English

Rama: Të kthejmë studentin nga një klient, në një aktor. Dija nuk është mall dhe universiteti nuk është biznes

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin “Universitetet e Gjeneratës Tjetër”:

Përshëndetje të gjithëve!

“Në kohën e vjetër, kur veja unë në Harvard, pagesa në mot qe 150 dollarë. Besomëni, 4 vjet që ndenja atje në Harvard nuk pagova asnjë metelik. Paratë e para dhe vetëm kur u shkrova i pagova, përndryshe nuk mund të shkruhesha. Po me t’u shkruar, që u regjistrova, kërkova një hua, i mora prapë ato paratë që dhashë. Dhe që atëherë deri sa mbarova me një scholarship, se desh perëndia që markat t’i merrja gjithnjë “A” dhe rrallë zbrisja në “B””. Personi që ia mori paratë e paguara për regjistrim në formë burse Harvard-it, quhej Fan Noli.

Shqipëria, më pas, ka pasur edhe aktorë politikë edhe drejtues të lartë shteti që kanë qenë njerëz të ditur, mes shumë të pa diturve që, përgjithësisht, e kanë sunduar politikën. Njerëz të arsimuar që i kanë njohur mirë sistemet arsimore të vendeve të zhvilluara. Ndoshta, shembulli më kuptimplotë i një studiuesi të shquar, i cili ka punuar si drejtues që në vitet e para të pavarësisë, në periudhën e Mbretërisë dhe pasçlirimit, në Ministrinë e Arsimit, është ai i Aleksandër Xhuvanit. Por, fakti është se sistemi arsimor shqiptar, posaçërisht me t’u ballafaquar me sfidën e madhe të zgjedhjes së lirë, nuk arriti asnjëherë të jetë, qoftë edhe në lartësinë e atij të vendeve fqinje, për të mos folur pastaj për vendet e zhvilluara. Studiuesit e shquar, apo njerëz sidoqoftë të ditur, që ka qëlluar të drejtojnë arsimin shqiptar në vite dhe kanë dhënë edhe mësim në institucionet e arsimit të lartë nuk kanë arritur, fatkeqësisht, asnjëherë t’i japin drejtim sistemit arsimor, për ta përputhur atë në një kohë të arsyeshme me sistemet e efektshme, qoftë të vendeve përreth, qoftë të vendeve të Evropës ku duam të integrohemi. Kjo, ose sepse sistemi ynë ka qenë gjithnjë i udhëhequr nga diktati i politikës, ose ndoshta sepse politika ka qenë e aftë që edhe këta njerëz të aftë dhe të ndriçuar t’i bëjë si veten e vetë, sapo kanë marrë një detyrë për të bërë realitet ndryshimet e munguara.

Gjithsesi, unë besoj që ajo çfarë del sot si domosdoshmëri, për të bërë të mundur një cilësi ndërkombëtare dhe konkurueshmëri reale të sistemit arsimor shqiptar, është pikësëpari vendosja e një vije të qartë mes reformës së domosdoshme dhe aspak partizane, për të cilën ka nevojë sistemi, dhe llogoreve të partizanërisë politike. Është kjo arsyeja për ne, megjithëse erdhëm në qeverisje me një plan të qartë për reformimin e sistemit arsimor, nuk jemi ngutur, por kemi kërkuar, në radhë të parë, të mbledhim bashkë një grup ekspertësh sa më larg llogoreve të politikës dhe, njëkohësisht, sa më të ndryshëm në vokacionin e tyre, qoftë edhe politik, për të hapur një debat për reformën në arsimin e lartë. Një debat që, në radhë të parë, duhet të jetë debati i njerëzve të sistemit. Duhet të jetë debati i të gjithë atyre që, brenda sistemit, nesër do të duhet t’i jetësojnë reformat. Dhe, vetëm pasi ky debat të shtrohet dhe pasi të gjithë konsultimet të kryhen, ne do të ulemi në tavolinë e qeverisë për të vendosur mbi draftin e reformës, që do ta përgatisë ky Komision dhe me të cilin ne kemi marrë vendimin të jemi në raporte po aq të barabarta, sa ç’duhet të jenë dhe besoj do të jenë edhe aktorët e tjerë. Pra, pa ushtruar asnjë lloj imponimi dritëshkurtër dhe me qëllime afatshkurtra nga lart.

