English

Tokat e ndarë në 1991, tani do të bëhen me pronarë

Ornela Manjani-Luis Tanush-Personat që kanë përfituar tokë me ligjin 7501 në vitin 1991, përmes aktit të marrës së tokës në përdorim, shumë shpejt do të shndërrohen në pronarë legjitim dhe do të pajisen me certifikatën e pronësisë. Ndryshimi mes këtyre dy dokumenteve, tapisë dhe certifikatës së pronësisë është thelbësor për personat që për rreth 23 vjet kishin tokën në zotërim. nga ky proces pritet të përfitojnë 450 mijë familje në shkallë vendi. Deri tani personat që kishin përfituar tokë nga ligji 7501, i cili ndau tokat e shtetëzuara nga komunizmi në bazë të numrit të personave që ishin pjesë e trungu familjar, u linte atyre vetëm të drejtën e përdorimit të tokës, nuk u lejonte shitjen dhe blerjen e saj, madje ky dokument nuk njihej as nga bankat në formën e garancisë. Ndërsa me ndryshimet e fundit e ligjore që pritet të nisin në fillim të javës së ardhshme, poseduesit e tokës do të shndërrohen në pronarë dhe përveç të drejtës për pajisje me certifikatë pronësie përfitojnë edhe të drejtën e tjetërsimin e saj, pra shitjen dhe blerjen, apo vendosjen si garanci pranë institucioneve financiare. Ministria e Bujqësisë në Bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë do të nisin punën ditën e mërkurë për të kryer ndryshimet e domosdoshme ligjore për njohjen si pronarë legjitim të personave që kanë përfituar tokë me ligjin 7501 në vitin 1991. Zëvendësministri i Bujqësisë Jani Babi, i cili është anëtar i grupit të punës të ngritur për komunën pilot në Komunën Frakull të Fierit zbardh për gazetën “Shekulli” detajet e projektit që pritet të vihet në jetë së shpejti. Personat që kanë një certifikatë për pronën e tyre, që daton para krijimit të kooperative bujqësore, por që kjo pronë është shpërndare me ligjin 7501 do të trajtohen si ish-pronarë.

Certifikata e pronësisë

Zëvendësministri i Bujqësisë bën të ditur se personat që zotërojnë aktin e marrjes në dorëzim të pronës, të lëshuar në vitin 1991 do të bëhen pronarë legjitim të tokës bujqësore, por për caktimin e saktë të sipërfaqes nuk do të merret ajo sipërfaqe që është lëshuar në këto tapi, por matjet që janë në zyrat kadastrale të cilat janë kryer në vitin 1996, pasi janë matje të kryera me instrumente profesionale, ndërsa matjet e vitit 1991 janë me mjete rrethanore. Personat që deri tani ishin posedues të tokës, me ndryshimet ligjore do të njihen si pronarë, por sipërfaqja do të korrigjohet në bazë të matjeve të vitit 1996. Jani Babi pohon se në komunën Frakull të Fierit, e cila është marrë për projektin plot, po mblidhen të dhëna në lidhje me problematikën që mund të dalë në lidhje me kalimin e nga përdorues në pronarë. Problematika që do të haset do të shërbejë për të kryer ndryshimet ligjore dhe më pas do të nisë zbatimi në terren në të gjithë vendin. Edhe pse Zëvendësministri nuk konfirmon një datë se kur mund të përmbyllet ky proces, pohon se kjo reformë është prioritarja për Ministrinë e Bujqësisë. Tri nga problemet kryesore që janë hasur që në krye të herës janë aktet e pafirmosura nga kadastrat, sipërfaqet të paazhurnuara dhe kostoja financiare, që është ende e papërcaktuar.

Grupi i punës

Grupi i punës që është ngritur për zgjidhjen e çështjes së pronave ka evidenca të sakta të lidhje me sipërfaqet që janë për menaxhim. Kështu nga fondi i tokës bujqësore prej 695 mijë ha, aktualisht 561 mijë ha ose 80 % është në pronësi private, ndërsa rreth 134 mijë ha ose 20 % është në pronësi shtetërore. Në ligjin 7501, datë 19.07. 1991 “Për tokën” filloi procesi i transformimit të së drejtës së pronësisë nga pronë shtetërore në pronë private, për tokat bujqësore në administrim të kooperativave bujqësore. Subjektet janë familjet bujqësore që kanë marrë tokë janë pajisur me titullin e pronësisë, i cila njihet si tapi, i emërtuar “Akti i marrjes së tokës në pronësi (AMTP), të lëshuar nga komisionet përkatëse të ndarjes së tokës. Kështu, janë pajisur me dokumentacion 96 % të përfituesve të saj.

