English

Fjala e Kryeministrit dhe njëherësh Kryetarit të PS Edi Rama në Kuvend

Zoti Kryetar i Kuvendit!
Faleminderit për paanësinë dhe durimin në drejtimin e një seance të gjatë, që anoi hera-herës, por që mbetet një seancë për t’i falënderuar të gjithë. Të gjithë ata që ndenjën dhe natën, të gjithë ata që folën ditën dhe natën, të gjithë ata që thanë pse na mbështesin dhe të gjithë ata që s’na mbështesin, por u munduan të na e thonë pse.
Sigurisht, faleminderit edhe atyre që na thanë pse s’na mbështesin, por pse nuk na mbështesin, ishte më e rëndësishmja, thanë dhe që me programin tonë s’kishte të bënte.
Unë i ndoqa me shumë vëmendje, deri në fund leximet dhe këndimet e opozitës për programin përgjatë të cilave, më lejoni ta them u ndjeva si në klasën e një shkolle nate, ku një nga një recituan të njëjtën gjë, udhërrëfyes të deritanishëm dhe deri tani ndjekës të panjohur të rrugës së rrënimit. Të tërë në radhë dolën këtu dhe rreshtuan arritje të atilla të qeverisjes së 8 viteve të fundit, që e bëjnë njeriun e vëmendshëm të pyesë veten: Mirë kundërshtarët, po një popull i tërë, si ka mundësi që s’i paska parë tërë ato suksese, që opozita i rreshtoi, duke na akuzuar ne për verbëri, nihilizëm, e të tjera me radhë, madje edhe për antishqiptari?!
E dyta, e pashmangshme, si ka mundësi që recituesit e sotëm opozitarë të kenë qeverisur deri dje jo pak, 8 vjet këtë vend, me këtë nivel të të kuptuarit të gjërave, që ma ha mendja edhe tek Universiteti “Vitrina” e kanë të vështirë ta përkthejnë në diplomë pa i dhënë edhe lekë në dorë. Kur dëgjon opozitën, të duket sikur sapo është votuar nga populli për të vazhduar të qeverisë në rrugën e sukseseve të veta imagjinare, jo sikur sapo ka dalë nga një i atillë dru i popullit, që me thënë të drejtën na e ka fajin edhe për faktin se ju ende s’dini ku e keni kokën. Emblematik njëri syresh që tha: “Prania e shumë grave në qeveri dhe mosha e re e qeverisë janë hapa pozitivë, por të panevojshëm”. Sigurisht, hapa të panevojshëm, sepse të panevojshme ishin dhe vetë zgjedhjet e 23 qershorit. Ditën e nesërme të të cilave, ish-kryeministri kishte dalë në vitrinën e gazetave të pushtetit, pushteti i shembur, me dy gishtat lart si Çurçilli pas rënies së Berlinit dhe me një titull të madh lakonik Fitore, Fitore, Fitore. Një tjetër tha: “Ç’është ky kryeministër që merret me Shqiponjën, kur duhet të merret me programin”, ndërkohë që jo unë, por me radhë, opozitarët njëri pas tjetrit ditën edhe natën e çonin vëmendjen e sallës dhe të publikut te shqiponja. Të tjetër përsëritën se ne nuk paskemi fituar, Rilindja nuk qenka votuar, përderisa Partia Socialiste forca e parë në këtë vend, me diferencë shumë të thellë me Partinë Demokratike, nuk paska marrë e vetme mbi 51% të votave.
Ju ishit forcë e dytë në 2009 dhe ishit triumfues mbi “etërit”, ndërsa sot që ne jemi forcë e parë në një përqindje që është më e larta në zgjedhjet parlamentare në Europë për një forcë të parë qeverisëse, ju keni kurajën të thoni se nuk paskemi fituar. Por, nuk keni faj, ia u thashë edhe dje. 1 milionë shuplaka janë shumë. Por, s’ja vlen të zgjatem, këtu, sepse të them të drejtën ne kemi shpëtuar që të gjithë që kur e pushuam nga puna kontabilistin e përqindjeve elektorale, që e keni marrë ju, dhe e gëzofshi për vakitë e radhës. Ne na i kishte lënë Partia e Punës atje, se është si ato vajtojcat profesioniste, që shkojnë nëpër vaki dhe qajnë me ligje, për të çliruar të afërmit nga dhimbja e të ikurit.
