Warning: file_get_contents(): php_network_getaddresses: getaddrinfo failed: Name or service not known in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: php_network_getaddresses: getaddrinfo failed: Name or service not known in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kryeministri me qytetarët për taksën e karbonit. Opozita po ndien frikën e suksesit tonë
English

Kryeministri me qytetarët për taksën e karbonit. Opozita po ndien frikën e suksesit tonë

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrat Arben Ametaj dhe Lefter Koka ka zhvilluar një bisedë të hapur me qytetarë të kategorive dhe moshave të ndryshme, për sa i përket buxhetit 2014 dhe paketës fiskale që e shoqëron këtë buxhet.

Kryeministri siguroi se taksa e qarkullimit apo e quajtur ndryshe taksa e karbonit, ku bëhet fjalë për 10 lekë shtesë, është burimi i një të ardhure për buxhetin e shtetit dhe se “për 10 lekë që shtohen, nuk ka asnjë impakt të drejtpërdrejtë mbi çmimet”.

Të turpshme e ka cilësuar Kryeministri tentativën për të përhapur panik ndër qytetarë të opozitës për gjoja rritje apokaliptike të çmimeve. Opozita e sotme gjatë qeverisjes së saj 8 vjeçare e mori çmimin e naftës 600 lekë dhe e çoi në 1800 lekë. Sa i takon ndikimit të rritjes së kësaj taksë në çmimin e bukës Kryeministri u shpreh se “vetëm 3 % e furrave të bukës sot, në Shqipëri, punojnë me naftë. Vetëm 3 %. Ndërkohë që ju siguroj që edhe për ato 3 % nuk do të ndodhë ky apokalips.”

Edhe Ministri Ahmetaj siguroi se kostoja e rritjes së naftës me 10 lekë nuk shkon fare të qytetari i zakonshëm. “Kur kemi parë strukturën e kostos së një familjeje të zakonshme, është 0.1 lekë. Pra, kaq do të ishte efekti nëse do të transmetohej drejtpërsëdrejti”, u shpreh ai. Duke iu referuar pretendimeve se si pasojë e kësaj takse rritet edhe çmimi i bukës, Ahmetaj theksoi se çmimi i bukës nuk rritet asnjë lekë, përkundrazi, çmimi i saj do të bjerë, për shkak të uljes së taksës së biznesit të vogël.

Ndërsa ministri Koka theksoi se taksa e karbonit është një ndër taksat që duhet vendosur. Ai shpjegoi se, nëse çmimi do të rritet 10 lekë/litër, në periudhën e kaluar kishte mbi 20 % ujë brenda makina, ndërkohë që tani, si kilometra, do të bëhen edhe më shumë. “E keqja nuk vjen nga shtesa, por vjen nga cilësia e naftës”, nënvizoi ndër të tjera Ministri i Mjedisit.

Nga buxheti i ri i vitit 2014 fitojnë 97 % e qytetarëve dhe Kryeministri Rama bëri, po ashtu të ditur se, duke filluar nga 1 janari, Qeveria do të vërë në jetë edhe disa nënzotime, duke realizuar qysh vitin e ardhshëm, kontrollet mjekësore falas për 800 mijë njerëz, mbi moshën 40 vjeç. Po ashtu, nga 1 janari, do të hiqen taksat, tarifat për ekzaminimet e shtatzanisë dhe të kancerit për 30 mijë gra dhe vajza, që sot nuk e kanë këtë mundësi. “Dhe këto janë të lidhura me atë 10 lekëshin për të cilin po bëhet gjithë kjo zhurmë”, nënvizoi Kryeministri.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në këtë takimin me qytetarë për sa i përket buxhetit 2014 dhe paketës fiskale që e shoqëron këtë buxhet:

Dëshiruam që ta bëjmë këtë takim, duke i dhënë përgjigje pozitive edhe interesimit të disa të moshuarve, por edhe të disa të tjerëve, për t’u sqaruar lidhur me gjithë këtë zhurmë të madhe që në mënyrë krejtësisht të pabesë ndaj publikut është krijuar në lidhje me taksën e qarkullimit apo të quajtur ndryshe taksë të karbonit.

