English

Rama administratës tatimore: Mos harroni. Biznesi dhe biznesmeni është i rëndësishëm. Ai punon për vete dhe për të tjerët

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, në takim me punonjës të administratës tatimore nga të gjitha qytetet e vendit:


Ky i sotmi është fillimi i një komunikimi intensiv nga ana ime dhe nga ana e të gjithë ministrave me administratën për të kërkuar me insistim që administrata dhe në radhë të parë, ajo pjesë e administratës që i shërben drejtpërdrejt qytetarëve të ndërrojë fytyrë, të ndërroje sjellje, të ndërrojë në themel të marrëdhënies me qytetarët.

Qytetarët e Shqipërisë sot kanë halle, kanë probleme, kanë konflikte për të cilat trakasin në dyert e shtetit, në dyert e administratës. Por, qytetarët tanë kanë dhe shpresa, kanë padyshim dhe një ambicie të shprehur me votën e tyre për të gjetur një tjetër predispozitë, për të gjetur një tjetër përkushtim, për të gjetur një tjetër vullnet në momentin kur trokasin në derën e shtetit. Sigurisht, që jo të gjitha hallet, jo të gjitha problemet, jo të gjitha shqetësimet dhe padyshim jo të gjitha pritshmëritë e qytetarëve mund të zgjidhen menjëherë dhe shumë prej tyre duan kohën e tyre, por ka një kërkesë që duhet të zgjidhet menjëherë, kërkesa që qytetarët tanë të dëgjohen, që qytetarët tanë të mirëkuptohen dhe qytetarët tanë të shërbehen me dinjitetin që shteti duhet të ketë në sjelljen ndaj tyre. Jo pa qëllim këtë komunikim ne e fillojmë sot me administratën tatimore. Jo pa qëllim në këtë takim ne kemi ftuar këtu jo vetëm drejtuesit e administratës tatimore në qendër dhe në të 14 rajonet tatimore të Shqipërisë, por dhe të gjithë ata që dolën fitues nga një konkurs model i organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të Shqipërisë. Për t’i bërë të qartë se në radhë të parë jeni përzgjedhur për t’u sjellë si qytetarë me qytetarët. Në radhë të parë jeni përzgjedhur për të ndryshuar rrënjësisht vijën e sjelljes së kësaj administrate me të gjithë ata që me taksat e tyre paguajnë rrogat tuaja.

Në radhë të parë jeni përzgjedhur për të dhënë provën se administrata e shteti shqiptar mund të jetë një administratë model në marrëdhëniet me qytetarin. Sigurisht, jeni përzgjedhur për të mbyllur një epokë në historinë e administratës tatimore, një epokë të përkufizuar nga korrupsioni, nga rrushfeti, arbitraritet dhe nga dhuna psikologjike mbi ata që në fakt janë njerëzit që i japin gjak ekonomisë sonë, i japin ekonomisë sonë dhe vendit tonë mundësinë që të rritet, që të punësojë dhe që të krijojë mirëqenie.

Kurajo e madhe dhe papërgjegjshmëri e madhe që pikërisht mbi ata, mbi sipërmarrësit, mbi krijuesit e vendeve të punës, mbi njerëzit që i japin krahë zhvillimit, të vendoset për vite të tëra sundimi i arbitratraritetit, sundimi i korrupsionit, sundimi i një papërgjegjshmërie që në vend se të krijojë kushtet që ekonomia të zhvillohet, që biznesi të zhvillohet, krijon një klimë të padurueshme, në një marrëdhënie që karakterizohet nga përfaqësuesi i shtetit si dhunues dhe nga përfaqësuesi i zhvillimit si skllav. Sipërmarrësit nuk janë as më shumë dhe as më pak, po njerëzit të cilëve të gjithë ju duhet t’i shërbeni. Duhet t’i shërbeni me përgjegjësi, me përkushtim dhe me durim. Duhet t’i shërbeni me respekt dhe me vetëdijen se keni përballë jo dikë për ta gjunjëzuar, për ta shkelur me këmbë, për ta zhvatur dhe për ta depersonalizuar, po dikë që keni detyrimin ta bëni të ndihet i kënaqur në radhë të parë nga sjellja juaj edhe kur nuk ka të drejtë. Edhe kur nuk ka të drejtë, nuk është sjellja ajo që përcakton drejtësinë e vendimit tuaj, por është veprimi i drejtë. Ndërkohë që sjellja duhet të jetë e pandryshueshme, duhet të jetë qytetare dhe duhet të rrezatojë vullnetin për të ndërtuar një marrëdhënie të re dhe për të krijuar një energji pozitive në këtë marrëdhënie dhe jo për të qenë një gjenerator i një energjie negative për ata që gdhihen dhe ngrysen me stresin e tmerrshëm se kanë njerëz për t’u paguar rrogat, se kanë plane për të zhvilluar kompanitë e tyre dhe se kanë një përgjegjësi të madhe në raport me familjet e tyre, me familjet e punonjësve të tyre dhe sigurisht dhe në raport me një konkurrencë që, pikërisht, pse duhet të jetë e lirë, është dhe më e vështirë.

