English

“Nderi i qytetit”. Libohova nderon Presidentin e Republikës, Bujar Nishani

Libohova nderoi me titullin “Nderi i qytetit” Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Në festën e përvitshme tradicionale të Libohovës, në praninë dhe entuziazmin e qindra qytetarëve nga Libohova dhe zonat përreth, ky titull iu dorëzua Kreut të Shtetit nga Kryetari i Bashkisë, Altin Çomo me motivacionin “Personalitet i shquar libohovit, me vlera dhe kontribute të veçanta si ministër reformator në disa qeveri, President i Republikës, atdhetar dhe diplomat, politikan dhe burrë shteti”.

Emocioneve personale të origjinës familjare, Presidenti Nishani u bashkëngjiti në fjalën e mbajtur në këtë festë edhe evokimin e vlerave identike, historike e kulturore të Libohovës, vlera që e kanë pasuruar identitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

“Sot kjo qytezë më ndez edhe më forcon krenarinë, krenarinë e të parëve të mi, të gjyshit tim, të stërgjyshit tim, të katragjyshit tim, që u lindën dhe u rritën në këtë tokë të bekuar, më jep më shumë krenari për rrënjët e mia të hershme, për atë identitet të rrallë, që ka Libohova dhe libohovitët e që ka pasuruar përherë identitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Është pikërisht ky identitet që do të arrijë ta drejtojë sa më mirë e do ta dërgojë sa më shpejt e me sa më pak dëme, rrugëtimin tonë kah integrimit me shpirtin dhe kulturën e Europës, ashtu shtruar, qetë, i ngulitur në mishin dhe gjakun e njerëzve përgjatë historisë së këtij vendi, siç kanë ditur të ecin gjithmonë libohovitët. Ndaj, le t’i kultivojmë dhe ripërtërijmë shpirtërisht e praktikisht traditat tona, me bindjen se shpërblesën prej tyre do ta kemi të sigurt e të shëndetshme në gjithë rrugën e jetës sonë individuale e kolektive si komb”, – u shpreh Presidenti Nishani.

E ndërsa shprehu një vlerësim të lartë për familjen e madhe themeluese të Libohovës dhe veprën e vëllezërve Mufit, Eqerem dhe Ajet Libohova, dhe kontributin e libohovitëve për çështjen kombëtare, Presidenti i Republikës nënvizoi edhe qëndrimin antikomunist të Libohovës.

“Përpara se thundra e përbindshme e komunizmit të binte ashpër mbi lëvizjen e Kelmendit, apo kryengritjen e Postribës, ka rënë këtu në Libohovë që në verën e vitit 1943 duke vrarë 104 burra e të rinj. Libohova ishte kështjella e fundit antikomuniste në Shqipërinë e jugut, pasi ishin pushtuar të tjerat”, – nënvizoi Kreu i Shtetit.

Presidenti Nishani renditi në fjalën e tij vlerësimet edhe për një sërë personalitetesh të lindur në “Qytetin e Kadilerëve”, siç njihej ndryshe Libohova në gjysmën e parë të shekullit të XX, si ish kryebashkiakun e Tiranës Abedin Nepravishta që së bashku me arkitektin italian Brasini hartoi dhe zbatoi planin rregullues të kryeqytetit, Arshi Pipën me veprën e tij voluminoze politike, letrare dhe filozofike, Branko Merxhanin, sociolog, gazetar e filozof, Sabiha Kasimatin, të parën shkencëtare femër në Shqipëri, Nexhmije Zaimin, gazetare e “Zërit të Amerikës”, e plot të tjerë libohovitë që lanë gjurmë në historinë e Shqipërisë.

Duke përmendur edhe rrëfimin e Bajronit për vajzat e bukura dhe gjellët e shijshme libohovite, Presidenti Nishani solli në vëmendje vlerat turistike të Libohovës, pasuritë natyrore dhe monumentet historiko- kulturore, dhe sidomos traditat e shkëlqyera të libohovitëve, të cilat përbëjnë atë identitet origjinal, që i dallon ato nga njeri tjetri në epokën e globalizmit.

“Në betejën për t’i ruajtur këto thesare, që po asimilohen nga prirja e përbotshme për t’u tretur në botën e modës, unë them me bindje se Libohova dhe libohovitët kanë dalë fitimtarë duke ruajtur zakonet më të mira të të parëve të tyre dhe sigurisht, duke u dhënë atyre një shkëlqim të ri”, – deklaroi Presidenti Nishani.

KOMENTE