Warning: file_get_contents(): php_network_getaddresses: getaddrinfo failed: Name or service not known in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: php_network_getaddresses: getaddrinfo failed: Name or service not known in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Rama: Jemi këtu t’i japim fund abuzimit mëse 20 vjeçar me të përndjekurit politikë
English

Rama: Jemi këtu t’i japim fund abuzimit mëse 20 vjeçar me të përndjekurit politikë

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, në ceremoninë e përurimit të godinës së rikonstrukturuar të Institutit të të Përndjekurve Politikë nga regjimi komunist:

Vendi im nuk është në fundin e botës o diku në skajin e saj, por në Evropë ku farkëtohen fatet e qytetërimit perëndimor,” – thoshte At Zef Pëllumbi. Fjalët e tij të kujtojnë dashurinë e madhe për atdheun, njerëzve që e deshën vendin e tyre, pavarësisht sa vuajtën në këtë tokë, pavarësisht sa shteti nuk i shpërbleu, madje në rastin tuaj dhe të gjithë të përndjekurve i lëndoi pa kufi dhe pavarësisht se shoqëria, ndoshta, nuk arriti kurrë ta rrokë përmasën e vërtetë të vuajtjes tuaj.

Ne jemi sot këtu, me vetëdijen e plotë se problemi është shumë më i madh, sesa janë mundësitë për ta zgjidhur atë menjëherë. I tillë ka qenë problemi qysh në krye të herës, 20 e kusur vite përpara, kur qeveria e parë demokratike mori detyrën. Por ajo çka sot ndryshon nga 20 e kusur vjet që na sollën deri këtu është qasja jo cinike dhe përpjekja tërësisht e sinqertë për të bërë absolutisht më të mirën e mundshme në këtë kontekst, aspak të lehtë për vendin, ekonomik dhe social që kemi trashëguar dhe në këtë fazë jashtëzakonisht të vështirë për shumëkënd ndër të përndjekurit politikë, unë kështu i quaj, që edhe pse kanë kaluar 20 e kusur vite që ka dalë nga ferri i Enver Hoxhës, përsëri e ka të pamundur të ndjehet se jeton njësoj si të tjerët, në hapësirën e lirisë që solli rënia e regjimit komunist.

E pikërisht për këtë arsye, ne kemi marrë një zotim që t’i japim fund hipokrizisë dhe padyshim t’i japim fund abuzimit mëse 20 vjeçar me të përndjekurit politikë, duke bashkëpunuar me ta, me dorën në zemër dhe me fjalën e drejtpërdrejtë e të sinqertë, për ta mbyllur me dinjitet plagën e hapur në gjithë këto vite, të keqtrajtimit të tyre, në radhë të parë moral dhe pastaj, sigurisht, hap pas hapi, edhe të moskompensimit të tyre material. Dhe kjo plagë nuk ka lidhje vetëm me kompensimin material, pa as më të voglin dyshim. Madje mungesa e kompensimit material bëhet shumë më e rëndë kur mungon kompensimi moral. Dhe të dyja këto mungesa bëhen të papërballueshme, në zbrazëtinë kërcënuese për brezat që sot vijnë nga një histori tjetër dhe nuk e njohën kalvarin e burgjeve dhe të internimeve komuniste apo për brezat e tjerë, në mungesë të një institucioni dinjitoz, evropian, të kujtesës historike mbi gjithë krimet e diktaturës komuniste.

Këtë institucion e keni dëgjuar të premtohet sa herë që ka qene nevoja politike, për të spostuar vëmendjen nga një problem real i njerëzve dhe sa herë e ka sjellë egërsia e luftës politike në skenë, domosdoshmërinë për të thelluar hendekun me të cilën një politikë tmerrësisht e vjetër i ka ndarë shqiptarët në ‘ne’ dhe ‘ata’, në ‘tanët’ dhe ‘të tyret’, në ‘etërit’ dhe ‘bijtë’ e kështu me radhë, si një vazhdim i një mallkimi të madh, i mallkimit të regjimit komunist.

