English

Ku ndryshon gripi i zakonshëm nga gripi i derrit

Muaji shkurt solli dy raste të reja me virusin e gripit të derrit, pesë vite pas epidemisë së parë. Mjeku infeksionist, Arjan Harxhi tregon për "Shekullin", se gjatë këtij muaji është evidentuar një shtim i numrit të rasteve me gjendje virale, kjo si pasojë e neglizhencës së popullatës për të mos u vaksinuar.

Çfarë rreziku mbart ky grip? Janë raste të importuara apo jo?

Duhet theksuar se në radhë të parë nuk ka vend për panik, ashtu siç ka vend për informim dhe sensibilizim të opinionit publik, por sidomos të strukturave të kujdesit shëndetësor, nga të cilat kërkohet më shumë vëmendje dhe mobilizim për përballimin e situatave të tilla. Pra, informimi është i nevojshëm, por ky informim është më efikas kur bëhet në kohën dhe momentin e duhur.

Me këtë dua të them se informimi dhe sensibilizimi më i mirë i popullatës në vjeshtën e kaluar për t’u vaksinuar kundër gripit do ta bënte më të menaxhueshme situatën aktuale. Situata epidemiologjike tregon se gjatë muajit shkurt është evidentuar një shtim i numrit të rasteve me infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes apo siç quhet rëndom sindroma virale.

Krahas këtyre janë shtuar rastet me infeksione të rrugëve të poshtme (bronkite, bronkopneumoni, pneumoni) si dhe të rasteve me pamjaftueshmëri të frymëmarrjes. Këto tregues epidemiologjikë flasin për një qarkullim të shtuar të një shkaktari viral që duke pasur parasysh edhe stinën ku jemi, përkon me një virus të gripit. Nga mostrat e marra dhe analizat e kryera në Laboratorin e Specializuar të Virologjisë, pranë Institutit të Shëndetit Publik (janë disa qindra mostra të marra) është identifikuar në disa dhjetëra prej tyre, prania e virusit tip A dhe në disa prej tyre prania e virusit AH1N1, apo siç njihet ndryshe virusi i gripit të derrit. Kjo situatë epidemiologjike dhe izolime të këtij virusi janë hasur edhe në vende të tjera të Evropës dhe rajonit, sidomos në Greqi. Zakonisht epidemitë e gripit në Evropë dhe Amerikën e Veriut shfaqen në mënyrë ciklike në periudhën shkurt-mars dhe viruset vinë kryesisht nga Azia Juglindore.

Çfarë simptomash shfaq gripi AH1N1 në krahasim me gripin normal?

Virusi i gripit AH1N1 paraqet të njëjtat mënyra përhapjeje si viruset e tipeve të tjera të gripit. Rruga kryesore është ajo aerogene, përmes stërkalave të pështymës, kollës, si dhe nga sendet e ndotura me sekrecione të rrugëve të frymëmarrjes. Faktorët që predispozojnë përhapje më të madhe dhe më të shpejte janë qëndrimi në ambiente të mbyllura, të pa ajrosura, të mbipopulluara, si dhe higjiena e ulët në drejtim të asaj që quhet "etika e kollës" dhe larja e duarve.

Cilat janë komplikimet që shfaq ky grip dhe kush rrezikohet më tepër?

Viruset e gripit të zakonisht shkaktojnë një sëmundje të lehtë të vetëkufizueshme, porse në raste të rralla, dhe sidomos në subjekte të veçanta japin forma të rënda me komplikacione që mund të rrezikojnë edhe jetën.

Virusi AH1N1 paraqitet me virulent në aftësinë e tij për të shkaktuar komplikacione sidomos në mushkëri, të cilat janë rrezikuese për jetën, jo vetëm te personat e predispozuar, por edhe te personat e shëndoshë dhe në moshe të re. Personat më të predispozuar për të kaluar forma të rënda të gripit janë moshat ekstreme, të vegjlit dhe të moshuarit, të sëmurët me sëmundje kronike të zemrës, mushkërive, veshkave, diabetit etj.

KOMENTE