Warning: file_get_contents(): php_network_getaddresses: getaddrinfo failed: Name or service not known in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: php_network_getaddresses: getaddrinfo failed: Name or service not known in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kodi Etik Ministror. Njohja e saktë e tij
English

Kodi Etik Ministror. Njohja e saktë e tij

KODI ETIK MINISTROR

Preambul

Qeveritarët përballen çdo ditë me vendime, të cilat, përveç aspektit ligjor, kanë edhe implikime etike e morale, si edhe kanë të bëjnë me çështje që kanë një interes të lartë publik. Publiku kërkon një qeveri me vendimmarrje të ligjshme, shërbim cilësor dhe që është i hapur, i aksesueshëm dhe i drejtuar si duhet. E shkuara ka dëshmuar për një cenim të rëndë të marrëdhënies së besimit ndërmjet qeveritarëve dhe qytetarëve. Për rivendosjen e besimit te sistemi ynë politik, nëpërmjet rikthimit të besimit publik në integritetin e qeverisë, hartohet ky Kod Etik, i cili është konceptuar si një mjet për të nxitur përmirësimin e vazhdueshëm të qëndrimeve dhe sjelljeve drejt standardeve më të larta të drejtimit dhe ridimensionimin e moralitetit të zakonshëm në sferën e çështjeve qeveritare.

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Qëllimi

Kodi ka për qëllim të përcaktojë rregullat e etikës, që do të garantojnë një sjellje të anëtarit të Këshillit të Ministrave në ushtrimin e funksionit të tij si anëtar i organit kolegjial apo si organ individual, si dhe në cilësinë e tij personale, në përputhje me interesin e ligjshëm publik dhe me programin e qeverisë.



Neni 2

Fusha e veprimit



Rregullat etike të këtij Kodi janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Ministrave.


Neni 3

Parime të përgjithshme


1. Parimi i ligjshmërisë. Anëtari i Këshillit të Ministrave duhet të zbatojë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara dhe legjislacionin e brendshëm, në përputhje me kompetencat që ai mbulon dhe, sipas rastit, si pjesë e vendimmarrjes në organin kolegjial apo individual.



2. Parimi i besueshmërisë dhe solidarësisë. Anëtari i Këshillit të Ministrave duhet të respektojë vendimet e marra në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, të ofrojë mbështetjen e tij në publik për të gjitha vendimet e qeverisë, pavarësisht nëse ai ka marrë pjesë ose jo në mbledhje apo nëse ka votuar “pro” ose “kundër” këtij akti.



3. Parimi i mosdiskriminimit. Anëtari i Këshillit të Ministrave, gjatë ushtrimit të funksionit, me veprimet ose mosveprimet e tij, nuk duhet të favorizojë apo të diskriminojë një subjekt të caktuar për shkak të gjinisë, racës, ngjyrës, etnisë, gjuhës, identitetit gjinor, orientimit seksual, bindjes politike, fetare ose filozofike, gjendjes ekonomike, arsimore ose shoqërore, shtatzanisë, përkatësisë prindërore, përgjegjësisë prindërore, moshës, gjendjes familjare ose martesore, gjendjes civile, vendbanimit, gjendjes shëndetësore, predispozicioneve gjenetike, aftësisë së kufizuar, përkatësisë në një grup të veçantë ose për ndonjë shkak tjetër të ngjashëm.

4. Mosabuzimi me funksionin. Anëtari i Këshillit të Ministrave e ushtron funksionin dhe kompetencat e tij vetëm për qëllimin që ato i janë dhënë nga legjislacioni në fuqi. Ai duhet të shmangë përdorimin e funksionit të tij për qëllime, të cilat nuk kanë bazë ligjore apo nuk janë të motivuara nga ndonjë interes publik.

5. Paanshmëria, ndershmëria dhe pavarësia. Anëtari i Këshillit të Ministrave në ushtrimin e funksionit të tij duhet të jetë i paanshëm, i drejtë, i arsyeshëm dhe i pavarur. Ai duhet të shmangë çdo veprim, mosveprim arbitrar apo çdo trajtim preferencial, si dhe të jetë i pandikuar nga çdo interes tjetër, personal, politik, familjar dhe shoqëror.