Foli edhe dikush, për qeveri bashkëkryeministrash, në vazhdën e përpjekjes për të thënë se Partia Socialiste nuk ka fituar dhe se ne kemi dy kryeministra. Dua t’ua them unë, që mos lodheni ju;
Që padyshim “Aleanca për Shqipërinë Europiane” ka dy forca kryesore dhe dy liderë të tyre, njëri Kryetar i Kuvendit, tjetri Kryeministër dhe që të dy bashkëdrejtues të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”.
“Aleanca për Shqipërinë Europiane” ekziston dhe është votuar për të qenë sinteza e fuqishme e dy partive, që kanë rigjetur njëra-tjetrën tek e njëjta forcë, kanë marrë një mandat të fortë për të rilindur Shqipërinë, duke ecur më shpejt drejt ëndrrës europiane dhe kanë përgjegjësinë historike ta përmbushin aspiratën e shqiptarëve për demokracinë e çdo dite, duke mos përsëritur gabimet e vjetra në rrugën e qeverisjes në tërësi apo, padyshim, të qeverisjes të së majtës shqiptare në veçanti. Ne e ndiejmë njësoj gjithë peshën e kësaj përgjegjësie dhe një gjë thelbësore, që do të ndryshojë në kulturën e qeverisë me koalicion në Shqipëri do të jetë, pikërisht, kalimi nga një qeveri ku kryeministri i koalicionit e ndan qeverisjen me parcela partiake, me përqindje që shkatërrojnë shtetin për pushtetin e tij vetjak dhe familjar, në një qeverisje ku përqindjet e marra në zgjedhje ndërthuren si përgjegjësi qeverisëse me partnerët strategjikë m’u ashtu siç ndërthuren përgjegjësitë e dy liderëve në ecurinë e qeverisë dhe e zbatimit të programit qeverisës të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”. Prandaj më mirë vazhdoni gërmimet të gjeni kokën, se sa të gërmoni në këtë anë të parlamentit.
Kishte një kryefjalë në gjithë jermin tuaj, mes ëndrrës së sukseseve imagjinare dhe zhgjëndrrës së dhimbshme të 23 qershorit. Kryefjala ishte që ky nuk është program, s’ka shifra, s’ka afate, s’ka shpjegime si do bëhen ato që thuhen, ka pak faqe të shkruara, ka shumë faqe me ngjyra. Pse ka fotografi? Po shqiponja pse s’ka dalë mirë në fotografi? Pa folur pastaj për paraqitjen time programatike që u kthye në motiv për të ikur deri nga salla me pretendimin se po ushtroj dhunë. S’keni parë asgjë akoma. E habitshme, për një forcë që ka qenë tetë vjet në qeveri, të mos dijë akoma çfarë është një program qeverisës. Ende më e habitshme që udhërrëfyesit e kësaj force të mos kenë asnjë haber në diskutimin e një pike kaq fillestare për një diskutim të kësaj natyre.
Tani ju lutem, do t’u vij në ndihmë se po flas për programin. Edhe ju i shkollës së natës dëgjoni se kapni ndonjë gjë ditën. Tani dua t’ju vij në ndihmë. Dua t’ju vij në ndihmë që ta mësoni për herë tjetër, se do keni prapë programe për të diskutuar këtu dhe mos ikni më nga salla, mos flisni paraqende, se nuk i bëni nder atyre që ju kanë votuar. Problemi juaj nuk është që besoni atë që lexoni, problemi juaj është që nuk lexoni dhe ky libër është një nga shumë librat ku ju mund të hidhni sytë për të lexuar dhe për të kuptuar ç’është një paraqitje e programit nga një kryeministër, është historia e të gjitha paraqitjeve të programeve, mund të gjeni dhe të tjera në parlamente të tjera, në parlamentin italian nga De Gasperi e deri te Romano Prodi dhe aty do të shikoni që ajo që e quani fjalim propagandistik, apo dhunë mbi opozitën është në fakt një normë e një ballafaqimi të parë në një deklaratë të përgjithshme programatike.