E pra, të nderuar punonjës të administratës tatimore, ju që jeni këtu dhe kushdo që e dëgjon përmes TV duhet ta ngulisni mirë në kokë, se në radhën më të parë paguheni nga njerëzit të cilët kontrolloni. Paguheni nga njerëzit me të cilët keni të bëni drejtpërdrejtë; paguheni nga taksat që burojnë prej prodhimit të atyre kompanive, të atyre ndërmarrjeve, të atyre fabrikave ku ju shkoni të trokisni. Dhe këtu është shumë e rëndësishme që të nënvizohet se administrata tatimore duhet të ketë kodin e vet të veshjes, kodin e vet të sjelljes, kodin e vet të komunikimit në marrëdhënien me çdo krijues të vendeve të punës, në marrëdhënien me çdo kontributor, me të ardhurat prej të cilave paguheni dhe ju vetë, në marrëdhënien me çdokënd në këtë vend që ka vendosur të jetojë falë talentit, vullnetit, imagjinatës së vetë si biznesmen.

Është koha që në këtë vend figura e njeriut që bën biznes, të lartësohet, të vlerësohet, të respektohet dhe të vendoset në atë piedestal që meriton, njësoj siç janë në piedestalet që meritojnë këngëtarët, sportistët, artistët, gazetarët dhe të gjithë ata që përbëjnë modelet prej të cilave frymëzohen apo inkurajohen për të imagjinuar të ardhmen e tyre, fëmijët, të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi. Figurën e biznesmenit hajdut, e biznesmenit kusar, e biznesmenit të dyshimtë nuk e ka krijuar vetëm ajo pjesë e komunitetit të biznesit që është sjellë si e tillë, por e ka krijuar në radhë të parë sjellja harbute, sjellja arrogante, sjellja prej kusari e vetë shtetit në raport me biznesin. Jemi vend ku për fatin më të keq njerëzit që krijojnë vende pune, njerëzit që bëjnë sukses ekonomik, njerëzit që paguajnë më shumë taksa janë njerëzit që kanë më shumë frikë. Janë njerëzit që fshihen më shumë, janë njerëzit që ndihen më shumë nën presion, madje edhe nën terror. Terror psikologjik, për shkak se janë parë vijimësisht si krijues problemesh dhe burim përfitimesh të paligjshme. Përfitime të paligjshme të tyre, përfitime të paligjshme për ata që i kontrollojnë në emër të shtetit.

Kjo duhet të ndryshojë menjëherë dhe kjo mund të ndryshojë menjëherë.

Sfidat e administrimit tatimor në Shqipëri janë të mëdha dhe janë disa. Janë sfida që nuk mund të fitohen brenda ditës dhe as brenda viti. Por nëse ka një sfidë që ne mund, duhet dhe me patjetër do ta fitojmë brenda këtij viti është sfida e transformimit rrënjësor të marrëdhënieve të administratës tatimore me tatim paguesit.