Zhurma përpiqet të përçojë tek njerëzit një frikë nga një apokalips që na pret, për shkak se çmimi i naftës do të shkojë në stratosferë, do të rriten çmimet e bukës, të ushqimeve, çmimet e çdo produkti dhe në fund fare do të bëhet i papërballueshëm çmimi i jetesës dhe Shqipëria do të bjerë në humnerë. Kjo është një përpjekje e dëshpëruar për të mjegulluar sa më shumë pamjen e publikut mbi një sërë ndryshimet rrënjësore në kulturën e qeverisjes, në qasjen e qeverisë ndaj ekonomisë dhe ndaj financave, ekonomisë familjare dhe ekonomisë kombëtare në kurajon e qeverisë për ta parë në sy realitetin që na e kanë lënë ata që deri dje e zhytën Shqipërinë në borxhe, e zhytën Shqipërinë në papunësi, e zhytën Shqipërinë në varfëri.

E vërteta është tërësisht ndryshe. E vërteta është se ne, në respekt të plotë të mandatit që kemi marrë nga 1 milionë shqiptarë dhe në respekt të plotë të vlerave dhe të parimeve që mishërojnë forcat e aleancës qeverisëse, kemi marrë përsipër t’i japim fund një tradite gënjeshtrash të ëmbla dhe përfundimesh të hidhura për popullin, dhe të themelojmë një kulturë të re marrëdhëniesh me popullin, marrëdhëniesh me qytetarët, marrëdhëniesh me çdo njeri që kontribuon me taksat e veta në buxhetin e këtij shteti, duke parapëlqyer gjithnjë ilaçin sado të hidhur të të vërtetave, përkundër mjaltit të gënjeshtrave.

Kam ardhur këtu së bashku me ministrat e Ekonomisë dhe të Mjedisit, pikërisht për t’u fokusuar tek kjo gënjeshtër e madhe që synon të trembë njerëzit dhe që synon të krijojë hendek mes atyre që na kanë dhënë besimin dhe për të cilët ne kemi ndërtuar një program krejtësisht të ri për vitin e ardhshëm dhe qeverisë që krejt ndryshe nga sa pretendohet po bën një transformim rrënjësor të politikës së taksave. Një transformim që e ka bazën tek një parim i shpallur kohë përpara zgjedhjeve që; mjaft më me padrejtësinë e vendosur në sistem që kush fiton më shumë paguan më pak dhe kush fiton më pak paguan më shumë. E kundërta duhet të ndodhë. E kundërta do të ndodhë me buxhetin e vitit 2014. Kush fiton më pak do të paguajë më pak. Taksat do të ulen për mbi 95% të të gjithë atyre që kontribuojnë për buxhetin e shtetit, qoftë të atyre që kanë një punë në shtet, qoftë të atyre që kanë një punë në privat, qoftë të atyre që janë të vetëpunësuar në një biznes të vogël. Sigurisht, taksa mbi fitimin e kompanive të mëdha do të rritet, sepse fitojnë më shumë dhe do të paguajnë më shumë. Por në asnjë mënyrë nuk do të rritet në përmasën që ishte në realitet. Sepse ishte në letra 10% por në fakt kompanitë e dinë shumë mirë që për xhepat e korrupsionit dhe nën shkopin e arbitraritetit paguajnë shumë më tepër se 10%. Mesatarja e pagesës së tyre në fund të vitit, ca për shtetin e ca për pushtetin, ishte 22%. Pra, në realitet edhe për kompanitë do të ulet barra, sepse do të paguajnë 15% nga 10%, do t’ia paguajnë shtetit, do t’ia paguajnë buxhetit që shërben për t’i shërbyer më mirë qytetarëve dhe vendit, por do t’ju hiqet barra e korrupsionit dhe arbitraritetit.

Më lejoni t’ju jap vetëm një fakt;

Ne e kemi marrë sot përgjegjësinë që të administrojmë një shtëpi që na e kanë lënë të zhytur në borxhe. Në borxhe ndaj gjithë atyre prej të cilëve shtëpia ka marrë shërbime; Në borxhe ndaj atyre që janë kontraktuar nga kjo shtëpi për të bërë rrugët rreth e rrotull dhe që nuk janë paguar; Në borxhe ndaj atyre që janë kontraktuar nga kjo shtëpi për të furnizuar familjen tonë të përbashkët me ilaçe për të sëmurët dhe nuk janë paguar; Në borxhe që janë krijuar nga kontratat e kësaj shtëpie për ata që i kanë shërbyer me shërbime sistemit tonë arsimor për fëmijët dhe nuk janë paguar; Në borxhe të mëdha ndaj kompanisë dhe ndaj sektorit që furnizon me drita shtëpinë tonë dhe nuk janë paguar dhe në borxhe nga më të ndryshmet, që i kemi parë të dalin në dritë dita-ditës. E, ja ku jemi të gjithë, si mund të funksionojë kështu një shtëpi?! Si mund të mbahet në këmbë kështu një familje dhe çfarë duhet të bëjë kështu një familje kur i ka ardhur litari i borxheve në fyt dhe kur rrezikon të humbasë shtëpinë e vet?! E pra, ne kemi marrë përgjegjësinë shumë të madhe që t’i shlyejmë borxhet. Borxhet ndaj kujt? Borxhet ndaj kompanive. Pse? Jo sepse kemi ndonjë dëshirë apo ndonjë interes që bie ndesh me interesat e familjes sonë të përbashkët për t’i dhënë lekë biznesmenëve, por sepse kompanitë janë ato që i japin të ardhura ekonomisë; janë ato që janë të lidhura në zinxhir dhe që kanë punonjës për të paguar; janë ato që krijojnë vende pune.

