English

Ja si do merren tapitë e legalizimeve. 7 arsyet e dështimit të procesit të legalizimit. Tani kostoja e shkresave do të bëhet zero

S. Topi - Korrupsioni, moskoordinimi i punës mes institucioneve, por dhe pengesat e tejskajshme procedurale çuan në dështimin e plotë të procesit të legalizimeve. Kështu pohon Kryeministri Edi Rama, ndërsa sjell dhe njëherë në vëmendje gjithë shkeljet dhe situatën e rënduar të konstatuar nga kreu i ri i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit, Integrimit të Zonave të Ndërtimeve Informale, Artan Lame. Rama rendit 7 arsyet e këtij dështimi të cilat nuk do të përsëriten më nga qeveria e re. Strategjia e ekzekutivit parashikon zgjidhjen përfundimtare për 293 ndërtimet pa leje të shtrira në gjithë vendin.

Legalizimet

Arsyet që çuan në dështimin e procesit të legalizimit i cili në 8 vite mundi tu jepte zgjidhje vetëm 22 mijë dosjeve nga 293 mijë në total lidhen me mungesën e vizionit të qeverisë “Berisha”, e cila kishte shtuar pafund procedurat, nuk rakordonte punën mes institucioneve, por dhe lejoi korrupsionin me pronën. “Përgjigja për dështimin është vizioni rrënues për një proces ku duhet të fitonin të gjithë dhe ku në fakt janë shkatërruar të gjithë, vullneti i mbrapshtë politik dhe injorancë në lidhje me këtë problem madhor e të komplikuar, por dhe procedurat e komplikuara”, - rendit Rama arsyet. Për çdo dosje duheshin 20 deri në 30 dokumente. Një tjetër problem i cili ka penguar legalizimin e ndërtimeve pa leje ka qenë moskoordinimi midis tre institucioneve kyçe që përfshihen në këtë proces që janë Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme, Agjencia e Legalizimi, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave të Ndërtimeve Informale dhe Agjencia e Kthimit e Kompensimit të Pronave. Rama thekson si arsye tjetër të këtij dështimi “Korrupsionin kapilar dhe të përqendruar”. “Mungesa e profesionalizmit dhe mbushja e administratës me individë pa asnjë lidhje me punën si dhe mosbesimi i krijuar tek qytetarët se shteti e ka pasur ndonjëherë seriozisht procesin e legalizimeve”, - rithekson kreu i Qeverisë argumentimin e dështimit të këtij procesi.

E ndërsa janë konstatuar shkeljet, Qeveria ka hartuar tashmë dhe strategjinë e plotë e cila do të bëjë pronarë të shtëpisë së tyre të gjithë ata banorë që vijojnë të konsiderohen si ndërtues informalë. Në analizën e detajuar të kreut të ALUIZNI-t, të ritheksuar sërish nga kryeministri Rama, bëhet publike gjendja aktuale fizike dhe financiare e dosjeve që disponon Agjencia. Sipas statistikave të paraqitura, rezulton se numri i përgjithshëm i qytetarëve që kanë aplikuar gjatë këtyre viteve është 293 mijë, nga të cilët vetëm 10 mijë prej tyre kanë arritur të marrin certifikatën e pronësisë. Vlera e arkëtuar nga ky proces gjatë viteve 2008-2013 është 7,9 miliardë lekë nga të cilat 6,98 miliardë duhet të kishin shkuar në një llogari të veçantë të buxhetit të shtetit për t’u përdorur ekskluzivisht për kompensimin e ish-pronarëve. Por, sipas konstatimeve të kreut të ri të ALUIZNI-t, vetëm 4 miliardë lekë kanë shkuar në destinacion, ndërsa rreth 3 miliardë lekë Ministria e Financave i ka përdorur për qëllime të tjera dhe në kundërshtim me ligjin. Përgjegjësit për këto shkelje pritet të vihen para ligjit, qëndrim që është theksuar dhe nga kreu i ri i ALUIZNI-t, Artan Lame.

