Warning: file_get_contents(): php_network_getaddresses: getaddrinfo failed: Name or service not known in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: php_network_getaddresses: getaddrinfo failed: Name or service not known in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Shqipëria njehson Kodin Doganor me Kodin Doganor të BE-së
English

Shqipëria njehson Kodin Doganor me Kodin Doganor të BE-së

Fjala e Kryeministrit Edi Rama gjatë prezantimit të Kodi i ri Doganor:

Shpresoj që fjalët e mia të shtojnë diçka, pas paraqitjes jashtëzakonisht të plotë dhe shteruese që bëri Drejtorja e Përgjithshme e Doganave dhe më pas Ministri, duke nënvizuar qysh në fillim se kjo është një ditë, me siguri, e shënuar në marrëdhëniet mes shtetit dhe biznesit, në marrëdhëniet mes doganave shqiptare dhe eksportuesve dhe importuesve shqiptarë.

Është një ditë e shënuar, sepse shënon ndërmarrjen e një hapi të përbashkët, e një hapi të madh e të shumëpritur, në drejtim të rritjes së sigurisë për eksportuesit dhe importuesit, në drejtim të futjes së inovacionit në funksion të luftës me burokracinë dhe korrupsionin. Po ashtu në drejtim të atij progresi që, me siguri, eksportuesit dhe importuesit shqiptarë e kanë merituar prej kohësh dhe prej kohësh ka munguar, duke e bërë jashtëzakonisht të vështirë marrëdhënien e tyre me shtetin dhe rrugën e tyre për të realizuar objektivat e çdo kompanie.

Doganat shqiptare janë në një fazë transformimi rrënjësor dhe nuk ka asnjë ekzagjerim nëse do ta quaja historik, për të bërë një kapërcim të madh e përfundimtar nga një epokë e stërzgjatur pasigurie, zvarritjeje në batakun e prapambetjes dhe boshllëkut të madh në marrëdhëniet mes shtetit dhe biznesit, në një epokë me një qasje tërësisht të re ndaj biznesit. Nga një epokë, ku biznesi është parë dhe është trajtuar si burim dyshimesh dhe të ardhurash për t’u nxjerrë medoemos, me hir dhe me pahir, në një epokë ku biznesi trajtohet si partner strategjik, i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm, në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe ku dogana, ashtu si edhe tatimet janë krahët me të cilët shteti ju shërben njerëzve të biznesit.

Duke qenë se kam qenë edhe vetë shumë i angazhuar në këtë përpjekje intensive të Ministrit të Financave dhe të dy drejtoreve të reja, por tanimë jo dhe aq të reja pas vetëm pak muajsh punë, më është dashur të flas shpeshherë me sipërmarrjen, të flas shpeshherë me trupat e doganierëve dhe të agjentëve tatimorë.

Kështu, më është dashur të kaloj edhe pasazhe historike të kujtimeve apo të mbresave të atyre që kanë udhëtuar në Shqipëri, edhe një shekull më parë, edhe më parë akoma dhe kanë përjetuar çuditërisht apo aspak çuditërisht, të njëjtat probleme që kanë përjetuar deri vonë të gjithë ata që kanë pasur të bëjmë me doganat e tatimet. I jam referuar edhe më parë Faik Konicës e dua t’i referohem përsëri sot, për të lidhur pikërisht atë që ne kemi jetuar dhe atë që ju në mënyrë të veçantë keni jetuar deri sot dhe atë që duam të jetojmë bashkërisht dhe në mënyrë të veçantë që ju meritoni të jetoni në marrëdhëniet me doganat. Besoj se është një pasazh shumë i vlefshëm për të shpjeguar “pse-në” e një Kodi të ri Doganor.