Këto kompani do të paguajnë për të gjithë shtëpinë, përmes rritjes së tatimit të fitimit, rreth 60 milionë dollarë në vit dhe do të marrin mbrapsht në formën e shlyerjes së borxheve rreth 400 milionë dollarë, drejtpërdrejt. Shikoni diferencën! Këtë shlyerje borxhesh si do ta bëjmë ne? Do ta bëjmë falë marrëveshjes që kemi bërë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me Bankën Botërore, sepse nuk mund të rëndojmë familjen tonë duke i futur duart nëpër xhepa, duke thënë: “nxirrni të gjithë lekët, ju që jeni të papunë, nxirrni të gjithë lekët, ju që jeni me një rrogë që të paguajmë ne direkt borxhet që na i lanë trashëgim, kush u mbajti 8 vjet barrën për të administruar shtëpinë dhe e la shtëpinë rrugëve, për herë të dytë.” Herën e parë e dogji shtëpinë me piramidat. Sot, fatmirësisht, populli shqiptar me votën e vet në 23 qershor i doli përpara djegies së dytë të shtëpisë. Se vazhdimi i asaj politike ekonomike dhe asaj politike taksash do të çonte në djegien e dytë të shtëpisë. Sjellja këtu e FMN, BB dhe marrëveshja e re e bërë me ta shpëtoi shtëpinë tonë.

Të vijmë konkretisht tek nafta;

Është tërësisht e pavërtetë që rritja prej 10 lekësh që ne i bëjmë taksës së qarkullimit, pra që i bëjmë taksës që e paguajnë ata që kanë mundësi të kenë një makinë, do të sjellë rritje të çmimeve të ushqimeve e do sjellë rritje të përgjithshme mbytëse të çmimit të jetesës apo për ekonomisë kombëtare. Kjo është tërësisht e pavërtetë!

E kush flet! Flasin ata që kur e morën në dorë administrimin e kësaj shtëpie e kishin çmimin e naftës 600 lekë dhe kur e lanë shtëpinë rrëmujë dhe në prag të djegies, e lanë çmimin e naftës 1800 lekë. Pra, nga 600 në 1800. E, përsëri, në këtë aspekt, nuk mund të themi se u përmbys Shqipëria. Për 10 lekë që shtohen, jo vetëm që nuk ka asnjë impakt të drejtpërdrejtë mbi çmimet, por përkundrazi.

Për çfarë shtohen? Shtohen për të financuar shërbimin ndaj qytetarëve për një mjedis më të pastër, sepse kjo është një taksë e vendosur qysh në krye të herës. Një taksë që në të gjitha vendet normale, siç duam të bëhemi edhe ne, i shërben mbrojtjes së mjedisit, i shërben pastrimit të ajrit, i shërben uljes së ngarkesave të trafikut nëpër qytete dhe i shërben drejtpërdrejtë shëndetit publik. E nuk shkon si barrë në xhepat e atyre që nuk marrin makinën për të bërë xhiro në bulevard apo për të lëvizur në distanca shumë të shkurtra brenda qytetit, apo qoftë edhe për të lëvizur në përgjithësi, por shkon në xhepat e atyre që kanë mundësi të kenë një makinë. E sigurisht, është botërisht e njohur, se është një taksë që dekurajon lëvizjen me makinë nëpër qytet dhe nxit lëvizjet alternative, në të mirë të shëndetit publik dhe në të mirë të shëndetit dhe të atyre që lëvizin më shumë në këmbë. E bën gjithë bota e qytetëruar, e bën gjithë bota në zhvillim dhe nuk e bëkemi ne.

E për më tepër pastaj, është absolutisht e domosdoshme sepse me të ardhurat e saj, do të shtohen financimet për të rritur përmasën e gjelbër në vendin tonë, për të zgjeruar mushkëritë e vendit tonë dhe njëkohësisht, për të përmirësuar shërbimet shëndetësore në vendin tonë.

