Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Zaptuesit e hapësirave publike mbushin edhe ish- Bllokun. Policitë luajnë ping-pong
English

Zaptuesit e hapësirave publike mbushin edhe ish- Bllokun. Policitë "luajnë ping-pong"

Trafiku në rrugët e Tiranës është bërë vërtet i vështirë dhe i padepërtueshëm. Nëse ecën në këmbë, sigurisht që është e lehtë për të arritur më shpejt në një takim pune, kafe apo drekë, por në qoftë se je me makinë, patjetër që do të vonohesh dhe s’do të arrish në kohë, sepse nuk ke ku të parkosh makinën. Jo se nuk ka vende, por sepse ato janë zaptuar, nga individë që kanë gjetur vetëpunësimin, duke bllokuar me arka, apo kuti kartoni, hapësirat publike buzë trotuareve. “Shekulli” e nisi dje vëzhgimin nga zona e ish- Bllokut, si një ndër zonat më problematike përsa i përket parkimit. Pothuajse në çdo rrugicë që shëtit gjeni trotuareve arka bosh.

Pronarët e këtyre arkave, janë njerëz të thjeshtë, të rritur e fëmijë, të bardhë e rom, që kanë zaptuar rrugën buzë trotuareve. Ata nuk paguajnë taksa, nuk e ndajnë fitimin me askënd, por thjesht udhëzojnë drejtuesit e makinave drejt një vendi të mundshëm për të parkuar. Sapo të hapësh derën e makinës ata vrapojnë të kërkojnë para, pasi të sigurojnë një vend parkimi.

Ndihesh në një pozitë, që nuk mund të largohesh pa paguar diçka, pasi ke siguruar një vend parkimi pas një sorollatje të gjatë. Por, të tilla vendqëndrime nuk gjen vetëm në zonën e ish-Bllokut, por edhe përballë Piramidës, te “Myslym Shyri”, te stadiumi “Dinamo”, te “Shallvaret” dhe në çdo rrugë kryesore, apo dytësore të Tiranës, ku nuk ka më hapësira publike, por vetëm të pushtuara, padrejtësisht.

Zaptuesit

“Shekulli” arriti të kontaktonte me disa prej këtyre personave për të kuptuar diçka më shumë lidhur me punën që bëjnë. Ata treguan se kjo është një punë me të cilën nxjerrin bukën e gojës, pasi nuk kanë një mundësi tjetër më të mirë. Lidhur me pagesën që ata kërkojnë si shpërblim për parkimin e gjetur, shumica e tyre shprehen se nuk kanë një çmim stabël, por përgjithësisht kërkojnë jo më pak se 200 lek.

Po me paratë që marrin ç’ndodh?A e ndajnë një pjesë të fitimit me Bashkinë? Ata janë përgjigjur se nuk mund ta ndajnë fitimin me askënd, pasi një pjesë e mirë e tyre mbijetojnë me ato lek. Shumica janë familjarë, disa të tjerë të rinj që duhet të çojnë bukën në shtëpi, por ka dhe fëmijë të cilët nuk kanë as mundësinë të shkollohen dhe si mënyrën më të mirë dalin në rrugë.

Qytetarët

Nuk është e vështirë të gjesh viktimat e parkimeve të zaptuara padrejtësisht. Dy prej tyre endeshin rrugëve të ish-bllokut për të gjetur një vend parkimi. Albion Nurellari është njëri prej djemve që pranoi të përgjigjej lidhur me këtë situatë dhe shprehu shqetësimin se ky nuk është një fenomen jo normal. “Është bërë e modës që sapo të zbresësh në tokë arrin të shohësh që drejt teje dikush po vjen të kërkojë para se të gjeti një vend parkimi që ‘e kishte ruajtur vetëm për mua’. Në këto kushte do apo nuk do je i detyruar ta paguash, pasi ekziston frika që pasi të kesh mbaruar punën për të cilën je nisur, mund të kthehesh dhe të gjesh makinën të gërvishtur.

Të them të vërtetën, kjo situatë nuk është e pranueshme, por ndodh që ndonjëherë kur punën e ke me të shpejtë arrin ta gjesh vendin e parkimit prej tyre”, u shpreh Albioni. Një tjetër qytetar me të cilin arritëm të flisnim ishte edhe Endrit Kërçani, i cili u shpreh ndryshe nga qytetari i parë. Ai u shpreh se kjo nuk është diçka normale. “Unë nuk mund të paguaj një vend parkimi pasi kjo është hapësirë publike dhe në një farë mënyre është e jona. Kjo nuk do të thotë që duhet ta zaptojmë dhe ta bëjmë tonën. Nëse pranoj këtë fakt, nesër do të më duhet të pranoj që dikush të vijë përpara shtëpisë sime dhe të më kërkojë para, që të parkoj makinën time. Kjo është diçka absurde dhe mendoj se duhen marrë masa të menjëhershme. Unë kurrë nuk kam paguar dhe nuk do të paguaj për një hapësirë publike që është e të gjithëve”, u shpreh Endriti.