6. Objektiviteti. Anëtari i Këshillit të Ministrave, gjatë ushtrimit të funksionit të tij, duhet të marrë në konsideratë faktorët përkatës dhe t’i japë secilit prej tyre peshën e duhur në qëndrimin përfundimtar, duke përjashtuar çdo element që nuk i përgjigjet procesit konkret të punës.


7. Transparenca dhe llogaridhënia. Anëtari i Këshillit të Ministrave, nëse e kërkon interesi publik dhe kur kjo nuk është në kundërshtim me ligjin, informon dhe përgjigjet kur është rasti për të gjithë veprimtarinë e tij si funksionar publik.



8. Konflikti i interesit. Anëtari i Këshillit të Ministrave duhet të parandalojë, si dhe të marrë të gjitha masat për ndërprerjen e gjendjes së konfliktit ndërmjet detyrës publike dhe interesave të tij privatë.

KREU II


MBLEDHJET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Neni 4

Garantimi i paanshmërisë

1. Anëtari i Këshillit të Ministrave nuk mund të marrë pjesë në shqyrtimin dhe vendimmarrjen e një çështjeje, nëse ka interes personal ndaj saj ose, në çdo rast tjetër, kur vërtetohen arsye serioze njëanshmërie.

2. Nëse për anëtarin e Këshillit të Ministrave konstatohet njëri nga rastet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, duhet të ndiqet procedura e përcaktuar në nenin 18, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe në ligjin nr.9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar.

Neni 5

Shfaqja e mendimit, konfidencialiteti dhe solidariteti

1. Për çështje të rëndësishme, ku gjen zbatim parimi i besueshmërisë dhe solidarësisë, çdo anëtar i Këshillit të Ministrave ka të drejtë të shprehë lirisht mendimin dhe pikëpamjet e veta dhe të ushtrojë të drejtën e votës për projektaktet, objekt shqyrtimi.



2. Anëtari i Këshillit të Ministrave, pas marrjes së vendimit duhet të shmangë në publik çdo shprehje mospajtimi dhe të mbrojë ose të përkrahë vendimet e arritura, si dhe duhet të ruajë konfidencialitetin e mendimeve, vlerësimeve të debateve e të raportimeve, të shprehura në Këshillin e Ministrave dhe komitetet ndërministrore, si dhe nëpërmjet korrespondencës.



Neni 6

Shqyrtimi kolegjial i çështjeve

Çështjet, që janë në kompetencë dhe nën përgjegjësinë e një ministrie të vetme dhe të cilat normalisht nuk sillen për shqyrtim në Këshillin e Ministrave ose në ndonjë komitet ndërministror, përjashtimisht mund të paraqiten kur ministri dëshiron të informojë kolegët e tij ose të këshillohet me ta. Kjo gjë lihet në diskrecionin e ministrit përkatës.



Kur ndërmjet ministrive ka mosmarrëveshje, këto i referohen Kryeministrit vetëm pasi të jenë shteruar mjetet e tjera të zgjidhjes.

Neni 7

Pjesëmarrja në mbledhjet e Këshillit të Ministrave



1. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave marrin pjesë anëtarët e Këshillit të Ministrave si dhe persona të tjerë sipas përcaktimeve të pikave 4 e 5, të nenit 13, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”.


2. Ministrat, të cilët për shkaqe të arsyeshme, nuk mund të marrin pjesë në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, duhet të njoftojnë paraprakisht Kryeministrin.

Neni 8

Deklaratat publike dhe dokumentet politike

Anëtari i Këshillit të Ministrave nuk mund të bëjë publike mendimet në lidhje me çështje, të cilat paraprakisht janë ose mund të jenë objekt i shqyrtimit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, në mbledhjen e një komiteti ndërministror ose nga ndonjë organ tjetër në varësi të Këshillit të Ministrave.



KREU III



RREGULLAT GJATË USHTRIMIT TË FUNKSIONIT ZYRTAR

Neni 9

Garantimi i zbatimit të parimeve të fuksionimit të shërbimit civil

Ministri garanton, nëpërmjet subjekteve të ngarkuara nga ligji, funksionimin e shërbimit civil të ministrisë që drejton dhe të institucioneve në varësi, në përputhje me parimin e profesionalizmit, meritokracisë, të pavarësisë dhe integritetit, të paanësisë politike, të transparencës, të shërbimit ndaj publikut, të vazhdimësisë së karrierës, të përgjegjësisë dhe korrektësisë në zbatimin e legjislacionit në fuqi.



