Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kroaci mbeshtetje integrimit europian te Shqiperise
English

Kroaci mbeshtetje integrimit europian te Shqiperise

Konferenca e përbashkët e Kryeministrit Edi Rama me homologun kroat Milanoviç:


Kryeministri Rama:

Mirëdita!

Kemi kënaqësinë sot, të kemi mes nesh, Kryeministrin e një vendi me të cilin na lidh një miqësi e posaçme që ndërthur në vetvete lidhje historike, përpjekje të ngjashme dhe po ashtu një perspektivë të përbashkët evropiane.

Kroacia është për ne, një model suksesi, është një shembull frymëzues dhe një partner që na inkurajon në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, por jo vetëm. Kroacia është një histori suksesi për të gjithë rajonin dhe pa as më të voglin dyshim edhe për ne.

Ne besojmë se anëtarësimi i Kroacisë në Bashkimin Evropian dhe, paralelisht, edhe marrëveshja e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë janë dy ngjarje të mëdha, në funksion të një kohe të re për rajonin tonë.

Ne e dëshirojmë shumë forcimin e bashkëpunimit me Kroacinë, në të gjitha planet. Jam shumë i kënaqur që nga ana e miqve tanë kroatë dhe nga ana e Kryeministrit Milanoviç, lexojmë një vullnet të qartë për të shkuar më tutje dhe për ta forcuar këtë bashkëpunim.

Sigurisht, që ne konsiderojmë edhe pjesëmarrjen e përbashkët në projektin shumë të rëndësishëm të TAP-it në vendet e Jonit dhe Adriatikut si një nismë me potencial të lartë jo vetëm për zhvillimin energjetik, por edhe për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona.

Po ashtu edhe profili “maritim” i dy vendeve dhe ky bekim që dy popujt tanë kanë duke ndarë një vijë të mrekullueshme bregdetare të Mesdheut përbëjnë një tjetër arsye të fortë për të bashkëpunuar së bashku dhe për të lexuar së bashku perspektivën tonë në këtë rajon.

Në vitin 1940, Mirosllav Kërlezha thoshte se “sot më shumë se kurdoherë, rajonin tonë duhet ta shikojmë si një tërësi”. Besoj se sot, në vitin 2014, kjo shprehje është ende më aktuale dhe shikimi si tërësi i rajonit tonë është një imperativ për zhvillimin e mëtejshëm të integruar, politik, ekonomik e social, të këtij rajoni si pjesë Evropës dhe në funksion të projektit të Bashkimit Evropian.

Dua t’i jap fjalën Kryeministrit të Kroacisë dhe mikut të dashur Zoran Milanoviç, duke i shprehur edhe mirënjohjen e thellë për mbështetjen shumë të fuqishme dhe zërin e qartë të ngritur nga Kroacia, për rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian dhe për statusin e vendit kandidat.



Kryeministri Zoran Milanovic:

Ju faleminderit! Zonja dhe zotërinj, i respektuari koleg Edi Rama, Kryeministër i qeverisë së Shqipërisë!

Kroacia dhe Shqipëria nuk janë shtete fqinje në kuptimin e thjeshtë gjeografik, por për shqiptarët në Kroaci dimë më shumë nëpërmjet shqiptarëve që jetojnë në Kroaci, të cilët janë kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia Perëndimore, dhe që njihen si punëtorë të vyeshëm, që lumturinë në shoqëri e kanë kërkuar duke u vetëpunësuar, dhe që janë shembull i vendosmërisë dhe raportit serioz ndaj punës që bëjnë. Kjo është për mua përshtypja që e kemi në Kroaci për shqiptarët, dhe në këtë mënyrë shumë vetë në Kroaci e përjetojnë edhe Shqipërinë. Natyrisht, dua që të jem krejtësisht i sinqertë, Shqipëria përjetohet edhe si shtet i cili ende në rrugën e tij drejt Evropës ballafaqohet me pengesa të caktuara, ku disa prej tyre janë subjektive, që Shqipëria duhet t’i ndryshojë, por disa janë jo korrekte ndaj Shqipërisë. Kur ju flisni për mbështetjen tonë ndaj Shqipërisë për kandidaturën e saj në BE, kjo nga ana e jonë është e sinqertë. Po aq e sinqertë sa ka qenë mbështetja jonë ndaj Serbisë. Nuk e konsideroj të drejtë faktin se Serbia i ka filluar negociatat për anëtarësim, gjë që e kemi përkrahur, ndërkaq që Shqipëria nuk i ka filluar negociatat për anëtarësim. Pra, qëndrimi ynë është se Shqipëria, si edhe vendet tjera të rajonit, do të duhet që sa më parë të fitojë statusin e kandidatit dhe të filloj negociatat me BE-në. Ky është qëndrimi ynë aktual dhe i tillë do të mbetet edhe më tej. Por, tek kjo duhet të kihet parasysh se ne kemi vetëm në zë (votë) dhe jo më tepër. Por ky zë do të dëgjohet me një racionalitet të matur, por gjithsesi qartë! Dhe sa më parë që do të filloni, më parë edhe do të përfundoni integrimin, sepse ky është një proces i gjatë dhe i vështirë. P.sh kriteret që i janë parashtruar Kroacisë kanë qenë më të ashpra se ato që është dashur që t’i plotësojnë anëtaret e mëparshme të BE-së! Duke e mbyllur këtë temë që për mua është më e rëndësishmja, thjesht duhet të filloni sa më parë negociatat, sepse çdo zgjidhje tjetër është lojë joserioze. Dhe atëherë do të shihni se ja të vështira janë këto negociata. Por ne zotohemi se do t’ju japim, nëse e kërkoni, çdo ndihmë dhe asistencë që është në mundësitë tona.