Titujt e pronësisë, qeveria shtyn edhe dy vjet verifikimin

Qeveria shtyn me dy vjet verifikimin e titujve të pronësisë. Ndryshimet në ligjin e miratuar në vitin 2008 bëjnë të mundur që procesi i verifikimit të titujve të pronësisë të mos mbylljet brenda 31 dhjetorit të këtij viti, siç ishte parashikuar me ndryshimet e mëparshme të bëra në ligjin bazë, por të vijojë deri në 31 dhjetor të vitit 2015. Verifikimi i tapive bën evidentimin e çdo shkelje dhe i jep të drejtë Komisionit Qeveritar për Tokën të heqë tapinë në ato raste kur ajo është dhënë në shkelje me ligjet në fuqi. Verifikimet përkatëse bëhen nga komisionet vendore për titujt e pronësisë të ngritura pranë zyrës së prefektëve. Më tej është KQT-ja që bën verifikimin përfundimtar të këtyre vendimeve duke përcaktuar përfundimisht heqjen e tapisë apo lënien e saj, pasi të jenë plotësuar detyrimet ligjore nga çdo posedues i këtyre tapive. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar”, - thuhet në pikën 1 të vendimit të marrë nga Këshilli i Ministrave ku sqarohet se drafti ka për qëllim shtyrjen për një periudhë 2-vjeçare të afatit ligjor për verifikimin e titujve të pronësisë, i cili nga data 31 dhjetor 2013, që është aktualisht, propozohet të përfundojë më 31 dhjetor 2015.

Shkelësit e ligjit dënohen me gjoba

Vendosen masa për çdo kundërvajtje administrative në rastet kur titujt e pronësisë janë dhënë në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në ligj, kur dhënia e titullit të pronësisë për sipërfaqe që më 1.8.1991 nuk figurojnë në regjistrat kadastralë, në zërin “Tokë bujqësore”, sipas përcaktimit të po këtij ligji, kur nuk është dorëzuar dokumentacioni i ndarjes së tokës në zyrat kadastrale, kur nuk është vepruar në përmbushje të detyrimeve të përcaktuara saktësisht në ligj. Në këto raste komisioni vendor vendos gjobë nga 5 000 deri në 50 000 mijë lekë kundër personave fizikë ose juridikë dhe strukturave shtetërore, të ngarkuara me ligj për ndarjen e tokës, që janë shkaktare të kundërvajtjeve administrative si dhe ndaj të gjitha subjekteve të përcaktuara në ligj.

450 mijë janë familjet që do të përfitojnë certifikatën e pronësisë pasi për më shumë se 23 vjet kanë mbajtur në përdorim tokën e përfituar nga ligji 7501

2 ministri, ajo e Bujqësisë dhe e Drejtësisë do të ngrenë një grup të përbashkët pune për hartimin dhe miratim në kohë të gjithë ndryshimeve të nevojshme ligjore

1 grup pune, i ngritur nga Ministria e Bujqësisë po mbledh të dhëna në komunën Frakull në Fier, në lidhje me pengesat që hasen për ndryshimet ligjore

