Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
160 komuna dhe bashki, për Shqipërinë, sipas planit suedez
English

160 komuna dhe bashki, për Shqipërinë, sipas planit suedez

Suela Topi - Shoqata e Komunave, në kuadër të reformës territoriale, propozon që, nga 373 njësi vendore duhet të mbeten 150-160 njësi, por kjo duke u përshtatur me një sërë kriteresh territoriale, kulturore, e strukturore. Agron Haxhimali, kreu i Shoqatës së Komunave, tregon në një intervistë për gazetën “Shekulli” opsionet mbi të cilat duhet të bazohet kjo reformë, sugjerime këto nxjerra pas një studimi të bërë me mbështetjen e Agjencisë suedeze për Zhvillim. Haxhimali shpjegon mënyrën e bashkimit apo shkrirjes së njësive vendore duke rritur eficencën, por duke garantuar gjithashtu qeverisje për çdo komunë pavarësisht pozicionit gjeografik të saj.

Qeveria organizoi ditën e enjte një konferencë kombëtare për reformën territoriale. Si e konsideroni nisjen e diskutimit në këtë moment?

Shoqata e Komunave të Shqipërisë e vlerëson këtë nismë, konferencën e organizuar të enjten nga qeveria qendrore. Shoqata jonë para dy vitesh në frymën e bashkëpunimit me qeverinë e mëparshme dhe me institucionet e saj nisi të bëjë një studim duke parë nevojën reale, duke parë dhe shqetësimet që ngrinin të zgjedhur vendorë për problematikat që ata hasnin në kryerjen e shërbimeve ndaj komunitetit. Ne duke u mbështetur nga konsulenca ndërkombëtare suedeze, por dhe me përfshirjen e konsulencës shqiptare, me gjithë përfshirjen e faktorëve politikë të asaj kohe, pozitë dhe opozitë, nxorëm këtë studim dhe bazuar në të kemi dhe një qasjen tonë lidhur me ndarjen territoriale.

Fryma e përgjithshme e konferencës ishte zvogëlimi i numrit të njësive vendore. Ju mbështesni këtë ide?

Diskutimi u përqendrua kryesisht në iniciativën, ide, nuk është se pati diskutime për modalitete, avantazhe apo disavantazhe, mënyrën si do t’i bashkojmë apo ndajmë njësitë e qeverisjes vendore. Çka u bë mund ta ndaj në tre çështje: e para fryma e qeverisë për të bërë reformën; një frymë tjetër nga konsulenca ndërkombëtare që koha është pak e ngjeshur dhe që mundësia për ta kryer deri në 2015 është e vështirë, është sfidë dhe fryma tjetër është Shoqata e Komunave dhe të zgjedhurve vendorë që thotë jemi dakord të kryhet kjo reformë, por duhet të piqet, të jetë e maturuar, si vertikalisht dhe horizontalisht. Njësitë vendore ndjejnë domosdoshmërinë e reformës, por e ndjejnë veten të papërgatitur për ta kryer atë. Në këto kushte si mund të kryhet reforma? Qeveria ka ngritur si problem ndër të tjera faktin se shumë komuna kanë një numër shumë të vogël banorësh. Ndarja administrative nuk konceptohet në çështjen e komunave të vogla apo komunavetë mëdha. Por, bazohet në njësitë e qeverisjes vendore, bashki dhe komuna dhe në njësitë e nivelit të dytë që është qarku. Shqipëria sot ka 65 bashki, 50 % e tyre janë bashki të vogla që kanë nga 4000, 5000 apo 10000 banorë, që kryejnë shërbime apo funksione shumë herë më të dobëta se një pjesë e mirë e komunave. Kjo do të thotë që ne mendojmë që reforma të jetë një reformë me qasje të plotë dhe gjithëpërfshirëse ku mund të rregullohen gjërat në bazë territorit të qarkut. Mund të ketë bashkime nëpërmjet komunave për të krijuar një njësi të madhe, por mund të ketë bashkime të një bashkie me 2 apo 3 komuna. Dhe qendër mund të jetë bashkia. Kjo është qasja që ne kemi.

Cilat janë sugjerimet tuaja konkrete?

