Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Reformë rrënjësore sistemit arsimor
English

Reformë rrënjësore sistemit arsimor

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me nxënësit e shkëlqyer për reformën në sistemin arsimor:

Mu kujtua kur filloi të fliste ministrja, se unë e kam njohur ministren si drejtore shkolle dhe zëvendësministren si nëndrejtore shkolle dhe sot njëra që ishte drejtore është ministre dhe tjetra që ishte nëndrejtore është zëvendësministre. Besoj që nuk ka asgjë më të mirë që mund të ndodhte, të paktën kur vjen fjala për nxënësit e shkollës së mesme, sepse si njëra, si tjetra vijnë nga një jetë relativisht e gjatë dhe intensive në komunitetin e shkollave të mesme, me nxënësit, me prindërit, me mësuesit dhe kanë një njohje jo vetëm racionale, por edhe një njohje emocionale, që është shumë e rëndësishme, posaçërisht kur është fjala për një reformë. Dhe kjo e maturës shtetërore është një reformë e domosdoshme dhe besojmë që sot mund ta themi me plot gojën, që kemi një dokument plotësisht të besueshëm për ta ndërmarrë këtë reformë dhe për të filluar të shikojmë vit pas viti, efektet pozitive të saj.

I kërkova ministres që ta bënim këtë takim, duke ftuar nxënësit e shkëlqyer, sepse gjithmonë kam pasur një respekt të veçantë për ata që fare të vegjël, në një realitet kaq të vështirë sa ç’është realiteti ynë, shkëlqejnë, pavarësisht pengesave, pavarësisht edhe vetë mjedisit që nuk është se e vlerëson vetiu shkëlqimin e dikujt, madje, përgjithësisht është për fat të keq, një mjedisi më shumë armiqësor sesa miqësor me suksesin.

Këto fjalë, të paktën kuptimin e këtyre fjalëve, se fjalët mund t’i kem thënë ndryshe, i kam thënë qysh kur kemi akorduar në Bashkinë e Tiranës, bursat e para për nxënësit me 10-ta dhe kisha përpara nxënës me 10-ta që nga më të vegjlit, tek ata që ishin në përfundim të shkollës së mesme dhe nuk do të çuditesha sikur ndonjë nga ata të vegjlit, që i kanë dëgjuar ato fjalë, sot janë këtu dhe i dëgjojnë prapë. Por ajo që dua të nënvizoj është se ne kemi nevojë t’i japim shumë më tepër vend meritës dhe të krijojmë shumë më tepër hapësirë për konkurrencën, pasi duke i dhënë shumë më tepër vend meritës e krijuar hapësirë për konkurrencën, do të kemi shumë më tepër sukses, jo thjesht individual, vetëm për ata që si shumë ndër ju këtu, pavarësisht kushteve, pavarësisht pengesave, pavarësisht sistemit që nuk i motivon, ia dalin të jenë të suksesshëm e të shkëlqejnë, por edhe të tjerë që në një sistem motivues janë shumë më pranë suksesit sesa dështimit.

Sistemi që ne kemi sot është një sistem që nuk motivon suksesin dhe që e fsheh dështimin. Pra, qoftë kush merr notën më të lartë, nuk merr edhe atë kënaqësi që i takon, jo thjesht në veten e tij dhe në familjen e tij, por edhe në mjedisin ku ai vlerësohet, qoftë edhe ai që dështon, nuk e merr vesh se ka dështuar, se kupton. Mirëpo moskuptimi i dështimit, që është baza e gjithë këtij sistemi, ka një pasojë katastrofike, që vjen më pas. Vjen më pas për individin, të cilit i ka kaluar koha për t’i bërë gjërat që bëhen kur je në shkollë, vjen më pas për shoqërinë që humbet vite të tëra dhe humbet breza të tërë nxënësish, duke fshehur çdo mundësi për të kuptuar dështimin.

Unë jam shumë mirënjohës që ju jeni këtu, jo thjesht se erdhët në një takim, por sepse jeni pjesë dhe përfaqësi e një kategorie njerëzish të posaçëm për shoqërinë tonë, në kushtet në të cilat shoqëria jonë ndodhet dhe në një përpëlitje ku Shqipëria sot gjendet, në rrugën e një përpjekjeje për t’u rimëkëmbur, por me shumë plagë dhe me shumë dëmtime në trup.