E kemi thënë edhe më parë, ne jemi duke shkuar drejt shërbimit shëndetësor për të gjithë, pa pagesë direkte, pra falas. Por e kemi thënë edhe më parë që ky shërbim shëndetësor kushton dhe sigurisht që ky shërbim shëndetësor paguhet. Çështja këtu është se kush do ta paguajë shërbimin shëndetësor? Si do ta paguajë shërbimin shëndetësor një njeri i papunë? Si do ta paguajë shërbimin shëndetësor një pensionist? Si do ta paguajë shërbimin shëndetësor për sëmundje që kërkojnë kurim dikush që jeton me një rrogë apo me ndihmë ekonomike? E pra, do ta paguajë shteti. Por shteti me çfarë do ta paguajë? Do ta paguajë me të ardhurat që mbledh. E sigurisht, në kontributin për të ardhurat, kush ka më shumë do të japë më shumë. Ku është parë kjo që një furrë buke të paguajë taksa më shumë se një fabrikë? Vetëm në Shqipërinë e derisotme. Nga 1 janari jo! Nga 1 janari, fabrika do paguajë më shumë taksa, furra e bukës do paguajë më pak taksa.

Është e pabesë që të nxisësh frikën në shpirtin e njerëzve që sot duhet të ndihen të lehtësuar nga një barrë e papërballueshme taksash që kishin deri sot. Nga 1 janari, të gjithë ata që jetojnë me vetëpunësim dhe që vetëpunësimi i tyre lidhet me jetën e 400 mijë shqiptarëve, sepse mbajnë familjet e tyre - janë 400 mijë- nuk do të paguajnë më taksën e biznesit të vogël. A u zotuam kështu? E pra, kjo është e vërteta. Nuk do ta paguajnë më taksën e biznesit të vogël. Nuk ka më taksë të biznesit të vogël. Nuk ka më faturë aforfe, që ia çonte pushteti vendor, nuk ka më 2 palë fatura, nuk ka më dy palë taksidarë. Ka vetëm një llogari të drejtpërdrejtë me shtetin që nuk është 10 % i deridjeshëm, por është 25% më pak, vetëm 7.5%.

E kështu, do kenë në fund në xhep shumë më tepër. Ashtu sikundër do të kenë në xhep shumë më tepër të gjithë ata që jetojnë me një rrogë. Dhe ne për këtë e kemi marrë votën, për këtë e kemi marrë mandatin, që të ndërtojmë një ekonomi që funksionon dhe një shtet që garanton drejtësi sociale dhe që garanton që barra e kontributeve të shpërndahet në mënyrë proporcionale. Kush ka më pak mundësi, të kontribuojë më pak dhe për ata që nuk kanë fare mundësi, të kontribuojmë të gjithë bashkë. Ata me ndihmë ekonomike, ata që janë invalidë. E për më tepër, pastaj, të lehtësojmë edhe ata që janë pensionistë.

Kemi thënë se do heqim taksën e ilaçeve dhe të shërbimeve mjekësore? Do ta heqim. Në 1 Janar nuk do të ketë më taksë për ilaçet dhe për shërbimet shëndetësore, taksa e cila praktikisht i fundosi pensionistët.

Të gjitha këto lehtësime, do të ishte një mrekulli, por bota nuk e ka zbuluar akoma se si mund të ndodhë kjo mrekulli, në rast se do taksat uleshin për të gjithë kudo dhe vazhdimisht dhe shteti pastaj do të mbetej pa lekë dhe prapë do të vazhdonte të funksiononte normalisht. Kjo është një mrekulli që nuk ndodh. Nuk është tokësore. Kush provoi të ndërtonte në tokë sistemin pa taksa ndërtoi ferrin mbi tokë. E kemi provuar 50 vjet nuk i kthehemi më kurrë mbrapsht asaj historie.

Ndërkohë që, ata të cilët kanë përgjegjësi të bëjnë debat dhe të kundër vendosin pikëpamjet me gjuhën e të vërtetës, vetëm gënjejnë, vetëm shpifin dhe bëjnë çmos që të kallin pasiguri dhe frikë në zemrat e njerëzve që, sot, në shumicën dërrmuese, duhet të ndihen pak më mirë për faktin se, vetëm në 100 ditë, kjo qeveri që e votuan me 1 milionë shuplaka për ata që e lanë shtëpinë tonë rrëmujë, ka garantuar realizimin konkret të disa nga zotimet e veta më kryesoret. Ndërkohë që, ne do t’i mbajmë të gjitha zotimet tona, edhe për shëndetësinë për të gjithë, edhe për legalizimet falas për zonat informale të shtëpive, e me radhë çfarë kemi thënë.