Pas marrjes së draftit, Qeveria do të bëjë dëgjesat e veta, me çdo aktor dhe grup interesi, për të verifikuar përputhshmërinë mes konceptit të draftit, artikulimit të reformës dhe qasjes së çdo aktori dhe grupi interesi, ashtu edhe sikundër për të shtruar objeksionet e veta, në qoftë se do të ketë të tilla. Vetëm pas kësaj, ne do të vendosim ta çojmë në Parlament projektligjin, që edhe aty, sigurisht, do t’i nënshtrohet një filtri institucional. Por, besoj, se kur vjen puna te reforma në arsim, të gjithë pa përjashtim biem dakord, nëse flasim sinqerisht dhe ndershmërisht, që gjendja është emergjencë kombëtare, për sa i përket cilësisë së arsimit të lartë dhe pastaj shanseve që i ofrohen atyre të cilët e kryejnë investimin për të marrë një diplomë. Sepse qëllimi ynë nuk është thjeshtë të bëjmë një reformë të arsimit të lartë. Mbase të tjerë, me të drejtën e tyre, mund të pretendojnë sot se e kanë bërë këtë reformë.

Qëllimi ynë është që reforma e arsimit të lartë të jetë pjesë e një procesi që duhet të lidhë dijen me tregun. Dhe është e qartë që pa bërë këtë lidhje, pazari i madh i shitblerjes së diplomave, që sot karakterizon arsimin e lartë, nuk mund të transformohet në një industri të prodhimit të dijeve, të rritjes së aftësive dhe të promovimit të vlerave. Qëllimi ynë është që me anë të një baze ligjore të diskutuar dhe të pranuar sa më gjerësisht, të sigurojmë një mënyrë të re konceptimi dhe funksionimi të arsimit të lartë shqiptar, për ta kthyer atë në motorin e zhvillimit afatgjatë ekonomik dhe social të vendit. Dhe jo siç është bërë sot, fatkeqësisht, një mur që rritet përditë në rrugën e zhvillimit. Qëllimi është të shfrytëzojmë eksperiencat më të mira, sepse të tilla ka, ka në sektorin publik, ka dhe në sektorin privat, për t’i bashkuar këto eksperienca dhe për të vënë një vijë të qartë ndarëse mes eksperiencës së mirë dhe përvojës së keqe, që prodhon pasoja shumë më të rënda sesa efektet që deri më sot ka arritur të prodhojë eksperienca e mirë.

Sigurisht, qëllimi është që ta kthejmë studentin nga një klient, në një aktor dhe në një faktor që kontribuon në këtë transformim dhe transformohet nga ky proces transformimi, në mënyrë që të realizojmë atë që duhet të jetë themeli i përbashkët i gjithë sistemit tonë arsimor; Të ndajmë dijen nga malli! Dija nuk është mall dhe universiteti nuk është biznes. Pikërisht për këtë, duhet të gjejmë kurajën të ndahemi përfundimisht edhe nga një eksperiencë që, praktikisht, e ka kthyer dijen në mall dhe universitetin në biznes, këtu nuk kam parasysh vetëm universitetet private, kam parasysh edhe universitetet publike, dhe të adresojmë drejtpërdrejtë një element shumë të rëndësishëm, kyç të kësaj reforme, që është financimi. Si të financohet sistemi ynë i arsimit të lartë. Skema e re e financimit, e domosdoshme, duhet të reflektojë një qasje të re mbi autonominë financiare dhe administrative dhe duhet të sigurojë, me patjetër, konkurrencën e lirë dhe të drejtë brenda sistemit, pa vendosur asnjë bonus që privilegjon publikun mbi privatin. Dhe, pa lejuar më privatin që të qenurit subjekt privat ta kthejë në të qenurit organizatë fitimprurëse.

Na duhet një reformë që të na japë instrumentet për tregues të matshëm të cilësisë së mësimdhënies, për tregues të matshëm të volumit e cilësisë së punës shkencore, për tregues të matshëm të inovacionit, brenda sistemit. Unë vetë nuk besoj dhe është besoj një mendim aspak minoritar, që ka ndonjë arsye për të mos i lejuar universitetet jopublike, në momentin kur privatet kthehen në jofitimprurëse, -ky është kuptimi i “jopublike”, - që të konkurrojë për të marrë mbështetje nga shteti për arsimin e lartë, mbi standarde që duhen matur rigorozisht dhe pa trajtuar njërin si të nënës dhe tjetrin si të njerkës.