Ne si shoqatë kemi opsionet tona për reformën. Ne rekomandojmë fuqishëm që si opsion i parë të kemi bashkimin vullnetar. Qeveria me dinamizmin e vet do ishte mirë të lehtësonte procedurat e ligjit organik dhe gjithë ligjit për bashkëpunimin ndërkomunal dhe gjithë hapësirës dhe kuadrit tjetër ligjor dhe tu krijonte mundësinë komunave dhe këshillave lokale të vendosnin vetë për tu bashkuar me njëri-tjetrin. Këto iniciativa qeveria duhet t’i mbështesë me projekte, me grante, me të gjitha mekanizmat, që të kemi në zgjedhjet e 2015-s njësi të reja vendore, por duke respektuar parimet e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore. Kjo mund të nisë nga komunat e vogla. 2-5 komuna të vogla, apo komunat e vogla rreth bashkive mund t’i bashkëngjiten bashkisë. Për shembull komuna Leskovik të bashkohet me bashkinë Leskovik, qendër Libohovë me Libohovë apo fshat Tepelenë, qytet. Memaliaj fshat, Memaliaj qytet. Nuk mund të them se mund të bashkohen ato me 5000 banorë, ato me 3000 apo 1000. Sepse duhen parë dhe elementët e tjerë. Për shembull komuna Zagorie është një komunë shumë e vogël në Gjirokastër, 60 km nga Gjirokastra, në një xhep mes malesh. Atë komunitet nuk mund ta lesh pa qeverisje, por nuk mund t’i thuash të qeveriset nga Gjirokastra apo komuna Antiogone. Është distancë shumë e largët. Prandaj Shoqata e Komunave rekomandon fleksibilitet, përshtatje dhe preferenca sipas kushteve duke marrë parasysh kulturën kombëtare, rajonale dhe lokale. Atë që unë e quaj trashëgimi territoriale. Pra, ato kanë trashëguar një territor dhe ne nuk mund tua spostojmë. Nëse veprohet ndryshe, ne do godisnim thellë në kulturë dhe do shkaktonim një shok psikologjik tek banorët duke mos i adresuar qartë. Opsioni i tretë që propozojmë është ajo që quhet reforma simetrike, ose të shkrihet ose të delegojnë kompetencat. Çka do të thotë që vetë njësitë e qeverisjes vendore të deklarojnë se këtë x funksion nuk mund ta kryejmë dhe ai i delegohet bashkisë apo këshillit të qarkut që është niveli i dytë i qeverisjes vendore. Shumë mirë mund të thotë që unë nuk mund të merrem për shembull me strehimin apo menaxhimin e mbetjeve dhe këtë ta bëjë dikush tjetër. Në këtë rast mund të krijohet një entitet ligjor me funksione të kufizuara, por që do të kryejë njësitë bazë të shërbimeve për komunitetin. Opsioni katërt që integron gjithë ato më sipër është që çdo ndarje territoriale ta kufizojmë brenda kufijve të qarkut. Marrim Qarkun e Tiranës, sot ka 24 njësi vendore, bashki dhe komuna, të zgjerojmë bashkinë e Tiranës, Kavajës, Kamzës, Vorës. Pjesa tjetër të mbeten si njësi të qeverisjes vendore. Por, nuk mund të dalë përtej qarkut. E thënë në këtë mënyrë ne mendojmë se një njësi e qeverisjes vendore nuk mund të ndahet në bazë të banorëve. Parimi është që të rritet numri i banorëve, shtohet konkurrenca politike gjatë zgjedhjeve, shtohen kapacitetet administrative. Pra, ka mjaft avantazhe reforma nëse bëhet gjithmonë me një proces të gjerë konsultativ, gjithëpërfshirës, vertikalisht dhe horizontalisht, nga qytetari i thjeshtë te Presidenti, me institucionet, por dhe ekspertë ndërkombëtarë apo donatorë.

Në bazë të gjithë këtyre opsioneve është parashikuar se sa do të jetë numri i njësive vendore pas reformës?

