Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Shqipëria një vend burimi për burra, gra dhe fëmijë, për shfrytëzim seksual dhe punë të detyruar
English

Shqipëria një vend burimi për burra, gra dhe fëmijë, për shfrytëzim seksual dhe punë të detyruar

Raporti Vjetor i Departamentit të Shtetit të SHBA per Trafikimin e Personave.

Në kapitullin për Shqipërinë thuhej:
SHQIPËRIA - Lista e Vëzhgimit ‘Grupi 2’

Shqipëria është vend burimi për burra, gra dhe fëmijë të cilët i nënshtrohen trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe punës së detyruar. Viktimat shqiptare i nënshtrohen trafikimit për qëllime shfrytëzimi seksual brenda Shqipërisë si edhe në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë, Belgjikë, Hollandë, Gjermani, Zvicër, Irlandë dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Shumë gra janë viktimë e trafikimit pasi pranojnë oferta punësimi si kamariere, bariste, kërcimtare ose këngëtare në vendet fqinje, veçanërisht në Kosovë, Greqi dhe Maqedoni. Gjatë vitit janë identifikuar viktima të trafikimit për punë nga Filipinet. Fëmijët shqiptarë detyrohen të lypin si edhe për forma të tjera pune të detyruar. Disa vajza shqiptare bëhen objekt i trafikimit me qëllim shfrytëzimi seksual apo punë të detyruar pas martesave me mblesëri.

Qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht kushtet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, kjo qeveri po merr masa të konsiderueshme për ta bërë këtë. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, qeveria nuk mundi të paraqiste prova për shtimin e përpjekjeve në shqyrtimin e trafikimit të qenieve njerëzore gjatë periudhës së mëparshme të mbuluar nga raporti; si rrjedhojë, Shqipëria vendoset në Listën e Vëzhgimit ‘Grupi 2’. Qeveria ka financuar në masa modeste strehat e OJQ-ve të cilat ofronin shërbime për viktimat e trafikimit dhe raportohet se gjyqtarët kanë përdorur qasje me orientim ndaj viktimave gjatë proceseve gjyqësore. Megjithatë, qeveria uli numrin e shkelësve të ligjit që janë hetuar, ndjekur penalisht dhe dënuar për trafikim. Autoritetet shqiptare vazhduan të ndiqnin penalisht dhe të dënonin viktimat për vepra të paligjshme që vinin si pasojë e drejtpërdrejtë e faktit se viktimat bëheshin pre e trafikimit për qëllime shfrytëzimi seksual. Qeveria hoqi koordinatorin kombëtar kundër trafikimit, i cili ishte shumë efikas në bashkëpunimin me OJQ-të për të zhvilluar mekanizmin kombëtare të referimit (MKR) dhe procedurat standarde të veprimit, dhe e la këtë pozicion bosh për pesë muaj. Kjo bëri që zyra e koordinatorit kombëtar të mos kishte autoritetin të organizonte takime ndërmjet agjencive. Disa ministri nuk caktuan përfaqësues për të marrë pjesë në MKR dhe mungesa e koordinimit pengoi zbatimin e ligjit kundër trafikimit. Ndihma për fëmijët viktima të trafikimit nuk ishte e qëndrueshme.

Rekomandimet për Shqipërinë: Të ulë shkallën e lartë të qarkullimit mes zyrtarëve të qeverisë, veçanërisht brenda forcave lokale të policisë, për të ruajtur kapacitetin e përftuar nga zyrtarë me trajnim të veçantë për shqyrtimin e trafikimit të qenieve njerëzore; të shpërndajë të ardhura për zyrën e koordinatorit kombëtar kundër trafikimit në mënyrë që të ulë varësinë e tij ndaj donatorëve të huaj dhe të shtojë përpjekjet për parandalim; të trajnojë rregullisht policë dhe zyrtarë në nivel lokal për procedurat standarde të veprimit me qëllim rritjen e numrit të viktimave të identifikuara dhe ndihmuara në Shqipëri; të garantojë se viktimat e trafikimit për qëllime shfrytëzimi seksual nuk do të dënohen për prostitucion; të garantojë zbatimin e plotë të MKR-së duke caktuar përfaqësues të përgjegjshëm nga secila ministri; të trajnojë zyrtarët në njësitë e mbrojtjes së fëmijëve për të shtuar identifikimin e treguesve të trafikimit dhe t’i dërgojë viktimat drejt shërbimeve përkatëse; të financojë shërbime mbrojtëse për viktimat fëmijë të trafikimit; të hetojë fuqishëm dhe të ndjekë penalisht shkelësit trafikues; të zbatojë procedura favorizuese për viktimat për sigurimin e kujdesit shëndetësor; të zgjerojë shërbimet komunitare për riintegrimin dhe fuqizimin e viktimave për të ndihmuar në uljen e ‘turpit’ lidhur me trafikimin dhe të vazhdojë të shtojë përpjekjet me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit ndaj trafikimit për punësim.