Kemi 4 vjet përpara për të dhënë llogari për çdo zotim, pas katër vitesh. Por ama, e ndjenim detyrë të domosdoshme që të bënim këtë që po bëjmë, qysh tani, sepse shtëpia jonë e përbashkët, të dashur miq, na është lënë në kushte skandaloze, me borxhe skandaloze dhe me derën e të ardhmes mbyllur. Ky buxhet që ne kemi hartuar dhe ky program i ri që kemi bërë, bashkë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, hap derën e të ardhmes për shtëpinë tonë. Rruga nuk është e lehtë, rruga është e vështirë, por jemi të sigurt që ne do t’ia dalim dhe jemi të sigurt që nga kjo rrugë do të përfitojnë, në radhë të parë, ata që meritojnë të përfitojnë në radhë të parë, që janë ata që kanë më pak mundësi, sepse për këtë arsye e kanë zgjedhur Qeverinë e Aleancës për Shqipërinë Evropiane.

Do të jemi të drejtë e të ndershëm me ata që fitojnë më shumë. Do t’ju kërkojmë të paguajnë pjesën e tyre të kontributit, do të garantojmë që të mos kenë më përballë një qeveri që vetëm u fut duart nëpër xhepa dhe u mban shkopin te koka për gjoba, por të kenë përballë një qeveri që u del për zot kërkesave dhe ankesave të tyre dhe që garanton për të gjitha këta, barazi mundësish dhe konkurrencë të lirë. Por ama, sigurisht që do kontribuojnë më shumë. E, është e pakuptimtë që të ngrenë zërin dhe të vënë kujën për një taksë që është nga më të ulëtat në Evropë, në Bashkimin Evropian as që bëhet fjalë.

Do të jemi të drejtë e të ndershëm me ata që fitojnë më shumë. Do t’ju kërkojmë të paguajnë pjesën e tyre të kontributit, do të garantojmë që të mos kenë më përballë një qeveri që vetëm u fut duart nëpër xhepa dhe u mban shkopin te koka për gjoba, por të kenë përballë një qeveri që u del për zot kërkesave dhe ankesave të tyre dhe që garanton për të gjitha këta, barazi mundësish dhe konkurrencë të lirë. Por ama, sigurisht që do kontribuojnë më shumë. E, është e pakuptimtë që të ngrenë zërin dhe të vënë kujën për një taksë që është nga më të ulëtat në Evropë, në Bashkimin Evropian as që bëhet fjalë.



Ndërhyrja e dytë e Kryeministrit Edi Rama gjatë takimit:

Duke mos dashur t’ju marrim shumë kohë këtu, nuk është thjesht çështja midis një politike të re ekonomike dhe taksave dhe një njeriu. Se po të ishte vetëm kjo, do ishte gjysma e të keqes. Këtu është çështja midis një ndryshimi historik, që ka sjellë me 23 qershorin një qasje të re të qeverisë ndaj problemeve të vendit dhe ndaj vet njerëzve. Përfytyrojeni një familje ku kryetari i familjes vjen në shtëpi dhe sjell lekë që shkon i merr borxh jashtë edhe thotë se këto na erdhën falë punës, ndërkohë që treçereku i familjes nuk punon fare dhe ndërkohë që me të ardhurat nga puna të të tjerëve, familja mezi rri në këmbë. E një ditë të bukur tek dera e shtëpisë troket gjithë zinxhiri i atyre që kanë dhënë borxhe.

Si mund të mbahet një shtëpi në këtë formë?! Si mund të mbahet një vend në këtë formë?! Si mund të ndodhë në një vend normal, që një qeveri ta lërë popullin e vet në buzë të greminës, me këmbët të lidhura nga një zinxhir i stërgjatë borxhesh dhe si mund të ndodhë që një qeveri e re të mbyllë sytë edhe përpara greminës, edhe përpara zinxhirit të borxheve dhe të thotë vazhdojmë si më parë?! Mund të ndodhë vetëm nëse qeveria e re do të tradhtonte popullin e vet, siç e tradhtoi qeveria që iku.

Tha Ministri i Ekonomisë një detaj, po unë po ju them që;

Duke filluar nga 1 janari, ne do të vëmë në jetë edhe disa nënzotime, po i quajmë, por që janë shumë të rëndësishme në rrugën e vendosjes së bazave të sistemit shëndetësor të barabartë për të gjithë, pavarësisht se kush ka lekë dhe kush s’ka lekë, duke realizuar qysh vitin e ardhshëm, kontrollet mjekësore falas për 800 mijë njerëz, mbi moshën 40 vjeç.

