English

Ambasadori Eugen Wollfarth takon Nishanin para largimit nga Shqipëria

Presidenti i Republikës Bujar Nishani priti dje në një takim lamtumire, Kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadorin Eugen Wollfarth.

Presidenti Nishani shprehu vlerësimin e tij për kontributin e Pranisë së OSBE-së në Shqipëri duke e cilësuar si një faktor të rëndësishëm ndihmues në zhvillimet demokratike dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit të së drejtës dhe shtoi se Ambasadori Wollfarth ka një meritë të veçantë në këtë kontribut.

Kreu i Shtetit në vijim u shpreh se procesi zgjedhor, i cili tashmë është në fazën përmbyllëse ka qenë nga më të mirët dhe për këtë OSBE-ODIHR me ndihmën e dhënë si në përgatitjen e kuadrit ligjor ashtu edhe në monitorimin e procesit zgjedhor kanë pjesën e tyre në këtë sukses.

Ambasadori Wollfarth u shpreh i kënaqur me punën e tij në Shqipëri dhe i lehtësuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve duke konsideruar se roli i Presidentit të Republikës në këtë proces ka qenë i rëndësishëm.

Kreu i OSBE-së e falenderoi në mënyrë të veçantë Presidentin Nishani për bashkëpunimin e ngushtë me Praninë e OSBE-së në Tiranë.

KOMENTE