English

Pas 31 korrikut gjoba ndaj çdo kundravajtësi që zapton hapësirat publike të kryeqytetit

Policia Bashkiake ka ndërmarrë sot një aksion për lirimin e hapësirave publike, në zonën e ish-Bllokut (rruga “Nikolla Tupe”). Përgjegjësi i sektorit për ligjshmërinë fiskale, pranë Policisë Bashkiake z. Bashkim Koçi ka bërë me dije se pas datës 31 korrik, do të merren masa ligjore me gjoba ndaj çdo subjekti i cili tenton të zërë hapësirat publike.

“Ne kemi evidentuar të gjithë këto lloj problematikash, kemi lënë akt-konstatime dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës kemi vendosur kufizimin e dhënies së lejes së shfrytëzimit të hapësirës. Këto subjekte janë lajmëruar, ndërkohë që kemi marrë masa dhe kemi bërë procedurën ligjore të gjobitjes me gjobë ndaj çdo kundravajtësi, ku pas datës 31 të këtij muaji (korrik) do të shikoni një ndryshim rrënjësor, në përputhje me legjislacionin e parashikuar”- u shpreh z. Koçi.

Sipas Koçit, Policia Bashkiake po ndërhyn me aksionet e saj të herë pas hershme, me qëllim lirimin e rrugëve dhe hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme dhe për t’u rikthyer kështu qytetarëve çdo centimetër katror të kryeqytetit.

“Specifikisht, sot po merremi me lirimin e atyre rrugëve dhe hapësirave publike të zëna nga kundravajtësit me blloqe betoni, hekura, zinxhirë të cilët i kanë privatizuar në mënyrë të kundraligjshme këto hapësira për të parkuar makinat e tyre. Policia Bashkiake është e pozicionuar qartësisht në mbështetje të shumicës, të atyre qytetarëve që e duan ligjin dhe e zbatojnë atë dhe jo të disa individëve që e shkelin këtë ligj dhe duan të bëhen pronarë të paligjshëm të asaj që quhet hapësirë publike e qytetarëve. Ne jemi të vendosur që hapësirat publike, në çdo metër katror të Tiranës, t’i kthehen qytetarit, në funksion të përmirësimit cilësor të lëvizjes së tyre, të përmirësimit cilësor të parkimit të makinave, të lëvizjes së makinave dhe gjithçka tjetër. Njëkohësisht, para se të vinim këtu, ne kemi bërë të mundur lirimin e të gjithë hapësirës së lëvizshme tek zona e ish-Bllokut. Po të shikoni, vetëm gjatë 10 ditëve të fundit janë marrë masa për lirimin e të gjitha hapësirës, sepse është kohë sezonale, ku kundravajtësit zënë trotuaret me prodhimet stinore, janë sekuestruar mbi 12.5 tonë mall kundravajtje, praktikë e cila do të vijojë edhe në ditët e ardhshme” – theksoi z. Koçi.

Po ashtu, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës janë evidentuar zonat problematike ku do të ndërhyhet, për të bërë të mundur lirimin e hapësirave publike të kryeqytetit.

KOMENTE