English

Gjermania ka anuluar një pakt të epokës së Luftës së Ftohtë me SHBA-të dhe Britaninë

Gjermania ka anuluar një pakt të epokës së Luftës së Ftohtë me SHBA-të dhe Britaninë, si kundërpërgjigje e zbulimit të operacioneve të survejimit elektronik.

Detajet e programeve të përgjimit, që përfshijnë edhe aleatët transatlantik u bënë të ditura në media nga ish-analisti i inteligjencës amerikane, Edward Snowden.

Nxjerrja e dokumenteve sekrete shkaktuan një irritim të gjerë në Gjermani, ku zgjedhjet do të mbahen gjatë muajit të ardhshëm. Marrëveshja daton më 1968-’69 dhe anulimi i saj është përgjithësisht simbolik.

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, tha përmes një deklarate: “Anulimi i marrëveshjeve administrative, që kemi kërkuar gjatë javëve të fundit, është nevojshmëri dhe pasojë direkte e debatit të fundit në lidhje me mbrojtjen e privatësisë personale”.

Eksperienca e gjermanëve me përgjimet masive, nën periudhat diktatoriale komuniste e naziste, i bën ata tepër të ndjeshëm ndaj shkeljeve të perceptuara të privatësisë personale, ndaj dhe vendi ka ligje të forta për mbrojtjen e të dhënave.

Marrëveshja e anuluar të premten i jepte vendeve perëndimore, që kishin trupa ushtarake të stacionuara në Gjermaninë Perëndimore (SHBA, Britani dhe Francë), të drejtën për të kërkuar operacione survejimi për të mbrojtur këto forca.

Një zyrtar gjerman tha për agjencinë e lajmeve “Associated Press” se marrëveshja nuk është shfrytëzuar që prej fundit të Luftës së Ftohtë, si dhe pranoi se vendimi nuk do të kishte impakt në bashkëpunimin aktual të inteligjencave.

KOMENTE