Ne jemi angazhuar që matura shtetërore të jetë një mundësi për secilin, por në të njëjtën kohë të jetë edhe një proces që fuqizon talentet, fuqizon vullnetet e forta, fuqizon meritën. Ashtu sikundër jemi shumë të vendosur që këtë reformë ta bëjmë të plotë, pa harruar, - ministrja e nënvizoi në mënyrë të detajuar, - se nuk mundet t’ju vëmë nxënësve që së shpejti do të kenë maturën e tyre, gjithë barrën e një trashëgimie shumë të vështirë. Që do të thotë, siç është në rastin konkret çështja e gjuhës së huaj, ne e konsiderojmë një absurd që gjuha e huaj prej kohësh është hequr si provim, por nga ana tjetër nuk mund të themi që qysh këtë herë të jetë një provim si gjithë të tjerët dhe të penalizojë që të gjithë, për shkak se, e përsëris atë që tha ministrja, nuk mund dot t’u themi nxënësve, ju nuk i keni bërë detyrat, ndërkohë që është qeveria që s’ka bërë detyrën e saj në vite, duke i lënë nxënësit në pamundësi për ta përballuar me sukses këtë provim.

Përmirësimet dhe risitë, ne do t’i sjellim hapa pas hapi, pa u ngutur, por pa u ndaluar në asnjë hap, duke ndjekur një plan që i jep fund një historie kaosi dhe improvizimesh, që i bëjnë politikanët, i bëjnë qeveritë, por i paguajnë një më një, nxënësit dhe familjet. Ashtu sikundër pastaj, i paguan të gjitha bashkë, shoqëria vetë.

Unë dua të ndalem tek një aspekt që e konsideroj shumë të rëndësishëm në këtë reformë, që ka të bëjë me dhënien fund të iluzionit se në këtë vend, të gjithë do të bëhen ekonomistë, juristë dhe inxhinierë. Të gjithë do marrin një diplomë universiteti dhe të gjithë do jenë me shkollë të lartë. Është një iluzion i krijuar nga nevoja për të mos u përballur me një problem shumë të madh, me një plagë shumë të thellë që, fatkeqësish, për shkak se nuk është përballur ndër vite, është zmadhuar dhe është thelluar, papunësia rinore. Për të mos u përballur me papunësinë rinore, politikanët kanë zgjedhur t’i çojnë të gjithë në universitet dhe të blejnë kohë dhe qetësi me paratë e prindërve që investojnë kursimet e gjakut të tyre, për t’ju dhënë fëmijëve maksimumin, duke e shtyrë për më pas përballen, me vizionin dritëshkurtër që, kur t’i vijë radha atij që do i duhet të përballet, të përballet, sa të jem unë në karrige, unë po e blej qetësinë dhe kohën me paratë e njerëzve, të cilëve po u propagandoj se Shqipëria është vendi ku të gjithë mund të shkojnë në universitet, të gjithë mund të bëhen ekonomistë e juristë dhe të gjithë mund të jenë nesër të lumtur, me një diplomë. Fakti është që sot, ju e dini shumë mirë, ne jemi duke i parë tanimë dhe duke i prekur pasojat e kësaj politike kaq dritëshkurtër.

Atëherë si do t’i japim fund këtij iluzioni? Nuk do të bëjmë asnjë shpikje. Thjesht do të mësojmë me përulësi nga eksperienca e të tjerëve, e atyre që janë më të zhvilluar se ne, e atyre që janë më me eksperiencë se ne, e atyre që janë në fund të fundit, modeli që ne ndjekim për Shqipërinë, në Europën e Bashkuar apo edhe po të doni, në rajonin tonë, ku nuk ka vetëm një korsi për nxënësit, korsia që të çon tek dera e juridikut apo e ekonomikut apo e inxhinierisë, por ka edhe një korsi tjetër. Korsia që të çon në rrugën e zanatit, që do të thotë në rrugën e arsimit profesional.