Neni 10

Zbatimi i legjislacionit për shërbimin civil


1. Ministri, për ministrinë dhe institucionet që ka në varësi, garanton me përgjegjshmëri të lartë, nëpërmjet subjekteve të ngarkuara nga ligji, respektimin dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi në lidhje me parimet, kushtet dhe procedurat e pranimit në shërbimin civil.


2. Ministri duhet të nxitë ngritjen profesionale dhe sjelljen jopartiake të anëtarëve të shërbimit civil në ministrinë që ai drejton dhe në institucionet e varësisë.



3. Ministri duhet të sigurojë që, në çdo rast, në ministrinë që drejton dhe në institucionet në varësi, emërimi në shërbimin civil, ngritja në detyrë, transferimi, pezullimi, marrja e masave disiplinore apo lirimi i nëpunësit prej shërbimit civil të mos ndikohen, favorizohen apo diskriminohen për shkak të bindjeve politike apo përkatësisë partiake të nëpunësit civil.


Neni 11

Sjellja e ministrit ndaj personelit që drejton


Ministri, në marrëdhënie me personelin që drejton, duhet që:



a. të jetë shembull i mirësjelljes si dhe t’u përmbahet me rregullshmëri, përveç legjislacionit, edhe këtij kodi, dhe kodeve/rregulloreve të etikës, veshjes dhe sjelljes, që do të miratohen në çdo ministri;

b. të respektojë personalitetin, mendimet, si dhe të nxitë bashkëpunimin e personelit e, njëkohësisht, të ruajë edhe të drejtën e vendimmarrjes;

c. të vlerësojë në mënyrë të barabartë, objektive dhe efikase, sjelljen e secilit prej anëtarëve të personelit;

ç. të mbrojë të drejtat e personelit dhe në asnjë mënyrë të mos i kufizojë ato;

d. t’i ofrojë personelit mundësi të barabarta të ngritjes profesionale dhe motivim për ngritjen e efektivitetit në punë.



Neni 12

Veprimet e ndaluara



Anëtarit të Këshillit të Ministrave, në ushtrimin e veprimtarisë së tij, i ndalohet:


a. të kërkojë apo të pranojë shpërblim apo premtim shpërblimi lidhur me vendime të marra gjatë ushtrimit të funksionit;

b. të fitojë ndonjë të drejtë apo të pranojë premtim për fitimin e saj, në rastet kur shkelet parimi i mosdiskriminimit;

c. të keqpërdorë autorizimet/delegimet të cilat rrjedhin nga ushtrimi i funksionit të tij publik;

ç. të kërkojë, të përvetësojë, të pranojë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, dhurata, sende me vlerë apo shërbime, në kompensim të votës së tij në vendimmarrjen kolegjiale apo në vendimmarrjen e tij individuale;

d. të ndikojë në vendimin e ndonjë zyrtari apo organi për arsye të përfitimit material personal, të familjarëve të tij apo të personave të lidhur me ta;

dh. të premtojë punësim apo ndonjë të drejtë tjetër, në këmbim për dhuratë apo premtim dhurate;

e. të ndikojë në dhënien e pasurive apo të fondeve publike të tretëve, për interes personal;

ë. të shfrytëzojë për interes personal informacione të cilat ai i posedon për shkak të funksionit;

f. të ndikojë në vendimmarrjen e organeve legjislative, gjyqësore apo ekzekutive, duke shfrytëzuar postin e tyre me qëllim të përfitimit personal, të familjarëve të tij apo të personave të lidhur me ta;

g. të marrë vendime/të ndërmarrë veprime të cilat në ndonjë mënyrë do t’i vijnë përshtat interesit të tij personal, interesit të familjarëve të tij apo personave të lidhur me ta;

gj. të marrë vendime/të ndërmarrë veprime të cilat do të ndihmonin apo do të favorizonin interesin privat të ndonjë personi tjetër, në dëm të interesit publik.


Neni 13

Përdorimi i pronës publike

Anëtari i Këshillit të Ministrave nuk duhet të përdorë pasuritë publike që i janë vënë në dispozicion për ushtrimin e funksionit, për interesa privatë dhe/ose politike.


