Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kryeministri, Edi Rama takim me biznesmenët turq(VIDEO)
English

Kryeministri, Edi Rama takim me biznesmenët turq(VIDEO)

Kryeministri, Edi Rama duke folur në një takim me biznesmenët turq që investojnë në vendin tonë, u shpreh se ka ardhur koha që ekonomia e Shqipërisë të rritet duke sjellë punësim. Rama tha se synimi i qeverisë së majtë është që në fund të mandatit 4-vjeçar niveli i rritjes ekonomike të shkojë në 4%.



Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në takimin me investitorët turq:

Ky takim është vërtet një moment për t’u shënuar. Jo sepse kështu duhet thënë për zakon apo për formalitet diplomatik, por sepse këtu në këtë sallë janë mbledhur investitorë dhe partnerë strategjikë të ekonomisë së vendit, bashkë me një grup deputetësh, të cilët kanë marrë përsipër të shoqërojnë gjithë procesin e përpjekjeve për investime dhe për realizimin e investimeve në Shqipëri në mënyrë të formalizuar. Që do të thotë që, përmes këtij grupi deputetësh, të gjithë ju dhe të gjithë kolegët tuaj apo koleget, sipërmarrës në Shqipëri do të kenë mundësi të adresojnë çdo problem dhe pa dyshim edhe çdo sugjerim me interes për ligjvënësit shqiptarë, në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të klimës sw biznesit në Shqipëri dhe të lehtësimit të vazhdueshëm të çdo sipërmarrjeje nga barra e burokracisë, apo ende më keq e zvarritjeve të pajustifikuara që janë një pengesë shumë e rëndësishme që duhet ta kapërcejmë të gjithë sëbashku.

Ne këtu kemi përfaqësues nga shumë sektorë të ekonomisë së vendit dhe padyshim që prania juaj, për ne ka një domethënie të dyfishtë. Nga njëra anë, domethënien e një force, që ne duam ta shfrytëzojmë maksimalisht, në të mirë të zhvillimit të vendit dhe që është këtu në Shqipëri e pranishme. Nga ana tjetër, domethënien e pranisë suaj në Shqipëri si një mesazh për botën e sipërmarrjes turke, si një mesazh kuptimplotë për mundësinë e investimit në Shqipëri, për mundësinë e realizimit të një historie suksesi në Shqipëri.

Në këtë kuptim, unë bashkohem plotësisht me atë që tha më parë kryetari i këtij grupi, Blendi Klosi; Ne ju konsiderojmë të gjithëve ju ambasadorë të vendit tonë dhe promovues të imazhit të duhur për vendin tonë, në sytë e sipërmarrjes turke, në tërësi.

Marrëdhënia e Shqipërisë me Turqinë është një marrëdhënie historike, jo vetëm në sajë të afërsisë gjeografike apo kulturore mes të dy vendeve. Wshtë një marrëdhënie e shtrirë në shumë vite. Wshtë një marrëdhënie që lidhet me faktin e thjeshtë se të dy vendet kanë luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e njëri-tjetrit, siç na e kujton shpesh edhe kinematografia, edhe letërsia, edhe referimi në dokumentet e kohës së njërit vend apo tjetrit.

Ne kemi qenë me kohë, qysh se ishim në opozitë, të bindur se, pavarësisht se marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Turqisë ka qenë gjithnjë e mirë, ka pasur nevojë dhe ka nevojë për një përmasë të re, të mirëstrukturuar dhe strategjike të saj. E, për këtë bindje, ne jemi investuar qysh në krye të herës dhe do vazhdojmë të investohemi fuqimisht, përmes jush padyshim, përveçse përmes gjithë kanaleve të tjera të komunikimit natyral mes dy vendeve, në mënyrë që historia e rimëkëmbjes ekonomike të Turqisë dhe shndërrimi i saj në një nga fuqitë e mëdha ekonomike të botës, brenda një periudhe kohe, relativisht shumë të shkurtër, të përbëjë jo vetëm një shembull për t’u ndjekur nga larg, por një shembull për t’u marrë e për t’u jetësuar në realitetin e vendit tonë.