Nga ana tjetër, universiteti publik, pa asnjë dyshim, me anë të një skeme të re financiare, përveçse do t’i krijojë vetes mundësi të shtuara, do të vendoset në pozicionin për të shmangur abuzimet, që janë karakteristikë fiziologjike e sistemit publik, fatkeqësisht, dhe nuk kanë të bëjnë, sipas meje, as me individë të caktuar, aq me parti të caktuara që ndërrojnë vendin nëpër karriget e pushtetit, duke përdorur tagrin që i jep autonomia dhe duke mos u kushtëzuar më nga politika. Pikërisht, për të ulur në maksimum efektin e drejtpërdrejtë shkatërrues të politikës së ditës mbi procesin e të jetuarit të sistemit të arsimit, që është, në fund të fundit, një sistem i ngritur për objektiva gjithnjë afatgjata, na duhet, me doemos, edhe një racionalizim i burimeve tona të financimit, duke racionalizuar mënyrën sesi qëndron në këmbë dhe sesi financohet, i gjithë sistemi i universiteteve rajonale apo edhe lokale, qofshin publike, qofshin private.

Ne besojmë se skema e financimit edhe në arsimin e lartë duhet të jetë instrument i barazisë sociale, që shton dhe konsolidon mundësitë, qoftë për grupet në nevojë, qoftë për më të talentuarit, po ashtu, sepse në këndvështrimin tim, është po aq në nevojë një i talentuar që nuk ka mundësi të financojë studimet e veta, sa ç’është në nevojë dikush që vjen nga një familje në nevojë dhe që ka një aftësi mesatare për të përballuar studimet e larta. Dhe, për sa i përket këtyre mundësive, unë do t’ju sillja në vëmendjen tuaj diçka që më ka bërë gjithmonë përshtypje, të thënë nga Presidenti Obama: “Unë jam sot këtu, para jush, vetëm për shkak të mundësisë që më dha arsimimi im”. E pra, arsimimi i lartë, duhet t’i takojë gjithkujt që e meriton, pavarësisht mundësive financiare, pavarësisht kushteve sociale dhe, sigurisht, pavarësisht të gjitha llojeve të lidhjeve që në Shqipëri janë të shumta dhe kanë efektet e tyre. Arsim të lartë jashtë meritës, unë besoj që nuk duhet të ketë. Sikundër, arsim të lartë që nuk garanton meritën, unë besoj që nuk mund të ketë. Dhe për këtë arsye, çdo hap i hedhur në rrugën e transparencës dhe informimit mbi cilësinë reale të universiteteve është në shërbim të barazisë së mundësive. Barazi mundësish për universitetet, barazi mundësish për studentët! Zhdukja e abuzimit apo e mundësive për abuzim në aplikimet e studentëve është, po ashtu, një domosdoshmëri që mund të përballohet, vetëm duke vendosur në themelin e punës tonë për këtë reformë, konkurrencën dhe meritën.

Prandaj dhe hapja e një debati mbi administrimin e aplikimeve për arsimin e lartë dhe shqyrtimi i mundësive të menaxhimit të tyre nga një institucion qendror, i pavarur, është me shumë rëndësi.

Padyshim, ne jemi të gjithë të vetëdijshëm që kërkimi shkencor, prej vitesh, vuan një degradim të skajshëm. Sikundër, prej vitesh, vuan një ulje drastike të vazhdueshme të burimeve mbështetëse. Ndërkohë që, sot, Evropa e bashkuar ka vendosur të spostojë nga buxheti i saj 80 miliardë euro për t’i vënë në dispozicion të kërkimit shkencor, duke konsideruar fillimin e një prapambetjeje në raport me Shtetet e Bashkuara dhe në raport me vetë Kinën. Mirëpo, nga ana tjetër, kushtet tona, sigurisht, nuk na lejojnë që të rrisim në masa aq të konsiderueshme sa do mund të përballonin nevojat për të mos vazhduar në tatëpjetën e kësaj prapambetjeje punën shkencore. E prandaj dhe për këtë ka vetëm një përgjigje; Reformë! Reformë të sistemit, për t’i dhënë sistemit mundësi që të jetë i gatshëm të përballojë edhe këtë sfidë. Në fakt, reforma në arsimin e lartë, koha ka treguar, nuk mund të ketë as largpamësi dhe as fat nëse bëhet e njëanshme. E, mbi të gjitha, nëse mbetet si shprehje e vullnetit sado të mirë të një force të vetme politike në qeveri.

