Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Takimi Rama- Gruevski. Diskutohen projekte të rëndësishme për rajonin
English

Takimi Rama- Gruevski. Diskutohen projekte të rëndësishme për rajonin

Kryeministri Rama u takua sot dhe zhvilloi bisedime me Kryeministrin e Maqedonisë Nikola Gruevski.

Takimi u përqendrua në marrëdhëniet dypalëshe, intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe atë rajonal. Të dy kryeministrat nënvizuan marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve dhe angazhimin reciprok për t’i forcuar ato në frymën e fqinjësisë së mirë, të respektit dhe proceseve integruese evropiane.

Kryeministri Rama nënvizoi marrëdhëniet e veçanta që ekzistojnë midis dy vendeve dhe nevojën e implementimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Në takim u shpreh gatishmëria për të nxitur e shfrytëzuar mundësi të reja në bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve edhe përmes projekteve të përbashkëta të zhvillimit.

Një tjetër temë e takimit ishte thellimi i bashkëpunimit rajonal dhe mundësitë e reja ka hapur për rajonin marrëveshja midis Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë.

Deklarata e Kryeministrit Rama në konferencën për shtyp me Kryeministrin Gruevski:

Së pari dëshiroj t’i shpreh Kryeministrit falenderimet tona për mikpritjen e delegacionit shqiptar dhe, njëkohësisht, falenderimin tim për bisedën e hapur, të drejtpërdrejtë dhe miqësore që ne patëm. Po ashtu, dëshiroj të nënvizoj qysh në fillim se për ne, marrëdhëniet me Maqedoninë kanë një rëndësi të veçantë, ashtu sikundër edhe integriteti territorial i Maqedonisë ka një rëndësi themelore për mbarëvajtjen e punëve në të gjithë rajonin dhe për ecurinë e rajonit drejt Bashkimit Evropian.

Nga ana tjetër është e nevojshme të theksoj edhe një herë, atë që është thënë vijimësisht se Shqipëria është e interesuar për një marrëdhënie intensive me fqinjët dhe në këtë rast, me Maqedoninë, në të gjitha planet. Ne jemi të gatshëm dhe të përgatitur që të hapim rrugë të reja në këtë bashkëpunim dhe të forcojmë bashkëpunimin ekonomik me ide dhe projekte konkrete zhvillimi të përbashkët.

Nuk duhet ta harrojmë për asnjë çast se viti i ri 2014 është i pari vit i ri në historinë e rajonit tonë që vjen pa konflikt. Është e para vigjilje e vitit të ri, ku çdo njëri do të jetë në shtëpinë e tij dhe nuk do të ketë pushkë të drejtuara kundër fqinjit. Paqja në rajon ka hyrë në një proces tërësisht të ri me marrëveshjen mes qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë. Dhe për ne, kjo është një dritare e re e madhe mundësish për zhvillim rajonal, ekonomik e social dhe na takon ne të gjithë qeverive të rajonit që këtë mundësi të madhe ta kthejmë në mirëqenie për njerëzit tanë.

Ne kemi biseduar me Kryeministrin për një sërë projektesh. Ai i përmendi dhe unë nuk dua të përsëris ato që ai tha. Dua të fokusohem tek projekti i liqenit të Ohrit, si një prej hapësirave më të mrekullueshme të natyrës në rajonin tonë dhe si një hapësirë, ende e pashfrytëzuar ashtu si duhet, e zhvillimit ekonomik e social për gjithë territorin, por edhe e zhvillimit të marrëdhënieve tona si marrëdhënie të një fqinjësie të mirë, si marrëdhënie që prodhojnë sukses dhe shembuj suksesi, të standardeve më të larta të Evropës ku ne jetojmë.

Sigurisht, për ne, për Shqipërinë dhe për shqiptarët është shumë e rëndësishme që edhe vetë marrëveshja e Ohrit të jetë një pikë referimi në të gjithë procesin e brendshëm politik në Maqedoni dhe të implementohet dita-ditës si një bazë e patjetërsueshme e mbarëvajtjes së punëve këtu dhe e suksesit të këtij vendi, për të cilin edhe ne jemi shumë të interesuar dhe e mbështesim me gjithë zemër.

Përgjigjet e Kryeministrit dhënë për gazetarët gjatë konferencës për shtyp.

1- E vërteta është që partia e pakicës maqedonase ishte kundër nesh në zgjedhjet e shkuara, ashtu sikundër, është po ashtu e vërtetë që ishte në mbështetje të kandidatit tonë në zgjedhjet e fundit në Korçë. Por këto janë pozicione tërësisht legjitime dhe të respektueshme të kujtdo dhe nuk ndryshojnë pozicionin tonë të palëkundur, se ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të përmirësuar sa të mundemi, dita ditës, jetën e kujtdo që jeton në Republikën e Shqipërisë, pa dallim. Dhe ky është një angazhim që Shqipëria e ka pasur, e ka dhe do ta ketë, pavarësisht se kush parti qeveris në Shqipëri.

