English

“Freedom House” Në Shqipëri ekziston një kulturë pandëshkueshmërie

Raporti më i ri i organizatës “Vendet në Tranzicion” theksohet se procesi i anëtarësimit në BE ka motivuar reforma të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor që sigurojnë një mekanizëm formal për institucione demokratike dhe ekonomi tregu funksional. Megjithatë ekspertët e “Freedom House” thonë se katër vende Shqipëria, Bosnja Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia, kanë regjistruar rënie shqetësuese.

Sipas raportit Shqipëria gjatë pesë viteve të fundit ka pasur një imazh pozitiv, por ky trend ndryshoi në vitin 2012. “Freedom House” thotë se në Shqipëri institucionet kryesore drejtohen nga njerëz pranë qeverisë dhe se ekziston një kulturë pandëshkueshmërie. Shqipëria ka pësuar rënie në treguesit për qeverinë qendrore, qeverinë lokale dhe korrupsionin.

“Mungon vullneti politik dhe përforcimi i institucioneve”, thekson raporti.

Procesi elektoral ose vota demokratike është vlerësuar me notën 4.25, shoqëria civile ka një vlerësim 4.25, pavarësia e mediave me notën 4, qeverisja kombëtare me notën 5, qeverisja lokale me notën 3.5, pavarësia e gjuqësorit me notën 4.75 dhe korrupsioni me notën 5.25.

Vlerësimet sipas “Freedom House” janë bazuar në një shkallë nga 1 deri në 7, ku 1 përfaqëson nivelin më të lartë të përparimit demokratik dhe 7 më të ulët.

Në pjesën për Ballkanin thuhet se korrupsioni në këtë rajon ka vazhduar të thellohet, pavarësisht presionit nga Bashkimi Evropian dhe institucionet ndërkombëtare për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të sjellë vendime për rastet e profilit të lartë.

“Gazetarët, sidomos ata që mbulojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, përballen me presion politik, kërcënime dhe sulme. Si dëshmi të këtyre vendeve numërohen Shqipëria, Bosnja dhe Kosova”, thuhet në raport, raporton Rel.

KOMENTE