I kemi kërkuar kompanive të paguajnë 15% tatim fitimi, në raport me 10% që paguanin, pra kemi kërkuar që të rrisin kontributin e tyre për arkën e shtetit dhe kemi bërë shumë mirë. Por në të njëjtën kohë, unë jam i vetëdijshëm, qeveria është e vetëdijshme dhe secili nga ju duhet të jetë i vetëdijshëm se përkundër rritjes së kontributit të tyre, ne duhet të rrisim shërbimin dhe cilësinë e shërbimit ndaj tyre. Llogaria jonë është shumë e thjeshtë dhe shumë e qartë. Kemi ulur për 97% të atyre që jetojnë me një rrogë në shtet apo në privat dhe kemi rritur taksën për përfituesit e drejtpërdrejtë dhe më të mëdhenj nga aktiviteti ekonomik. Por, nga ana tjetër kemi rritur taksën zyrtare, taksën ligjore dhe kemi marrë përsipër të ulim taksën e korrupsionit dhe ta bëjmë atë të papërfillshme. Kemi marrë përsipër të ulim taksën e arbitraritetit dhe ta bëjmë atë të papërfillshme. Kemi marrë përsipër të ulim taksën e kohës, të zvarritjeve, të dhunës psikologjike dhe ta bëjmë atë të papërfillshme. Kemi bërë një llogari të thjeshtë; nga 5 mijë intervista që kemi bërë me njerëz të biznesit të madh dhe të vogël gjatë shkrimit të programit tonë, në fakt taksa reale, paraja reale që ka dalë nga xhepi i tyre gjatë një viti nuk ka qenë ajo që është regjistruar në xhepin e shtetit 10 %, por ka qenë shumë më tepër, ka arritur dhe deri në sasira marramendëse për disa dhe në mesatare ka qenë 22 %.

Pra, diferencën mes 15% zyrtar dhe 22% jozyrtar ne do ta bëjmë zero, zero, zero. Çdo sipërmarrës duhet të ndihet i respektuar dhe i frymëzuar pas kontaktit me ju. Askush nuk duhet të guxojë të trokasë në derën e një fabrike, në derën e një ndërmarrje, në derën e një dyqani me kulturën e vjetër të gjobëvënësit, me kulturën e vjetër të pengmarrësit, me kulturën e vjetër të shkelësit të lirive dhe të drejtave ekonomike, të atyre që ju siguroj flenë shumë më pak se secili prej jush dhe gdhihen me shumë më tepër ankth për ditën se secili prej jush, se kanë mbi supe një barrë shumë më të madhe se secili prej jush, barrën e mbajtjes në këmbë të një iniciative, të një sipërmarrjeje, të një grupi njerëzish që ushqehen me atë iniciativë dhe atë sipërmarrje dhe jo thjesht barrën e ushqimit të tyre vetjak. Kjo duhet t’u bëjë të gjithëve të vetëdijshëm se jemi këtu dhe jeni këtu për të ndryshuar rrënjësisht këtë marrëdhënie, në mënyrë që të ndryshojmë rrënjësisht edhe të ardhurat nga kontributet e këtyre njerëzve, por edhe natyrën e ekonomisë sonë kombëtare që deri më sot ka qenë e kërcënuar dhe e dëmtuar rëndë, nga vija e sjelljes e qeverisë, nga vija e sjelljes së administratës doganore e tatimore. Nga vija e përgjithshme e sjelljes që është kthyer në një sjellje sociale ndaj biznesit dhe biznesmenit si njeri për t’u parë me dyshim dhe si një njeri për t’u vënë me shpatulla pas murit. Kjo duhet të marrë fund. Kjo duhet të marrë fund dhe fryma e bashkëpunimit, fryma e ndërveprimit, fryma e mirëkuptimit duhet të sundojë në marrëdhënien me biznesin. Duke filluar nga marrëdhënia me biznesin e madh dhe pa neglizhuar marrëdhënien me biznesin e vogël. Nuk ka gjë më të turpshme dhe nuk ka gjë më të fajshme sesa të prekësh të ardhurat legjitime të një furre buke, të ardhurat legjitime të një dyqani, ku disa shqiptarë të vetëpunësuar japin e marrin përditë për të siguruar mbijetesën e tyre; të ardhurat legjitime të një shërbimi ku njerëz si ne, qytetarë si ne, familjarë si ne nxjerrin fitimet e tyre me mundime të mëdha. E, t’ju shtosh këtyre mundimeve, mundimin e përballjes me fytyrën e degraduar dhe të babëzitur të shtetit që të vjen përmes një agjenti tatimor, është jo vetëm e tepërt, por është kriminale.

Unë dua të besoj se gjej mirëkuptimin e plotë tuajin, ashtu sikundër duhet të besoni se ne nuk do të tolerojmë asnjë sjellje të tillë dhe nuk do të falim askënd që nuk do të kontribuojë dhe nuk do të respektojë vijën e re europiane të sjelljes së shtetit me biznesin, me këdoqoftë që paguan taksa. Me këdoqoftë që respekton detyrimet e shkruara në kushtetutë dhe në ligj, me këdoqoftë që në hapsirën e lirisë ekonomike ka marrë përsipër të punojë dhe të vetpunësohet apo të punësojë të tjerë. Etika e administratës tatimore nuk është vetëm sjellja sy më sy.

