Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Ja se ç'mendohet për skemën e pensioneve. Pensioni social
English

Ja se ç'mendohet për skemën e pensioneve. Pensioni social

O. Manjani - Ekspertët e sigurimeve propozojnë, jo vetëm reformimin e skemës së pensioneve, por edhe ndryshimin e formulës për të afruar sa më shumë kontribuues. Ajo që është lakuar më tepër, rritja e moshës së pensionit, nuk shihet më si zgjidhje nga qeveria. Ndërkaq, po diskutohet pensioni social, të cilin mund ta përfitojnë persona që kanë kontribuar pak ose aspak në skemë. Ekspertët e shikojnë si një zgjidhje të domosdoshme për vendin tonë, me qëllim shmangien e problemeve sociale në të ardhmen. Eksperti i skemës së sigurimeve, Naim Balluku, në një intervistë për “Shekullin” jep një sërë rekomandimesh, jo vetëm për reformimin e skemës së pensioneve, por edhe për modelet që mund të ndjekë Shqipëria për pensionin social.

Si mund të reformohet skema e pensioneve?

Për përmirësimin e skemës duhet të kemi parasysh: Së pari, është i domosdoshëm kalimi nga sistemi i llogaritjes së pensioneve me paga, në sistemin kontributiv, ku llogaritja t’i nënshtrohet vetëm kontributeve. Në këtë mënyrë, personat që kanë paguar kontribute më shumë të përfitojnë më shumë. Pra, të kalohet nga sistemi i llogaritjes mbi bazën e pagës, në sistemin kontributiv. Është i nevojshëm ndryshimi i raportit të pensioneve, ku pensioni maksimal është sa dyfishi i atij minimal, ndërsa pagat mbi të cilat paguhen kontributet janë sa pesëfishi i pagës minimale. Një veprim logjik do të ishte heqja e kufijve si për pagesat ashtu dhe për përfitimet, vendosja e raporteve më të pranueshme. Qëllimi themelor i reformës së pensioneve duhet të jetë për të krijuar kushte të tilla, në mënyrë që pasuria e gjeneruar nga vendi të përmbushë nevojat e pjesës së konsumit (në rritje) të pensionistëve. Ky qëllim mund të arrihet duke inkurajuar dhe stimuluar proceset që përbëjnë bazamentin e zhvillimit ekonomik, pra ruajtjen e burimeve dhe investimet e saj në sistemin produktiv. Sistemi aktual financon konsumin e përfituesit, por nuk rritet nëpërmjet investimeve dhe kursimeve. Në të kundërt, një sistem me ruajtjen e burimeve dhe financimin e tij, sjell rritjen e favorizon përdorimin e tij produktiv, plotëson kërkesat themelore të aftësisë paguese të ardhshme të sistemit publik të pensioneve, pasi krijon kushtet për rritje ekonomike. Ashtu sikurse theksuam kontributi i derdhur nga çdo kontribuues nuk ruhet, por përdoret për financimin e pensioneve aktuale. Shumë specialistë të kësaj fushe hedhin opsionin e individualizimit të kontributeve për çdo kontribut-pagues, financimin e shumave të derdhura dhe me plotësimin e kushteve çdo i siguruar të marrë pjesën e paguar prej tij, si dhe pjesën e investuar. Kjo mund të arrihej nëpërmjet liberalizimit të tregut të sigurimeve, me pjesëmarrjen e faktorëve shtetërorë dhe privatë. Por, kjo do të ishte e paarritshme, mbasi shteti do ta kishte të pamundur marrjen përsipër e një borxhi kaq të madh, që lidhet me pagesën e brezave të tërë për pensionet. Aktualisht skema e sigurimeve shoqërore në Shqipëri përbëhet nga 2 kolona, kolona e parë, që ka të bëjë me sigurimin e detyrueshëm dhe kolona tjetër, që është sigurimi vullnetar nëpërmjet investimit individual ne fondet e pensioneve private. Kolona e dytë që presupozon investimin nga sigurimi i detyrueshëm të një pjese të kontributeve, do të bënte që i siguruari, të merrte një pension bazë nga sigurimi i detyrueshëm publik dhe një shtesë nga kontributi i investuar nga fondet private të pensioneve, në të cilat ruhet sasia e kontributeve të derdhura. Edhe kjo kolonë ka problemet e saj, mbasi prek ndjeshëm masën e kontributeve, me të cilat paguhen pensionet, duke shtuar dhe më tej financimin e kësaj skeme. Mundësia për çeljen e kolonës së dytë duhet të jetë pjesore, vetëm për moshat e reja, pa rënduar shumë financimin e skemës.

Është propozuar vendosja e një pensioni social. A mund të implementohet kjo zgjidhje në Shqipëri dhe cilët janë modelet që mund të ndiqen?