Po shkoj pak më tutje në familjen tuaj politike. Shikojeni këtë këtu. Ka shumë më pak faqe, ka ngjyra, ka fotografi, shikoni si është dhe shifra brenda ka ende më pak se i yni. Është programi i Koalicionit të qeverisë së Madhërisë së saj, jo të naltmadhnisë tuaj, që s’është këtu në sallë. Ky është programi i koalicionit, i një prej qeverive më të rëndësishme të planetit. Ky është programi! Prandaj mësoni se çfarë është një program, çfarë është një paraqitje programatike dhe ju duhet për herën tjetër. Tani, më lejoni të prek disa prej shënimeve që kam mbajtur gjatë dëgjimit me vëmendje. Nuk kam ndërprerë askënd. Kam dekurajuar këdo që t’ju ndërpresë dhe jo sepse nuk kam respekt për ministrat, por se unë, ministrat, kjo shumicë e re e zgjedhur kemi shumë respekt për veten që t’ju ndërprisnim juve kur flisni.
Po ju jap edhe një provë që nuk jam unë, nuk jemi as ne pre e paaftësisë për të dëgjuar, për të kuptuar dhe madje për të përshëndetur dhe miratuar opinionet tuaja të opozitës, por jeni ju përfaqësuesit e Partisë Demokratike në pushtet dje, apo në sallë sot pre e paaftësisë suaj për të bashkëjetuar me kundërshtarët si njerëz që mendojnë ndryshe dhe e gjakimit tuaj ndaj kundërshtarëve si armiq që duhen asgjësuar kudo që shfaqen. E përshëndes kolegun deputet të opozitës, Dashamir Shehin dhe e miratoj në shumicën e gjërave që tha, përveçse e falënderoj për mënyrën qytetare si i tha, për të cilën shpreh konsideratën time më të lartë. Kjo e dyta duhet të ishte normë në fakt në parlamentin e Shqipërisë së shekullit të XXI në dyert e Europës dhe dalja nga norma duhet të ishte këtu mungesa e edukatës në këtë sallë. Por ja që s’është kështu dhe fatkeqësisht s’është kështu shpesh, por siç e di zoti Shehi, e di edhe unë pse. I nderuar zoti Shehi, unë jam dakord me ju. reforma territoriale është domosdoshmëri historike për Shqipërinë dhe jetike për ecurinë e punëve të vendit. Jo sot, qysh prej të paktën një dekade. Por për arsyet e mos arsyes që e kanë sunduar Partinë Demokratike në epokën e gjatë që sapo u mbyll, as u votua dot plani i reformës territoriale të socialistëve, rreth 10 vjet më parë, apo ndoshta dhe pak më shumë dhe as u propozua ndonjë plan alternativ nga demokratët në qeveri 8 vjet rresht. E dëshironi ende më shpejt thatë ju, seç e parashikojmë ne në program. Bujrum zoti Shehi. Ne jemi në kërkim të ethshëm të partneritetit me opozitën në këtë drejtim, sepse kjo është një reformë themelore e shtetit dhe nëse kemi parashikuar një afat të gjatë për ju, 2015-ën, kjo vjen edhe sepse ne e dimë që kjo kërkon një shumicë përtej shumicës së cilësuar që kemi ne, një shumicë kushtetuese. Prandaj jeni i mikpritur dhe i mirëpritur në qeveri për të filluar qysh këtë javë me diskutimin paraprak për metodologjinë e kësaj reforme. Ashtu siç janë të mikpritur dhe të mirëpritur edhe përfaqësuesit e PD-së, të PDIU-s, të PR-së, të PDK-së, për t’u ulur qysh tani në tryezën e kësaj reforme që do të startojë nën drejtimin e ministrit për Çështjet Vendore. Doni të bashkojmë forcat për të çuar përpara çështjen e pronës?! Bujrum përsëri zoti Shehi. Ejani në tryezën e komisionit të reformës për pronën që, gjithashtu, do të nisë pa humbur kohë. Dhe le ta artikulojmë bashkërisht atë që nuk është artikuluar dot kurrë. Pse?! Sepse nuk ka pasur kurrë vullnet për të gjithëpërfshirë parlamentin në funksion të një interesi të madh të pronës që është përdorur për topat e fushatave elektorale ku pronarët, të ardhurit, bujqit dhe fermerët kanë qenë mishrat e atyre topave. Ne duam që të identifikojmë së bashku një politikë të re gjithëpërfshirëse, për pronën dhe t’i verifikojmë po së bashku, instrumentet më të efektshëm për jetësimin e kësaj politike një orë e më parë.