Etika e administratës tatimore janë shkresat, janë procedurat, janë marrëdhëniet, jo vetëm ballë për ballë, por edhe institucion me institucion, mes shtetit dhe kompanive.

E për këtë arsye është e domosdoshme që çdo shkresë të reflektojë këtë etikë, çdo germë e gjuhës shqipe të reflektojë këtë etikë, çdo pikë dhe presje të reflektojë këtë etikë, çdo procedurë të reflektojë këtë etikë dhe çdo marrëdhënie e shkruar institucionalisht të reflektojë këtë etikë.

Është koha për të reduktuar drastikisht vizitat fiskale, trokitjet orë e pa orë në dyert e kompanive dhe në dyert e dyqaneve, vizitat rast e pa rast, që shqetësojnë dhe shfokusojnë biznesin nga puna e vet. Është koha që regjimi i vizitave dhe i kontrolleve fiskale të racionalizohet dhe të jetë i njohur, paraprakisht, nga çdo biznes që kontrollohet. Është koha që çdo kompani, çdo pronar i një kompanie, të lajmërohet para se të bëhet kontrolli. Është koha që të marrin fund befasitë e pakuptimta për kontrollet rutinë. Është koha që të respektohet në frymë dhe në germë ligji që bën të qartë se kur kontrollohet, si kontrollohet, pse kontrollohet. Padyshim, është koha që rezultati i një kontrolli të mos kufizohet vetëm tek ajo që ne marrim, por edhe tek ajo që ne japim. Tek ajo që ne marrim për atë që ligji na ngarkon, por tek ajo që ne japim për atë që marrëdhënia jonë me biznesin na detyron.

Nëse nga kontrolli, një pronar i je kompanie mbetet i pakënaqur nga rezultati është njëra gjë, por nëse nga kontrolli, pronari i një kompanie mbetet i pakënaqur nga sjellja, kjo është një gjë tjetër. E para nuk është problem i juaji, e dyta është problem vetëm i juaji. Për të parën për çdo rast kur një pronar është i pakënaqur nga kontrolli si rezultat, jo si sjellje, është koha t’i jepet roli që i takon ombusman-it tatimor, avokatit tatimor dhe drejtorisë së apelimit. Këta të fundit duhet të marrin masa që një orë e më parë të jenë të gatshëm dhe të jenë transparent dhe t’i publikojnë të gjitha vendimet tyre me transparencë. Ndërkohë që secili prej jush, secili prej atyre që ka kontaktin e drejtpërdrejtë, duhet të marrë masa dhe të jetë i vetëdijshëm se nuk ka detyrën që të shtojë numrin e ankimeve dhe të apelimeve, por ka detyrën që t’i ulë në minimum ato, duke qenë i drejtë, duke qenë korrekt dhe duke qenë i qartë në një pikë, asnjë kompromis me ligjin, asnjë kompromis në dëm të interesit të shtetit, por njëkohësisht asnjë cenim të paligjshëm, asnjë dëmtim të panevojshëm të interesit të biznesit. Pjesë e interesit të biznesit është nevoja për t’u ndjerë mirë, për t’u ndjerë të respektuar, për t’u ndjerë pjesë e gjithë procesit të kontrollit dhe e gjithë procesit të marrëdhënieve me administratën tatimore.

Ju siguroj se ndryshimi i vijës së sjelljes dhe ndryshimi i qëndrimit të shtetit në raport me biznesin do të sjellë një ndryshim rrënjësor edhe të sjelljes dhe të raporteve të biznesit me shtetin. Komunikimi në kohë i gjithçkaje që ka të bëjë me punën tuaj është kyç. Publikimi në kohë i gjithçkaje që rezulton nga puna juaj është domosdoshmëri.

