English

Drejtorët e rinj në disa dikastere të sapoemëruar. Emrat

Suela Topi - Ndryshimi i qeverisjes ka vijuar të sjellë emra të rinj në administratë. Mësohet se Ekzekutivi pritet të emërojë së shpejti Anila Shehun si drejtoreshën e re të Qytetit Studenti në vend të Bujar Brovinës.
Anila Shehu ka qenë Drejtore e Pastrimit në Bashkinë e Tiranës, kur kjo bashki ishte nën drejtimin e Edi Ramës.
Ndërsa Arben Seferi, ish-drejtues i Punëve publike në Bashkinë e Tiranës në vitin 2009 dhe Drejtor i Ndërmarrjes nr.1 të Tiranës në vitin 2011, do të zgjidhet administrator i CEZ në vend të Seit Dollapit.

Metrologjia do të ketë në krye të saj Petrit Ramën.

Ish-drejtoresha e kabinetit Rama - kur ky i fundit ishte kryetar bashkie - Belinda Balluku emërohet drejtoresha e re e Agjencisë Nacionale e Trafikut Ajror në vend të Ferdinand Shehit. Belinda Balluku ka mbajtur gjithashtu detyrën e këshilltares për Marrëdhëniet me Publikun në Bashkinë e Tiranës, si dhe zëdhënëse e Bashkisë, në kohën kur Edi Rama ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Ndërkohë që një tjetër emërim është ai i kryesuesit të Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. Asambleja e Përgjithshme e KOKSH e mbledhur dje ka vendosur që Viron Bezhani të jetë kreu i ri i tij në vend të ish-volejbollistes Ela Tase si një kryetare e komanduar. “Do forcojmë bashkëpunimin me ministrinë edhe federatat”, - ushpreh Bezhani, i cili në 2012 ka mbajtur detyrën e kryetarit të Ekipit Olimpik Shqiptar.
Një tjetër emërim është bërë publik dje këtë herë nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja. Ai prezantoi dje drejtoren e re të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Ogerta Manastirliun.

Reagimet Publikimi i emërimeve në struktura të ndryshme ka sjellë reagimin e Partisë Demokratike. Gjatë një deklarate për shtyp, deputeti i PDsë, Oert Bylykbashi i ka kërkuar Qeverisë “Rama” që të respektojë nëpunësit e administratës publike. “Jemi kundër zëvendësimit të administratës me militantë partiakë. Çdo nëpunës i administratës që hiqet padrejtësisht të denoncojë rastin. Ne do kundërshtojmë me çdo mënyrë ligjore shkarkimet masive në administratë”, ka deklaruar Bylykbashi. Ai ka shtuar se moscënimi i administratës publike është një nga kërkesat e Brukselit ndaj kryeministrit, Edi Rama. Reagimi i Bylykbashit është pasuar nga Enti Rregullator i Energjisë, i cili sqaron se Sait Dollapi vijon punën si administrator i CEZ Shpërndarje. "Deri tani nuk ka asnjë vendim për shkarkimin e administratorit Dollapi dhe emri i përfolur në media i Arben Seferit si kreu i ri i CEZ Shpërndarje nuk ka marrë pjesë në asnjë konkurs ku mund të jetë përzgjedhur në këtë post" - përfundon sqarimi i Entit Rregullator të Energjisë.

KOMENTE