Nuk kemi ne asnjë paragjykim! Shumica e re nuk është qeveria e socializmit të vjetër. Nuk është as refraktare ndaj ideve të tregut, përkundrazi është e lindur për t’i dhënë zgjidhje problemeve të vjetra dhe të mbartura që ua sollën shqiptarëve në majë të hundës dhe që në 23 qershor pastaj i bënë të bëjnë atë që bënë. Nuk ju vjen mirë?! S’kemi ç’farë ti bëjmë! Nuk është faji jonë që shqiptarët shkuan dhe votuan po aq të shumtë në numër dhe po aq me dufin në majë të hundës si në mars ‘92. Për këtë pyesni shqiptarët. Mbase ju ndihmojnë ata. Meqë ne nuk na besoni kur ju themi gjeni kokën reflektoni dhe të vazhdojmë së bashku. Ne duam t’i japim fund kalvarit 20 vjeçar të pronës, të pronarëve, të fermerëve e të bujqve, të të ardhurve që kanë ndërtuar shtëpitë e tyre në zonat informale të qyteteve të mëdha. Duam t’i japim fund edhe kalvarit të pronës publike, për Shqipërinë që s’mund të rilindë pa mbaruar ky kalvar dhe për Shqipërinë europiane që as mund të imagjinohet jo më të ndërtohet pa kaluar nga zgjidhja e çështjes së pronës dhe nga marrja e kontrollit të shtetit mbi territorin e këtij vendi që është bërë shesh ku gjithkush bën një përshesh.
Një ish-ministre tha këtu se opozita e sotme na paska bërë gati dhuratë shampanjën, vetëm për të hapur, duke e shijuar kur Shqipëria të marrë statusin që e paska dhuratë nga ju. Ja një tjetër rast për të nënvizuar dallimin tonë dhe dëgjojeni;
Qeveria e djeshme e quante NATO-n arritjen e vetë ekskluzive dhe bënte fushatë si forcë e NATO-s, me grykën e tankut të propagandës, drejtuar opozitës komuniste edhe pse ishte bashkëpunimi me opozitën që e garantoi ftesën në NATO për Shqipërinë, pas një procesi të gjatë, që nuk filloi në vitin 2005 kur ju erdhët në qeveri. E pra ne nuk do ta quajmë statusin e kandidatit arritjen tonë ekskluzive. As do të derdhim shampanjë. As do të bëjmë koncerte kundër opozitës me punonjës të administratës të sjellë në sheshin Nënë Tereza me autobusë që i paguan buxheti i shtetit. Dhe meqë ra fjala për llogaritë që bëni, unë po iu përgjigjem me shumë respekt atyre që thatë ju. Llogaritë që bëni me shpenzimet e buxhetit për ministrat e shtuar, le ta dëgjojnë të gjithë;
Vetëm duke mosshpenzuar për mitingje dhe koncerte antiopozitare në rrugën e integrimit mund të paguheshin të paktën dhe njëherë kaq ministra sa ka sot kjo qeveri.
Jo! Kur ta marrim statusin ne nuk do të festojmë dhe as do hedhim fishekzjarrë si paria e vitit ’36 siç ka ndodhur deri dje, se në fakt asaj parie ia keni pasur gjithmonë zilinë dhe asaj parie jeni munduar t’i ngjani. Po nuk është viti ’36 dhe koncertet në vitin ‘36 le t’ia lëmë Kinostudios Shqipëria e Re. Por ne do të bëjmë bilancin, do të vlerësojmë gjithçka është bërë në këtë rrugë, jo vetëm në 8 vitet e shkuara po në 15 vite, se MSA-në e gjetët gati kur e firmosët dhe pa dyshim do vëmë piketat që mos harxhojmë 15 vite të tjera për të anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Europian.
