English

Komisariati i policisë së qarkullimit rrugor në Tiranë shkrihet pas urdhrit të ministrit Tahiri

Komisariati i policisë së qarkullimit rrugor në Tiranë u shkri pas një urdhëri të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Më shumë se 80 për qind e evektivëve të këtij komisariati u larguan nga detyra dhe do të zëvendësohen nga efektivë të mbledhur nga të gjitha komisariatet e vendit.

Ministri i Brendshem ia komunikoi këtë urdhër policëve të qakurllimit gjatë një takimi që pati në mesditë. Urdhëri i Tahirit bazohej në një raport të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, që ka kryer një hetim lidhur me zbatimin e ligjit dhe proçedurave standarte gjatë kryerjes së detyrës nga qarkullimi rrugor.

Nga hetimi kanë rezultuar shkelje të rënda dhe akte abuzive me dokumentacionin nga ana e 11 oficerëve dhe 77 policëve të rolit bazë, të cilët janë përjashtuar nga detyra dhe janë vënë në dispozicion të Drejtorisë së qarkut Tiranë, në pritje të një vendimi të dytë për ta.

Në shkeljet e konstatuara rezulton se në 28 raste në komision mungonin patentat, edhe pse ishin brenda afatit të bllokimit, si dhe mangësi në mënyrën e plotësimit të procesverbaleve të konstatimit të shkeljeve.

Në mjaft raste ishin tërhequr dokumentet e automjeteve si mënyrë presioni për të garantuar pagesa abuzive në kundërshtim me Kodin Rrugor.

Për katër nga oficerët e nivelit drejtues dhe 1 oficer të rolit zbatues materialet u dërguan në prokurori për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.

Gjithashtu, ministri i Brendshëm urdhëroi anulimin e tenderit për shërbimin e karoatrecëve, duke përdorur si motiv shkeljet proçeduriale dhe ligjore, si dhe çmimet e larta.

Në argumentimin e anulimit të tenderit thuhet se, çmimi është 4 mijë lekë më i lartë se gjobat për kundravajtje administrative. Sipas bazës ligjore që është anuluar tenderi, ai nuk duhej të zhvillohej nga Komisariati i qarkullimit rrugor të Tiranës, pasi nuk ka kapacitetet e duhura për të realizuar këtë proçedurë.

Tenderat analogë për të njëjtin shërbim në qarqet e tjera janë kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Gjithashtu, një ndër shkeljet më flagrante ka të bëjë me pagesën nga buxheti i shtetit të detyrimeve ndaj firmës.

KOMENTE