Bota akademike, studentët, shoqëria civile, gjithë sipërmarrja private e angazhuar në këtë sistem, janë për këtë reformë po aq të rëndësishëm, secila më vete, sa ç’është edhe Qeveria. Prandaj kemi nevojë t’i bashkojmë idetë, t’i bashkërendojmë energjitë, t’i ndërthurim eksperiencat dhe mbi të gjitha të përafrojmë kundërshtitë, duke qenë të gjithë të vetëdijshëm se asnjëri prej nesh dhe asnjëra nga gjithë këto palë nuk mund të ketë monopolin e të vërtetës dhe as mund të imponojë një të vërtetë monopol. Po ndërtojmë një proces reforme për një sistem autonom, ku duhet të funksionojë sistemi i zinxhirit të llogaridhënies së çdo aktori. Dhe këtu nuk kam parasysh llogaridhënien e sistemit ndaj Qeverisë, por edhe llogaridhënien e Qeverisë ndaj sistemit, në formën e detyrimeve kontraktuale që përcaktojnë qartë se çfarë duhet të bëjë njëri, çfarë duhet të bëjë tjetri e tjetri, e kështu me radhë. Dhe, njëkohësisht, që përcaktojnë qartë përgjegjësitë dhe detyrimet e gjithsecilit, në raport me objektivin e përbashkët të një sistemi të lartë arsimor që prodhon dije, që rrit aftësitë e vendit, që garanton një politikë ekonomike afatgjatë, siç është arsimimi, dhe që siguron ndarjen përgjithmonë nga pazari oriental i diplomave.

Edhe diçka më tepër, lidhur me dy kantiere të mëdha që ne besojmë duhet të ngrihen për ta realizuar këtë reformë. Një kantier, përmes një grupi që të sigurojë nxjerrjen sa më objektive të të gjithë të dhënave dhe të gjithë problemeve që sistemi ka sot, në këtë gjendje, të para nga këndvështrimi i të gjithë palëve. Dhe, grupi tjetër për të orientuar procesin drejt të ardhmes, duke ngritur gjithë strukturën e reformimit, mbi domosdoshmërinë për të përputhur eksperiencat më të mira me realitetin ku jemi.

Shqipëria, sot, në bibliotekën e Kuvendit, po të shkosh dhe ta shohësh përmes ligjeve që ka miratuar është një nga vendet, me siguri, të përparuara të Evropës. Kush nuk e di që këto ligje i përkasin këtij realiteti dhe po t’i lexoj këto ligje në gjuhë të huaj, me siguri mendon që ky vend është një nga vendet e Bashkimit Evropian. Problemi është tek jetësimi. Dhe që kjo reformë të jetësohet deri në fund, ne as duhet të shpikim, por as mundet thjesht dhe vetëm të mjaftohemi me një tërësi qëllimesh të mira, të hedhura në letër, pa vlerësuar realitetin ku ndodhemi. Dhe, natyrshëm, reforma në arsimin e lartë s’mund të jetë e pandjeshme ndaj perspektivës sociale dhe teknologjike. Ashtu sikundër nuk mund të jetë një reformë që ngrihet jashtë informacionit për tregun e punës, jashtë informacionit për prioritetet e zhvillimit të vendit, jashtë informacionit për modelin e rritjes ekonomike të vendit dhe me radhë, një sërë elementesh që e bëjnë të domosdoshëm, në fund fare, një qasje që të përputhet me realitetin tonë. Sigurisht, unë i bashkohem Ministres, duke falënderuar profesor Gjonçajn, duke falënderuar gjithë të tjerët që kanë pranuar ftesën për t’u përfshirë në këtë Komision, duke falënderuar, që nga Rektori, tek profesorët me një eksperiencë legjendare në sistemin tonë arsimor, që vazhdojnë të jenë të gatshëm të japin kontributin e tyre, dhe tek të gjithë të tjerët. Dhe, besoj, që kjo eksperiencë dhe ndërthurja e saj në këtë Komision është një bazë shumë e mirë, në rast se gjithë së bashku do të ndërtojmë mbi të, në mënyrë konstruktive, duke u munduar t’i kuptojmë deri në fund arsyet e palës tjetër, apo e palëve të tjera, pa u përpjekur të imponojmë deri në fund arsyen tonë.

