. Një ligj i ri dhe tërësor është tashmë në diskutim e sipër në Këshillin e Ministrave. E megjithatë, respekti për shtetin ligjor dhe institucionet detyron çdo kënd të zbatojë ligjet ekzistuese.

Së fundmi, çdo përsiatje mbi medaljet dhe mirënjohjet është e tepërt, pasi Ministria e Mbrojtjes në qendër të vëmendjes së saj ka pasur në këto vite krenarinë e ushtarakut, personalitetin e tyre, e ndër të tjera Ministri i Mbrojtjes nuk ka kursyer asnjëherë medaljet për ushtarakët e angazhuar në emergjencat civile, në procesin e demilitarizimit, në misionet ndërkombëtare, etj, bazuar në principin e punës dhe rezultateve të arritura në detyrë.

KOMENTE