English

Bankat nuk do të presin më 9 muaj për sekuestrimin e kolateraleve, por 6 muaj

O. Manjani - Shtrëngohet laku për klientët që nuk paguajnë këstet e kredive. Bankat nuk do të presin më 9 muaj për të proceduar me përmbarimin për sekuestrimin e kolateraleve, por ky afat do të shkurtohet në 6 muaj. Në draft planin ekonomik të qeverisë është parashikuar ristrukturimi i kredive dhe ulja e afatit në 6 muaj, nga 9 muaj që ishte. Këto janë dy masat kryesore që do të shpëtojnë sistemin bankar nga numri i lartë i kredive me probleme.

Klasifikimi i kredive me probleme

Në projektin e Ministrisë së Financave saktësohet se, për të adresuar dukurinë e rritjes së kredive me probleme, ndryshimet rregullative mundësojnë: ristrukturimin e kredisë që në fazën kur ajo kategorizohet si kredi e rregullt, por kur kredimarrësi nis të shfaqë problemet e para në pagesën e kredisë. Qëllimi është që, me kushtet e reja të kredisë pas ristrukturimit, të ruhet aftësia paguese e kredimarrësit dhe cilësia e kredisë. Kjo kredi do të vijojë të klasifikohet si kredi e rregullt (në dy klasat e para të kategorizimit), por do të kërkojë një normë provigjionimi më të lartë, prej 10% dhe uljen në 6 muaj nga 9 muaj, (derisa kredimarrësi të ketë paguar tri këste të kredisë) të periudhës kohore në të cilën kreditë e risktrukturuara mund të kthehen në kredi standarde. Me fjalë të tjera, kur kredimarrësi arrin të paguajë tre këste mujore rresht, ajo do të quhet kredi e rregullt.

Qeveria fshin kreditë e këqija të biznesit

Pranë Bankës Shqipërisë ndodhet regjistri me historikun e të gjithë kredimarrësve, ku kanë pasqyruar të dhënat për masën e kredive, ecurinë në shlyerjen e saj, klasifikimi i huasë dhe klientit. Bankat e nivelit të dytë që operojnë në vend marrin të dhëna nga ky regjistër para se të miratojnë kërkesat për kredi për çdo aplikant dhe në bazë të historikut vendosin në lidhje me pranimin ose refuzimin e kërkesës për kredi. Ministria e Financave po harton një listë të bizneseve që do tu shlyejë detyrimet, të cilën do ta dorëzojë pranë Bankës e Shqipërisë. Në bazë të kësaj liste, kredimarrësit ndaj të cilëve është debitore qeveria, do të fshihen nga lista e kredive të këqija dhe do tu jepet mundësia për tu financuar sërish nga bankat. Ndryshimet janë përfshirë në planin e qeverisë për vitin 2014, në të cilin është parashikuar edhe shlyerja e pjesës më të madhe të detyrimeve ndaj biznesit, e cila do të çlirojë zinxhirin e borxheve dhe do të rrisë aftësitë paguese të bizneseve.

Ndryshimi i kërkesave

Ndryshimi i kërkesave për kapital lidhur me rritjen vjetore të stokut të kredisë dhe të fluksit të investimeve të sektorit bankar me subjektet jorezidente, janë me natyrë kundërciklike, të përkohshme dhe do të shtrijnë efektin e tyre për periudhën 2013 - 2014. Nëse Banka e Shqipërisë nuk vendos ndryshe, me një vendim të posaçëm, këto ndryshime do të shfuqizohen me përfundimin e periudhës së sipërpërmendur, dhe bankat duhet të sigurojnë përputhshmërinë me kërkesat e kuadrit rregullativ ekzistues deri në qershor 2015. Ky mekanizëm vlerësohet i rëndësishëm për të ruajtur te bankat kërkesën për një kreditim të kujdesshëm dhe veprimtari të mirëkapitalizuar. Rritja e stokut të kredive me probleme ka nxjerrë nevojën për një proces të fshirjes së kredive të humbura. Megjithatë, ky proces, si dhe volumi i kredive të humbura, të fshira nga bilancet e bankave, kanë qenë modeste për shkak të përcaktimit të paqartë të borxhit të keq nga ana e legjislacionit tatimor në fuqi, i cili nuk parashikonte zbritjen nga shpenzimet për qëllime fiskale për këto shuma. Banka e Shqipërisë ka propozuar disa ndryshime në aktet nënligjore, për një përkufizim më të saktë të borxhit të keq, i cili pas negociatave është marrë në konsideratë nga ministri i Financave dhe ndryshimi është reflektuar.