E dyta, duke filluar nga 1 janari, do të hiqen taksat, tarifat për ekzaminimet e shtatzënisë dhe të kancerit për 30 mijë gra dhe vajza, 30 mijë gra dhe vajza që sot nuk e kanë këtë mundësi dhe që duhet të paguajnë për të bërë ekzaminime shtatzënie dhe që gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë, kur nënat e reja kanë nevojë për vëmendjen dhe kujdesin e vazhdueshëm shëndetësor, nuk marrin asnjë shërbim. Këto janë të lidhura me atë 10 lekëshin për të cilin po bëhet gjithë kjo zhurmë. 10 lekë shtesë në taksën e qarkullimit, në taksën e karbonit, në taksën që është brenda çmimit të naftës, për ata që kanë mundësinë të përdorin makinat.

Një mesazh, po ashtu, shumë i qartë që të racionalizojmë lëvizjen me makinë. Sa keni dëgjuar në gjithë këto vite nëpër fushata elektorale, sidomos për bashkitë dhe për Bashkinë e Tiranës në veçanti se ”do stimulojmë biçikletat, do stimulojmë këmbësorët, do stimulojmë këtë e atë”?! Çfarë të stimulosh, si t’i stimulosh biçikletat e këmbësorët në një trafik të çmendur, ku gjysma e njerëzve e marrin makinën për të bërë 500 metra rrugë dhe ku treçereku i njerëzve shkojnë dhe duan ta vënë makinën m’u te dera e dyqanit se nuk ecin dot 10 metra në këmbë? Nuk është e mundur. Kjo nuk është shpikja jonë, këtë e kanë zgjidhur përpara të gjithë ata që janë treguar më të mençur se ne, kohë më parë dhe i kanë zgjidhur këto probleme në vende që ne i shikojmë me zili.

Kjo taksë e mjedisit është nga më të ulëtat, në Evropë nuk diskutohet, për përdoruesit e makinës.

Më lejoni t’ju jap edhe një detaj tjetër që është shumë interesant, se sa e pa vërtetë është historia e çmimeve dhe duke filluar nga çmimi i bukës. Turp i madh! Turp i madh të përpiqesh të kallësh frikën te njerëzit se po j’u rritet çmimi i bukës. Ndërkohë që në fakt të gjithë këtë propagandë të shfrenuar kundër këtij transformimi themelor për të ardhmen e ekonomisë, e prodhon frika nga suksesi i këtij projekti. Ky është projekt fitues, miqtë e mi. Ky është program fitues. Është program nga i cili fillon të fitojë, sepse vitet në vazhdim do ta konsolidojnë këtë proces, mbi 97 % e njerëzve që kontribuojnë për shtetin. Çfarë mund t’i kërkohet më shumë një qeverie në 100 ditë, sesa të garantojë që pas 100 ditësh, mbi 97 % e kontributorëve në buxhetin e shtetit të fillojnë të fitojnë.

Vetëm 3 % e furrave të bukës sot, në Shqipëri, punojnë me naftë. Vetëm 3 %. Ndërkohë që ju siguroj që edhe për ato 3 % nuk do të ndodhë ky apokalips.

Mos e harroni që lëvizjet e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar, që nuk janë të lidhura, se edhe ajo rritja nga 600 në 1800, ne nuk jemi si ata që dhe motin e keq ia faturojnë kundërshtarit, nuk është e lidhur e gjitha drejtpërdrejtë me ta, por me konjukturën botërore të çmimit. E pra, kur çmimi i naftës lëviz me 5 pikë, apo me 6 pikë a me 10 pikë, jeta vazhdon kudo. Se po të ishin të vërteta këto marrëzira, me rritjen nga 600 në 1800 do ishte zhbërë vendi.

Ja ku jemi dhe flasim për 10 lekë shtesë në një taksë që, ju lutem shumë të mirëkuptohemi, është burimi i një të ardhure për buxhetin e shtetit që do të shpenzohet drejtpërdrejtë për të përmirësuar kushtet e mjedisit dhe për të përmirësuar shërbimin shëndetësor drejtpërdrejt.