Me këtë bindje, ne kemi bërë shumë në këtë periudhë të parë të qeverisjes sonë, për t”i vlerësuar e për t’i thelluar në drejtimin duhur këto marrëdhënie.

Takimet tona në të gjitha nivelet kanë konfirmuar se ekziston mundësia, ekzistojnë hapësirat dhe ekziston edhe predispozita që bashkëpunimi mes nesh të marrë një përmasë të re dhe të panjohur më parë. Shumëkush nga ju, në fakt jeni pionierët e këtij bashkëpunimi. Sipërmarrjet tuaja janë gurët e themelit, të vendosura në kohë, për të vazhduar të ndërtojmë një urë sa më të fortë dhe sa më të gjerë, për të bërë të mundur që ky bashkëpunim të sjellë sa më shumë përfitim reciprok.

Ju i keni paraprirë në kohë të tjera, edhe në kohë të vështira, një lidhjeje logjike mes dy vendeve tona, që kanë shumë ngjashmëri, por më lejoni ta them, që sot, në këtë moment të caktuar të historisë sonë të zhvillimit ekonomik, e bëjnë shumë të rëndësishme Turqinë si pikë referimi, sepse në shumë aspekte, sigurisht në shkallën modeste të madhësisë e problematikës së vendit tonë, ekonomia jonë ngjan me ekonominë e Turqisë në startin e rimëkëmbjes së vet spektakolare.

Struktura e ekonomisë sonë, struktura e organizimit tonë institucional për qeverisjen ekonomike të vendit, jo vetëm ngjan, por i bën lehtësisht të kuptueshme masat e marra më parë në vendin tuaj, për t’i hapur rrugë atij zhvillimi, që u bë i admirueshëm për gjithë botën, në Turqi.

Sot, sigurisht që biznesi turk është shumë i përfaqësuar dhe siç e thonë edhe shifrat, edhe pse ne do të donim dhe aspirojmë të kemi shifra shumë më të larta, megjithatë, financiarisht shumë i pranishëm, por kjo nuk do të thotë se ju nuk keni arsye për t’u ankuar. Përkundrazi edhe ju, ashtu sikundër edhe të tjerë, investitorë të huaj nga të tjera vende, keni të gjitha arsyet që të shprehni pakënaqësi dhe të këmbëngulni që shumëçka, që është mbartur në kohë si një problem që pengon ecurinë normale të një sipërmarrjeje, të zgjidhet.

Ne jemi dëshmitarë edhe situatash jashtëzakonisht të vështira për disa prej jush. Situata që kanë shkuar deri në pika konflikti, jo për shkakun tuaj, por për shkak të mungesës së mbështetjes, të qëllimshme apo të paqëllimshme, të strukturave të shtetit për të garantuar sigurinë ligjore dhe rendin ligjor ekonomik për investimet tuaja. E prandaj, kemi nxitur këtë proces dhe ndaj jemi këtu sot. Dua ta falenderoj nga zemra, edhe ambasadorin, që qysh në fillim e ka mirëkuptuar këtë qasje të re tonën, për të krijuar një hapësirë të përbashkët, ku të mund që gjërat t’i shkëmbejmë hapur, e në të njëjtën kohë, sistematikisht, për të mos i lënë rastësisë dhe kohës që të akumulojnë probleme pas problemesh, për ta bërë deri edhe të pamundur, jetën e një investimi në Shqipëri.

Kemi analizuar me kujdes aq sa na është dhënë mundësia situatën e përgjithshme për investitorët e huaj në Shqipëri. Kemi komunikuar me përfaqësues të nderuar të komunitetit tuaj, për të kuptuar drejtpërdrejt se cilat janë problemet që ju shqetësojnë më shumë, por edhe se cilat janë sugjerimet që ju bëni për t'i adresuar këto probleme. E meqë kemi pasur privilegjin të votohemi që t'i adresojmë problemet, afër mendsh, e konsiderojmë pjesë e domosdoshme dhe ndër më të rëndësishmet të punës sonë, për të ndërtuar këtë urë komunikimi të vazhdueshëm me ju dhe për të ndihmuar sa më shumë që problemet tuaja të zgjidhen.