Ne kemi filluar të çelim zyrat e punës. Zyrat e punës janë një instrument që ne besojmë se do të ndihmojnë për të krijuar një pikëtakimi midis punëkërkueseve dhe në këtë rast, të rinjve punëkërkues dhe punëdhënësve, konkretisht sipërmarrjeve që kanë nevojë për të marrë njerëz në punë. Në një anë kemi një papunësi shumë të lartë, nga ana tjetër çfarë vëmë re? Në Zyrën e Punës në Tiranë, sot janë në dispozicion mbi 3 mijë vende pune. Si ka mundësi? Ka një arsye. Nuk janë vende pune për ekonomistë, nuk janë vende pune për juristë. Janë vende pune për njerëz të zanateve.

Çfarë vëmë re tjetër? Vëmë re se pjesa më e madhe, deri më sot, është një eksperiencë e re, do të shikojmë në vijim dhe jam i bindur se do të ndryshojë, e atyre që kanë përfituar nga Zyra e Punës janë shqiptarë si ju dhe si unë, që janë kthyer nga emigracioni, nga Italia, nga Greqia, të cilët kanë dy gjëra të ndryshme nga e përgjithshme këtu: E para, nuk kanë iluzione se mund të gjendet një punë e atillë që duke mos punuar të marrësh më shumë para sesa duke punuar dhe të rrish në kafe; E dyta, kanë zanatin që u përgjigjet kërkesave.

Ana tjetër e kësaj medaljeje është se duke u bërë të gjithë juristë dhe ekonomistë, çfarë ndodh? Shkatërrohet gjithë sistemi, që i jep mundësi atyre që janë realisht ekonomistë dhe juristë që të bëjnë ekonomistin dhe juristin, kur vjen puna në sektorin publik, por edhe kur vjen puna në sektorin privat, se diplomë për diplomë. Tjetër gjë pastaj, çfarë tregon koha.

Modeli që ne do të fusim me këtë reformë është ‘Matura-plus dy’.

‘Matura- plus dy’ ka të bëjë me arsimimin profesional. Pra, një pjesë, ata më të zotët, ata që kanë punuar më shumë dhe ata që kanë më shumë ambicie do të shkojnë dhe do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre akademik. Pjesa tjetër do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre për të marrë një zanat. Dhe për ta marrë këtë zanat si një instrument që të jetojnë përmes punës së tyre, jo thjesht dhe vetëm duke qenë çirak diku, por edhe duke hapur një biznes të vogël me zanatin e tyre dhe duke punësuar të tjerë, falë aftësisë së tyre në një zanat. Siç ndodh në ato vende, të cilave ne u referohemi dhe ku sigurisht nuk ka iluzione, nuk ka gënjeshtra të ngritura në sistem, s’ka blerje të kohës dhe të qetësisë në karrigen e pushtetit, me paratë e prindërve dhe me ëndrrat e të rinjve.

Kjo ndarje do të na japë hap pas hapi dhe vit pas viti, perspektiva të reja në të dyja planet. Të mos harrojmë për ata që, se ju sot jeni në prag të maturës dhe mbas 6 muajsh do të jeni në universitet, ne po bëjmë paralelisht reformën e arsimit të lartë. Pra, duam që të dyja këto reforma të jenë enë komunikuese me njëra-tjetrën dhe ky proces, i kalimit nga reforma si ligj në reformën si sistem në realitet, brenda 4 vitesh të fillojë të japi frytet e para dhe të hedhë bazën e re për 20-30-të vitet e ardhshme, në funksion të dijes dhe të tregut të punës.

Mund t’ju them pa dashur të dal në temë tjetër dhe pa ju humbur kohë, nga një raport i brendshëm i Departamentit të Administratës Publike, lidhur me nivelin e arsimimit të njerëzve që janë marrë në punë në administratë, apo që kërkojnë të hyjnë në punë në administratë, rezulton një situatë dramatike përsa i përket fluksit të jashtëzakonshëm të diplomave, të masterave, të doktoraturave, të marra nga të katër anët, të cilat nga njëra anë janë të barasvlershme ligjërisht, por nga ana tjetër janë treguesi më rrënqethës i shkatërrimit të të gjithë sistemit të meritës dhe të vlerave, të fituara përmes punës në gjithë rrugëtimin akademik. Unë nuk besoj që të ketë shtet në botë që të na konkurrojë për Doktor Shkencash për km/katror. Pa llogaritur masterat që jam i bindur, ne i kemi çdo 100/m2 në zonat e banuara, sepse zor të mendohet se në 100/m2 nuk gjen një me master. Edhe po të bashkosh dy shtëpi nga 50/m2, njëri patjetër është me master. Ku shkojmë? Kështu shkojmë drejt shkatërrimit. Drejt një shkatërrimi me pasoja që nuk i llogarisim dot.