Përsa i përket pensionit social: nisur nga praktika italiane, pensioni social lidhet direkt me pagesën e kontributeve. Sipas kësaj praktike, pension social marrin ata persona (vendas apo anëtarë të BE-së, rezident brenda vendit), që kanë paguar kontribute për sigurime shoqërore, por me plotësimin e moshës, nuk plotësojnë kushtin e vjetërsisë kontributive të domosdoshme për të përfituar pension pleqërie. Po kështu në legjislacionin italian është dhe Pagesa Sociale. Pagesa sociale është një përfitim me karakter asistencial, e cila është e pavarur nga te gjitha derdhjet e kontributeve dhe u jepet qytetarëve, të cilët janë në kushte ekonomike të pafavorshme dhe kanë një situatë të ardhurash të veçantë të parashikuar nga ligji. Pagesë sociale kanë të drejtë të marrin qytetarët italiane, shtetasit e BE-së, të huajt që kanë një leje qëndrimi, me banim në periudhë afatgjatë, që kanë mbushur moshën 65 vjeç, janë rezidentët rregullt në Itali kanë të ardhura nën minimumin jetik. Nga 1 janar 2009, për të pasur të drejtën për pagesë sociale, si një kërkesë shtesë është që aplikuesi duhet të ketë banuar ligjërisht dhe vazhdimisht për të paktën 10 vjet në Itali. Nisur nga vështirësitë që paraqet kjo skemë, disa shtete europiane po ngrenë moshën e daljes në pension. Në Gjermani miratimi i rritjes së moshës për pension është bërë në vitin 2007 dhe ka filluar në vitin 2012 deri në vitin 2023, me nga 1 muaj në vit dhe nga viti 2023 deri në vitin 2029 me nga 2 vite. Në Spanjë në vitin 2027 mosha e daljes në pension bëhet 67 vjeç. Këtu favorizohen gratë që kanë lindur fëmijë, me 9 muaj për çdo fëmijë, por jo më shumë se 2 fëmijë, në Francë më 2020 mosha e daljes në pension shkon në 67 vjeç. Në Britaninë e Madhe është miratuar rritja e moshës së pensionit më 2007 dhe fillon nga viti 2024 deri në vitin 2046, ku mosha shkon në 68 vjeç. Rritje me radikale po bëhet në Itali, ku sipas reformës “Monti”, duke filluar nga viti 2012, mosha e pensionit të grave u rrit në 62 nga 60 që ishte, ndërsa e burrave 66 vjeç, për tu barazuar më 31.12.2017 e barabartë me 66 vjeç si për burrat ashtu dhe për gratë.

A janë kushtet për rritjen e moshës së daljes në pension në vendin tonë ?

Në kushtet e një papunësie të konsiderueshme në vendin tonë dhe të kthimit të një numri të madh të emigrantëve, si rezultat i krizës ekonomike në Greqi dhe Itali, do ta shtonte ndjeshëm papunësinë dhe sidomos pamundësinë e punësimit të brezit tëri. Po kështu, një rritje e moshës për pension, duke marrë në konsideratë që reforma e nisur në vitin 2002, ku mosha u shtua me 5 vite, sapo përfundoi, një rritje tjetër do të përkeqësonte problemet sociale, që edhe pa këtë rritje janë evidente. Mendoj që problem është dhe emigracioni shqiptar, i cili në mungesë të marrëveshjeve bilaterale me vendet ku punojnë dhe jetojnë, rrezikohen të mbeten pa pension. Mungesa e marrëveshjeve bilaterale në fushën e sigurimeve shoqërore bën që emigrantët të mos plotësojnë vjetërsinë kontributive, që arrin në 20 vite në vendet ku janë në emigracion si dhe 15 vite në Shqipëri. Do të ishte një mbështetje për ata emigrantë që kanë një vjetërsi kontributive në Shqipëri dhe nuk përfitojnë pension në shtetet ku jetojnë, apo emigrantët e kthyer, të përfitojnë një pension social.