2- Sigurisht që ne i ndjekim me shqetësim momentet kur shfaqet intolerancë, kur shfaqet edhe dhunë e natyrës ndëretnike dhe kemi qenë e mbetemi gjithmonë të vendosur që të bëjmë vazhdimisht thirrje për qetësi, për maturi dhe për vetëdije, sepse është tek mbarëvajtja e marrëdhënieve ndëretnike edhe suksesi i përbashkët dhe suksesi më vete i çdo familjeje dhe i çdo individi. E pra, për ne është e domosdoshme që të kuptohet sa më mirë nga të gjithë se e ardhmja është e përbashkët dhe se bashkërisht do ta ndërtojmë të ardhmen në këtë rajon, por edhe këtu në këtë vend, ku shqiptarët janë një pjesë shtetformuese dhe ku shqiptarët janë të angazhuar në gjithë procesin politik, janë të organizuar dhe përfaqësuar edhe në qeverinë e sotme të Maqedonisë dhe ku shqiptarët janë të interesuar që Marrëveshja e Ohrit të implementohet dita ditës, me sa më shumë rigorozitet dhe sa më shumë sukses.

Por nga ana tjetër, ne duhet të gjithë të jemi qetësisht mirëkuptues për kohën që kërkojnë proceset politike dhe mbi të gjitha, për faktin se çdo shprehje intolerance, çdo shprehje dhune, i çon proceset mbrapa dhe jo përpara. Ka ende shumë për të bërë. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë, por duhet ta bëjmë së bashku dhe rruga e përbashkët është e përcaktuar.

Ne jemi mbështetës të palëkundur të integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, po ashtu. Dhe jemi mbështetës të palëkundur dhe të idesë se e ardhmja e përbashkët në këtë rajon, ku kaq shumë jemi vonuar dhe kaq shumë kemi vuajtur në breza nga konfliktet dhe mosmarrëveshjet, është e ardhmja nën qiellin e Evropës së Bashkuar, është e ardhmja që kufijtë i bën krejtësisht të parëndësishëm kur vjen puna për të bashkërenduar forca, energji, ide dhe projekte dhe për të garantuar mirëqenie për të gjithë njësoj. Dhe për ne, gjenerata tjetër e shqiptarëve, e maqedonasve, e serbëve, e shqiptarëve në Kosovë e po ashtu e shqiptarëve në Preshevë, e po ashtu e serbëve në veriun e Kosovës, e po ashtu në Mal të Zi e me radhë, është një e ardhme që vetëm e përbashkët mund të jetë një e ardhme mirëqenie, një e ardhme suksesi kombëtar dhe suksesi individual.

3- Faleminderit për pyetjen tuaj! Ne jemi në pritje dhe njëkohësisht në mbështetje të çdo zgjidhjeje me mirëkuptim mbi emrin. Dhe sigurisht, jemi të bindur se çështja e emrit mund të zgjidhet dhe se me vullnet të mirë, është një çështje e kapërcyeshme, në funksion të një të ardhmeje që është e ardhmja për të cilën të gjithë së bashku biem dakord, në NATO dhe në Bashkimin Evropian apo në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si të doni.

4- Unë kam ardhur këtu si një fqinj dhe si një mik dhe nuk kam ardhur këtu për të dhënë porosi dhe nuk do t’ia lejoja kurrë vetes që të merrja porosi. Por kam ardhur këtu për të diskutuar kështu siç diskutuam, në mënyrë të hapur, të drejtpërdrejtë dhe miqësore për të gjitha çështjet e interesit të përbashkët. Dhe sigurisht që e përsëris, për ne sa më shpejtë Maqedonia të integrohet në NATO dhe në Bashkimin Evropian, aq më mirë është për rajonin, aq më mirë është për shqiptarët që jetojnë këtu dhe kudo që jetojnë, aq më mirë është edhe për maqedonasit. Kështu që ne jemi të bindur se çdo vonesë në këtë drejtim, ngado që të vijë, cenon prosperitetin dhe procesin shumë më të rëndësishëm të integrimit dhe të zhvillimit të këtij rajoni, që sot e gjithë ditën është i prapambetur për shkak të një historie konfliktesh dhe mosmarrëveshjes, por që sot ka mundësinë e madhe ta shfrytëzojë paqen në gjithë territorin e vetë, si një hapësirë për zhvillim.

KOMENTE