Nuk i dimë të gjitha dhe nuk pretendojmë që të bëhemi zotërues mbi të gjithë dijen për gjithë problematikën e sipërmarrjes së huaj në Shqipëri, por me siguri dimë disa nga problemet kryesore.

Rimbursimi i TVSH-së është një problem i mbartur në kohë që del në pah si një problem kryesor jo vetëm nga ju, por edhe nga gjithë sipërmarrësit, të huaj e vendas. Ne jemi zotuar që t'i qasemi këtij problemi me vullnetin që ta zgjidhim. Të kalojmë nga një periudhë barbarie, kur rimbursimi i TVSH-së ishte tërësisht subjektiv dhe korruptiv, në një periudhë të re ku ai të bëhet automatikisht nëpërmjet thesarit, duke siguruar që gjithkush të marrë atë që i takon dhe që shteti thjesht të bëjë kalimin automatik të kësaj të drejte, pa mundur më që të abuzojë me këtë të drejtë, për të gjitha ato arsye të mosarsyes, që ka abuzuar gjithë këto vite.

Faturat e papaguara nga shteti për shërbime të kryera dhe kontrata të nënshkruara më parë janë po ashtu një problem i madh, i mbartur, gati-gati një vijë sjelljeje e kthyer në traditë, që na ka çuar në kushtet e një situate të rrezikshme për ekonominë tonë dhe për
financat e vendit tonë, si ajo që gjetëm kur erdhëm në qeveri.

Për këtë arsye, qysh në fillim jemi zotuar dhe kemi vendosur me ligj që çdo pagesë nuk do të vonohet më shumë sesa dy muaj dhe ndërkohë, shteti nuk do të angazhohet për para që nuk i zotëron, siç ndodhte rëndom, që për një vepër që kushtonte miliona euro, shteti angazhohej mbi bazën e një plani euforik të ardhurash dhe duke pasur në arkën e vet, thjesht disa miliona lekë të vjetra. Mw pas duke ia ngarkuar kompanive barrën që të vazhdojnë vetë me paratë e tyre, të marra kredi nga bankat duke treguar kontratën me shtetin si garanci dhe duke na sjellë në situatën ku erdhëm, që sot gjendemi përpara një shkëmbi që e kemi në mes të rrugës dhe të cilin duhet ta shpërbëjmë plotësisht. 720 milionë dollarë borxhe ndaj të tretëve, për punë të papaguara, të akumuluara në këtë mënyrë.

Taksa e korrupsionit dihet. Unë e di që ju nuk do ta thoni asnjëherë me zë të lartë, ju kuptoj, por e keni paguar. Ndërkohë që keni ardhur në Shqipëri me idenë që tatimi mbi fitimin është 10%, por nga xhepi juaj, nga arka e kompanisë suaj, në fund të vitit nuk kanë dalë 10%. 10% ka dalë për shtetin, por një përqindje tjetër që ka variuar nga njëri tek tjetri ka dalë për pushtetin. Ne besojmë se duke rritur tatimin e fitimit nga 10 në 15% për kompanitë, kemi një nivel jashtëzakonisht të ulët taksimi, kemi një sistem të ndershëm taksimi, në raport me të ardhurat e individëve, por kjo vetëm me kushtin që taksa e korrupsionit të ulet deri në asgjësim, në marrëdhëniet mes biznesit dhe shtetit.

Nga një anketim që ne kemi bërë me 5 mijë biznese, të mëdha, të mesme e të vogla, në periudhën kur përgatisnim programin, me intervista të drejtpërdrejta, kemi arritur në konkluzionin se mesatarja e tatimit real mbi fitimin, pra, 10%, plus taksë korrupsioni, ka qenë 22%. Kemi gjetur raste që ka qenë edhe 300%. Për t'i dhënë një përgjigje të strukturuar kësaj çështjeje shumë të madhe dhe në fakt, për ta fituar këtë sfidë, që është një sfidë e përbashkët në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë, kemi ngritur edhe Këshillin Ekonomik Kombëtar, ku ju keni privilegjin të keni një përfaqësues turqisht folës, bashkatdhetarin tuaj, mikun tonë, Sehanin, i cili është edhe Kryetar i Shoqatës së Bankave të Shqipërisë dhe që me patjetër duhet ta shihni dhe si pikën tuaj të referimit, për të nxitur debatin dhe për të ngritur probleme në Këshillin tonë Ekonomik Kombëtar.