Ajo që nga ana tjetër dua të ndaj me ju është nevoja që secili nga ju të ndihet pjesë e një përpjekje shumë më të madhe se sa përpjekja e vet individuale, se sa detyra e vet në zonën që mbulon si inspektor i terrenit. Kjo përpjekje e madhe është përpjekja për të rimëkëmbur ekonominë kombëtare. Kjo përpjekje e madhe është përpjekja për të realizuar me sukses në funksion të rimëkëmbjes kombëtare, të gjitha angazhimet që qeveria ka marrë në marrëveshjen e re me FMN, ku fokusi kryesor, jo më kot dhe rastësisht, është tek tatimet dhe ku fokusi kryesor i monitorimit të qeverisjes nga ana e FMN janë tatimet. Objektivat janë të qartë, të mos krijojmë pagesa të prapambetura më tutje, të arrijmë të menaxhojmë suksesshëm rimbursimin e TVSH-së nga thesari dhe të bëjmë rimbursimin e plotë brenda 60 ditëve. Të mbyllim një herë e mirë një epokë ku një detyrim i qartë si drita e diellit, ai i rimbursimit të TVSH-së është anashkaluar në mënyrë, absolutisht, të papranueshme dhe të padurueshme për biznesin. Kjo do të jetë një arritje, jo e konsiderueshme, kjo duhet të jetë një arritje si asnjëherë më parë dhe një arritje që si asnjëherë më parë do të ndikojë drejtpërdrejtë në rritjen e të ardhurave. Iluzioni se duke mos rimbursuar TVSH-në, që medemek shteti të ketë më shumë para dhe se përmes këtyre parave shteti mund të bëjë më shumë, e ka rrënuar ekonominë private por ka rrënuar ekonominë kombëtare gjithashtu.

Nuk ka dy ekonomi, ka një ekonomi. Nuk ka një ekonomi shteti dhe një ekonomi privatit. Është një ekonomi dhe kjo është ekonomia kombëtare dhe sektori privat është pjesë e pandashme, e patjetërsueshme e ekonomisë kombëtare, madje është pjesa vitale, është burimi themelor i rritjes së ekonomisë kombëtare. Prandaj, kush cenon një biznes, ka cenuar një burim themelor të rritjes ekonomike kombëtare, nuk ka cenuar thjesht një biznes. Kush pengon një biznes, ka penguar rritjen e ekonomisë sonë kombëtare, ka penguar rritjen e ekonomisë familjare të shqiptarëve, nuk ka penguar thjesht një biznes.

Është shumë e rëndësishme në të njëjtën kohë që kontrollet të kryhen sa më shumë në bazë risku dhe sa më pak, duke u nisur nga ideja se na duhen lekë për arkën dhe “o burra” të bëjmë ca kontrolle. Nuk duhet nisur fare nga kjo ide. Duhet një impenjim i posaçëm për t’i çuar në një stad të ri marrëdhëniet, për t’i çuar në një stad të ri edhe strategjinë dhe procesin e punës së tatimeve dhe duke zhvilluar profilet e riskut, sipas të gjitha ngjyrave që janë nga e bardha tek grija, tek e kuqja dhe tek e zeza dhe duke marrë masa për kontrolle shumë të kujdesshme dhe në kohë, për të mos lejuar nga ana tjetër rimbursime abuzive, si ato që janë bërë me shumicë dhe që kanë shkatërruar krejt natyrën dhe rezultatin që duhet të kishin dhe duhet të kenë kontrollet e shtetit tek biznesi.

E dyta, informaliteti. Ne duhet me çdo çmim të zgjerojmë bazën e tatimpaguesve. Kjo është sfida. Ne na duhet me çdo çmim të ndryshojmë profilin e punës, nga një punë e fokusuar tek ata që paguajnë për të nxjerrë nga xhepat e tyre thërrimen e fundit përtej kufijve të ligjit apo për t’i vënë pas murit, duke mos i rimbursuar TVSH-në, tek një punë për të nxjerrë nga hija, bizneset që operojnë jashtë kufijve të ligjit dhe që jetojnë në zonën gri të ekonomisë.

FMN ka sugjeruar dhe kemi rënë dakord për ngritjen e komiteteve strategjikë për një reformë strukturore, që të rrisim mbledhjen e të ardhurave dhe ekspertiza e fondit do të jetë në dispozicionin e administratës tatimore, duke filluar nga java që vjen. Ekspertizë e drejtpërdrejt, në zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme dhe në dispozicion të administratës tatimore, por njëkohësisht edhe monitorim i drejtpërdrejt.

Nga ana tjetër, ne kemi ngritur zyrën për të mbledhur të gjitha ankesat, kërkesat, sugjerimet e biznesit, në funksion të KEK dhe në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit.