Legalizimit falas, faturat mbulohen nga shteti

Është zbardhur strategjia e legalizimit falas të ndërtimeve informale. Sipas kësaj, fatura financiare për plotësimin e dokumentacioneve të nevojshme të dosjes për të legalizuar një objekt, do të mbulohet nga shteti. Deri tani poseduesit e objektit duhet të paguanin në varësi të objektit dy tarifa, njëra 6 mijë lekë, e cilësuar si tarifa e printimit të lejes së legalizimit dhe tjera 4 mijë lekë, tarifa e shërbimit për legalizimin e objekteve informale në ndërtime me leje është për çdo kat të objektit pa leje. Ndërkohë që në vijim do të paguhet vetëm vlera e tokës.

Masat

Më herët Qeveria ka nisur punën për të vënë në zbatim premtimet e dhëna. Fillimisht procesi ka nisur me bllokimin e çdo ndërtimi të ri pa leje. Qeveria para dy javësh ka marrë një vendim për të kthyer në kushtet ligjore, zonat e mbrojtura. Kjo nënkupton prishjen e nderimeve pa leje në këto zona dhe ndalimin e çdo ndërtimi të ri. Vendimi i qeverisë është pasuar nga 2 vendime të Këshillit Kombëtar të Territorit për të njëjtin qëllim. Kjo fazë do pasohet menjëherë me nisjen e procesit të legalizimeve. Objektet që do të merren në konsideratë janë ato që janë vetëdeklaruar në vitin 2006 dhe ato me shtesat që janë bërë në fillim të këtij viti. Në vijim do të ndryshojnë dhe procedurat ligjore. Ndërkohë që fatura financiare për plotësimin e dokumentacioneve të nevojshme të dosjes për të legalizuar një objekt, tashmë do të mbulohet nga shteti. “Qytetarët do të lehtësohen nga pagesa për plotësimin e të gjitha dokumentacioneve që përmban dosja e legalizimit të një objekti të ndërtuar pa leje. E gjithë fatura financiare do të mbulohet nga buxheti i shtetit”, - është shprehur kreu i Agjencisë së Legalizimi, Urbanizimit, Integrimit, Zonave të Ndërtimeve Informale, Artan Lame.

Deri tani poseduesit e objektit duhet të paguanin në varësi të objektit dy tarifa, njëra 6 mijë lekë, e cilësuar si tarifa e printimit të lejes së legalizimit dhe tjera 4 mijë lekë, tarifa e shërbimit për legalizimin e objekteve informale në ndërtime me leje është për çdo kat të objektit pa leje. Ndërkohë që në vijim do të paguhet vetëm vlera e tokës. Sa i përket procedurave që do ndiqen në vijim, Lame ka sqaruar se nuk mund të anulohen me mijëra leje korruptive dhe problematike, por nga ana tjetër nuk mund të mbyllen sytë përpara kësaj çorbe urbane. Prandaj, sipas tij, nuk do të shikohet vetëm e kaluara, por do ofrohet zgjidhja reale e problemit për të ardhmen. Në këtë proces, janë përfshirë, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 9482, datë 03.4.2006, i ndryshuar, 270.592 ndërtime pa leje, të cilat i përkasin periudhës qershor- shtator 2006 dhe 22.570 ndërtime pa leje që janë të periudhës qershor-korrik 2013. Është miratuar kufiri për 127 zona informale, ku përfshihen rreth 120.000 ndërtime pa leje dhe me vendim qeverie është miratuar kalimi i të drejtës së pronësisë mbi truallin për 94.590 ndërtime, të ngritura në truall jo në pronësi të poseduesit të ndërtimit.

Problemet ligjore

Në tetë vjet janë bërë 4 ligje bazë që kanë të bëjnë me legalizimet, të cilët janë ndryshuar rreth 22 herë, në 180 pika të ndryshme. Plus ligjet e tjera që kanë të bëjnë direkt ose indirekt me legalizimet, si legjislacioni i planifikimit urban, legjislacioni i kontrollit të territorit, legjislacioni i regjistrimit të pasurive, etj. Këtyre ligjeve iu janë shtuar me dhjetëra vendime qeverie, urdhra të kryeministrit, urdhra te ministrave të cilët e kanë komplikuar edhe më tej situatë. Lame ka ngritur shqetësimin dhe për aktet të marrë qëllimisht për të favorizuar persona të caktuar. “Për të mos shtuar këtu edhe akte ligjore apo nënligjore “ad personam”, që domethënë akte të bëra për të favorizuar raste të veçanta, duke shkaktuar kaos në praktikën e përgjithshme”.

KOMENTE