Parkimet, përgjegjësi e Policisë Bashkiake

Policia e Shtetit e sheh si problem shqetësues çështjen e hapësirave publike

Pasi morëm një përgjigje nga Policia Bashkiake për normalizim të situatës, duhej patjetër të sillnim edhe një deklaratë nga Policia e Shtetit, pasi drejtori i Policisë Bashkiake, u shpreh se ky fenomen mund të zgjidhet në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Për të qenë sa më transparentë me të dyja palët qoftë me policinë, qoftë me qytetarët, burimet nga Policia e Shtetit na bënë me dije se: “Kjo është një përgjegjësi vetëm e Bashkisë së Tiranës, pasi zbatimi i hapësirave publike është drejtpërdrejt përgjegjësi e Policisë Bashkiake. Bashkia e Tiranës ka 300 forca policie dhe kjo është një forcë e madhe që u jep mundësinë të menaxhojnë këtë fenomen shqetësues.

Madje, Policia e Shtetit e cilësoi të pafalshëm prononcimin e Drejtorit të Policisë Bashkiake Vullnet Topallit. “Policia e Shtetit ka shumë fusha më të rëndësishme për t’u marrë dhe nuk është në mënyrë absolute përgjegjësi e saj. Çdo gjë që ka lidhje me zaptimin e territoreve publike, sigurisht që bie drejtpërdrejt mbi Bashkine e Tiranës. Një rast konkret është edhe bllokimi i trotuareve me karrige dhe tavolina, të cilat janë shqetësuese për qytetarët, por Bashkia e Tiranës nuk ka mundur ta zgjidhë as këtë gjë. Kjo është një situatë shqetësuese qoftë në imazh, qoftë në sistemin e pandëshkueshmërisë, por në të njëjtën kohë edhe për qytetarët, të cilët duhet të paguajnë një hapësirë që është publike”, u shprehën burimet nga Policia e Shtetit.

Vullnet Topalli: Presim bashkëpunim me Policinë e Shtetit

“Shekulli” kontaktoi edhe me personat, që, në mënyrë zyrtare, mund t’i jepnin përgjigje aktualitetit tronditës të arkave në rrugë. Sigurisht, që nuk do të donim t’i linim drejtuesit e mjeteve në kryeqytet pa përgjigje, ndaj edhe kontaktuam me drejtorin e Policisë Bashkiake, Vullnet Topalli. Pasi ia bëmë të ditur problemin, që sigurisht ishte në dijeni ai u shpreh: “ Ata janë disa fëmijë të papërgjegjshëm, të cilët jemi munduar t’i ndalojmë disa herë. Para disa ditësh, i kam dërguar një letër Policisë së Tiranës dhe shpresoj se gjendja do të normalizohet shumë shpejt. Policia Bashkiake çdo ditë përballet me këtë fenomen, por në segmente të ndryshme paraqiten fëmijë, të cilët abuzojnë me qytetarët në këtë lloj mënyre. Ky fenomen mund të eliminohet vetëm në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Ne kemi pasur edhe raste që janë shoqëruar në komisariat, por jam i bindur që do të eliminohen pas shkresës që kam çuar në Policinë e Tiranës”.

Kjo ishte deklarata që u bë nga drejtori i Policisë Bashkiake Vullnet Topalli. Në fakt kjo nuk është hera e parë që ky shqetësim ngrihet, pasi “Shekulli” e ka trajtuar edhe herë të tjera këtë fenomen, por ka rënë në vesh të shurdhët. Policia Bashkiake e ka më të lehtë të merret me këta persona, të cilët shkaktojnë shqetësim te qytetarët, se sa të merret me çështje të cilat janë shumë më të vogla. Mesa duket më e rëndësishme për ata është të heqin nga trotuari fshatarët, të cilët shesin fruta-perime, që shesin produktet e tyre, se sa të merrem me individë të papërgjegjshëm që bllokojnë hapësirat publike, zhvatin qytetarët dhe, nëse nuk marrin paratë, ua dëmtojnë edhe makinat.

Qytetarët vazhdojnë ende të paguajnë thuajse kudo ku qëndrojnë. Edhe pse e dinë fare mirë që vendi në të cilin ata kanë parkuar është një vend ku lejohet parkimi, kundrejt asnjë pagesë, sipas Bashkisë së Tiranës. E në pritje për të gjetur pak hapësirë të lirë në kryeqytet, pa paguar një shumë të caktuar, do të jemi edhe në pritje të një reagimi që vjen nga Policia Bashkiake apo nga struktura të tjera të Bashkisë së Tiranës, pasi premtuan që kjo situatë do të zgjidhet.

KOMENTE