English

Kodheli merr pjesë në Ministerialin e ministrave të Mbrojtjes në Bruksel

Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, po merr pjesë në ministerialin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO që po mbahet në selinë e NATO-s në Bruksel.

Gjatë ditës së sotme ministrja Kodheli zhvilloi një takim bilateral me sekretarin e Përgjithshëm të NATO, z. Anders Fogh Rasmussen dhe sekretarin amerikan të Mbrojtjes, z. Chuck Hagel.
Në hapje të takimit, z. Rasmussen i uroi mirëseardhjen në selinë e NATO ministres Kodheli dhe e përgëzoi atë për detyrën e re. Duke u ndalur në takimin e sotëm të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtarë të NATO, ai u shpreh se ky takim do të shërbejë si hapi i parë drejt Samitit të NATO 2014. Sekretari i Përgjithshëm Rasmussen nënvizoi kontributet pozitive të Shqipërisë në operacione, nisma rajonale dhe në mbështetje të iniciativës “Smart Defence”, në të cilën Shqipëria është pjesë aktive. Duke bërë një rezyme të shkurtër të takimeve të sotme, në formate të ndryshme, z. Rasmussen theksoi se pret diskutime të gjera mbi çështjet dhe sfidat tona të përbashkëta. Në fund të fjalës së tij, ai u shpreh i lumtur për rolin e Shqipërisë në NATO dhe pret të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet shqiptare në të ardhmen. Në këtë kontekst, ai përmendi takimin e zhvilluar së fundmi me kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama. Ministrja Kodheli i dorëzoi nga ana e z. Rama si dhuratë z. Rasmussen edhe një pikturë.

Nga ana e saj ministrja e Mbrojtjes, znj. Kodheli falënderoi sekretarin e Përgjithshëm të NATO për pritjen që i rezervoi, në këtë pjesëmarrje të parë të saj në Ministerialin e Mbrojtjes të NATO. Ajo e siguroi sekretarin Rasmussen për mbështetjen dhe dedikimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë dhe të saj personal, në adresimin e çështjeve dhe sfidave të përbashkëta, për një Aleancë më të fortë. Shqipëria, ka theksuar znj. Kodheli, beson se NATO luan një rol të pazëvendësueshëm në Kosovë dhe për këtë falënderoi lidershipin e sekretarit të Përgjithshëm të NATO. Në lidhje me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, ministrja Kodheli shprehu rolin pozitiv të Shqipërisë në mbështetje të paqes, sigurisë dhe prosperitetit, duke investuar me tepër për mirëqenien e rajonit. Kontributi i Shqipërisë në ISAF, KFOR etj do të vazhdojë të mbështetet plotësisht, veçanërisht në kuadër të ISAF, pas vitit 2014. Znj. Kodheli u shpreh se Shqipëria do vazhdojë të punojë drejt transformimit të Forcave të Armatosura, modernizimit, interopabilitetit, për të përmbushur obligimet si një vend aleat dhe i besueshëm. Është bindja ime, vazhdoi më tej znj.Kodheli, që një theks të veçante do vihet në luftën kundër korrupsionit në institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes, për të poseduar një forcë të armatosur moderne, të mirëpërgatitur dhe profesioniste. Në fund të fjalës së saj, ministrja Kodheli i solli sekretarit Rasmussen urimet më të mira të kryeministrit Rama dhe vendosmerinë e qeverisë shqiptare për të qenë një partner i denjë në këtë Aleance.

Z. Rasmussen duke falënderuar znj.Kodheli për mbështetjen e saj, uroi për takime të tjera të frytshme, ndërsa theksoi se megjithëse burimet mbeten të vogla, ato duhen përdorur me kujdes. Nga ana e saj, ministrja Kodheli edhe njëherë theksoi, se pavarësisht nga gjendja e vështirëe financiare, Shqiperia do të vazhdojë të bëjë më të mirën për të arritur qëllimet e përbashkëta.

***
Po sot, ministrja e Mbrojtjes Kodheli zhvilloi një takim me Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, z. Chuck Hagel me kërkesën e tij. Pasi e uroi për detyrën e re si ministre e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, z. Hagel vlerësoi bashkëpunimin me Shqipërinë. Ai e siguroi ministren Kodheli për mbështetjen e padiskutueshme për ekipin e ri qeverisës dhe nënvizoi faktin se po kërkohen fusha të reja bashkëpunimi.
Ministrja e Mbrojtjes Kodheli e falenderoi Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, z. Hagel për mbështetjen e SHBA-ve ndaj qeverisë shqiptare, si dhe i bëri ftesën e qeverisë për të vizituar vendin tonë, ftesë të cilën z. Hagel e pranoi me kënaqësi.

Gjatë Ministerialit të NATO-s që po mbahet në Bruksel pritet të diskutohen një gamë e gjerë çështjesh si mbrojtja kibernitike, burimet, Afganistani, zhvillimi kapaciteteve etj, të cilat do të jenë dhe objekt diskutimi në Samitin e ardhshëm të NATO-s në vitin 2014.

***************

Ministrja Kodheli e siguroi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO për angazhimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë në adresimin e sfidave të përbashkëta.

Sekretari Rasmussen: Jam i lumtur për rolin e Shqipërisë në Aleancë dhe për gatishmërinë e marrë nga kryeministri Edi Rama në takimin e zhvilluar së fundmi.

Z. Chuck Hagel: Shqipëria është partner i rëndësishëm, mbështesim ekipin e ri të qeverisë shqiptare dhe po punohet për fusha të reja bashkëpunimi.

KOMENTE