“Ai kishte kapërcyer shumë kufij” - thotë Konica, - “por askund nuk kishte gjetur një tërbim kërkonjës aq të madh.” Dhe kjo është një shprehje që besoj çdo njëri nga ata eksportues dhe importues e di më mirë se gjithkush, se çfarë do të thotë “tërbimi kërkonjës” i doganierit, kur i paraqitesh me faturën, apo kur parkon maunet që sapo ke futur apo që sapo do të nxjerrësh nga Shqipëria. “Por çfarë shikojnë”,” - thotë. “Në bëjnë hetime policie, si nuk u pati shpjeguar njeri më përpara, që dokumentet e dëmshme nuk lihen në valixhe. Në mundoheshin të gjenin lëndë fiskale për të mbushur arkat e shtetit, si nuk i kishte stërvitur guverna (qeveria) të bëjnë ndryshime, dallime në mes dëngëve të mallit që janë për marketat dhe një valixheje udhëtari me plaçkat e trupit. Apo në këtë vend kaq të lumtur, vallë”, - thotë - “mos duhet me patjetër të goditeshin njësoj, me të njëjtën taksë, edhe vetë brekët e udhëtarëve!”

Dhe këtu jemi sot, pikërisht për të hapur këtë epokë të re, me një Kod të ri Doganor, që s’është as më shumë e as më pak, po njësimi i Kodit të ri Doganor të Bashkimit Evropian me Kodin Doganor të Shqipërisë. Bëhet fjalë për një transformim rrënjësor që kërkon një seri masash e politikash të reja, për të bërë të mundur që më 1 janar të vitit të ardhshëm, marrëdhënia mes eksportuesve dhe importuesve shqiptarë apo të huaj dhe doganave të Shqipërisë të ndërtohet mbi këtë Kod. Që do të thotë që guverna, qeveria, nga njëra anë duhet me patjetër të përgatisë gjithë trupën e doganierëve dhe gjithë administratën e doganave të Shqipërisë, për ta përballuar sfidën e madhe të këtij Kodi të ri, që në themelin e vet ka shërbimin ndaj eksportuesve dhe importuesve; që në themelin e vet ka lehtësimin e skajshëm të të gjitha procedurave dhe pamundësinë e shtetit për të ushtruar arbitrarisht forcë, për të nxjerrë me çdo kusht para nga xhepat e eksportuesve dhe të importuesve; që në themelin e vet ka atë ndryshim epokal që ne duam të bëjmë, që nuk është më shteti, padroni dhe sipërmarrësi, skllavi, kur takohen të dy në një pikë doganore, por është sipërmarrësi, zot i punës së vet dhe zot në vendin e vet dhe shteti, shërbëtori i sipërmarrjes për të bërë në kohë rekord një shërbim cilësor dhe për të mundësuar që të ardhurat të dalin dhe të rriten falë cilësisë së shërbimit dhe rritjes së besimit dhe të respektit të sipërmarrjes tek shteti. Dhe jo falë kërbaçit të referencave, të gjobave, të bllokimeve, për të mos folur pastaj për korrupsionin.

Padyshim që, ne jemi krenarë që e ndërmarrim këtë nisëm. Është një nismë e re për shumë vende, edhe vetë brenda Bashkimit Europian, por është një nismë, në të njëjtën kohë, që e sfidon shumë fort qeverinë, që sfidon shumë fort vetë doganat që janë bërë promovuese të kësaj nisme përmes ekipit drejtues, që në kohë rekord ka përgatitur dokumentin e përputhjes së Kodit Doganor Evropian me Kodin e ardhshëm të ri Doganor të Shqipërisë, sepse është një sfidë kulturore për shtetin. Është sfida e ndryshimit në themel të kulturës sjelljes dhe të marrëdhënies me sipërmarrjen.

Nga ana tjetër, ne të gjithë e dimë që, tek e fundit, Shqipërisë nuk i kanë munguar ligjet dhe nuk janë ligjet e munguara, arsyeja pse marrëdhënia mes shtetit dhe individit, marrëdhëniet mes qeverisë dhe sipërmarrjes, marrëdhëniet me eksportuesve dhe importuesve dhe doganave kanë qenë tradicionalisht të cunguara, në dëm të sipërmarrjes, por i ka munguar vullneti për aplikimin dhe aftësia për aplikim. Dhe këtu tek Kodi i ri Doganor, sfida për ne nuk është vullneti. Ne e kemi vullnetin të pakufishëm e të palëkundur. Sfida është aftësimi i gjithë trupës, sepse një Kod Doganor i njësuar me Bashkimin Evropian kërkon doganierë të Bashkimit Evropian, shqiptarë e shqiptare që sillen, që punojnë, që reagojnë dhe që procesojnë mallin si të ishin britanikë, francezë, gjermanë, e kështu me radhë. Kjo është plotësisht e mundur, por për këtë na duhet një proces intensiv trajnimi dhe më saktë akoma, shkollimi brendapërbrenda Doganës, ashtu sikundër brendapërbrenda Tatimeve, ashtu sikundër brendapërbrenda Agjencisë Kombëtare të Ushqimit e me radhë. Brenda të gjitha atyre strukturave që jua kanë nxirë juve jetën dhe jua kanë bërë të vështirë çdo kontakt me shtetin, për vite me radhë, çdo qëndrim apo kalim në një pikë doganore, për vite me radhë.