Një figurë përfaqësuese e kësaj opozite m’u drejtua duke më thënë një gjë, që akoma nuk e kam kuptuar. Qeveria e re- tha- duhet të kërkojë një ndjesë të thellë. Nuk e kuptova dot kujt dhe për çfarë duhet të kërkojë ndjesë qeveria që s’ka filluar ende nga puna dhe që ka qëndruar natën dhe ditën duke ju dëgjuar juve. Por di që nëse do flisnim për ndjesë në këtë sallë, jeni ju që keni një ndjesë për t’i kërkuar shqiptarëve, ndërsa ne jemi zgjedhur për të kërkuar drejtësi në emër të shqiptarëve. Ju flisni për kabinet privat, madje paska tre kushërinj të mitë në qeveri, nuk e di kush është i dyti dhe i treti po nuk kam qenë ndonjëherë sekretar partie i Enver Hoxhës dhe s’di të shikoj biografitë e njerëzve, po di që një është referencë për zonjën Harito dhe duke qenë se kjo u bë referencë publike, unë ia kërkova zonjës Harito ndihmën për të marrë vesh se ku lidhen degët tona, sepse asnjëherë nuk e kemi njohur njëri – tjetrin si kushëri dhe nuk jemi njohur për kushëri. Kjo është pema e familjes së nënës sime. Kjo është për sekretarin e partisë që mungon. Dhe lidhja e degëve kushërore shkon në vitin 1700-1720. Unë nuk e di a keni ju që merreni me kushërinjtë e botës ndonjë pemë familjare që zbret pas në shekuj, për të parë sa kushërinj jeni këtu me njëri – tjetrin. Po kështu në sy të parë janë më tepër se kushërinj një çift i vjetër politik këtu në sallë se sa unë me zonjën Harito. Dhe më duket se nga të gjithë ju dalja në opozitë atij çifti i ka ardhur për mbarë se ulen bashkë si në një stol te parku i parlamentit dhe hyjnë e dalin me njëri tjetrin.
Po në fakt, të vijmë te thelbi. Kjo është një qeveri e zgjedhur nga 1 milion shqiptarë për t’i dhënë fund një qeverisjeje me natyrë familjare me karakter klanor dhe me frymë klienteliste. Një pyetje kam unë. Unë si Papandreu? Që të hymë në këtë diskutim duhet menjëherë që ata që më parashohin fatin politik të Papandreut madje nga maja e drejtimit të deri pardjeshëm të shtetit të pranojnë se po e lënë Shqipërinë po aq të minuar sa ç’ishte Greqia që gjeti Papandreu. Por dhe nëse kështu do të ishte dhe ju do ta pranonit prapë se prapë tjetër Greqia dhe tjetër Shqipëria. Kështu që ka një krahasim më të thjeshtë për shqiptarët në këtë pikë.
Ju po e lini Shqipërinë pas 8 vjetësh në një rrënim të përgjithshëm strukturor dhe moral të krahasueshëm shumë më lehtë me Tiranën e para 13 vitesh se sa me Greqinë e para 3 vjetësh. Dhe ashtu siç tjetër Shqipëria, tjetër Greqi, ju siguroj se tjetër unë dhe tjetër Papandreu. Të jeni të sigurt për këtë! Prandaj mos u mprihni kot për katastrofën e vendit që të ktheheni në vendin ku ishit se kjo aleancë për Shqipërinë Europiane do të bëjë për këtë vend atë që bëra për Tiranën dhe me një fuqi shumë të madhe qeverisëse do të ecë përditë e më shpejt për Rilindjen Shqiptare përjetësuar këtu tek ky program.