KREU IV



MARRËDHËNIA ME MEDIAN, PUBLIKUN DHE STATISTIKAT ZYRTARE

Neni 14

Publiciteti i veprave publike


Veprat publike dhe çdo produkt i veprimtarisë qeveritare, që realizohet me fonde publike, mund të përdoren për publicitet dhe në reklamat e qeverisë, por nuk duhet të prezantohen si meritë e një apo disa partive politike.



Neni 15

Intervistat dhe fjalimet



1. Në mënyrë që të garantohet bashkërendimi i efektshëm i punës së kabinetit qeveritar, për përmbajtje dhe kohën e të gjitha prononcimeve madhore, fjalimeve, deklaratave për shtyp dhe nismave të reja duhet, për sa është e mundur, të merret pëlqimi i Zyrës së Komunikimit, pranë Këshillit të Ministrave.

2. Anëtari i Këshillit të Ministrave duhet të bëjë kujdes që deklaratat e tij të përputhen me programin dhe qëndrimet politike të qeverisë. Ai duhet të tregojë kujdes të veçantë gjatë trajtimit të tematikave, të cilat hyjnë te përgjegjësitë dhe kompetencat e ministrive të tjera. Në një rast të tillë, përpara se të prononcohet, ai duhet të informohet dhe të sqarojë çështjen me ministrin përkatës.



Neni 16

Botimet në media


Anëtari i Këshillit të Ministrave mund të botojë mendime, komente, opinione në media të ndryshme, por me kusht që përmbajtja e tyre të mos bjerë ndesh me parimin e besueshmërisë dhe solidarësisë. Shpërblimet për këto botime u kalojnë organizatave sociale apo institucioneve që merren me zhvillimin e programeve të ndihmës dhe përkrahjes ose institucioneve të ndryshme arsimore.

Neni 17

Pagesa për fjalimet dhe artikujt në media



Anëtari i Këshillit të Ministrave nuk duhet të pranojë asnjë formë pagese për fjalimet, komentet ose artikujt e natyrës zyrtare apo që lidhen drejtpërdrejt me përgjegjësitë apo përvojën e tij si anëtar i qeverisë, të cilat botohen në media të ndryshme.

Neni 18

Librat autobiografikë



Anëtari i Këshillit të Ministrave nuk duhet, që, ndërsa është në detyrë, të shkruajë dhe të botojë një libër për përvojën e tij ministrore apo të hyjë në çfarëdo marrëveshje për të botuar kujtimet e tij pas largimit nga pozicioni i tij ministror.


Neni 19

Aktet kundrejt medias


Anëtari i Këshillit të Ministrave ndalohet të ngrejë një padi civile dhe/ose të bëjë një kallëzim penal kundrejt një medieje të caktuar apo përfaqësuesit të saj pa marrë më përpara miratimin e Kryeministrit ose të Këshillit të Ministrave.



Neni 20

Takimet me organizatat



Ministritë duhet të bëjnë publike, të paktën një herë në çdo tre muaj, të dhënat e hollësishme të takimeve të ministrave, që zhvillohen jashtë ministrisë me qytetarë apo organizata, vendase dhe të huaja.

Neni 21

Statistikat zyrtare

1. Anëtarët e Këshillit të Ministrave nuk duhet të cenojnë pavarësinë profesionale të agjencive statistikore duke ndikuar mbi personelin e tyre, drejtpërdrejt apo në mënyrë të tërthortë, në kryerjen e detyrave të tyre.

2. Anëtarët e Këshillit të Ministrave mund t’u referohen statistikave zyrtare vetëm në formën e tyre përfundimtare. Ndalohet çdo deklaratë apo koment për shtyp përpara botimit zyrtar të statistikave.


KREU V

MARRËDHËNIA ME KUVENDIN


Neni 22

Prezantimi i politikave në Parlament

Njoftimet më të rëndësishme të politikave programore të qeverisë duhet të bëhen në radhë të parë në Kuvend.


Neni 23

Anëtarësia në grupet parlamentare

Anëtari i Këshillit të Ministrave, që gëzon njëkohësisht edhe mandatin e deputetit, duhet të heqë dorë nga anëtarësimi apo kryesimi i grupeve parlamentare, për të shmangur ndikimin e mundshëm mbi procesin parlamentar dhe që mund të krijojë përshtypjen e një konflikti (në dukje) të interesit.



