English

Basha i "ankohet" FMN-së

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot përfaqësuesit e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, me të cilët pati një bashkëbisedim të hapur rreth bashkëpunimit të Shqipërisë me FMN-në, situatës makroekonomike dhe fiskale të vendit.

Gjatë takimit diskutimet u përqëndruan tek pasiguria e krijuar si rezultat i vonesës së tejzgjatur të projektbuxhetit të vitit 2014 dhe mostransparencës qeveritare në lidhje me ndryshimin rrënjësor të sistemit tatimor në Shqipëri.

Përfaqësuesit e FMN-së u njohën me situatën e paligjshmërisë që dominon sot pothuajse të gjitha fushat e jetës, ekonomike, financiare e sociale të vendit.

Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar iu bë e njohur situata e mbarsur e plotë shqetësime nga ana e biznesit shqiptar, lidhur me rritjen e shfrenuar të taksave, si dhe me metodat abuziviste dhe shantazhuese të administratës tatimore ndaj biznesit e sipërmarrjes në vend, të cilët janë sulur në aksion për të nxjerrë të ardhurat publike me metoda arbitrare dhe ekstraligjore.

Z. Basha ndau me përfaqësuesit e FMN-së edhe shqetësimin e lindur nga ndërhyrja e qeverisë në serverin qëndror të të dhënave konfidenciale tatimore të qytetarëve të vendit, si dhe i informoi ata për iniciativën e ngritjes së komisionit hetimor për zbardhjen e ngjarjes së paprecedentë.

KOMENTE