English

Ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.032 “Për Policinë e Burgjeve”

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.032, datë 11.12.2008 “Për Policinë e Burgjeve”.


Të pranishëm ishin Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Artur Zoto, të shoqëruar edhe nga përfaqësues të dy institucioneve të drejtuara prej tyre.


Në fillim fjalën e mori Ministri i Drejtësisë, z. Naço, i cili ka paraqitur para komisionit ndryshimet e propozuara në këtë projektligj.
Z. Naço, tha se kërkohet modernizimi i rolit të policit të burgut dhe se sistemi aktual është potencialisht i korruptuar.


“Nëse kohë më parë oficeri i burgut ka pasur vetëm rolin e një gardiani të thjeshtë, i cili ka qenë i nevojshëm vetëm për të ruajtur sigurinë në burgje, sot me ndryshimet që ne propozojmë kërkojmë rritjen e modernizimit në sistemin e burgjeve, që lind si një nevojë për rikonceptimin e figurës së oficerit të burgut, pra jo atij gardianit të djeshëm”, tha Ministri i Drejtësisë.


“Në projektligjin e paraqitur sot, ndryshimet kanë për qëllim krijimin e një shërbimi policor të qëndrueshëm të burgjeve, krijimin e një shërbimi policor profesional të barazuar në meritë, në integritet moral, në paanësi politike, gjithmonë dhe në çdo rast duke garantuar sigurimin e rendit në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të të burgosurve”, u shpreh z. Naço.


Duke marrë fjalën deputeti i opozitës, z. Gent Strazimiri ka deklaruar se në një shtet ku nuk respektohet Presidenti i Republikës, Parlamenti, ligjet dhe Kushtetuta është e pamundur të respektohen liritë themelore të të burgosurve.
Mbledhja më pas vazhdoi me diskutime dhe pyetje nga anëtarët e komisionit për Ministrin e Drejtësisë dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve.


Relatori i këtij projektligji deputeti Pirro Lutaj propozoi që shqyrtimi nen për nen të shtyhej për një mbledhje tjetër meqenëse pati diskutime për projektligjin.


Komisioni aprovoi propozimin e z. Lutaj, ndërkohë që projektligji u miratua në parim.

KOMENTE