Nuk dua t’i hyj më thellë kësaj sfide, sepse këtu gjithkush është më i informuar dhe më i zoti se unë, por dua të shtoj vetëm diçka; Reforma jonë në arsim, jo vetëm në arsimin e lartë, sot bëhet në kushtet kur kemi hyrë në një cilësi të re në marrëdhëniet me Kosovën. Dhe, pa asnjë dyshim, ne nuk mund të bëjmë një reformë të papërputhur me realitetin e arsimit në Kosovë. Ne nuk mund të bëjmë një reformë që nuk parasheh integrimin e plotë të sistemit tonë arsimor për shqiptarët e Shqipërisë dhe për shqiptarët e Kosovës, si baza e përbashkët e rritjes dhe edukimit të gjeneratës tjetër të shqiptarëve evropianë, këtej dhe andej kufirit. Po kështu, dua ta rishpreh dëshirën që, në kuadër të kësaj reforme, jo vetëm të ketë një qasje kurajoze ndaj gjithë sistemit të kërkimit shkencor, që sot është në gjendje të mjerë, por edhe në këtë qasje të ketë ide dhe sugjerime sa më konkrete, për sesi edhe sistemi i kërkimit shkencor të jetë sa më i përputhur me sistemin e kërkimit shkencor edhe në Kosovë. Shpresoj që brenda një harku kohor që nuk duhet të jetë as 50 dhe as 20 vjet, por duhet të jetë shumë më i shkurtër, ne të kemi institucione ekselence, në disa degë dhe disa profesione, për të cilat hapësira shqiptare të mund të bëhet referencë, pavarësisht se në Shqipëri apo në Kosovë, qoftë edhe për sa i përket pastaj fushave të operimit në këto profesione dhe degë. Një hapësirë shqiptarë, në tërësi, me një popullsi kaq të re në moshë, s’ka pse të mos ketë synime të tilla dhe s’ka pse të mos kufizohet në ëndrrën e vetë. Dhe, në lidhje me këtë, dua thjesht dhe vetëm t’ju shpreh besimin tim të plotë që eksperienca është e mjaftueshme për ta bërë kapërcimin që është bërë i domosdoshëm.

Në mbyllje, dua të ndaj me ju një bindje aspak të veçantë, të gjithë pranuar, por që ne shpeshherë e harrojmë; Që pasuria më e madhe e çdo vendi, e padyshim dhe e vendit tonë, e mbase e vendit tonë më shume sesa e shumë vendeve të tjera që kanë shumë pasuri të tjetra që ne si kemi, është kapitali njerëzor i secilit prej qytetarëve tanë dhe, për temën që jemi mbledhur, i çdo fëmije, i çdo të riu që lind dhe rritet në vendin tonë. Dhe nuk mund të ketë një të ardhme ndryshe nëse investimi në këtë kapital themeltar nuk është i madh, nuk është i drejtë, nuk është i ndershëm. Deri më sot, fatkeqësisht, s’ka qenë as i madh, s’ka qenë as i drejtë, s’ka qenë as i ndershëm.

Duke i dhënë vetes, së bashku, të drejtën që të mendojmë në radhë të parë për ta bërë këtë investim të madh, të drejtë dhe të ndershëm, jam i bindur se i kemi dhënë njëri-tjetrit mundësinë për t’u mirëkuptuar më së miri dhe për të ecur së bashku në rrugën e një Rilindjeje të vërtetë të arsimit të lartë, në respekt të plotë të njëri-tjetrit dhe mbi të gjitha në funksion të forcimit real, qoftë të qeverisjes mbi arsimit, qoftë të mirëqeverisjes së arsimit, qoftë të autonomisë së institucioneve arsimore dhe qoftë të lirisë dhe të konkurrueshmërisë mes institucioneve arsimore. Duke lënë pas epokën kur në një ndarje publiku i nënës, privati i njerkës, u shkatërrua edhe ai i nënës edhe ai i njerkës, sepse u godit mu në zemër, pikërisht, kapitali ynë njerëzor.

Faleminderit.

KOMENTE