Shkaqet

Rënia e cilësisë së kredisë gjatë vitit 2012, u shoqërua me ngadalësim të ndjeshëm të ritmit të kredidhënies. Duke qenë se këto dy prirje përforcojnë njëra-tjetrën, Banka e Shqipërisë e ka konsideruar të rëndësishme ndërmarrjen e disa masave për të nxitur bankat drejt kreditimit dhe angazhimit në ristrukturime më të hershme të kredisë (këto masa janë në fuqi që prej muajit maj 2013). Më konkretisht, për të nxitur kredidhënien, ndryshimet rregullative parashikojnë: heqjen e kërkesave për kapital për rritjen vjetore të stokut të kredisë për ekonominë, nëse ajo është midis 4%-10%, rritjen e kërkesave për kapital për shtesën e investimeve të sektorit bankar me institucionet financiare jorezidente dhe uljen e përgjithshme me 5 pikë përqindje të kërkesës rregullative për nivelin e raportit minimal të likuiditetit në total, për lekun dhe për valutën, në krahasim me nivelin ekzistues sipas profilit të rrezikut të bankave. Megjithatë, vazhdon të mbetet në fuqi një përqasje rregullative më e kujdesshme për bankat greke.

Shlyerja e borxheve, ul numrin e kredive me probleme

Hyjnë në fuqi vendimet e qeverisë për miratimin e strategjisë së shlyerjes së detyrimeve të prapambetura dhe për kriteret e dhënies me qira të pasurive shtetërore. Strategjia e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura parashikon që brenda të tre viteve të ardhshme qeveria të paguajë mbi 72 miliardë borxhe ndaj sektorit privat. Sipas strategjisë, pothuajse gjysma e kësaj shume do të paguhet në vitin 2014. Strategjia përcakton procedurat për kontrollin, verifikimin dhe rakordimin e të gjitha pagesave të prapambetura si edhe hartimin e masave për të shmangur krijimin e detyrimeve të reja në të ardhmen. Radha e pagesave do të ndjekë parimin e kohës së krijimit të detyrimit financiar, detyrimet më të vjetra tek ato më të reja, sipas datave të dorëzimit, vlerësimit dhe aprovimit nga institucionet, të dokumentacionit përkatës. Agjencia e Prokurimit Publik për t’u siguruar që përpara nisjes së procedurave të prokurimit, çdo urdhër prokurimi i autoriteteve kontraktore të jetë i vulosur nga degët e thesarit ku ushtron aktivitetin njësia e qeverisjes së përgjithshme. Kjo provon që çdo proces tenderimi bazohet në fonde buxhetore të miratuara dhe në dispozicion të njësisë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për identifikimin dhe vlerësimin e pretendimeve për rimbursimin e TVSH-së dhe tepricës kreditore të tatimit mbi fitimin. Gjatë procesit, Ministria e Financave do të mbikëqyret nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, bazuar në një marrëveshje institucionale, si dhe nga një audit ndërkombëtar për të siguruar procesin dhe publikun mbi transparencën dhe paanësinë e kryerjes së procedurave të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura.

