English

Prezantohet raporti vjetori i Autoritetit të Konkurrencës

Komisioni për Ekonominë dhe Financat dëgjoi sot raportin vjetor të punës për vitin 2013 të Autoritetit të Konkurrencës, që u paraqit nga kreu i këtij institucioni znj. Lindita Milo (Lati).
Në fjalën e saj përpara anëtarëve të komisionit, znj. Milo bëri një ekspoze të aktivitetit të këtij institucioni duke u përqëndruar kryesisht në rastet dhe tregjet e hetuara për vitin 2013, vendimet që janë marrë dhe monitorimin e zbatueshmërisë së këtyre vendimeve.
“Aktiviteti i Autoritetit të Konkurrencës në zbatim të ligjit synon ta bëjë tregun sa më funksional. Në këtë këndvështrim, mirëfunksionimi i tregjeve kërkon kujdesin si për mirëqënien e konsumatorëve, ashtu edhe për t’i bërë tregjet sa më konkurruese. Pikërisht kjo përbën filozofinë evendimarrjes të Komisionittë Konkurrencës. Viti 2013 shënon 10 vjet eksperiencë në zbatimin e ligjit shqiptar të konkurrencës. Këto eksperienca kanë mundësuar rritjen dhe konsolidimin e Autoritetit të Konkurrencës, si mbikëqyrësi kryesor i konkurrencës në treg, nëpërmjet përmirësimit të vazhdueshëm,” tha kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës.

Më tej, zonja Milo vuri në dukje se krahas kuadrit ligjor, aktiviteti i këtij institucioni përgjatë që shkoi është mbështetur në rezolutën e Kuvendit të Shqipërisëdhe Raportin e Progresit të Komisionit Europian, në zbatim të ligjit bazë dhe legjislacionit dytësor.
“Forcimi i zbatimit të ligjit, nëpërmjet përdorimit të instrumentave, e rritjes së efiçensës së ndërhyrjes së institucionit të konkurrencës, në mbrojtje të lojës së lirë të aktorëve të tregut, ka qënë objektivi i aktivitetit të Autoritetit të Konkurrencës gjatë vitit 2013.
Veçoria e veprimtarisë së Autoritetit gjatë vitit të kaluar është se, pothuajse të gjitha çështjet e trajtuar janë bazuar në ankesat, të cilat jo vetëm janë rritur në numër, por janë përmirësuar cilësisht duke u rritur numri i atyre që i adresohen Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Ky fakt është një tregues i rritjes së kulturës së biznesit mbi ligjin e konkurrecës dhe i rritjes së besimitndaj institucionit të konkurrencës, por nga ana tjetër përbën edhe një nga sfidat për trajtimin e shpejtë e me profesionalizëm nga specialistët e Autoritetit, si dhe ruajtja e konfidencialitetit të ankimuesit,” tha kryetarja e AK-së.
Gjatë vitit 2013, Autoritetit i janë adresuar 16 ankesa nga të cilat: 4 ankesa janë për marrëveshje të ndaluara apo sjellje të bashkërenduara; 8 ankesa për abuzimin me pozitën dominuese të një apo disa ndërmarrjeve; 1 ankesë për revokimin e vendimit te Komisionit, si dhe 3 ankesa që nuk ishin në përputhje me objektin e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Objekt i ankesave të ndërmarrjeve kanë qenë kryesisht tregu i ngarkim-shkarkimit në rrugë detare të gazit të lëngshëm; tregu i komunikimeve elektronike; tregu i energjisë elektrike; tregu i prokurimeve publike; tregu i sigurimeve; tregu i transportit urban të qytetit të Tiranës,
Ndërkaq, përgjatë vitit 2013, AK ka marrë 42 vendime për për gjoba; për autorizimin e kontrollit të përqendrimeve; për dhënie rekomandimesh për institucionet publike dhe entet rregullatore në kuadër të advokacisë së konkurrencës; për bazën ligjore sekondare, si dhe vendime të tjera procedurale.

Duke parashtruar objektivat për vitin 2014, zonja Milo vuri në dukje se ndër objektivat kryesorë që synohet të realizohen gjatë këtij viti kalendarik janë: forcimi i kapaciteteve institucionale të Autoritetit të Konkurrencës; kualifikimi i vazhdueshëm duke përdorur analizimin e rasteve pasi ka përfunduar tërësisht procesi, si një instrument për të mësuar nga ato elemente të procedurës apo analizave ekonomike, apo të sigurimit të provës, që nuk janë përformuar me cilësi; monitorimi i vazhdueshëm i ndërmarrjeve publike ose private, të cilave ju janë dhënë nga shteti të drejta ekskluzive ose të veçanta, si dhe monopoleve me të drejta ushtrimi të veprimtarisë në fushën e shërbimeve me interes ekonomik të përgjithshëm, është një prioritet i Autoritetit të Konkurrencës; trajtimi sa më i shpejtë i ankesave dhe në mënyrë profesionale jo vetëm në proçedurë dhe përmbajtje; thellimi i bashkëpunimit me entet rregullatore, në funksion të vendosjes së kushteve të konkurrencës së lirë dhe efektive në tregjet e rregulluara; përafrimi i legjislacionit, kryesisht atij sekondar në fushën e konkurrencës, si dhe përafrimi i rregullores për marreveshjet në transportin detar, etj.

Për t’u lënë më shumë kohë anëtarëve të njihen me raportin e paraqitur nga zonja Milo, Komisioni për Ekonominë dhe Financat do të zhvillojë debat lidhur me raportin vjetor të Autoritetit të Konkurrencës në një mbledhje të ardhshme.

Ndërkaq, gjatë mbledhjes së sotme Komisioni për Ekonominë vijoi me shqyrtimin nen për nen të projektligjit për “Kontrollin e Lartë të Shtetit”.

KOMENTE