English

Presin makinën për të ikur në Durrës por përplasen për vdekje nga një furgon

Aksidentet janë informacioni i parë që merr çdo mëngjes. Keqardhje që dita nis me përgjakje rrugës përsëri dhe aq më keq kur ka humbje jetësh dhe të plagosur.

Njëri nga aksidentet ka ndodhur në aksin rrugor Fushë Krujë-Vorë, ku një 23-vjeçare ka humbur jetën, ndërsa burri i saj ka mbetur i plagosur. Policia bën me dije se çifti u përplasën nga një automjet tip furgon, në aksin rrugor Fushë Krujë-Vorë, në afërsi të fshatit Ahmetaq. Mësohet se 24-vjeçari Bardhyl Bakalli dhe bashkëshortja e tij 23 vjeç, janë përplasur nga furgoni me targa AA775CK, teksa qëndronin në anë të rrugës duke pritur një automjet të rastit për të shkuar drejt Durrësit.

23-vjeçarja humbi jetën në vend, ndërsa bashkëshorti i saj u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak, prej ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit, ndërkohë që paraprakisht ka përcaktuar si shkak të aksidentit shpejtësinë tej normave të lejuara, ç’ka ka çuar edhe në daljen e mjetit nga rruga duke përplasur çiftin.

Ndërsa aksidenti tjetër me pasojë vdekjen, ka ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin e Durrësit, ku një 50-vjeçar ka humbur jetën.

Policia bën të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e plazhit, ku një automjet me targa AA 133 DK ka përplasur një biçikletë dhe për pasojë ka humbur jetën personi që ngiste biçikletën.

Ende nuk dihet identiteti i viktimës ndërkohë që policia e cila ka shkuar në vendngjarje ka ndaluar drejtuesin e mjetit Afrim Kapllani, 34 vjeç nga Shkallnuri.

KOMENTE