Projektligji i PR-së

Mediu: Prona në bregdet t’u kthehet ish-pronarëve

Në kuvend është paraqitur një amendament i ri ligjor që synon kthimin e pronave pronarëve në bregdet pa asnjë kufizim. Nisma e re ligjore është dorëzuar në Kuvend nga Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, propozim që parashikon ndryshime në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, të ndryshuar. Sipas relacionit të përgatitur nga deputeti Mediu , thuhet që qëllimi i këtij p/ligji është që të përmirësohet ndjeshëm situata për kthimin e pronave pronarëve legjitimë, tokat e të cilëve përfshihen me vendndodhje në zonat e parashikuara me ligj të posaçëm për zhvillimin e turizmit. Nga ana tjetër, sipas propozuesit, kjo do të ndikonte në mënyrë të ndjeshme në uljen e faturës financiare për ata pronarë të cilëve i është njohur e drejta e pronësisë nga AKKP-të, por që janë kategorizuar në subjekte që duhet të trajtohen me kompensim financiar. “Çështja kardinale e të drejtës së pronësisë mbi Tokën në Bregdet, ka 20 vjet që nuk zgjidhet dhe aktualisht ndodhet në një ngërç të shkaktuar (për vite të tëra) nga zbatimi i Ligjit 7501, dt. 19.07.1991 “Mbi tokën” dhe shkeljet flagrante të kuadrit ligjor në zbatim të tij. Ligji 7501, si ligj antidemokratik, bëri që të merren tokat e pronarëve të ligjshëm duke krijuar një kaos të vërtetë në shpërndarjen e tyre. Kjo ka sjellë abuzime skandaloze me pronat. Këto abuzime janë konstatuar në dokumentet zyrtare të Bashkisë Himarë dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe së fundmi janë pranuar edhe nga Gjykata e Rrethit Vlorë”, theksohet në relacion. Për grupin parlamentar republikan, 100% e dokumenteve të dhënies së Tokës Bujqësore në përdorim, lëshuar nga komisionet janë të paligjshme. “Nuk është respektuar kriteri i barazisë së dhënies së sipërfaqes së tokës bujqësore për banor; nuk është respektuar kriteri i të qenit rezident (banor me gjendje civile në Bashkinë Himarë) deri më 1 Gusht 1991; nuk është respektuar kriteri i përfitimit vetëm nga fondi Tokë Bujqësore i kooperativës përkatëse deri më 1 Gusht 1991, duke ndarë edhe toka kullotë apo pyje; formularët 6 për 1871 familje janë të pafirmosur ose pa vulë”, sqaron më tej relacioni. Tokat bujqësore të ndodhura në Bregdetin e Jugut përfshihen tërësisht në zonën me përparësi turizmin. Ato janë trajtuar dhe vlerësuar në fakt si troje nga VKM Nr.88, datë 1.03.1993 dhe nga VKM Nr.1, date 17.07.2008 “Për miratimin e Detyrës së Projektimit dhe Planit të Zhvillimit të Bregdetit të Jugut”, për projekte zhvillimore në zonën me përparësi zhvillimin e turizmit në Bregdetin e Jugut. I gjithë bregdeti i jugut, zona Vlorë –Sarandë, është zonë kodrinore malore e përbërë me ullishte, pemishte, dru frutorë etj. Nga të dy VKM-të e më sipërme dhe nga VKM Nr.161 datë 8.04.1991 këto toka u kthehen bashkëthemeluesve të kooperativave dhe ndërmarrjeve bujqësore (ish NB-të), me qëllim realizimin e projekteve zhvillimore turistike në këtë zonë. Sipas relatorit Fatmir Mediu, miratimi i këtij p/ligji nuk ka asnjë efekt negativ në buxhetin e shtetit. “Ai realizohet pa shpenzime shtesë nga Agjencia e Kthimit e Kompensimit Pronave dhe zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Zbatimi i tij ul faturën financiare që do të nevojitej për kompensimin e pronarëve të këtyre zonave, e cila bazuar në çmimet mesatare të miratuara për këtë zonë, shkon në rreth 74 milionë euro, ndërsa me çmimet mesatare të tregut të lirë në rreth 2 miliardë euro. Në zbatim të këtij p/ligji, kompensimi financiar mund të bëhet vetëm për ata persona apo familje që kanë marrë padrejtësisht pronat e pronarëve të ligjshëm, ndërsa pronareve të ligjshëm u kthehet toka e trashëguar”, thekson në relacion deputeti i PR-së, Fatmri Mediu.

Personat që kanë një certifikatë për pronën e tyre që daton para krijimit të kooperative bujqësore, por që kjo pronë është shpërndare me ligjin 7501, do të trajtohen si ish-pronarë, pra do të kompensohen. Ka dy mënyra kompensimi: Mënyra fizike, me tokë në një vend tjetër, ose kompensimi në para.

Këshilli i Ministrave vendosi shtyrjen e afatit për verifikimin e titujve të pronësisë deri në 31 dhjetor të vitit 2015. Në këtë mënyrë Komisioni Qeveritar i Tokës ka 2 vjet më shumë afat për të verifikuar çdo shkelje me tapitë e tokave bujqësore të ndara pas vitit 1991.

Shkeljet do të vijojnë të verifikohen nga komisionet vendore të ngritura pranë prefektëve të cilët më pas raportojnë në Komisionin Qeveritar të Tokës. Anëtarët e Sekretarit teknik të Komisionit Qeveritar të Tokës tashmë do të jenë nëpunës civilë. Kjo strukturë do të jetë në përbërje të Ministrisë së Bujqësisë

KOMENTE