Ndjekja penale

Qeveria e Shqipërisë pakësoi përpjekjet për zbatimin e ligjit kundër trafikimit gjatë vitit të kaluar. Kodi penal për Shqipërinë ndalon trafikimin për qëllime shfrytëzimi seksual dhe pune sipas neneve 110(a), 128(b), dhe 114(b), të cilat përcaktojnë ndëshkime me burgim nga pesë deri në 15 vjet. Këto dënime janë mjaftueshëm të rrepta dhe ua kalojnë atyre të parashikuara për krime të tjera të rënda, si për shembull përdhunimi. Prokuroria e Krimeve të Rënda raportoi hetimin e 11 të dyshuarve për trafikim të qenieve njerëzore në vitin 2012, krahasuar me 27 të dyshuar në vitin 2011. Qeveria nuk veçoi të dhënat për të treguar se ka bërë përpjekje kundër trafikimit për qëllime shfrytëzimi seksual dhe pune të detyruar. Gjykatat pushuan hetimet kundër dy të pandehurve për shkak të mungesës së provave. Qeveria dënoi dy shkelës të ligjit për trafikim me qëllim shfrytëzimin seksual në vitin 2012, krahasuar me pesë shkelës të dënuar në vitin 2011. Dy të pandehurit e gjykuar morën dënime përkatësisht me 15 vjet burgim dhe gjobë me vlerën rreth 57.100 dollarë dhe 10 vjet burgim e gjobë me vlerën 38.100 dollarë. Mbetën në proces dy ndjekje penale. Zyrtarë shqiptarë të zbatimit të ligjit bashkëpunuan me policinë në Itali dhe Gjermani për të hetuar dhe ndjekur penalisht raste të trafikimit për qëllim shfrytëzimin seksual. Gjatë vitit 2012 qeveria trajnoi 114 gjyqtarë, prokurorë dhe oficerë gjyqësorë për ndërgjegjësimin e trafikimit. OJQ-të raportuan se gjykatësit patën qasje më të orientuara drejt viktimave gjatë seancave gjyqësore pas një sërë trajnimesh të sponsorizuara nga qeveria. Ndërsa raportet e medias hedhin akuza se një punonjës i gardës së republikës ka përdorur një fëmijë për trafikim me qëllim shfrytëzimin seksual dhe ka marrë dënim të ulur prej një viti burgim për pranimin e krimit të shfrytëzimit për prostitucion, qeveria nuk raportoi ndonjë hetim apo ndjekje penale të punonjësve qeveritarë të akuzuar për bashkëfajësi në trafikimin e qënieve njerëzore gjatë këtij viti.

Mbrojtja

Qeveria vazhdoi me përpjekjet për t’i dërguar viktimat e trafikimit në shërbimet përkatëse gjatë periudhës së raportimit, por mungesa e bashkërendimit mes ministrive dhe zbatimi sporadik i procedurave standarde të veprimit rezultuan në dënime të viktimave të trafikimit. Gjatë vitit të kaluar qeveria raportoi identifikimin e 42 viktimave të reja. OJQ-të identifikuan edhe 50 viktima të reja në vitin 2012. Kjo përbënte rritje mbi totalen e 84 viktimave të identifikuara në vitin 2011. 138 viktima u trajtuan në total në qendra shtetërore dhe të OJQ-ve. Njëmbëdhjetë viktima të identifikuara ishin burra dhe 26 fëmijë. Dy viktima të identifikuara iu nënshtruan trafikimit për punë. Punonjësit për zbatimin e ligjit vazhduan të humbisnin mundësitë për të identifikuar dhe dërguar viktimat drejt shërbimeve duke përdorur procedurat standarde të veprimit. Qeveria trajnoi përafërsisht 500 policë, zyrtarë të qeverisë dhe anëtarë të shoqërisë civile për zbatimin e procedurave standarde të veprimit, megjithëse shkalla e lartë e qarkullimit në poste qeveritare – veçanërisht brenda policisë – pengoi përparimin në nivel lokal për identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit. Pjesa më e madhe e policisë dhe autoriteteve rajonale mbeten të patrajnuar në lidhje me çështje të trafikimit dhe përdorimi i procedurave standarde të veprimit është i parregullt. Si rrjedhojë, shumë viktima u trajtuan si të dyshuara për prostitucion dhe nuk iu dha mundësi përdorimi të shërbimeve nëpërmjet MKR-së.