Kuptohet, ne kemi biseduar edhe për temat tjera, para së gjithash për bashkëpunimin ekonomik. Në Shqipëri ka ndërmarrje kroate, dhe këtu kemi mjaft hapësirë për bashkëpunime, në dobi të dy palëve. Kjo hapësirë për bashkëpunim është shumë më e madhe seç e kemi aktualisht. Në këmbimet ekonomike unë do të thosha se Kroacia është duke realizuar një suficit tepër të madh, kurse unë mendoj se është interes i përbashkët që të rriten eksportet e Shqipërisë. Shpresoj se së shpejti do të shihemi në Zagreb.



Kryeministri Rama:

Faleminderit zoti Kryeministër!

Faleminderit edhe një herë për qëndrimin e qartë dhe mbështetjen e plotë të Kroacisë, që shprehët pa ekuivok jo vetëm për statusin e kandidatit për Shqipërinë, gjë që e bëtë edhe para mbledhjes së dhjetorit, duke marrë edhe një nismë për këtë mbështetje, por edhe për hapjen e negociatave për anëtarësim që është një fazë shumë e rëndësishme dhe që edhe ne, po ashtu, jemi të bindur se jemi shumë pranë dhe se Shqipërisë i duhet dhënë një orë e më parë kjo mundësi.



A mendoni që qershori është një datë realiste për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria?

Kryeministri Milanovic: Unë mendoj se PO, qershori është i mundshëm. Mirëpo, fatkeqësisht, në politikë nuk mund të udhëhiqeni vetëm me kritere racionale. Por pasi shteti shqiptar është anëtar i NATO-së, atëherë kjo do të thotë se të paktën e ka ushtrinë si një pjesë të aparatit shtetëror që është i harmonizuar me standardet më të larta ndërkombëtare. Pra, sipas analogjisë, meriton që t’i jepet shansi që të paktën të negociojë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Vetëm edhe një fjali, ne do të kundërshtojmë nga ana jonë paragjykimet në Evropë, sepse politika evropiane në disa shtete që janë shumë demokratike shpesh është nën presion të paragjykimeve ndaj disa etnive dhe rajoneve, dhe ne do të jemi zëshëm, por në mënyrë të qytetëruar, kundër kësaj dukurie sepse edhe vetë i kemi përjetuar këto raporte dhe paragjykime. Dhe kjo nuk është e mirë.

Kryeministri Rama: Unë besoj që Kryeministri u shpreh shumë qartë dhe ruaj po atë mendim që ka qenë dhe mendimi i Kroacisë, që Shqipëria duhet ta merrte statusin në dhjetor. Prapavijat funksionuan, fatkeqësisht, në dëm të marrjes së këtij vendimi. Por nga ana tjetër, jam i bindur se gjithsesi, ky proces për ne mbetet, në radhë të pare, një proces që është i domosdoshëm, si proces modernizimi, demokratizimi dhe europianizimi në Shqipëri. Çka do të thotë se ne, pavarësisht nga këto data dhe nga këto afate, duhet dhe do të vazhdojmë me vendosmëri rrugën tone të bindu, në fund të ditës, integrimi evropian nuk është një udhëtim për diku, por është një udhëtim brenda vetes për të nxjerrë më të mirën dhe për të ndërtuar Shqipërinë Evropiane, anëtare të denjë të Familjes Evropiane.



Zoti kryeministër a është e vërtetë se Republika e Shqipërisë do të mbyllë ambasadën e saj në Zagreb dhe se ambasada e Shqipërisë në Lubjanë do të përfshijë edhe Kroacinë?

Kryeministri Rama: Më vjen mirë dhe më vjen keq që jehona e gazetave që shkruajnë nganjëherë tituj të pavërtetë, mbërrin deri në Zagreb, por kjo është tërësisht e pavërtetë dhe jo vetëm kaq. Por për ne, e përsëris, Kroacia është një pikë referimi, është një shembull frymëzues dhe është një partner në rajon me të cilin ne duam t’i forcojmë sa më shumë lidhjet, sepse jemi të bindur që kemi shumë çfarë mësojmë nga ju.

E kundërta është e vërtetë. Ne jemi në një proces reformimi të shërbimit tonë diplomatik. Jemi në një proces racionalizimi të burimeve tona. Do të ketë shkurtime, por në funksion të forcimit të prezencës sonë dhe të lidhjeve tona me pjesën më të madhe të vendeve. Kroacia është një nga këto vende, ku ne duam ta forcojmë më shumë prezencën.



Ju zoti Rama keni deklaruar në mbledhjen me qeverinë e Kosovës se do to zhvilloni këto mbledhje edhe me qeveritë e tjetra të rajonit. A është pjesë dhe Kroacia e këtij projekti? Për kryeministrin kroat, nëse ka një ftesë të tillë, a do ta pranoni?

Kryeministri Rama: Në radhë të parë unë me shumë kënaqësi do të vizitoj Kroacinë me ftesë të mikut tim dhe kolegut, Kryeministrit të Kroacisë. Më pas, në vijim, do të diskutojmë bashkërisht. Asgjë nuk përjashtohet, por njëkohësisht nuk ka asnjë ngut mendoj unë.

Kryeministri Milanovic: Mendoj se kryeministri Rama i dha përgjigje pyetjes.



***

Kryeministri Edi Rama mirëpriti sot, në selinë e qeverisë, Kryeministrin e Kroacisë Zoran Milanoviç. Pas ceremonialit zyrtar, u zhvilluan bisedimet midis dy delegacioneve, të kryesuara nga dy kryeministrat. Në përfundim të takimit u nënshkrua nga ministrat e Brendshëm respektivë, Marrëveshja për Bashkëpunimin Policor dhe Sigurinë.

KOMENTE