Ne do të sigurojmë që çdo kompani, çdo sipërmarrës, që vihet përballë sjelljes së vjetër, vihet përballë metodave të vjetra të abuzimit, vihet përballë kërkesave korruptive, t’ia bëjë me dije kësaj zyre, që është sekretariati i Këshillit Ekonomik Kombëtar, se çfarë i ndodhi, ku i ndodhi dhe me kë i ndodhi dhe cilido emri i të cilit do të shfaqet në këtë proces, mund ta dijë që sot, se nuk do të ketë më vend në administratën tatimore të Republikës së Shqipërisë dhe padyshim për të pasur pastaj vend në komunitetin ku jeton, duhet të kalojë nga rruga e prokurorisë dhe e gjykatave, ku të provojë se sa i pafajshëm është. Boll më, me terrorin psikologjik. Boll më me tatimorët që i lejojnë vetes të futin duart në xhepat e të tjerëve. Boll më me tatimorët dhe me doganorët që e konsiderojnë veten shtresë e privilegjuar dhe vënë dhjam, duke grabitur ditën për diell kompanitë dhe duke grabitur ditën për diell edhe qindarkën në bizneset më të vogla.

Kjo është një epokë që duhet të mbyllet dhe që unë dëshiroj që secili prej jush dhe secili prej punonjësve të sotëm administratës tatimore ta konsiderojë, njësoj siç e konsiderojmë ne qeveria, si domosdoshmëri dhe të përpiqet për ta bërë realitet këtë domosdoshmëri.

Ligjet tatimore në fuqi janë ndryshuar aq shpesh sa që kanë jo probleme, por që kanë një potencial të madh destruktiv për raportet tona me biznesin sepse krijojnë mospërputhje dhe përplasje konceptuale. Ne do ta rishkruajmë legjislacionin tatimor në bashkëpunim të ngushtë me FMN, me BB dhe me ekspertizën tonë të kualifikuar, që është ekspertizë nivelit më të lartë botëror. Por, ndërkohë asnjë ligj sado qartësisht i shkruar, nuk mund të zëvendësojë vetëdijen e brendshme të administratës dhe të administratorit tatimor se në radhë të parë është përgjegjshmëria, vullneti, durimi dhe kërkimi i mirëkuptimit në çdo biznes që ankohet rruga për të garantuar suksesin.

E për këtë arsye, unë e përgëzoj Drejtoren e Përgjithshme, dhe përgëzoj të gjithë drejtuesit aktualë, pa përjashtim, të administratës tatimore që kanë vendosur gurin e parë të themelit për një marrëdhënie të re, duke hapur dyert e administratës tatimore për sipërmarrësit, duke nisur të krijojnë mekanizmat e dëgjimit sistematik të tyre dhe duke vendosur nevojën për mirëkuptim, pa cenuar interesat e njëri-tjetrit jashtë kufijve të ligjit, në themelin e marrëdhënies mes shtetit dhe biznesit.

Nga ana tjetër, përveç ligjit të ri të TVSH-së, që do të na çojë në drejtimin e direktivës evropiane dhe që do të mbërrijë në Qeveri në mes të shkurtit, ne jemi në proces konsultimi të draftit, ne kemi synimin që brenda 6 mujorit të parë të rishkruajmë ligjin e tatimit mbi të ardhurat, së bashku me udhëzimin përkatës, si dhe ligjin për të gjitha procedurat tatimore. Kjo është shumë ambicioze, kërkon një impenjim shumë të madh nga dy ministritë, Ministria e Financave dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik, por po ashtu kërkon dhe impenjimin tuaj, qoftë në aspektin e konceptimit, qoftë në aspektin e konsultimit dhe të adresimit të kërkesave të biznesit apo të grupimeve të caktuara që lidhen drejtpërdrejt me ju. Për këtë arsye ne do të kërkojmë që secili prej jush të angazhohet drejtpërdrejt përmes një procesi të brendshëm konsultativ që do të organizojë Drejtoria e Përgjithshme për të marrë drejtpërdrejt nga eksperienca juaj me biznesin, sugjerimet e nevojshme që do ta plotësojnë këtë ligj ashtu siç duhet.

