English

Prishtinë. Arrestohet djali i Ibrahim Rugovës

Është arrestuar të mërkurën deputeti Ukë Rugova, djali i ish-presidentit të ndjerë të Kosovës Ibrahim Rugova. Ai dyshohet se në bashkëpunim me një grup prej disa personash ka kryer veprat penale të krimit të organizuar, mashtrimit dhe ushtrimit të ndikimit.

Burime jozyrtare bëjnë të ditur se Ukë Rugova dhe të tjerët dyshohen të jenë përfshirë në krime që ndërlidhen me shit-blerjen e vizave të ambasadës italiane për qytetarët e Kosovës.

Avokati i djalit të presidentit, Bajram Tmava ka konfirmuar për TCH se klientit të tij i është paracaktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh dhe se tashmë ai është transferuar në qendrën e paraburgimit në Prishtinë. Misioni evropian njoftoi për nisjen e aksionit dhe konfirmoi se të dyshuarve u janë bastisur shtëpitë.

"Sot në mëngjes ka filluar një operacion bastisjesh dhe arrestimesh ndaj një grupi personash të cilët dyshohet të jenë përfshirë në një grup kriminal i konsideruar përgjegjës për kryerjen e veprave penale të krimit të organizuar, mashtrimit dhe ushtrimit të ndikimit. Aksioni i policisë për kontrollin e shtëpisë së Rugovës nisi në ora 06:30 dhe ende po vazhdon”, thuhet në një komunikatë.

Përveç Ukë Rugovës, në aksionin e EULEX-it të mërkurën u arrestuan edhe dy shtetas të Shqipërisë, Edison Zeqiraj dhe Florian Petani, ky i fundit zyrtar në ambasadën italiane në Prishtinë.

Në mesin e të arrestuarëve është edhe shoferi i Ukë Rugovës, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe dy familjarë të tij. Për Izet Beqirin avokati Tomë Gashi tha se dyshohet se është i përfshirë në procesin e dhënies së vizës italiane në këmbim të një shume të hollash.

Pjesëtarë të policisë ndërkombëtare, të maskuar e te armatosur, po mbajnë të mbyllur rrugën në të cilën ndodhet shtëpia e Rugovës dhe të vetmit që mund të kalojnë janë fëmijët e shtëpive fqinje.

Përballë shtëpisë së Rugovës ndodhet rezidenca e ambasadorit zviceran në Kosovë, banorët e të cilës për shkak të pranisë së policisë dhe mediave nuk kanë lëvizur. Operacioni është pjesë e një hetimi të përbashkët me Policinë e Kosovës, thonë zyrtarët e EULEX-it.

KOMENTE