Neni 24

Proceset ligjore

Përpara fillimit të një procedimi apo procesi ligjor, anëtarët e Këshillit të Ministrave, të përfshirë personalisht/privatisht me këto të fundit, duhet të konsultohen me këshilltarët e tyre ligjorë, në mënyrë që të udhëzohen për të shmangur çfarëdo lloj forme të ndërhyrjes, përfshirë edhe atë të presionit politik, në trajtimin e çështjes, që mund të vijë si pasojë e postit që ata mbajnë.



KREU VI


INTERESAT PRIVATË

Neni 25

Mbrojtja e interesave privatë

1. Nëse anëtari i Këshillit të Ministrave, në një procedurë vendimmarrëse të Këshillit të Ministrave, të një ministri apo të një institucioni në varësi të një ministrie, ka një interes privat, në kuptim të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar, ai duhet të njoftojë menjëherë Kryeministrin dhe/ose Këshillin e Ministrave.


2. Në rast dyshimi për gjendjen në një situatë konflikti interesash, anëtari i Këshillit të Ministrave mund të këshillohet me Komisionin e Etikës dhe/ose Inspektoratin e Lartë të Deklarimit, Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), sipas përcaktimit të shkronjës “f”, nenit 42, të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar.


3. Anëtari i Këshillit të Ministrave, për shmangien e konfliktit të interesit merr të gjitha masat dhe ndjek procedurat e parashikuara në nenin 37, të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar, dhe, kur cenohet interesi publik, konsultohet me Kryeministrin për veprimet e mëtejshme, që mund të ndërmerren prej tij.


Neni 26

Kufizimet për anëtarin e Këshillit të Ministrave


Anëtari i Këshillit të Ministrave nuk duhet:


a. të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese në organizata fitimprurëse dhe jofitimprurëse, sindikata ose organizata profesionale dhe çdo organizatë tjetër, përjashtuar organizatat politike dhe shtetërore në rastet kur një pozicion i tillë diktohet për shkak të funksionit;

b. të anëtarësohet apo të mbështetë organizata joqeveritare, objektivat e të cilave bien ndesh me politikat e qeverisë, duke krijuar kështu një konflikt interesi;

c. të pranojë, si rregull, ftesa për të vepruar si përkrahës apo t’u ofrojë mbështetje grupeve apo organizatave të varura, tërësisht a pjesërisht, nga fondet publike;

ç. të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, si dhe profesione të lira të avokatisë, noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën “a”, të këtij neni, si dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër;

d. të zotërojë në mënyrë aktive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, pavarësisht nga fusha e veprimtarisë së saj.

Neni 27

Ushtrimi i veprimtarive të tjera

1. Anëtari i Këshillit të Ministrave, i zgjedhur si përfaqësues i partisë politike, e ruan të drejtën e ushtrimit të funksionit në parti, nëse me ligj të veçantë nuk parashikohet ndryshe.



2. Anëtari i Këshillit të Ministrave, gjatë kohës së ushtrimit të funksionit publik, mund:



a) të kryejë pa shpërblim veprimtari në fushën e shkencës, sportit, arsimit, kulturës dhe në ato të natyrës humanitare;

b) të realizojë fitime, në bazë të të drejtave të autorit, patentave dhe të drejtave të ngjashme.

Neni 28

Dekoratat e huaja

Pranimi i dekoratave nga një shtet tjetër mund të bëhet vetëm pasi të jetë marrë më parë miratimi nga Kryeministri, si dhe të jetë njoftuar paraprakisht Ministria e Punëve të Jashtme.

Neni 29

Dhuratat, favoret, premtimet dhe trajtimet preferenciale

1. Është e ndaluar që një anëtar i Këshillit të Ministrave të kërkojë ose të marrë, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen, për shkak të pozicionit të tij, nga një person, fizik ose juridik, privat.

2. Anëtari i Këshillit të Ministrave, që ka dyshime nëse është në kushtet e ndalimit të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, duhet të kërkojë këshillën e Komisionit të Etikës dhe/ose ILDKPKI-së.