Ndërkohë, pranë Këshillit Ekonomik Kombëtar po strukturoret Sekretariati, një zyrë e posaçme në godinën e Kryeministrisë, në dispozicion të gjithë sipërmarrjes, shqiptare
apo të huaj.

Ky Sekretariat, nga njëra anë do të bëjë të mundur që sipërmarrja të njihet përpara kohe, me të gjithë ato nisma ligjore, të një rëndësie të veçantë, që kanë të bëjnë me legjislacionin që lidhet drejtpërdrejt me biznesin dhe mund të japë mendimet e veta, por, nga ana tjetër, diçka që ne e konsiderojmë shumë të rëndësishme dhe për këtë, unë kërkoj bashkëpunimin e secilit prej jush, ky Sekretariat ka mandatin dhe detyrën të mbledhë çdo rast konkret që një sipërmarrje dëshiron të denoncojë pranë Kryeministrit, Ministrit të Financave dhe Ministrit të Ekonomisë dhe që lidhet me shqetësime të drejtpërdrejta në marrëdhënie me administratën.

Do të ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe efektive, nëse sipërmarrja do të angazhohej në këtë proces, nuk do të pranonte që t'i nënshtrohej presionit për bakshish, se këtë fjalë e kemi të përbashkët, e keni marrë ju nga ne apo ne nga ju, kjo është për t'u studiuar, por këtë bakshish e kuptoni mirë se çfarë është dhe në Shqipëri e keni ndier thellë. Në mënyrë që askush të mos guxojë që të trokasë në derën e një sipërmarrjeje e të kërkojë bakshish me presion, duke marrë mesazhin e qartë që, nëse një sipërmarrës denoncon në Sekretariatin e Këshillit Ekonomik Kombëtar, një përfaqësues të shtetit që e vendos nën presion, përfaqësuesi i shtetit përgjigjet moralisht dhe ligjërisht dhe nuk mund të jetë më përfaqësues i shtetit. Që do të thotë se, nëse deri dje, ju keni pasur si gjithë sipërmarrësit shqetësimin që po të ngrini zërin, apo që po të dërgoni një letër, nuk i dihet se ku përfundon letra e pastaj, ju kthehet në formë gjobash për hakmarrje, kjo nuk do të ndodhë. E kundërta do të ndodhë.

Ju përmes kësaj strukture keni sigurinë që çështja juaj do të shtrohet në tryezën më të lartë të shtetit dhe, ose ju do të shpëtoni nga presioni dhe kush ju bën presion do të largohet nga radhët e administratës, ose pastaj, ju keni të drejtën të mendoni që në këtë presion ka dorë Kryeministri, ka dorë Ministri i Financave, ka dorë Ministri i Ekonomisë.

Ne besojmë shumë se po e ndërtuam këtë marrëdhënie, do ta lehtësojmë shumë biznesin nga të gjitha llojet e problemeve dhe nga të gjitha llojet e torturave, që ju përballeni padrejtësisht.

Sigurisht që nga ana tjetër jemi të vetëdijshëm se na duhet të lehtësojmë procedurat. Kemi hapur një konkurs që vazhdon dhe që secili nga ju është i ftuar si gjithë sipërmarrësit të marrë pjesë në këtë konkurs, duke treguar procedurën më idiote që keni hasur. Ne, pesë apo dhjetë, varet sa do jenë procedurat fituese, do t'i eliminojmë. Është një mënyrë për t'ju qasur problemit të procedurave të mbingarkuara dhe torturuese, me një instrument që ka brenda edhe një moment përqeshjeje të përbashkët për këto ngarkesa të pamerituara.