Huatë me probleme

Një pjesë e rritjes së huave të këqija në sektorin bankar në disa prej viteve të fundit mund t’u atribuohet detyrimeve të prapambetura të qeverisë. Dhënia e shërbimeve publike në disa raste është ndalur plotësisht pasi furnitorët kanë ndërprerë zbatimin e ndërtimit në projektet e investimeve për shkak të mospagesave, duke rezultuar në degradimin e disa investimeve, veçanërisht në sektorin rrugor. Së fundmi, në rastet e vonesave të pagesave të asistencës sociale ka një ndikim të drejtpërdrejtë në shtresat më të pambrojtura të shoqërisë, të cilat vuajnë si pasojë e vonesave në pagesat e përfitimeve. Për pasojë, zhvillimi dhe zbatimi i një strategjie për eliminimin e pjesës së detyrimeve të prapambetura dhe ndërmarrja e masave për të parandaluar akumulimin e mëtejshëm në të ardhmen do të jetë një hap i rëndësishëm i përpjekjeve të qeverisë për të rikthyer ekonominë te një rritje e fuqishme në të mirë të të gjithë qytetarëve brenda një periudhe afatmesme dhe afatgjatë, si dhe për të ndërtuar një marrëdhënie të re partneriteti.

Tabela

Detyrimet e prapambetura miliard lek

Detyrime për projekte investimesh 24.6 miliardë lekë

Detyrime për mallra dhe shërbime 5 miliardë lekë

Rimbursim i TVSH-së 12.84 miliardë lekë

Rimbursim i tepricës kreditore të tatimit mbi fitimin 10 miliardë lekë

Detyrime për vendime gjyqësore ndërkombëtare 1 miliardë lekë

Të tjera (vendime gjyqësore, shpronësime publike 19.13 miliardë lekë

TOTALI 72.57 miliardë lekë

Kryerja e pagesave

Pagesat për subjektet kontraktore do të bëhen pas njoftimit zyrtar nga DPT-ja dhe DPD-ja për detyrimet tatimore

1. Të gjitha pagesat do të kryhen nëpërmjet sistemit të thesarit me transfertë të vlerës totale të detyrimit në llogarinë bankare të subjektit/individit.

2. Në rastet kur subjekti tatimpagues figuron me detyrime tatimore ndaj administratës tatimore qendrore, pagesa do të kryhet nga thesari për totalin e detyrimit financiar të prapambetur duke përdorur një nga mënyrat si më poshtë vijon:

3. Pas dhënies së garancisë bankare për shlyerjen e detyrimeve tatimore nga ana e subjektit tatimpagues;

4. Transfertë në një llogari bankare kundrejt konsensusit për shlyerjen e detyrimeve tatimore, të shprehur me një marrëveshjeje midis Ministrisë së Financave, subjektit tatimpagues dhe

5. Bankës së nivelit të dytë ku ka llogarinë subjekti. Shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndërmjet kompanive në sektorin e energjisë

Përparim Spahiu

Anëtari i Komisionit të Ekonomisë

Kështu shpëton biznesi nga zinxhiri i borxheve

Anëtari i Komisionit të Ekonomisë, Përparim Spahiu, vlerëson nismën e qeverisë për shlyerjen e borxheve ndaj biznesit, duke e cilësuar atë si një nga mënyrat më të mira në kushtet që ndodhet ekonomia shqiptare për ulur numrin e kredive me probleme dhe për çliruar sistemin e kreditimit në bankat e nivelit të dytë.

Si e vlerësoni strategjinë e qeverisë për shlyerjen e borxheve ndaj biznesit. A do të ndikojë ky vendim në uljen e numrit të kredive të këqija?

Është e vetmja rrugë që mund ta ndihmojë biznesin për të shpëtuar nga zinxhiri i borxheve. Shpresojmë që pagesat të fillojnë sa më parë, që edhe rezultatet që do të japin për ekonominë të jenë të shpejta.

Kjo masë e qeverisë a do të ndikojë në çlirimin e kreditimit?

Nëse presim rritje ekonomike dhe shlyejmë borxhet, patjetër që biznesi do të çlirohet, do të fillojë të lëvizë, të investojë, edhe bankat do të jenë më të predispozuara për të kredituar.

Shlyerja e borxheve të prapambetura dhe çlirimi i zinxhirit të borxheve, a është motivim për bankat?

Bankat duhet të kenë më shumë besim që të rrisin kreditin, megjithatë do të varet edhe nga klima e biznesit. Shlyerja e borxheve është një shtysë shumë e madhe për ekonominë e vendit./Shekulli/

KOMENTE