Po të shikojmë grafikun e rritjes ekonomike të vendeve të Bashkimit Europian, në disa dhjetëvjeçarë, ka një gjë jashtëzakonisht interesante dhe të përbashkët, që shigjeta e rritjes në periudha të caktuara, për vende të caktuara, ka një ngritje të pazakonshme, që lidhet me një reformë në arsim. Pra, ky vend, nga ky vit deri në këtë vit, pësoi këtë rritje, sepse nga ky vit deri në këtë vit filloi të merrte produktet e kësaj reformë të posaçme në arsim. Që do të thotë në fakt, një reformë për të investuar në kapitalin njerëzor, në rritjen e kapitalit njerëzor, në fuqizimin e kapitalit njerëzor. Ndërkohë që ne flasim për rrugë, flasim për investime në gurë e në plloçë, të rëndësishme patjetër, por kemi lënë pas dore, për vite me radhë, në një mënyrë që nuk e ka bërë askush, investimin në kapitalin njerëzor. Flasim për burimet ujore, që i kemi vërtet pasuri të madhe si vend dhe kur vjen puna tek burimet njerëzore, që duhet të ishin pasuria jonë më e madhe, siç janë pasuria më e madhe tek çdo vend i vogël që bën sukses, ne kemi shterim marramendës.

Një tjetër e dhënë që lehtësisht mund të gjendet, për të gjithë ata që janë kuriozë, është që në krahasimin mes vendeve të të njëjtës madhësi gjeografike dhe në popullsi pak a shumë të pasura dhe të varfra, nuk janë më të pasur, ata që kanë më shumë, janë më të pasur ata që dinë më shumë. Nuk janë të varfër ata që kanë më pak, janë më të varfër ata që dinë më pak, në kuptimin e cilësisë së burimeve njerëzore.

E fundit që unë dua të them është që reforma në arsim është një reformë që, përgjithësisht, politikanët kanë tendencën ta shtyjnë, sepse nuk është një reformë që të jep rezultate të shpejta, të përkthyeshme elektoralisht. Madje është një reformë që shpesh herë krijon dhimbje të mëdha koke, sepse, kur bëhet fjalë për të ndryshuar sisteme, do të thotë të prekësh interesa, të këpusësh lidhje të vendosura dhe në fund të fundit, të prishësh një status quo, me të cilën shumë kush është mësuar. Edhe në këtë aspekt është e qartë besoj, se çfarë e dallon një vend të zhvilluar nga një vend i pazhvilluar: niveli i përgjegjshmërisë së politikanëve.

Ne besojmë që kemi detyrimin që jo vetëm të mos e shtyjmë më tutje këtë reformë, por ta konsiderojmë një reformë jetike për etikën e qeverisjes sonë, për raportin e qeverisë sonë me të vërtetat e këtij vendi dhe kësaj qeverie dhe në fund të fundit, për të përmbushur atë që është qëllimi ynë kryesor: që nuk është të rrimë sa më gjatë në karrige, duke e blerë kohën, madje, dhe qetësinë, në kurriz të njerëzve, por ta shfrytëzojmë kohën e qëndrimit tonë në detyrë, për aq sa e ka përcaktuar populli, për të bërë zgjedhjet e duhura politike. Kjo është një zgjedhje e duhur politike, të reformojmë rrënjësisht sistemin tonë arsimor. Të reformojmë rrënjësisht Maturën Shtetërore, të reformojmë rrënjësisht arsimin e lartë.

Niveli i pajtimit me gënjeshtrën ka arritur në atë pikë, ku një sistem i tërë arsimor është pajtuar me farsa, si farsa e Maturës Shtetërore. Kur fliste ministrja, unë shikoja mësues që tundnin kokën në shenjë pohimi që Matura Shtetërore ishte një farsë. Këtu nuk hyjmë të diskutojmë sesi ishte e konceptuar si Maturë Shtetërore, farsë më vete, por nuk e kam fjalën për këtë. E kam fjalën si implementohej ajo që thuhej, sa real ishte testi dhe sa reale ishte konkurrenca.