3. Dhuratat, që i jepen anëtarit të Këshillit të Ministrave, në ushtrim të funksionit të tij ministror, kalojnë në pronësi të shtetit. Përjashtohen nga ky rregull dhuratat me karakter simbolik.



4. Anëtari i Këshillit të Ministarve mund të pranojë dhurata nga:

a) të afërmit dhe familjarët, përveç rasteve kur ato implikojnë një detyrim/obligim, qoftë edhe në dukje (prima facia);

b) vartësit dhe punonjësit e tjerë, për raste të veçanta dhe vetëm kur vlera e tyre është simbolike;

c) miqtë me kusht që dhënia e dhuratës qartësisht të mos lidhet me ofrimin e një favori për dhuruesin.

Në rastet kur anëtari i Këshillit të Ministrave ka dyshime nëse është në kushtet e lejimit të pranimit të dhuratës, ai duhet të konsultohet paraprakisht me Komisionin e Etikës dhe/ose ILDKPKI-në.

5. Dhurata, që i jepet anëtarit të Këshillit të Ministrave, regjistrohet në një regjistër, i cili mbahet nga sekretari i Përgjithshëm i ministrisë përkatëse.

KREU VII

UDHËTIMET E ANËTARËVE TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE



Neni 30

Parim i përgjithshëm

Anëtari i Këshillit të Ministrave duhet të organizojë udhëtime efikase dhe me kosto efektive. Si rregull, transporti zyrtar nuk duhet të përdoret për udhëtimet që lidhen me çështje partiake apo qëllime private, me përjashtim të rastit kur ato justifikohen mbi baza sigurie.

Neni 31

Vizitat jashtë shtetit

1. Anëtari i Këshillit të Ministrave duhet:


a) të mbajë përgjegjësi personale në miratimin e madhësisë dhe të përbërjes së delegacioneve ministrore, për të cilat ministria e tij është përgjegjëse, duke i mbajtur delegacionet në numër sa më të vogël që të jetë e mundur.

b) të informojë për shpenzimet për udhëtimet jashtë shtetit, jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së kërkesës nga subjekti i interesuar.

2. Kur anëtari i Këshillit të Ministrave udhëton për punë zyrtare, shpenzimet e udhëtimit duhet të përballohen nga fondet e përcaktuara në buxhetin e ministrisë. Si rregull, ofertat për udhëtim falas nuk duhet të pranohen. Përjashtim bën oferta për transport e një qeverie të huaj, me kusht që të mos krijohet asnjë detyrim i panevojshëm.

Neni 32

Fluturimet e paplanifikuara

Vetëm anëtari i Këshillit të Ministrave ka të drejtë të autorizojë fluturime të veçanta, qoftë për vete apo zyrtarët e tjerë brenda institucioneve që ata drejtojnë. Fluturimet e paplanifikuara mund të autorizohen kur një shërbim i planifikuar nuk është i disponueshëm ose kur është e domosdoshme që të udhëtohet në rrugë ajrore, por që kërkesat e veprimtarisë zyrtare ose parlamentare, apo masat e sigurisë nuk lejojnë që udhëtimi të kryhet nga një shërbim i planifikuar.
Neni 33

Ministrat e thirrur nga jashtë

Nëse një anëtar i Këshillit të Ministrave ndodhet jashtë vendit për qëllime zyrtare, me leje apo për arsye personale, thirret për t’u kthyer për çështje ministrore apo parlamentare, përfshirë procedurën e votimit, shpenzimet e udhëtimit shtesë drejt dhe nga destinacioni mund të paguhen nga fondet publike.

Neni 34

Vizitat brenda territorit shqiptar

Anëtari i Këshillit të Ministrave, që ka programuar të bëjë një vizitë brenda territorit shqiptar, duhet të informojë paraprakisht deputetët dhe kryetarët e bashkive/komunave, zonat elektorale, territori i të cilave do të përfshihet në itinerar.

Neni 35

Përdorimi i makinave zyrtare

1. Ndalohet përdorimi i automjeteve zyrtare për qëllime private, përveç rastit kur kjo lidhet me sigurinë personale dhe të familjes së anëtarit të Këshillit të Ministrave. Në këtë rast, kostot e përdorimit të automjetit paguhen nga anëtari i Këshillit të Ministrave.