Qeveria investoi një shumë prej rreth 7.280 dollarë për strehat e OJQ-ve; megjithatë, këto para u dhanë rreptësisht vetëm për shpenzime ushqimi dhe ishin minimale në krahasim me numrin e viktimave të shërbyera. Qeveria nuk dha mbështetje financiare për shërbimet ndaj fëmijëve të varur nga viktimat e trafikimit. Qeveria raportoi se ka dhënë shumën prej afro 280.952 dollarë për shërbime sociale për viktimat e rritura të trafikimit; megjithatë, ajo nuk dha informacion në lidhje me ç’pjesë e kësaj shume u shpenzua për këto shërbime. Tre streha menaxhoheshin nga OJQ dhe ofronin shërbime të përgjithshme. Një strehë e katërt dha shërbime të kufizuara, por punonte në bashkëpunim me OJQ-të për të përmbushur nevojat e viktimave. Dy të rritur dhe një fëmijë strehuar në qendrën shtetërore u zhdukën gjatë periudhës së raportimit. Liria e lëvizjes së viktimave në qendrat shtetërore ishte e kufizuar. Në vitin 2012 qeveria miratoi të drejtën për shërbim mjeksor për viktimat e trafikimit, por ofruesit e shërbimit raportuan se pengesat burokratike nuk lejuan viktimat të përfitonin shërbim mjeksor gjatë periudhës së raportimit. Në praktikë, përfituesve të mundshëm të këtij shërbimi që u përpoqën të merrnin shërbim mjeksor iu kërkua të identifikonin veten si viktima të trafikimit te disa punonjës, në shkelje të së drejtës së garantuar nga ligji për privatësinë. U hapën njëqind njësi të reja për mbrojtjen e fëmijëve në nivel lokal; njësitë kanë rol të drejtpërdrejtë në rritjen e identifikimit të viktimave fëmijë të trafikimit dhe në sigurimin e mbrojtjes, por shumica e punonjësve nuk kishin trajnimin dhe burimet për të identifikuar në mënyrë efikase dhe ndihmuar viktimat fëmijë të trafikimit. Qeveria inkurajoi viktimat për pjesëmarrje në hetim dhe në ndjekje penale të trafikuesve duke u ofruar viktimave dëshmitare mundësi për konsultim me punonjës socialë dhe psikologë gjatë gjykimit. Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë ka një koordinator për viktimat dëshmitare; megjithatë, viktimat nga jashtë Tiranës nuk patën mundësi ta përdornin këtë shërbim dhe prokurorët në zonat e tyre nuk kishin trajnimin e duhur për të punuar në mënyrë efikase me viktimat dëshmitare. Ky problem u përkeqësua për viktimat e trafikimit në rastet kur trafikuesi ndiqej penalisht për prostitucionin dhe jo sipas ligjeve të trafikimit. Si mundësi alternative për zhvendosjen e viktimave të huaja të trafikimit, ligji shqiptar kundër trafikimit garanton një periudhë reflektimi prej dy vitesh me leje banimi të përkohshëm dhe me mundësinë e aplikimit për leje banimi të përhershëm pas qëndrimit në vend për pesë vjet, si edhe autorizim për punë. Megjithatë, në praktikë qeverisë i mbetet ende ta provojë këtë duke garantuar status të tillë për ndonjë viktimë.

OJQ-të raportuan se pati viktima që u dënuan si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e të qenit të përfshira në situate të trafikimit të qenieve njerëzore. Në vitin 2012 së paku tre vikima të trafikimit për qëllim shfrytëzimi seksual u dënuan për prostitucion. Në një rast gjykata lëshoi njëkohësisht dënim për të pandehurin për trafikim personi dhe dënim për viktimën për prostitucion. Mungesa e trajnimit dhe shkalla e lartë e qarkullimit mes prokurorëve mbeti sfidë për përparimin në zgjidhjen e këtij problemi.

Parandalimi

Shqipëria vazhdoi përpjekjet për parandalimin e trafikimit të personave gjatë vitit. Qeveria trajnoi 245 punonjës shkollash kryesisht nga zonat rurale. Qeveria, me mbështetjen e OSBE-së, trajnoi 20 inspektorë punësimi për ndërgjegjësim kundër trafikimit dhe nisi një projekt për shfrytëzimin për punë dhe nxitjen e përgjegjësisë së përbashkët sociale. Ndonëse qeveria përditësoi MKR-në në bashkëpunim me shoqërinë civile, heqja e koordinatorit kombëtar pengoi përpjekjet për zbatimin e planit kombëtar të veprimit kundër trafikimit miratuar në vitin 2011. Qeveria nuk bëri përpjekje të dukshme për të ulur kërkesën për marrëdhënie seksuale me pagesë dhe bëri pak përpjekje për ndërgjegjësimin publik për uljen e kërkesës për punë të detyruar.

KOMENTE