Në fund fare aspak për nga rëndësia por për t’i vënë pikë se kështu e do zakoni mbas gjithë kësaj maratone fjalëve të çartura dhe fjalimeve të përçartura mbi vizitën time në Kosovë. Edhe këtu ka përsëri një ndryshim shumë të madh që do të përvijohet dita – ditës mes qeverisë së djeshme dhe paraardhësit tim të qeverisë sime dhe meje vetë. Në tërësi ka marrë fund një kohë e zymtë dhe turpëruese për Shqipërinë e eksportimit të luftës së brendshme politike drejt shteteve të tjera dhe e vënies së politikës së jashtme dhe të diplomacisë shqiptare në shërbim të propagandës kundër opozitës.
Ka marrë fund! Kurrë më unë vetë apo ministra të Shqipërisë s’do shajnë opozitën në konferenca shtypi krah për krah me homologë të huaj. Kjo është turp, praktikë primitive që bën qesharake qeverinë dhe rrënon imazhin e vendit në sytë e botës dhe kurrë më në veçanti nga Tirana zyrtare nuk do të përhapen valët e përçarjes të faktorit shqiptar në rajon, për llogari dritëshkurtra të politikës këtu në Shqipëri. Se kemi bërë këtë dje si opozitë, s’do ta bëjmë këtë në asnjë mënyrë si qeveri dhe ju ftoj të mos e bëni as ju opozita e sotme, siç e bëtë duke shpërdoruar me pahirin e madh të politikës përçarëse simbolin e Ibrahim Rugovës për t’i dhënë vizitës sime në Kosovë simbolikën e përçarjes. Unë i neverisë të gjithë komentet denigruese dhe fyese në adresën time dhe të qeverisë së re me një fabul që është shpikur këtu në Tiranë dhe jo në Prishtinë. Lidhur me gjoja shpërfilljen e Ibrahim Rugovës gjatë vizitës time në Prishtinë. Kjo është një sajesë e të njëjtit burim që sajoi shpifjen më monstruoze kundër UÇK-së dikur. E të njëjtës forcë që shpërdoroi dashurinë e shqiptarëve të Kosovës për t’u paraqitur si viktimë kur akuzohej se kishte fakte për grabitjen e rrugës së kombit që shkoni shikojeni sapo del nga tuneli përtej është ende sot e gjithë ditën e pambaruar, ndërkohë që paratë janë dhënë.
E të njëjtës krijesë, politikës së vjetër që i fryu zjarrit të nacionalizmit primitiv duke e kthyer Shqipërinë pak kohë më parë në një problem për aleatët tanë të mëdhenj strategjikë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian pikërisht kur dialogu Kosovë-Serbi ishte jetik për shqiptarët dhe për rajonin në embrionin e vet më të brishtë. Kemi një ndryshim të madh dhe është mirë ta dëgjoni. Unë, ne dhe ju në këtë pikë, por edhe unë personalisht me paraardhësin tim që më mungon tek vet raporti me simbolin e Ibrahim Rugovës. Ju dhe ata që bëjnë ankesa të tilla primitive, qesharake, Ibrahim Rugovës i doni emrin që të rrisni emrin tuaj kur merreni me emrin e tij. Ndërsa unë Ibrahim Rugovës i adhuroj veprën për të cilën shkova u përula tek varri i tij në Prishtinë me qeverinë dhe siç kam shkuar të përulem sa herë e kam vizituar Prishtinën.
Dhe në fund të fundit lejomëni t’ua them, nuk ishte programi që kishit shkruar në 2005 që e bëri qeverisjen tuaj të keqe dhe shumë të keqe dhe e bëri pastaj keq e mos më keq. Ai s’ishte një program i keq dhe çfarë është shkruar në këtë program nuk do prodhojë dhe nuk do pengojë atë që do të bëjmë ne në qeverisje. Kështu që këtu mbaron edhe debati ynë për një dokument të shkruar dhe merr udhë pas votëbesimit të qeverisë ballafaqimi ynë për punët konkrete që ne do të bëjmë ditët e programit.
Puna juaj është fjala dhe ne do t’ju dëgjojmë. Fjala jonë është puna dhe ju do na shikoni.
Faleminderit!

KOMENTE