Ku qëndrojnë problemet e skemës pay-as-you-go

Skema e sigurimeve shoqërore që aplikohet te ne është ajo, pay-as-you-go, ose thënë më qartë një marrëveshje brezash, ku brezi që punon financon përfitimet ligjore të brezit qën është në pension. Kjo është një skeme e nisur në fillimet e shekullit të 20-të, një ndërthurje e sistemit Bismark me atë anglo- sankson. Po të kemi parasysh kohën kur ky sistem u implementua, ishte mjaft efektiv dhe i përgjigje e kushteve konkrete ekonomike e demografike të kohës. Pra, numri i punonjësve ishte i konsiderueshëm, ndërsa i përfituesve minimal. Ky sistem shërbeu për një kohë të konsiderueshme, duke funksionuar normal, përderisa kushtet ekonomike dhe demografike pësuan ndryshime thelbësore duke e vënë në vështirësi serioze sistemin. Që kjo skemë të funksionojë normalisht, është e nevojshme një raport i caktuar i numrit të kontribuesve, për të financuar një pensionist, që luhatet nga 4 kontribuues për një pensionist apo dhe 3 kontribues për një pensionist. Në shumicën e vendeve kjo skemë është në vështirësi për disa arsye dhe po kërkohen rrugët për ndryshimin e saj, në mënyrë që kjo t’i përgjigjet kushteve të reja të krijuara dhe të bëhet sa më efektive. Në këtë mënyrë fondet e pensioneve janë subjekt i rreziqeve demografike, ekonomike dhe financiare. Ndër mangësitë kryesore të skemës është se ka një ndryshim të madh të raportit kontribuues përfitues, aq sa në shumë vende ky raport po afrohet ne masën 1 kontribuues me një përfitues. Ky fenomen ka ardhur së pari si rezultat i zhvillimeve demografike, të një farë vjetrimi të popullsisë, e cila influencon si në uljen e numrit të kontribuuesve, ashtu dhe në rritjen e jetëgjatësisë, ose më mirë të themi rritjen e periudhës së përfitimit të pensionit. Në vendin tonë pavarësisht se kemi ende një moshë relativisht të re, por duhet të kemi parasysh se rreth 1/3 e popullsisë së vendit është në emigracion dhe aq më tepër që kjo përbën dhe pjesën më aktive të popullsisë. Po të marrim kushtet e skemës në vendin tonë, raporti fizik është 1.2 kontribuues me një përfitues. Themi fizik, mbasi si pagesë financiare është më i vogël. Kjo për arsye se të vetëpunësuarit në bujqësi paguajnë rreth 30 përqind të shumës që paguhet në qytet. Numri i përfituesve aktualisht është rreth 561 mijë pensione pleqërie dhe invaliditeti. Po të kemi në konsiderate faktin se aktualisht dalin në pension grupet e popullsisë të datëlindjeve mbas çlirimit, mbas vitit 1949, për burrat dhe 1954 për gratë, periudha këto që i përkasin një rritjeje të konsiderueshme të popullsisë, do rrisin numrin e përfituesve duke vështirësuar skemën e përfitimeve. Bazuar në legjislacionin e sigurimeve shoqërore, të vetëpunësuarit në bujqësi, që plotësojnë si të vetëpunësuar në bujqësi ½ e vjetërsisë do të trajtohen me pension qyteti. Duke qenë se skema e të vetëpunësuarve në bujqësi ka filluar më 1.10.1993, pjesa më e madhe e të vetë punësuarve në bujqësi përfitojnë pension qyteti, duke rritur financimin nga shteti për këtë popullsi. Po të bëjmë një llogaritje të thjeshtë, për të përllogaritur se sa punonjës duhet të kontribuojnë për të mbuluar shpenzimet për 561 000 pensionistë me tendence rritjeje, duke marrë raportin 3 kontribuues 1 përfitues, do duhej të kontribuonin 1 683 000, ndërkohë që forcat e punës në total janë rreth 1 106000 punonjës. Kështu edhe sikur informaliteti të jetë 0, skema nuk funksionon.

Dështimi financiar i skemës së sigurimeve

Skema që aplikohet aktualisht në Shqipëri ka dhe probleme ekonomiko- financiare, që lidhen me financimin e bërë për fondet e përfitimeve. Së pari, të gjithë financimet që bëhen nuk investohen, por kalojnë direkt në konsum total. Në këtë kuptim një fond i konsiderueshëm, nuk investohet në ekonomi për të shtuar këtë shumë dhe rrjedhimisht dhe të ardhurat që duhet të përfitojë një pensionist dhe ky investim do të ishte dhe një nxitje për ekonominë. Vështirësi tjetër e skemës është se, duke qenë shumë e shoqërizuar, gjithmonë është objekt i sulmeve të informalitetit, si nga pagesa e kontributeve, ashtu dhe nga përfitimet. Në legjislacionin e sigurimeve shoqërore, për të punësuarit, nivelet e pagave kufizohen nga 22 000 lekë në 95 130 lekë që është kufiri maksimal, ndërsa për të vetëpunësuarit 19 026 lekë. Ligjërisht në legjislacionin tonë, raporti i pagesave të kontributeve është 1 me 5, ndërsa ai i përfitimeve është 1 me 2. Në pamje të parë duket që me këtë raport kursejmë shpenzime për fondin e pensioneve, por padyshim humbim më shumë në kontribute. Punëdhënësit duke patur parasysh se për përfitimin e një pensioni maksimal, nuk duhet nje pagë prej 95 130, por afërsisht sa ½ e saj, deklarojnë paga më të ulëta duke rritur informalitetin në pagesat e kontributeve. Duke mos u investuar për kontributet e derdhura prej kohësh, shteti ka si barrë dhe inflacionin, që tek ne, sidomos në vitet e para mbas 1990, ka qenë tepër galopant.

KOMENTE