Ne kemi pjesë të projektit tonë strategjik të zhvillimit të një modeli të ri ekonomik, përmirësimin e vazhdueshëm të klimës së biznesit dhe po përpiqemi me gjithë sa mundemi ta lëmë pas, kohën e një marrëdhënie jashtëzakonisht të tensionuar dhe jashtëzakonisht të varur nga interesa të errëta mes biznesit dhe qeverisë. Por ne nuk mund ta bëjmë këtë vetëm. Na duhet nga njëra anë, një administratë profesionale dhe etike në raport me biznesin, por na duhet nga ana tjetër, edhe bashkëpunimi juaj, na duhet zëri juaj i ngritur dhe i adresuar drejt nesh, për çdo problem që ju hasni dhe që nuk mund ta zgjidhim dot, nëse nuk marrim dijeni.

Koha për të ndërtuar një marrëdhënie institucionale, të pavarur nga vullneti i qeverisë, është më e gjatë objektivisht, sesa koha që ju keni për të pritur, apo sesa koha që ne kemi për të pritur. Dhe në ndërkohën që ne ndërtojmë mekanizmat institucionalë, na duhet të punojmë sëbashku, për të evidentuar qoftë shembujt më të mirë, qoftë shembujt më të këqij, për të vlerësuar ata që e meritojnë dhe që ju shërbejnë juve me dinjitet dhe për të përjashtuar ata që nuk e meritojnë dhe që ju bëhen barrë, në emër të shtetit.

Ne, nga ana tjetër jemi shumë të interesuar, siç e thashë më parë, të mësojmë nga eksperienca e Turqisë, duke ju adresuar shembujve kuptimplotë e solidë në disa nga sektorët e zhvillimit të vendit tuaj, që janë edhe për ne, pjesë e prioriteteve të projektit tonë strategjik të zhvillimit: modeli i zhvillimit të turizmit; modeli i menaxhimit të investimeve publike; modeli i sigurisë energjetike; modeli i zhvillimit rajonal; dhe në tërësinë e vet, modeli i ndërtimi të partneritetit mes qeverisë dhe biznesit, jo thjesht si një marrëdhënie, por edhe si partneritet publik-privat, në të gjithë sektorët.

Sigurisht që të gjitha duan kohën e tyre, por padyshim më lejoni që t'ju them se kishte kohë që i kishte ikur koha dhe shyqyr - shyqyr më duket e kemi bashkë këtë fjalë - u bëtë mbarë për të ndërtuar Dhomën e Tregtisë Shqiptaro-Turke, pasi kjo e ngre në një nivel tjetër, edhe prezencën tuaj si institucion i sektorit privat, edhe marrëdhënien tuaj me strukturat qoftë shtetërore, qoftë të organizimit të sipërmarrjes në Shqipëri.

Duhet të vazhdojmë më tutje me një bindje se 2013 ishte një vit jashtëzakonisht i vështirë dhe një udhëkryq jashtëzakonisht i rrezikshëm për ekonominë shqiptare, i cili nxori në pah nga njëra anë, jo vetëm një trashëgimi shumë të rëndë në formën e një litari borxhesh që praktikisht po e asfiksonte ekonominë, por, nga ana tjetër, problemet strukturore të ekonomisë sonë.

Viti 2014 është viti i kthesës. Është viti i kthesës së projektuar me largpamësi, besoj unë dhe me shumë profesionalizëm, përmes një dialogu intensiv mes qeverisë, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe një grupi ekspertësh të ekonomisë, të nivelit më të lartë botëror, që asistojnë qeverinë tonë, ndër të cilët edhe ish Guvernatori i Bankës Qendrore të Turqisë.

Ne besojmë që vendimi drastik për t'i dhënë fund një historie të zhvillimit të ekonomisë në të tatëpjetën e akumulimit të borxheve dhe të shiritave elektoralë, duke marrë përsipër nga njëra anë, atë që thashë, mosshkeljen më të të drejtave ligjore dhe legjitime të biznesit si rimbursimi i TVSH-së, pagimi i faturave e me radhë dhe duke e filluar pikërisht nga kjo, përmes injektimit në ekonomi të 1.1 miliardë dollarëve këtë vit, do të përbëjnë hapjen e një rruge të re shprese, besimi e rritjeje për ekonominë tonë.