E për këtë arsye, ne kemi ndërtuar një projekt dhe në muajt prill-maj-qershor, e gjithë trupa e doganierëve, e gjitha trupa e tatimorëve, e gjithë trupa e inspektorëve të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit dhe çdo trupë tjetër që lidhet direkt apo indirekt me eksportin dhe importin, por dhe me sipërmarrjen dhe veprimtarinë sipërmarrëse në Shqipëri do të shkojë në shkollë nate. Do të punojnë ditën dhe pasdite do të shkojnë në shkollë. Do të shkollohen në mënyrë të përjavshme, duke filluar nga Kodi Etik dhe mirësjellja, deri tek procedurat dhe njohja e legjislacionit dhe në fund të këtij procesi shkollimi do të japin provim. Do të japin provim për të provuar se i kanë mësuar gjërat.

Pjesë e kësaj periudhe shkollimi është edhe kontakti me sipërmarrjen. Ne do të ftojmë sipërmarrës që t’u flasin dhe t’u japin mësim doganierëve dhe tatimorëve të Shqipërisë dhe t’u tregojnë se çdo të thotë të gdhihesh në mëngjes me një plan biznesi dhe të luftosh për të realizuar një plan biznesi. Nuk është njësoj si të ngrihesh në mëngjes me rrogën e sigurt dhe të shkosh atje të rrjepësh ndonjërin e të kapësh çfarë të kapësh dhe pastaj, e kape s’e kape, kthehesh prapë në shtëpi.

Jam i bindur se kemi një fakt shumë domethënës e shumë të thjeshtë. Në fillim të punës së tyre me doganën shqiptare, Crown Agents bëri një test me një grup. Testin e zakonshëm që ata përdorin për të filluar bashkëpunimin me një trupë doganore në një vend. E dini se sa vetë e morën provimin? 10% e grupit e morën provimin. Mbasi bënë trajnimin dhe një trajnim të shkurtër intensiv, dyditor, e dini sa e morën provimin? 84%.

Dhe ajo që më thanë ishte se kurrë s’kemi parë në ndonjë doganë ku kemi punuar që të ngelen 90 % në provim, po kurrë s’kemi parë që në një trajnim aq të shkurtër të shkojnë 84 % që e kalojnë. E dimë që njerëzit i kemi të mençur, e dimë që njerëzit i kemi të shkathët, por duhet t’u ndryshojmë drejtimin nga mendojnë, kur shohin përballë dhe duhet t’i motivojmë, t’i aftësojmë, t’i trajnojmë. Dhe nga kjo administratë e rrënuar moralisht, e shkatërruar profesionalisht, por me këto burime njerëzore, ne jemi në gjendje që të ngremë një administratë që të sillet tërësisht ndryshe. Unë nuk kam besuar kurrë se janë njerëzit që korruptojnë një sistem. Kam pasur gjithmonë bindjen që është sistemi i mbrapshtë që i korrupton njerëzit. Unë s’kam besuar kurrë që doganierët gjermanë janë më të ndershëm, nga genet, sesa doganierët shqiptarë. Unë jam i bindur që 10 doganierë shqiptarë, po të shkojnë të punojnë në doganat e Gjermanisë, të trajnohen dhe të futen në atë sistem, nuk të kërkojnë bakshish. Sill 10 gjermanë këtu dhe t’i fusim në ato skemat e Faik Konicës, të jeni të sigurt se në fund të 1 muaji do të sillen si shqiptarë. Pra, duhet të modernizojmë sistemin dhe duhet t’i bëjmë njerëzit të gatshëm që të sillen si në Evropë dhe të motivuar për të përfaqësuar Shqipërinë e re evropiane, për të qenë përfaqësues dinjitozë të doganave evropiane të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, dua të nënvizoj dy elementë të Kodit të ri, që unë i konsideroj shumë të rëndësishëm dhe që besoj, ju i konsideroni shumë të rëndësishme; Së pari, saktësimi i dispozitave mbi kohën dhe vendin, mbi kohën e vendin kur lind një borxh doganor, me qëllim që pastaj të shmangim të gjitha vështirësitë dhe pastaj, ato historitë pa fund për të shkuar të zgjidhja juridike; Së dyti, është vendosja e afateve kohore për të ndjekur shkeljet dhe pezullimi i procedurave administrative, në qoftë se një procedurë penale hapet për të njëjtën çështje. Ashtu sikundër, gjëja më e rëndësishme, e drejta e eksportuesve dhe importuesve për të bërë vetëvlerësim. Kjo është një sfidë e madhe më vete. Këta janë elementët që në tërësinë e vetë, Kodi i ri sjell duke i dhënë siguri shumë të madhe. Duke i sjellë siguri shumë të madhe individit, kompanisë në raport me shtetin dhe duke i hequr shtetit monopolin e forcës dhe të brutalitetit, të arbitraritetit mbi sipërmarrjen.