Shoqata e Komunave duke bërë analizën ka arritur në përfundimin se 65 bashkitë që kemi sot do të zgjerohen, pra do të kemi 65 qendra urbane më të zgjeruara, më të populluara. Pjesa tjetër do ndahet në njësi vendore rurale. Në 12 qarqet e Shqipërisë në mesataren tonë mendojnë se çdo qark duhet të ketë nga 8 deri në 15 njësi të qeverisjes vendore. Kjo do të thotë që reforma mundet të përgjysmojë njësitë e qeverisjes vendore. Nga llogaritë që ne bëjmë mund të ketë 150-160 njësi të qeverisjes vendore, komuna dhe bashki. Pra, kemi 65 bashki që do zgjerohen dhe pjesa tjetër mbeten njësi vendore pavarësisht emrit bashki apo komunë që mbetet rurale. Problemi që kemi sot është se, pranohet me vështirësi koncepti rural. Por, trashëgimia territoriale dheprokultura territoriale duhet marrë parasysh.

Kjo reformë është garanci që pushteti vendor të sigurojë më shumë të ardhura?

Sipas studimit, por dhe nga eksperienca ime e gjatë, mendoj se reforma nuk sjell domosdoshmërisht rritje ekonomike. Nxit ekonominë, por jo domosdoshmërisht sjell rritje në ekonomi. Ne sot kemi bashki të mëdha që kanë shumë popullsi e sipërfaqe, por kjo nuk ka treguar se kanë më shumë rritje ekonomike. Por, tashmë duke qenë kandidat për në Bashkimi Evropian duhet të kemi një qasje të re dhe në këtë pikëpamje. Është një ilaç që shëron këtë sëmundje, por nuk mendojmë se jep zgjidhjen finale.

Reforma mirëpritet dhe përkrahet nga të gjithë në parim por a mendoni se ajo do të sjellë dhe impakt negativ, do kemi më pak poste kryekomunarësh dhe këshilla komune?

Mendoj që reduktohet një çikë numri i të zgjedhurve vendorë. Kemi 373, do kemi gjysmën. Por kjo nuk është çështja. E rëndësishme është mos ketë impakte tek komuniteti, tek shërbimet, mos cenohet arkiva, të ruhen dokumentacionet. Krerët e njësive vendore kanë gjithmonë riskun politik.

Është e mjaftueshme koha në dispozicion që në zgjedhjet e 2015- s të shkojmë me një hartë të re territoriale?

Ne si Shoqatë e Komunave mendojmë se nuk bëhet në 2015-n, por duhet të bëhet në 2019-n. Për 2 vjet është një kohë shumë e shkurtër. Në vit zgjedhor nuk lejohet të ndërhyhet në legjislacion. Opinioni nuk është i përgatitur. Komunitetit nuk mund t’i thuash nga sot nesër që do drejtohesh diku tjetër për të zgjidhur problemet e tua. Duke parë dhe situatën aktuale, duket se nuk ka shumë konsensus lokal. Madje mendoj se kjo është çështje që e zgjidh dhe referendumi edhe pse alternativa më e mirë do ishte me bashkim vullnetar. Për shembull të t’i thuhet bashkisë Shkodër të bashkohet me komunën Rrethinë. Bashkimi vullnetar parimisht duket alternativa më e mirë, por praktikisht sa mendoni se janë të gatshme njësitë vendore të pranojnë shkrirjen dhe për pasojë humbjen e vendeve të punës? Ne kemi një rast shumë të mirë në 2003-shin, komuna Bushat u bashkua me komunën Barbullush. Ka qenë një model shumë i mirë. Këshillat lokalë, pushteti vendor diskutuan avantazhet dhe disavantazhet dhe vendosën. Risku është ky që thoni ju.

Sa e ndjeni veten si Shoqatë e Komunave të përfshirë në këtë proces diskutimesh të nisur tashmë?