E pra, një gjendje gënjeshtre dhe vjedhjeje publike, kopje i thoni ju, vjedhje i themi ne, nga anët tona, në dëm të të gjithë shoqërisë, në kurriz të atyre që meritojnë jo thjeshtë të marrin 10-të se kanë mësuar, por edhe të dallohen tek të tjerët. Se, në fund të fundit, ç’u kuptua, 10-të kjo që dëgjon, 10-të ti që nuk dëgjon, apo jo? Nuk ka kuptim!

Unë jam shumë i bindur që kjo reformë do të jetë plotësisht e suksesshme dhe për një arsye tjetër, për arsye se është ndërtuar si një proces shumë i hapur dhe në formën e një dialogu shumë intensiv që është zhvilluar me të gjithë mësuesit. Kur them me të gjithë mësuesit, kam parasysh që gjithë sistemi e ka diskutuar ketë çështje, drejtorët rajonalë të arsimit e kanë marrë detyrën për të diskutuar me mësuesit, me nxënësit, me prindërit, për Maturën Shtetërore, mbrëmjen që ka mbaruar konkursi përzgjedhës.

Pas shpalljes së fitueses tonë në konkursin e Tiranës, unë, ministria dhe të gjithë drejtorët kemi qenë bashkë dhe një nga gjërat që kemi kërkuar ka qenë: Duhet të reformojmë sistemin. Ju keni detyrën që t’i bëni të gjithë pjesë të procesit të reformës, për të dëgjuar jo vetëm që fare nuk shkon, se kjo është pjesa më e lehtë, por edhe si e mendojnë nxënësit, si e mendojnë mësuesit, si e mendojnë prindërit, këtë reformë.

Sot këtu jemi mbledhur për Maturën Shtetërore, por një reforme më vete brenda sistemit shqiptar arsimor është teksti. Kjo është pjesë e tjetër e dhimbjes. Tekstit i kanë vënë një emër “altertekst” dhe duket sikur na kanë pritur në Europe, sapo i vunë emrin. Në fakt, alterteksti na largoi nga Europa me shpejtësi, nuk na futi në Europë. Duke u kthyer në një mekanizëm barbarie gjuhësore, shkencore, didaktike dhe çfarë të doni.

Pa harruar në fund, edhe korruptimin, se dihet botërisht se si bëhen, si blihen, si seleksionohen, si zgjidhen të gjithë ato “kërpudha”, që u jepen pastaj nxënësve dhe u thuhet: Zgjidhni tani dhe hajde gjejeni kush është me helm e kush pa helm, edhe mësuesve bashkë. Po kjo është një pjesë tjetër e reformës dhe për ketë do të diskutojmë gjerësisht me nxënësit, me mësuesit, sigurisht me të gjithë ekspertët, profesionistët, që i kemi takuar pjesë-pjesë dhe që nuk i besojnë veshëve, kur dëgjojnë se alterteksti edhe mund të vdesë një ditë. Kur them një ditë, edhe për këtë çështje nuk kam parasysh kushedi se kur, por s’kam parasysh as që nesër. Sepse nuk duam që me këtë proces t’i lëmë një barrë të pamerituar askujt, as nxënësve, as mësuesve dhe pa diskutim as prindërve. Edhe për altertekstin do të kemi jo një hap të vetëm, por disa hapa.

Si përfundim, ju falënderoj pa masë për gjithë këtë vëmendje, nuk e di sa e merituar ishte vëmendja juaj dhe sa ia vlejti durimi juaj, për të dëgjuar çfarë unë kisha për të thënë. Linditën mund ta dëgjonim edhe më shumë dhe jam i bindur se nuk do të mërziteshim. Unë s’dua që të dëgjoni edhe më shumë nga unë, thjesht se kështu i bie, meqë ky që po flet është Kryeministri, është edhe 198 centimetra dhe s’kemi ç’të bëjmë, do e dëgjojmë. Pastaj duhen respektuar edhe ata që dëgjojnë, por edhe ata që s’dëgjojnë. që nuk e di se si durojnë akoma dhe nuk kanë ikur. Megjithëse besoj që e di pse nuk dëgjon. E ka fajin ajo shoqja që ke në krah.

Shumë faleminderit.

KOMENTE