Nga ana tjetër, është padyshim një gjë e jashtëzakonshme, nëse ne, në të njëjtën kohë që do të fusim Kodin e ri Doganor, do të ecim me shpejtësi për të futur “sportelin unik”, për t’ju bërë ju të gjithëve që të mos shkoni nga frëngjia në një frëngji, nga një derë nga mbrapa tek një korridor nga përpara, nga një portret tek një portret, nga një zgëqe te një zgëqe dhe për të bërë letra pas letrash e për të marrë vula pas vulash dhe për të dalë nga dogana, sikur të kishit dalë nga një ëndërr pa mbarim. Por për të bërë të gjithë shërbimet e 15 agjencive të ndryshme shtetërore, që lidhen me eksportin e me importin dhe që duhet të japin vulën e tyre, duhet të japin viston e tyre, që duhet të japin dritën e tyre jeshile, të bëhen në kohë reale, në të njëjtin vend dhe pa letra. Pa – “merri këto letrat”, por përmes teknologjisë së re. Momentin që një mall niset nga diku, ai menjëherë regjistrohet dhe menjëherë del në dritaren e doganës. Pastaj menjëherë iu shpërndahet të gjithëve dhe menjëherë të gjithë hyjnë në kontakt, marrin dijeni dhe japin reagimin e tyre.

Ky është një inovacioni i jashtëzakonshëm bashkëkohor. Jo shumë vende e kanë. Vende të Bashkimit Evropian, sot janë duke e futur, e kanë futur një pjesë e madhe, por të tjera po e fusin. Vende shumë të zhvilluara ekonomikisht si Turqia janë duke e futur.

Dhe është inovacioni që më në fund bën që shteti të njohë vlerën e kohës për biznesin. Sepse për shtetin koha nuk është “flori”. Shteti sillet me kohën si me mallin më pa vlerë. Për biznesin koha është “flori e shkuar floririt”. Sporteli unik sjell vlerën e kohës në sjelljen e shtetit ndaj biznesit dhe bën që gjithë zvarritjet e tmerrshme dhe humbjet e pafundme të kohës, që po të kontabilizohen në para janë shumë më tepër sesa gjithë paratë që ju mund t’i llogarisni të humbura, që ju mund t’i keni humbur, po nuk i keni kontabilizuar, transformohet. Kjo është sjellë dhe i tërë raporti.

Së fundi, për ta mbyllur. Unë e konsideroj shumë të rëndësishme pjesëmarrjen tuaj në këtë proces. Pjesëmarrjen tuaj për të diskutuar legjislacionin.