Konferenca ishte vetëm takimi i parë. Ne kërkuam në prezencë të ministrit që procesi të fillojë në konsultimet me të gjithë të zgjedhurit vendorë. Të ketë modalitete që të zgjedhurit vendorë të shprehen me shkrim. Të ketë fushatë ndërgjegjësimi, me këshilltarët, kryetarët, kryetarët e fshatrave dhe lagjeve, fushatë ndërgjegjësimi me postera etj. Qytetarët në këtë moment nuk janë në pragun e të kuptuarit, por mund ta kuptojnë edhe keq, se do duket se po largohet pushteti, pavarësisht problematikave që kanë, u është shërbyer apo jo, por prapë kanë pasur një derë të hapur. Por, nëse përgatitja bëhet e duhur mund të pranohet, por sot për nesër krijon problem.

Ministri

Çuçi: Rreth 50% e komunave nuk vetëqeverisen

Nevoja për të rritur eficencën, të ardhurat nga njësitë vendore, por dhe për të garantuar një shërbim më të mirë për qytetarët, janë arsyet kryesore të Qeverisë, që çojnë në nevojën e një reforme territoriale. Sipas ministrit të Shtetit për Çështjet e Pushtetit Vendor, Bledar Çuçi, rishikimi i numrit të njësive të qeverisjes vendore të nivelit të parë që janë komunat dhe bashkitë dhe numri i njësive vendore të nivelit të dytë apo ndërmjetëm, që janë qarqet, sot do të bëhet duke marrë në konsideratë raportin midis madhësisë së territorit, madhësisë së popullsisë, por dhe aftësisë që duhet të kenë këto njësi vendore për të funksionuar dhe për tu vetëqeverisur. Ai e konsideron si një nevojë emergjente rishikimin e hartës administrativo-territoriale e cila sipas Çuçit, do jetë gati në 2015- n. Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore garanton se reforma territoriale nuk do jetë mbi baza politike. “Ajo që shihet është vetëm raporti i duhur që duhet të ketë territor, madhësi popullsie, kompetenca për një njësi vetëqeverisëse, po themi në kuptimin e autonomisë vendore, të jetë e aftë të ofrojë shërbime dhe cilësi”, - deklaroi ai për Vizion +. I pyetur për ndryshimin e Tiranës, ai tha se ajo do të zgjerohet, nevojë kjo e lindur prej shumë vitesh. “Nëse do kishim bërë reformën atëherë kur duhej do kishim shpëtuar një nga peizazhet që kishte Tirana në atë kohë dhe mushkërinë e saj. Por, po them që Tirana sigurisht që do jetë më e gjerë”, - deklaroi ai. Ai garanton se në gjithë këtë proces opozita e ka derën e hapur për të bashkëpunuar si në nivel teknik, por dhe politik. “Që në konferencën e djeshme ka qenë i ftuar zoti Basha në cilësinë e kryetarit të shoqatës së bashkive, kanë qenë deputetë të PDsë, të komisionit të ligjeve të PD-së, ka qenë zoti Shehi, i cili është një nga partizanët e reformës, por për arsye politike dhe ai nuk u lejua të vinte në konferencë. Shpresoj që ajo që mbetet me kaq, pra me mospjesëmarrjen në konferencë, por ne gjithmonë do të lëmë kanale të hapura për opozitën që të marrë pjesë qoftë në nivel teknik qoftë në nivel politik”, - tha Çuçi. Ministri garantoi se kjo reformë territoriale do zgjidhë problemet ekonomike që kanë sot njësitë vendore, sepse sot problem është mosfunksionimi i tyre. “Janë më shumë se 50 % e komunave të cilat nuk krijojnë apo kanë deri në 2 % të ardhura. Ato marrin buxhet nga buxheti publik, nga taksat tona, sepse as taksat vendore nuk mbledhin dot dhe paguajmë ne për shpenzimet e tyre. Atëherë pse ekziston kjo, kur nuk japin shërbime, kur nuk mbledhin të ardhura, kur marrin nga buxheti i shtetit para çdo vit dhe i përdorin veç për pagat e administratës”,- tha ai. Sa u përket formulave që do të zbatohen për këtë reformë, ministri pohoi se të gjithë janë pro zvogëlimit të numrit të njësive vendore, por nuk ka një formulë konkrete. Nuk ka modele të gatshme. Secili vend i adopton sipas nivelit të zhvillimit të tij, por ka praktika. Do veprohet mbi bazën e tyre”, - përfundoi ai.

KOMENTE