Së shpejti, në ditët në vijim, ne nënshkruajmë, besoj, programin me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Një program për të cilin Qeveria e ka marrë autorësinë, për të cilën Qeveria i është drejtuar FMN-së, për të cilin ne jemi angazhuar me vetëdijen se ia kemi detyrim brezave që vijnë, një Shqipëri me themele të forta në ekonominë e vet, do të na çojë në një restart të rritjes ekonomike që e dëshirojmë, por jo vetëm pse e dëshirojmë, por dhe besojmë me argumente se në fund të këtij mandati të parë do të prekë 4 përqindëshin.

Sigurisht që për të bërë këtë do të na duhet të zëvendësojmë burime rritjeje që sot nuk i kemi si të tilla, që nga remitancat, tek borxhi publik dhe tek akumulimi në mënyrë të pavullnetshme nga ana e sipërmarrjes i parave, në kurriz të sipërmarrjes dhe po ashtu, edhe bumi i ndërtimit që tanimë nuk është më një burim i qëndrueshëm rritjeje, sepse ka kaluar koha e tij.

Prandaj na duhet të investojmë për një ekonomi prodhuese, na duhet të investojmë në të gjitha ato drejtime që krijojnë vende të reja pune dhe që garantojnë një rritje ekonomike me punësim.

Jemi të vetëdijshëm ne, jeni të vetëdijshëm ju, për potencialin e madh që ka Shqipëria, në rast se ne arrijmë që këtë potencial ta adresojmë me politika të qartë dhe mbi të gjitha, me një bashkërendim të drejtë e transparent forcash të sektorit publik dhe të sektorit privat.

Le ta quajmë këtë të sotmen një shprehje të qartë të një vullneti të ri, për të shkruar një faqe tjetër, në një histori suksesi që nuk duhet ta shohim më si historia individuale e suksesit të çdo sipërmarrjeje, por si histori suksesi të përbashkët.

Më lejoni që t'ju siguroj që për sa na takon, për sa më takon jemi tërësisht në dispozicionin tuaj. Nuk jemi të pagabueshëm, nuk i dimë të gjitha, por jemi zotuar për dy gjëra:

E para, të mos bëjmë gabime të vjetra dhe po gabuam të bëjmë gabime të reja, që nuk është pak.

E dyta, duke qenë të vetëdijshëm se nuk i dimë të gjitha, jemi sy e veshë për të parë, për të dëgjuar e për të mësuar nga ata që dinë më shumë për çështje të caktuara. Dhe në këtë rast, ju dini më shumë për çështje që lidhen drejtpërdrejt me mbarëvajtjen e një sipërmarrjeje në kushtet e Shqipërisë. Ne duam që këtë dije të na e vini në dispozicion. Ndërkohë, jini të sigurt se ne jemi të gjithë në dispozicionin tuaj, me mish e me shpirt, për të bërë më të mirën për ju, se besojmë se duke bërë më të mirën për ju, bëjmë më të mirën për Shqipërinë.

Ju faleminderit.

***

Kryeministri Edi Rama përshëndeti sot krijimin e Dhomës së Bashkëpunimit Ekonomik e Tregtisë Shqipëri-Turqi, gjatë një takimi promovues ku ishin të pranishëm investitorë turq, përfaqësues të sipërmarrjes shqiptare dhe përfaqësues të institucioneve ekonomike-financiare në vend. Një nismë kjo e një grupi parlamentarësh shqiptarë dhe përfaqësuesve të sipërmarrjeve turke në Shqipëri. Gjatë fjalës përshëndetëse, Kryeministri Rama vlerësoi se Dhoma e Tregtisë ngre në një nivel të ri prezencën e sipërmarrjes turke në Shqipëri, si dhe bashkëpunimin me institucionet. Kryeministri inkurajoi shfrytëzimin e të gjitha mundësive dhe hapësirave për t'i dhënë një përmasë të re bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
2085

KOMENTE