Ne kemi marrë edhe një zotim dhe që do t’i përmbahemi, me siguri, deri në fund, se çdo dokument të rëndësishëm, që ka të bëjë me sipërmarrjen dhe që prek drejtpërdrejtë veprimtarinë e sipërmarrjes, ne ta diskutojmë paraprakisht me sipërmarrjen dhe t’i japim kohë. Keni kohë sa të doni në dispozicion për Kodin e ri Doganor. Ashtu sikundër keni pasur dhe keni ende pak kohë për ligjin e ri për TVSH-në. Keni kohë dhe për gjithë masat e tjera që ne do të marrim, por më e rëndësishmja, përsëri, është që sado që të mirë ta bëjmë Kodin, sado të mirë ta bëjmë të gjithë ngrehinën legjislative, ne nuk do të arrijmë dot të bëjmë transformimin që duam, nëse ne nuk do të ndërveprojmë në funksion të luftës ndaj prapambetjes, ndaj kërkonjësve të tërbuar - që thotë Konica - në xhepat tuaj.

Kërkonjësit e tërbuar apo tërbimi i kërkonjësve, - si të doni, mos na akuzojnë se po shajmë njerëz, - luftohen sot me ndërveprim. Unë dua që ju jo vetëm të jeni në dijeni, po të jeni të bindur që Këshilli Ekonomik Kombëtar që ne kemi ngritur dhe që funksion çdo muaj, me praninë e një përfaqësie edhe të sipërmarrjes, me praninë edhe të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, me praninë e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe të vetë Qeverisë, është i gatshëm dhe mezi pret që të trajtojë çdo çështje konkrete individuale, të çdo kompanie, në formën e ankesës ndaj shtetit, në formën e ankesës ndaj sjelljes së tatimorëve apo doganierëve, në formën e ankesës për procedura absurde apo për zvarritje të panevojshme ose të pakuptimta. Ndaj mos nguroni që t’i drejtoheni, qoftë nëpërmjet shoqatave ku jeni të angazhuar, qoftë individualisht, me raste konkrete dhe me çështje konkrete, Qeverisë, përmes Këshillit Ekonomik Kombëtar, përmes Sekretariatit të këtij Këshilli.

Unë ju siguroj, ju thjesht duhet ta provoni dhe pastaj do të vlerësoni vërtetësinë e fjalës sime. Ne nuk do të falim asnjë agjent tatimor, asnjë punonjës dogane, asnjë shef dhe asnjë drejtor që do t’ju pengojë juve të punoni normalisht. Ne nuk do të falim askënd që do të paraqitet në derën tuaj, sikur është i zoti i ndërmarrjes dhe do t’ju torturojë me pseudo kontrolle dhe me pseudo procedura, për t’ju nxjerrë lekë nga xhepi. Ne nuk do të falim askënd që ju do ta shpallni person “non grata” për derën e fabrikës tuaj apo për derën e kompanisë tuaj. Mjafton që ju të na e bëni me dije. Dhe është shumë e rëndësishme që të na e bëni me dije, që ta mësojnë njëherë e përgjithmonë të gjithë ata që kanë të bëjnë me sipërmarrjen dhe që trokasin në derën e çdo sipërmarrësi, se mund t’u shkojë emri deri “lart” dhe nga “lart” mund t’u vijë pastaj “rrufeja” e largimit nga puna, madje edhe e degdisjes deri përpara organeve të drejtësisë. Në momentin kur do ta mësojnë të gjithë këtë, të jeni të sigurt që kjo nuk do të ndodhë më, apo do të ndodhë shumë rrallë se ç’ndodh sot. Në momentin kur të gjithë do të kuptojnë që çdo sipërmarrës dhe çdo kompani është partneri strategjik i Qeverisë, është aleati i pazëvendësueshëm i Qeverisë dhe është pjesë integrale e suksesit të qeverisjes ekonomike dhe nuk mund dot të merret peng, të jeni të sigurt që do të mësohet e gjithë administrata t’ju trajtojë ashtu siç e meritoni dhe siç nuk jeni trajtuar kurrë, që kur keni nisur të bëni biznes, por, përkundrazi, keni qenë të detyruar, historikisht, që të fshiheni, se po ju panë, ju kërkojnë ndonjë lek.

