English

Lame: Bashkia e Tiranës po përgatit prishjen e Parkut të Lodrave “7 Xhuxhat”

Deklaratë për media nga Artan Lame:

-Me gjithë paralajmërimet e bëra prej nesh, kërdia e territorit në zonat publike po vazhdon.
Po bëjnë letra fallco, po shtojnë numra protokollesh, po nxjerrin vendime postum, etj. Kanë edhe një e muaj e ca kohë të bëjnë kërdinë, por në shtator mekanizmi pervers që kanë krijuar, do të ndalet dhe zbërthehet përgjithmonë.
Qeveria e re do të mbajë premtimin e bërë. Ne do të legalizojmë falas shtëpitë e shqiptarëve në zonat informale, përkundrejt një programi të detajuar që do ta paraqesim brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.
Por nga ana tjetër ne nuk do të legalizojmë asgjë në vijën bregdetare dhe asgjë të ndërtuar për qëllim fitimi kudoqoftë, brenda në qytete apo anash rrugëve kombëtare.
Ne do të penalizojmë ashpërsisht ata që vazhdojnë të masakrojnë bregun dhe ata që kanë bërë legalizime të paligjshme në zonat e ndjeshme, si për shembull:
- Zona të mbrojtura bregdetare, Liqenore dhe lumore,
- Zona të mbrojtura mjedisore, parqe kombëtare, etj.
- Zona Arkeologjike dhe të trashëgimisë Kulturore
- Zona përgjatë rrugëve kombëtare kryesore dhe nyje rrugore.
- Zona Turistike, plazhe.
- Zona përreth impianteve të infrastrukturës (Depo dhe tubacione ujësjellësash, diga, kolektorë, impiante pastrimi, etj).
- Zonat e Qendrave të qyteteve dhe hapësira publike të tyre (Parqe, lulishte, rrugë, oborre shkollash e kopshtesh, etj).
- Të tjera që do të identifikohen.
Ne po mbledhim informacion për falsifikimet që po bëhen, për legalizimet dhe ndërtimet në zonat delikate dhe do t’i zhbëjmë ato.
- Në zonat e Parkut Kombëtar të Dajtit,
- Parkut Kombëtar të Butrintit,
- Liqenit të Pogradecit,
- Kalasë së Krujës,
- Vlorë-Orikum,
- Zona historike e Lezhës,
- Kepi i Rodonit
- Në një mori zonash të tjera të rëndësishme për publikun, nga të cilat vazhdojmë të marrim denoncimet e qytetarëve të përgjegjshëm.
Në shtator Kryeministri do të paraqesë në Kuvend “Paketën e emergjencës kombëtare për territorin” dhe do të shpallë një nga betejat madhore të Qeverisë së Re: betejën e kthimit të pushtetit të qytetarëve mbi territorin e Republikës së Shqipërisë.

HAPESIRAT E GJELBRA TIRANE
Përsa i përket situatës së hapësirave të gjelbra të Tiranës, me trishtim shohim se të gjitha parashikimet dhe denoncimet e bëra prej nesh dhe shoqërisë civile, po vërtetohen njëri pas tjetrit.
Denoncuam shkatërrimin e Parkut të Kopshtit Botanik dhe shkatërrimi ndodhi.
Denoncuam shkatërrimin e Parkut të Liqenit dhe shkatërrimi ndodhi, edhe përgjatë rrugës së Elbasanit edhe prapa godinës së Universitetit (deri tani).
Denoncuam shkatërrimin e Parkut Historik të Namasgjasë dhe shkatërrimi ndodhi.
Denoncuam shkatërrimin e Lulishtes tek Shtëpia e Oficerëve dhe shkatërrimi ndodhi.
Sot po denoncojmë shkatërrimin e radhës që po përgatit Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve, shkatërrimin e Parkut të Lodrave “7 Xhuxhat”.
Për asnjë prej denoncimeve të mësipërme, Bashkia e Tiranës nuk pati kurajën të zbatonte detyrimin ligjor për të informuar qytetarët dhe të përballej me reagimin normal të tyre ndaj këtij shkatërrimi.
Qeveria e re do të përdorë të gjitha mjetet për prapësimin e mundshëm të këtyre dëmtimeve dhe vënien para përgjegjësisë të shkaktarëve.

KOMENTE