English

Fshat i madh mes Evropës, i varfër dhe parademokratik, që grindet, midis fiseve dhe katundeve të veta

Afrim Krasniqi - ATA qeverisin ose duan të qeverisin. ATA betohen për kushtetutën dhe ligjin, për qytetarin dhe drejtësinë, për demokracinë dhe transparencën. ATA i kemi në çdo ekran në TV, në çdo gazetë, në çdo rrugicë lagjeje, në çdo bashki e komunë, si portrete të qeshura që premtojnë parajsën dhe mrekullinë. Çdo studim, raport ndërkombëtar dhe sondazh tregon se ATA janë pakicë, por kanë monopolin e pushtetit; ATA janë mbi ligjin dhe kanë imunitet për gjithçka bëjnë e thonë; ATA janë institucioni më pak i besuar dhe përcuesi kryesor i korrupsionit.

Pak ditë më parë Kryeministri tha në Kamëz se kryetari i opozitës i urren të ardhurit në Tiranë, më pas tha se ai i ka quajtur ata “shpellarë”. Më pas shkoi në veri dhe verilindje dhe u tha banorëve publikisht të njëjtën gjë. Kryeministri në hije tha dje në Vlorë se kryeministri e urren këtë qytet. Berisha tha dje në Elbasan se opozita e urren Elbasanin, kryetari i bashkisë Tiranë tha gjithashtu se Rama e urren Tiranën, drejtuesit e opozitës në Berat thanë se Berisha e urren Beratin!! Dhe kështu në çdo qytet, në çdo miting! Të gjithë u thonë të gjithëve se pala tjetër ju urren! Një mesazh mesjetar, provincial, absurd dhe antidemokratik. Koncepti dhe fushata e urrejtjes krahinore janë koncepte antikushtetuese. Ndalohet nga Kushtetuta e Shqipërisë (neni 9), ndalohet nga ligji i partive politike (2000).

ATA e bëjnë për votë, kjo dihet. E bëjnë për pushtet e ambicie personale. Edhe kjo dihet. Por nëse vazhdon kështu do të ketë pasoja të mëdha në shoqëri, gjë që dihet por ata refuzojnë ta dinë. Imagjinoni të vazhdojmë kështu!! Një parti kombëtare në jug dhe një rivale tjetër në veri, një parti çame në Vlorë, një parti politike në Skrapar, një parti greke në minoritetin e jugut,...!!! Një fshat i madh mes Evropës, i varfër dhe parademokratik, që grindet, zihet e konkurron midis fiseve dhe katundeve të veta, që ndahet në miniprincipata fisnore e krahinore, që në këtë mënyrë de facto s’ka asgjë të përbashkët me aspiratat, nevojat dhe interesa madhore të vendit dhe shoqërisë!

ATA që vjedhin, që gënjejnë, që mashtrojnë, që manipulojnë, që nxisin grindjet e përçarjet për ca vota, etj, nuk ka rëndësi nga cila zonë e fshatit shqiptar janë, nëse kanë kostum apo Ipod, nëse banojnë në pallat apo në vilë, nëse udhëtojnë me anti-plumb apo autobus, - ATA janë fenomen tranzicioni dhe përbëjnë kërcënim për të gjithë, - qytetarët, shtetin dhe shoqërinë! Nuk ka rëndësi nëse banojnë në Kamëz apo Kukës, në Vlorë apo Skrapar, në Korçë apo në Durrës, në Bathore apo zonën e Tiranës së vjetër, - kush mendon njësoj i përket të njëjtës kategori apolitike, tribale dhe abuzuese në Shqipëri!

ATA që janë të aftë, të mençur, transparent, të ndershëm, që nuk fyejnë dhe as shit-blejnë vota, që nuk nxisin urrejtjen krahinore, fetare dhe as sociale, që besojnë tek idetë, mendimet, vizionet dhe jo tek përkatësinë krahinore të turmës, - ATA është lideri e lidershipi që duam, që na nevojitet, që mund të bëjë gjëra të mirë në këtë vend, që mund të na ndajë nga tranzicioni dhe politika mjerane e krahinave, që mund të sjellin diçka pozitive sot e në të ardhmen për shtetin, për qytetarët, për shoqërinë. Nuk ka rëndësi nëse individë të tillë gjen në Shkodër apo Gjirokastër, në Rrëshen apo në Kolonjë, në Laprakë apo në zonën e Bllokut, - rëndësi ka se ata i përkasin të njëjtës kategori qytetare, civile, evropiane në Shqipëri!

A ka Shqipëria politikanë të tillë? Unë njoh disa. Janë pak, por janë sinjal se ka ende shpresë! Dita kur të votohet vlera, merita, aftësia, mendimi, vizioni, projekti dhe integriteti – ajo do të jetë de facto dita e parë e rilindjes së Shqipërisë, e ecjes përpara, e ecjes më shpejt, e besimit në zot dhe atdhe, e politikës për shtetin, familjen, moralin dhe qytetarët!

KOMENTE