English

Crown Agent, kompani që nuk do paguajë taksa në Shqipëri. Pse vallë?

Deklarata e plotë e ish zëvendësministrit të Financave, Alfred Rushaj:

Qeveria ka dërguar para pak ditësh në Kuvend këtë dokument që është i pjesshëm për atë që përmban. Ne kemi kërkuar disa herë transparencën por deputetëve u paraqitet ky dokument i cunguar duke u fshehur transparencën, për shumë elementë të kontratës.

Kjo kontratë e paraqitur në formën e një projektligji përmban disa fakte që opinioni publik do të duhet t’i vlerësojnë nëse janë transparente dhe në dobi të tij.

E fillojmë me pagesën. Crown Agent do të paguhet çdo vit 4.5 milionë euro nga paratë e shqiptarëve. Do ti paguhet kësaj kompanie më shumë se 13 milionë euro për 3 vite. Po për të bërë çfarë? Për të bërë atë që administrata doganore thotë këto ditë që e bëjnë më së miri. Por kjo nuk mbaron këtu.

Do të na duhet që nga paratë që po marrim borxh, jo vetëm që do të paguajmë këtë kompani Crown Agent, por t’i paguajmë atyre shtesë edhe 400 mijë euro për të blerë makina me sirena që do t’i përdorin brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Do të na duhet që të bëjmë edhe gjëra të tjera. Republika e Shqipërisë ka firmosur shumë marrëveshje me shumë kompani të mirënjohura në botë. Ka firmosur jo vetëm marrëveshje konsulence, siç është rasti konkret që janë marrëveshje rutinë, por ka firmosur edhe marrëveshje që kanë sjellë miliardë dollarë të investuara, dhjetëra mijë vende pune, kanë sjellë mundësi që Shqipëria të kthehet në nyje strategjike për rajonin.

Sidoqoftë këto kompani shumë të mirënjohura që veprojnë në Shqipëri, vendase apo të huaja, kanë paguar tatim-fitimet, kanë paguar disidentet kur ka qenë rasti, kanë paguar tatimin mbi të ardhurat personale, kanë paguar taksat vendore sipas ligjit.

Po çfarë kemi në këtë kontratë? Në këtë kontratë qeveria i ka dhënë të drejtën kësaj kompanie që të mos paguajë tatim-fitimin, i ka dhënë të drejtën që të mos paguajë TVSH-në, i ka dhënë të drejtën që të mos paguajë taksat vendore, i ka dhënë të drejtë të mos paguajë tatimin mbi dividendin.

Vazhdojmë më tutje. I ka dhënë të drejtën me kontratë që të mos paguajë asnjë taksë përfshirë edhe akcizën, edhe taksat dhe tarifat e tjera që mund të jenë të ngjashme. Por nuk ndalohet këtu.

Kompania është treguar e kujdesshme por edhe qeveria ka pranuar që punonjësit e Crown Agent të mos paguajnë tatim mbi të ardhurat personale, të mos paguajnë asgjë për ato që sjellin në Republikën e Shqipërisë.

Me këtë mënyrë sjellje, jo vetëm që kjo kompani favorizohet në mënyrë të paprecedentë, por jemi të bindur se e vendosin vendin tonë dhe qeverisë e Republikës së Shqipërisë në një pozitë shumë të vështirë përballë kompanive të tjera që kanë investuar dhe investojnë miliarda dollarë në vendin tonë.

Fakti që kjo kontratë është e shtrenjtë nuk e themi ne. Këtë fakt e thotë Bashkimi Europian.

Po japim përgjigje për pyetjet që bëmë për qeverisë por që nuk morëm përgjigje, dhe asnjë transparencë.

Po themi që Bashkimi Europian u ka komunikuar zyrtarëve të qeverisë që kjo kontratë është e shtrenjtë. Por nuk mbaron me kaq. Bashkimi Europian gjithmonë u ka komunikuar zyrtarëve të Republikës së Shqipërisë që janë marrë me këtë çështje se konsulenti nuk ka as eksperiencën e duhur në zhvillimet e fundit përsa i përket tatimeve dhe doganave.

Kjo është përgjigja e një tjetër pyetje të bërë nga ne. Po, Banka Botërore e ka përjashtuar për 6 muaj këtë kompani sepse është vërtetuar nga ana e saj se kjo kompani ka përdorur praktika mashtruese në projekte të Bankës Botërore.

Ajo çka është e rëndësishme në këtë fazë është transparenca e mëtejshme e këtij procesi. Ne i kërkojmë qeverisë të dorëzojë dokumentet e munguara të këtij dokumenti, të dorëzojnë shtojcat e munguara të këtij dokumenti që nuk i ka dorëzuar në Kuvend. Në ditët në vijim do të vazhdojmë transparencën për këtë çështje.

KOMENTE