English

Çështja "21 janar 2011", pezullohet nga gjykata e apelit

Gjykata e Apelit ka pezulluar gjyqin për çështjen aq shumë të debatuar të 21 janarit 2011. Shkak i pezullimit është bërë kërkesa e prokurorisë së apelit për përjashtimin e relatorit të çështjes Astrit Haxhialushi.
Prokurori Shkëlqim Hajdari e kërkoi përjashtimin me argumentin se gjyqtari Haxhialushi ka qënë pjesë e dy trupave gjyqësore që kanë dënuar dy demostrues të protestës së opozitës së atëhershme.

Sipas prokurorit, gjyqtari Haxhialushi ka qenë anëtar i trupit gjykues ndaj të pandehurit Fetah Meta, i cili ka qenë pjesëmarrës në protestën e 21 janarit dhe ka dhënë vendimin për të.

Pas kërkesës së prokurorit, gjykata vendosi të pezullojë shqyrtimin e çështjes së 21 janarit derisa një trup tjetër gjyqësore të vendosë për kërkesën e prokurorit.

Edhe në seancën e sotme gjyqësore mungonin edhe dy të akuzuarit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo të cilët janë përfaqësuar nga avokatët e tyre.

Më herët gjykata caktoi edhe dy anëtarët e rinj të trupës gjyqësore pas dorëheqjes së gjyqtarit Agron Papajani dhe përjashtimit të Fatos Qatos pasi ky i fundit është bashkëshorti i anëtares së PS-së Merita Qato e cila është edhe një nga organizatoret e 21 janarit.

Gjykata caktoi si pjesë të trupës gjyqësore e cila do të shqyrtojë ngjarjet e 21 janarit gjyqtarët Ervin Metalla dhe Evgjeni Sinoimeri.

KOMENTE