English

Enver Hoxhaj në Francë. Integrimi evropian i Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka nisur vizitën në Francë në përpjekje për ta shtyrë përpara agjendën e integrimeve evropiane të Kosovës, atë multilaterale të përgatitjes për aplikim në Këshillin e Evropës dhe koordinimit të hapave me partnerët në Paris.

Hoxhaj ka takuar kryetarin e Delegacionit Parlamentar të Francës në Këshillin e Evropës dhe nënkryetar i Asamblesë Parlamentare në KE-së, Rene Rouquet, më të cilin kanë biseduar për koordinimin sa më të mirë të aplikimit për në Këshillin e Evropës dhe rolin që do ta ketë Franca në këtë drejtim.

Ministri Hoxhaj ka thënë se qëllimet e vizitës dhe takimeve të shumta në Paris janë, e para që ta shtyjë përpara agjendën e integrimeve evropiane më konkretisht nënshkrimin e MSA-së sa më shpejt që është e mundur, çështjen e liberalizimit të vizave dhe ta shtyjë përpara agjendën multilaterale të Kosovës me fokus të veçantë aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës.

“Arsyeja e qëndrimit tim në Paris ka dy qëllime. E para që ta shtyjë përpara agjendën e integrimeve evropiane të Kosovës më konkretisht nënshkrimin e MSA-së ndërmjet BE-së dhe Kosovës para përfundimit të mandatit të institucioneve evropiane në mesin e këtij viti, si dhe procesin e liberalizimit të vizave për ta marrë ndihmën e Parisit dhe një datë se kur qytetarët e Kosovës mund të lëvizin lirshëm në Evropë. Qëllim tjetër i vizitës në Francë është për ta shtyrë përpara agjendën multilaterale të Kosovës më konkretisht koordinimin me autoritetet franceze për ta përgatitur një aplikim sa më të mirë dhe kredibil në Këshillin e Evropës këtë vit”, ka thënë Hoxhaj, pas takimit.

Nga ana e tij, kryetari i Delegacionit Parlamentar të Francës në Këshillin e Evropës, Rouquet, ofroi mbështetjen e tij dhe të Francës për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke theksuar konsensusin e plotë të politikës zyrtare të Francës në raport me agjendën multilaterale të Kosovës në këtë vit.

“Pata kënaqësinë që e takova ministrin e Jashtëm të Kosovës ku biseduam shumë konkretisht për çështjen e aplikimit dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Do ta konsideroja një takim shumë të frytshëm dhe u zotova se do të bëjmë gjithçka për ta ndihmuar Kosovën në këtë drejtim. Jemi të gatshëm t’i dëgjojmë edhe kërkesat tjera të ministrit”, ka thënë Rouquet.

Më pas, kryediplomati kosovar ka zhvilluar disa takime në Ministrinë e Punëve të Jashtme me zyrtarë të lartë francez për t’i koordinuar disa prej iniciativave të reja të ministrit Hoxhaj e fokusuar në disa fusha, atë të integrimit evropian të Kosovës, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe çështjen e njohjeve.

Ministri Hoxhaj në mbrëmje do të marrë pjesë në darkën e shtruar nga presidenti i Senatit Francez, Jean- Pierre Bel, ku pritet të marrin pjesë shumë personalitete të larta të politikës dhe diplomacisë franceze.

Kryediplomati kosovar po vazhdon turneun diplomatik pas qëndrimit dyditor në Irlandë ku ka zhvilluar takime me ministrin e Jashtëm dhe atë për Çështje të Evropës të Irlandës. Hoxhaj po ashtu ka mbajtur një ligjëratë në Institutin për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane në Dublin.

KOMENTE