Ata që do të kontribuojnë përmes kësaj takse, nuk janë të gjithë, por janë vetëm ata që mund të përdorin një makinë. Ata që mund të përdorin makinë, sigurisht, do të kontribuojnë, por njëkohësisht eksperienca e vendeve të tjera tregon se kjo taksë i ndikon që ta racionalizojnë përdorimin e makinës. Se jemi bërë populli që kemi dyfishuar peshën trupore nga mungesa totale e lëvizjes dhe e pamundësisë për të lëvizur, pa llogaritur mungesën e madhe të mundësisë për të lëvizur, të familjeve, të pensionistëve, të njerëzve që janë të detyruar të lëvizin në këmbë dhe nuk lëvizin dot, që janë shumica. Dhe gjithë bota normale, gjithë shoqëritë normale këtë taksë nuk e kanë kundërshtuar kurrë. Dhe nuk është një taksë e re që e vëmë ne. Ne shtojmë vetëm 10 lekë, që të jemi të qartë. Që të jemi krejt të qartë, ne në buxhetin e vitit 2014 do t’i japim frymë, do t’i rikthejmë frymëmarrjen e mbetur, jo vetëm gjithë atij mbi 95 %, që janë për hir të matematikës janë 97% të njerëzve që përfitojnë nga ulja e përgjithshme e taksave, por ekonomisë kombëtare. Sepse nuk mundet dot të vazhdojmë me sjelljen: “Unë jam qeveria, ti je kompania; Unë të kam borxhe, s’dua të t’i jap; Ti do të më japësh më shumë.” Siç ka ndodhur për të gjithë ata që sot ngrenë zërin. Është e drejta e tyre.

Unë jam i lumtur që të shikoj që më në fund pas kaq e kaq vitesh, opozita e vendit mund të mblidhet me biznesin. E, biznesi shkon komunikon me opozitën dhe nuk ka frikë se nesër i vjen ai i taksave dhe i shkel kokën me këmbë, siç ka ndodhur në të shkuarën. Nuk kemi bërë dot asnjë takim me biznesin ne, në opozitë përpara projektbuxhetit, sepse nuk guxonte njeri të nxirrte fytyrën në televizor. Dhe kishin të drejtë, sepse të nesërmen u vinin te dera. Sot ja ku janë dhe kjo është një tjetër arsye pse shqiptarët duhet të ndjehen mirë, duhet të ndjehen të çliruar që funksionon komunikimi i opozitës me grupet e interesit. Me ato grupe interesi, që deri dje e kishin të pamundur të hapnin gojë. E kishin të pamundur t’i thoshin opozitës, ky është qëndrimi ynë. Ata kanë qëndrimin e tyre. Ne nuk jemi dakord me ta. Ne nuk mund ta mbanim dot tatimin e fitimit 10 % për ta dhe 10 % edhe për furrat e bukës edhe për biznesin e vogël. Është normale që ata të tërheqin nga vetja, por është normale që ne tërheqim nga interesi kombëtar dhe nga interesi i atyre që kanë të drejtë të përfitojnë më shumë. Pse kanë të drejtë? Sepse nuk i konsumojnë të mirat e vendit. Nuk jeni ju, nuk është populli që i konsumon pasuritë, materialet vendit për të nxjerrë fitime, janë kompanitë. Me të drejtën e tyre, por ama të kontribuojnë. Nuk janë pensionistët që konsumojnë me makina rrugët e vendit; nuk janë as ata që nuk kanë bukë të hanë jo më të kenë makinë; nuk janë as të sëmurët. Me të drejtë, por të japin kontributin e tyre, e me radhe kështu të gjitha bashkë. Në fund të ditës, një gjë është e sigurt, që çdo përpjekje për të shkuar në një rrugë tjetër do të thotë të jesh qorr, ose të mbyllësh sytë më qëllim dhe ta lësh popullin siç e la qeveria e mëparshme, të zhytur në borxhe.

Përsa i përket vërtetësisë së atyre që thuhen, unë nuk dua as t’i referohem si problemit të një njeriu. Nuk është as problemi i një njeriu, është qartësisht ndarja mes të ardhmes dhe të shkuarës, e mishëruar në dy pjesë të kampit.