2. Kur është e mundur, ministrat nxiten që të përdorin transportin publik.

Neni 36

Shpenzimet e udhëtimit për bashkëshortët/bashkëjetuesit

Shpenzimet për bashkëshortin/bashkëjetuesin e një anëtari të Këshillit të Ministrave, kur ata shoqërojnë ministrin për detyrat zyrtare të këtij të fundit, mund të mbulohen nga fondet publike, me kusht që të jetë e qartë se shoqërimi i ministrit nga ai/ajo është në interesin publik. Pëlqimi i Kryeministrit duhet të merret në çdo rast para udhëtimit.

KREU VIII

RREGULLAT ETIKE PAS MBARIMIT TË MANDATIT

Neni 37

Kufizimet e zyrtarit pas largimit nga ushtrimi i funksionit publik

1. Anëtari i Këshillit të Ministrave, të cilit i përfundon mandati, përfshirë edhe ai i deputetit, nuk ka të drejtë për 1 (një) vit të emërohet në pozita drejtuese apo të përfshihet në kontrollin e shoqërive tregtare, publike apo private, nëse gjatë periudhës 2 (dy) - vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik, ka qenë drejtpërdrejt i implikuar me veprimtarinë tregtare të këtyre shoqërive.



2. Përjashtimet nga kufizimet sipas pikës 1, të këtij neni, do të përcaktohen nga Komisioni i Etikës me akt të shkruar në formën e vendimit.

KREU IX

KOMISIONI I ETIKËS

Neni 38

Funksioni i Komisionit të Etikës

1. Komisioni i Etikës, pas fillimit të çështjes qoftë edhe kryesisht bazuar në informacionet në media, në ankesat apo çdo burim tjetër të ligjshëm, nëpërmjet interpretimit të normave të Kodit Etik Ministror dhe të normave ligjore që rregullojnë sjelljen e anëtarëve të Këshillit të Ministrave, vlerëson nëse rasti përbën shkelje të këtij Kodi.

2. Në çdo rast, anëtari i Këshillit të Ministrave ka të drejtë të kërkojë nga Komisioni i Etikës një opinion këshillimor lidhur me sjellje apo veprime të caktuara gjatë kryerjes së detyrës apo jashtë saj, nëse ato konsiderohen ose jo në përputhje me normat e Kodit Etik Ministror.

3. Komisioni i Etikës ka të drejtë t’i propozojë Këshillit të Ministrave ndryshime në Kodin e Etikës.

Neni 39

Interpretimi

Interpretimi i Kodit Etik Ministror, i bërë nga Komisioni i Etikës, me kërkesën e një prej subjekteve të fushëveprimit të këtij Kodi, lidhur me faktin nëse norma përkatëse e lejon një sjellje apo qëndrim të caktuar, mund të përdoret si mjet mbrojtjeje nga ana e tij në rast procedimi disiplinor, por ky interpretim nuk ka karakter detyrues për zgjidhjen/vlerësimin e rasteve të tjera të ngjashme.

Neni 40

Masat disiplinore

1. Anëtari i Këshillit të Ministrave qëndron në detyrë për aq kohë sa gëzon besimin e Kryeministrit. Ky i fundit vlerëson standardet e sjelljes që pritet të mbahen nga ana e ministrit dhe vendos për masat, që do të ndërmerren në rast të thyerjes së këtyre standardeve.

2. Komisioni i Etikës, pasi del në përfundimin se kemi të bëjmë me një thyerje të Kodit Etik Ministror, ia bën atë me dije Kryeministrit nëpërmjet një akti me shkrim. Në këtë rast, masat disiplinore që mund të japë Kryeministri janë:

a. vërejtje;

b. paralajmërim për shkarkim nga detyra;

c. fillimin e procedurave për shkarkim nga detyra.

3. Përveç shkeljeve veçanërisht të rënda, Kryeministri, përpara fillimit të procdurës së shkarkimit nga detyra, mund të lejojë anëtarin e Këshillit të Ministrave të japë dorëheqjen.

KREU X

DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE

Neni 41

Ngritja e Komisionit të Etikës

Komisioni i Etikës ngrihet me urdhër të Kryeministrit. Në urdhër përcaktohen përbërja dhe organizimi i Komisionit të Etikës.

KOMENTE