Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Hysni Burgaj dhe 9-ish zyrtarë të tjerë kallzohen në Prokurori
English

Hysni Burgaj dhe 9-ish zyrtarë të tjerë kallzohen në Prokurori

Kallzimi ndaj Arben Imamit nuk ka qenë e para dosje në Prokurori për çështjen e reklamave. Një tjetër padi është referuar gati një muaj më parë.

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka referuar në “Task Forcën” e Prokurorisë së Tiranës kallzim penal ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, nëndrejtorit të Përgjithshëm, Rasim Borishi, dhe 8 anëtarëve të Komisionit të vlerësimit të ofertave në këtë drejtori.

Akuzat, që rëndojnë mbi dy ish-drejtuesit e policisë dhe tetë zyrtarët e tjerë, janë ato të shpërdorimit të detyrës si dhe të shkeljes së barazisë në tendera, apo ankande publike.

Shkeljet, sipas një materiali me 11 faqe që iu drejtua Prokurorisë, kanë të bëjnë me procedurën e prokurimit me objekt spotet publicitare televizive për informimin e qytetarëve, në kuadër të liberalizimit të vizave.

Bëhet fjalë për pesë tendera në shkelje të ligjeve të prokurimit, me një vlerë prej 318 milionë lekësh, ose e thënë ndryshe mbi 3,100,000 dollarë.

Sipas hetimit, të bërë nga oficerët e Policisë Gjyqësore në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, ka rezultuar se në tre tendera Komisioni i vlerësimit ka shpallur operatorin fitues përkatësisht dy, tre dhe një ditë përpara hapjes së ofertave, duke paracaktuar fituesin që, në të gjitha rastet, është vetëm një kompani: “Promo”, e cila ka marrë të gjithë shumën prej mbi 3,100,000 dollarësh.

Në të gjitha procedurat e kryera, veprimet e autoritetit kontraktor u kryen nga zv/drejtori i policisë, Rasim Borishi, në kundërshtim me vendimet e nxjerra nga Këshilli i Ministrave, ku veprimet duhet të kryhen nga titullari i institucionit.

Një tjetër pikë e shkeljeve nga Komisioni i Prokurimit është se u shpall operatori fitues në bazë të çmimit dhe jo pikëve, në kundërshtim me VKM në fuqi. Një ndër pikat me shkeljen më të rëndë mbetet ajo se, në dy procedura prokurimi mungon data e raportit përfundimtar të përpiluar nga ky komision, si dhe se në ftesat në ofertë, drejtuar operatorëve për pjesëmarrje në prodhimin dhe transmetimin e spoteve publicitare, titullari i autoritetit kontraktor i është referuar një baze ligjore të shfuqizuar.

Në kundërshtim me ligjin nuk është bërë njoftim në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe në komision nuk ka pasur specialistë të fushave. Një ndër më flagrantët si shkelje, konsiderohet se janë përcaktuar që në procedurë prokurimi, televizionet që do transmetonin spotet publicitare.

Në total janë realizuar 5 spote.

Për spotin e parë,
kontrata u lidh më 26 prill 2010 dhe ka vlerën e 19,950,000 lekëve. Spoti u sugjerua nga znj. Gentjana Bektashi, drejtore e “Politikave Integruese dhe Ndihmës së Huaj”. Ndërkohë që sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Etion Kapedani, i ka kërkuar drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, që fondi të mbulohet nga buxheti i miratuar për “Policinë e Shtetit”, nën zërin “Mallra e Shërbime, blerje uniforme”.

Për spotin e dytë,
kontrata është lidhur më 25 qershor 2010, me një vlerë prej 49,950,000 lek. Për mungesë kapacitetesh, Drejtoria e Policisë i ka kërkuar sekretarit të Përgjithshëm ta monitorojë ministria këtë kontratë.

Për spotin e tretë,
kontrata u lidh më 14 dhjetor 2010, me vlerë 99,950,000 lek. Vlera e kësaj kontrate u mbulua nga fondi për qeverisjen vendore, me urdhër të sekretarit të Përgjitshëm, kryerjen e procedurave të prokurimit për fondin e siguruar me VKM, “Për rishpëndarje fondesh ndërmjet njësive të qeverisjes qendrore në investime dhe Brenda programeve të miratuara për Ministrinë e Brendshme”.

Për spotin e katërt,
kontrata u lidh në datën 15 mars 2011, me vlerë 99,950,000 lek. Vlera e kësaj kontrate është mbuluar nga buxheti i Policisë së Shtetit në zërin “Mallra e Shërbime, blerje uniforme”. Sugjerimi është bërë nga drejtorja e Politikave Integruese dhe Ndihmës së Huaj, znj. Gentjana Bektashi. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në shkresën drejtuar ministrisë, shprehet se e vetmja mundësi financimi për realizimin e këtij spoti është shkurtimi i fondit të artikullit “Mallra e Shërbime”, duke pakësuar nënartikullin “Uniforma e Veshmbathje” për policinë.

Për spotin e pestë,
kontrata u lidh më 18 tetor 2011, me vlerë 49,500,000 lek. Drejtorja e Politikave Integruese dhe Ndihmës së Huaj, znj. Gentjana Bektashi, iu drejtua sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme, Florian Nuri, me objekt: “Mbi përgatitjen e spoteve për informim të qytetarëve, në kuadër të liberalizimit të vizave”, për vazhdimin e fushatës ndërgjegjësuese në televizionet TVSH dhe TV KLAN, me një vlerë të përafërt 50 milionë lek. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme iu drejtua z. Hysni Burgaj për kryerjen e procedurave të prokurimit, ku i kërkon që mbulimi i efektit financiar të vlerësohet në bazë të mosrealizimit të shpenzimeve nën mujore të policisë.

Gjatë denoncimeve të vitit të kaluar janë bërë publike shumat prej miliona dollarësh, të dhëna nga buxheti i shtetit në formën e reklamës shtetërore, ku Top Channel, një nga tre mediat kombëtare, por çfarë është më e rëndësishmja televizioni më i madh dhe i rëndësishëm në vend, ka qenë i përjashtuar prej tyre, çka e ka bërë të dyshimtë si procedurën, edhe qëllimin e këtyre financimeve.

Lista e të akuzuarve

Hysni Burgaj - ish-drejtor i Përgjithshëm
Rasim Borishi - zv/drejtor i Përgjithshëm
Kole Kukaj - kryetar i Komisionit
Adelina Marashi - anëtar/e komisioni
Agim Hysko - -//-
Besjana Martini - -//-
Liza Tafili - -//-
Meri Papakonstandini - -//-
Klejda Plangarica - -//-
Islam Cenga - -//- / Top Channel

KOMENTE