Përfytyroni kur thonë FMN-ja, që është institucioni me besueshmërinë më të lartë përsa i përket librave të llogarive të vendeve, u bë dëshmitar i rremë për t’i thënë shqiptarëve që ky projektbuxhet është i drejtë, që këto masa janë të drejta. Sepse i kemin diskutuar bashkë me ta. FMN-ja u bë dëshmitar i rremë?! Kështu ishte edhe në ’95-’96, kur u thoshte: Mos dëgjoni FMN-në, dëgjoni “Suden”; Lëreni çfarë thotë FMN-ja, keni Rrapushin; FMN-ja ka punët e veta, ne kemi punët tona me Vehbiun. Dhe e patë të gjithë se ku përfunduam. Nëse populli shqiptar me mençurinë dhe vendosmërinë e vet nuk do t’i kishte vënë më në fund kufirin te thana, sot Shqipëria do të ishte “e ëma e Zeqos në majë të thanës”, por nën thanë do të kishte humnerë. Kjo që po ndodh është meritë e atij populli që doli masivisht në votime, që i dha fund rrënimit dhe ky projekt, ky buxhet, kjo paketë e re është muri që ngrihet për të ndaluar përfundimisht rrënimin dhe guri i themelit që vihet për të filluar rrugën e ngjitjes ekonomike për familjet dhe për ekonominë tonë kombëtare.

Në fund fare, edhe një gjë tjetër;

Kemi rritur si asnjë herë në historinë e këtij vendi rrogat drejtpërdrejtë të policisë, në një mesatare 20-25 %. Kemi marrë një zotim publik, kush ka arkiva le t’ua nxjerrë mediave. E kemi plotësuar zotimin tonë, sot, 100 %. I kemi rritur sot. I kemi rritur sot, jo në katër vjet, jo thjesht për të shpërblyer me rrogë ata që sot janë në vijën e parë të një luftë që e kemi hapur dhe do ta vazhdojmë pa asnjë kompromis me krimin dhe me korrupsionin, por për t’i shërbyer të gjithëve. Rritja e rrogave të policisë, si hapi i parë drejt një procesi ku në bazë të rritjes që do të garantojmë do të rrisim edhe rrogat e të tjerëve, në periudhën e mandatit tonë, është në fakt rritje, investim te siguria e gjithsecilit; është në fakt investim i drejtpërdrejtë për të mbrojtur pronën dhe qetësinë e secilit; është në fakt investim i drejtpërdrejtë për t’i dhënë këtij shteti pamjen që duhet të ketë një shtet në sjelljen dhe në rezultatet e policisë. Të jeni të sigurt që është një investim të cilit të gjithë bashkë dhe në radhë të parë ata më të dobëtit, më të pambrojturit, ata më në rrezik do t’ia shikojnë rezultatet në harkun e vitit të ardhshëm. Do të shikojnë se si do të vazhdojë të përmirësohet në mënyrë të qëndrueshme gjithë puna e policisë. E kemi zotimin të shkruar e zeza mbi të bardhë dhe të thënë me dhjetëra herë edhe në fushatën elektorale: Do ta kthejmë Policinë e Shtetit plotësisht në krye të detyrës brenda 300 ditëve. Kanë kaluar 100 ditë dhe Policia e Shtetit është vënë në lëvizje dhe çdo ditë përmirëson punën e vet. Ky investim në rritjen e rrogave të policisë në mënyrë drastike, mes 20 dhe 25 %, sipas niveleve, shkon në këtë drejtim.

E pra, të gjitha këto miqtë e mi, në fund të ditës, bëhen me llogari; në fund të ditës bëhen si në çdo familje. Një familje normale, me një kryefamiljar të përgjegjshëm, me norma dhe me edukatë dhe që kërkon të ketë marrëdhënie normale me fqinjët dhe më të gjithë ata prej të cilëve merr shërbime, sillet kështu.

Një familje anormale, me një kryetar familjeje që luan në bixhoz fatin e familjes së vet çdo ditë, duke marrë borxhe lart e poshtë edhe duke hyrë te dera duke u krekosur, apo duke lënë dhe një derë nga mbrapa për të futur edhe lekët e vjedhura, nuk e ka absolutisht të gjatë, siç nuk do ta kishte të gjatë assesi politika ekonomike dhe financiare e një shtëpie si shtëpia jonë e përbashkët, Shqipëria, nëse shqiptarët me mençuri, me vendosmëri dhe me largpamësi nuk do t’i kishin thënë stop rrënimit dhe s’do të kishin hapur rrugën e një Rilindjeje që nis konkretisht, drejtpërdrejtë nga librat e llogarisë së familjeve shqiptare të zakonshme në 1 janar, falë këtij buxheti, falë këtij sistemi të ri taksash, falë uljes së taksave për mbi 97 % të kontribuesve dhe sigurisht, falë rritjes së kontributeve dhe luftës me korrupsionin, me kriminalitetin, me informalitetin që do të bëjmë, për të garantuar që edhe kompanitë e mëdha të vihen në kushte të barabarta dhe jo ca të paguajnë, ca të fshihen.

Faleminderit!

KOMENTE