Është vend unikal Shqipëria, ku sipërmarrja ka frikë të bëjë publicitet. Është vend unikal Shqipëria, ku sipërmarrësit nuk dalin as nëpër revista, as nëpër gazeta dhe as nëpër emisione, si model dhe si shembuj për t’u ndjekur nga më të rinjtë. Është vendi unikal Shqipëria, ku figura e sipërmarrësit është kaq e cenuar, kaq e poshtëruar, saqë duket sikur të quhesh biznesmen apo bizneswomen patjetër ke një problem, patjetër ke një çështje morale të pazgjidhur, patjetër ke mbi vete dyshimin se bën gjëra të paligjshme. Ndërkohë që ne duhet të bashkëpunojmë. Ne duhet ta kemi qëllim të përbashkët, ngritjen e mitit të sipërmarrësit, njësoj siç është miti i futbollistit, i këngëtarit. T’i japim të rinjve një shembull sesi mund të bëjnë sukses, sesi mund të bëjnë para përmes ideve të tyre, përmes iniciativës së tyre dhe jo të gjithë të shkojnë te zyrat e shtetit për të marrë një copë punë shteti, për të marrë një rrogë dhe për të pirë kafe gjithë ditën dhe duke jetuar në herem dhe për të mos parë të ardhme tjetër, përveç se një pune që është veçse gjysmë parazitare.

Shqipëria ka talente të jashtëzakonshme. Prova më e prekshme e kësaj është fakti që shqiptarët jashtë vendit, ku janë venë në kushtet që nuk kanë pasur dot më, ku të gjejnë kushëririn apo partinë që t’i fusë në punë, kanë bërë sukses. Kanë bërë sukses në punën e tyre. Janë mbi 30 000 shqiptarë taksapagues në Itali si sipërmarrës. Mbi 30 000, si sipërmarrës të vegjël, sipërmarrës të mesëm, por janë mbi 30 000 që i paguajnë taksa shtetit italian si sipërmarrës. Ata të cilët në fillim zbritën në Itali dhe dukeshin sikur kishin dalë nga ishulli i Robinson Crusoe. Ne duhet t’ua u japim të rinjve modelin dhe modeli është sipërmarrësi i suksesshëm. Ne duhet të transformojmë figurën e sipërmarrësit në figurë të paprekshme dhe të diskutueshme vetëm kur shkel ligjin, jo kur bën sukses, jo kur bën para. Sepse jetojmë në këtë sistem, këtë sistem kemi zgjedhuar. Sa më shumë të stimulojmë sipërmarrjen, sa më shumë të stimulojmë figurën e sipërmarrësit, aq më shumë do të krijojmë vende pune, aq më shumë do të krijojmë mirëqenie, aq më shumë do të krijojmë frymëmarrje, aq më shumë do të krijojmë perspektivë, aq më shumë do të krijojmë ëndrra dhe shpresa tek më të rinjtë, që presin nga qielli të gjejnë një punë shteti.

Kjo është sfida jonë e përbashkët, të dashur miq.

Kodi i ri Doganor, dritarja unike apo sporteli unik doganor, përpjekja jonë e përditshme për të transformuar doganat apo tatimet në shërbëtorë të biznesit janë pjesë e kësaj përpjekjeje. Ne po bëjmë gjithçka që mundemi dhe shpresojmë shumë që ju do të na besoni. Dhe, me gjithë të drejtën e Zotit që keni për të qenë mosbesues kur ju del përpara një politikan, një ministër, një kryeministër, se çfarë nuk ju kanë thënë, çfarë nuk ju kanë premtuar dhe punë nuk..., pastaj jua kanë futur dorën në xhep, përsëri nuk kemi rrugë tjetër. Jemi të ‘dënuar’ të besojmë, jemi të detyruar të ëndërrojmë dhe jemi të imponuar që të punojmë bashkërisht, për të bërë realitet ëndrrat. Ëndrrat që ju kanë çuar ju në rrugën e sipërmarrjes, në rrugën e vështirësive të jashtëzakonshme, sepse të bësh sipërmarrje në Shqipëri është stres i madh. Miku im Luan Bregasi ka një fjalë të artë që thotë “po të numërosh sesa infarkte i kanë rënë biznesmenëve dhe sa i kanë rënë politikanëve, e kupton se kush vuan dhe kush bën qejf në këtë vend”.

Faleminderit.

KOMENTE