Ne jemi në një kohë kur na duhet ta qendërzojmë informacionin që shkëmbejmë mes institucioneve. Është e domosdoshme që ky informacion i qendërzuar të vihet në jetë një orë e më parë për të bërë të mundur që tatimet, doganat, sigurimet shoqërore, INSTAT-i, strukturat e tjera, jo rastësisht po i ndaj posaçërisht ato që merren me kontrollin e aktivitetit të naftës p.sh. e me radhë, të jenë të gjitha të lidhura bashkë në nivel informacioni.

Së fundi, po kthehem përsëri tek fillimi të dashur punonjës të administratës tatimore;

Ju keni në dorë mundësinë e madhe që të kontribuoni duke jetuar përmes një pune të vështirë, të bukur dhe shumë të denjë për familjen tuaj, por keni në dorë të bëni shumë për familjen tonë të përbashkët, për Shqipërinë.

Kjo nuk është një parullë, por është vërteta e këtij momenti historik, kur duhet t’i japim jetë një transformimi historik në ekonomi, në shoqëri dhe padyshim në funksion të më të rinjve. Këtu ka shumë të rinj. Ka dhe të rinj që këtë e kanë punën e tyre të parë. Do t’ju kërkoja modestish që këtë ta konsideroni si një privilegj të madh për t’i shërbyer këtij vendi, duke i shërbyer çdokujt që bën biznes në këtë vend. Do t’ju kërkoja që këtë ta keni parasysh para se të dilni nga shtëpia në mëngjes, kur visheni për të shkuar në punë. Agjentë tatimorë, agjentë doganorë, inspektorë të shtetit shqiptar që paraqiten në dyert e kompanive, që paraqiten në dyert e dyqaneve, që paraqiten në mjediset publike, të palarë, të paveshur siç duhet, të pasjellshëm, janë turpi ynë i përbashkët.

Prandaj, nga këtu, duhet të fillojë qysh ditën e hënë puna e atyre që fillojnë punë për herë të parë, dhe nga këtu duhet të fillojë puna e çdo drejtuesi të çdo skuadre. Çdo skuadër që shkon për të shërbyer në teren në emër të shtetit, duhet të jetë fytyra e re që ne duam për Shqipërinë Europiane. Duhet të jetë mishërimi i një sjellje të re të një Shqipërie Europiane. Duhet të jetë rezultati i një vetëdije të përbashkët se ndryshimi i marrëdhënieve me biznesin në rastin tuaj, apo ndryshimi i marrëdhënieve me qytetarët në tërësi në rastin e çdo pike shërbimi të administratës është një arritje e munguar e shumë viteve dhe është një hendek i madh që na ndan ne me botën e qytetëruar, që na ndan ne me Shqipërinë e ëndrrave dhe të shpresave të çdokujt që jeton në këtë vend.

Ky popull ndër shumë fjalëve të mençura ka dhe një fjalë që mua më pëlqen shumë dhe që besoj duhet të jetë dhe deviza e administratës sonë: “Hallin që nuk ma zgjidh dot, të paktën ma qaj”. Që do të thotë se jo çdo problem i krijuar mund të zgjidhet siç do një tatimpagues. Ju nuk jeni këtu që çdo problem ta zgjidhni siç do një tatim-pagues, por jeni këtu që çdo problem ta zgjidhni siç do ligji. Por, në ndërkohë në rast se problemin nuk ia zgjidhni dot siç e duan, në rastin kur kërkojnë diçka që nuk bëhet, keni detyrimin që trajtimin e problemit ta bëni siç duhet, me mirësjellje, me durim dhe me atë etikë që duhet rrezatojë administrata jonë dhe që duhet të rrezatojë çdokush prej jush. E për ta bërë shumë konkrete, me të njëjtën mirësjellje, me të njëjtin durim, me të njëjtën etikë që nuk ju mungon asnjërit prej jush kur komunikoni me të afërmit tuaj, kur komunikoni me prindërit, kur komunikoni me fëmijët, kur komunikoni me motrat, me vëllezërit tuaj. Me atë seriozitet dhe dinjitet në veshje që keni sot apo që keni në çdo rast kur shkoni në një event të rëndësishëm. Çdo takim me biznesin është një event i rëndësishëm, sepse është pika e takimit me dikë që është shumë i rëndësishëm, që nuk është si gjithë të tjerët dhe që punon jo vetëm për vete, por punon edhe për të tjerët. Po nuk harruat këtë, keni bërë gjysmën e punës dhe keni lehtësuar gjysmën tjetër.

Ju faleminderit!

KOMENTE