Ne do ta ngremë këtë institucion dhe do të tregojmë përmes këtij institucioni, gjithë përmasën e lëndimit të shpirtit dhe trupit të Shqipërisë përmes lëndimit të shpirti të trupit të të gjithë atyre që u përndoqën dhe të gjithë atyre që vuajtjen, për shkak se ishin familjarë të të përndjekurve. Një institucion që, siç e thotë një i përndjekur politik i njohur, Sami Repishti: “Tragjedinë tonë kolektive ta kthejmë në frymëzim, për një kryqëzatë kundër torturës, në çdo vend e në çdo kohë. Kurrë më, kurrë më!”

Unë sot ndjehem posaçërisht mirë që jemi këtu, me një hap modest, por konkret, drejt zotimit madhor për të mos lejuar më që hipokrizia e 20 e ca viteve të vazhdojë të diktojë politikën dhe qeverisjen e këtij problemi. Një hap që ka të bëjë me respektimin e sakrificës që nuk ndan askënd me askënd, por që na bashkon në rrugën e një të ardhmeje ku, në radhë të parë, besoj unë, gjenerata tjetër, ajo gjeneratë si im bir dhe si shumë të tjerë ka lindur pikërisht në momentin kur diktatura ra dhe nuk e kanë njohur diktaturën. Është fatale për një vend si i yni dhe për një shoqëria si e jona që gjeneratën tjetër ta lërë në errësirë, në raport me atë që gjeneratat e mëparshme vuajtën dhe kaluan përmes diktaturës.

Ne besojmë dhe po punojmë e do të punojmë përditë, që të jemi një pikë referimi i njerëzve për sigurinë. Jo thjesht për sigurinë fizike apo atë që me siguri nënkupton rendin dhe qetësinë publike, por për sigurinë e marrëdhënieve të individit me shtetin, në të gjithë sektorët. Siguria më e madhe që një demokraci funksionale ofron është barazia e mundësive, është rrjeti i solidaritetit ku shteti nxit bashkimin dhe jo dasinë, ku shteti bashkëpunon me shoqërinë për të vënë në dispozicion mjete kundër përjashtimit, kundër diskriminimit, kundër braktisjes dhe harresës.

Konkretisht lidhur me të përndjekurit, unë nuk e teproj po të them se të vetmet hapa konkretë janë bërë vetëm në vitet e para të pluralizmit, kur, p.sh., janë ndërtuar rreth 400 shtëpi dhe janë dhënë disa kuota për shkollat e larta. Të numëruara në 20 e kusur vite, 400 shtëpi janë shumë pak, por janë një hap konkret që është bërë atë kohë, pavarësisht sesi rrodhën gjërat dhe sesi “thika e pabesë” e ndasisë, që regjimi komunist e la në dorën e atyre që e pasuan regjimin me një tjetër fytyrë dhe maskë, i futi edhe vetë të përndjekurit në një dasi të paepur, i ndau edhe të përndjekurit në ‘tanët’ dhe ‘të atyre’, për kaq vite, bëri që edhe të përndjekurit të binin pre e kurthit të Enver Hoxhës. E kurthit ku Enver Hoxha mbajti peng Shqipërinë, për 50 vjet, duke e përçarë për ta sunduar dhe për të garantuar mendimin unik, totalitar, duke shtypur çdo mendim dhe opinion alternativ.

Nga ana tjetër, gjithë ky kalvar nuk mund të thuhet se është pasur parasysh në 8 vitet e fundit. Asnjë konkretizim i asnjë premtimi. Vetëm fjalë, fjalë, fjalë dhe fjalë të hedhura me shumicë, kur i është dashur qeverisë së mëparshme, që të përdorë të shkuarën për të ndaluar të ardhmen.

Flasin shifrat. Unë nuk e kuptoj dot si do të mund të justifikojë nëse do të ishte i ndershëm, cilido që ka pasur mundësi dhe ka pasur detyrë të merret me çështjen e të përndjekurve, përballë faktit që janë 2027 dosje të verifikuara e të stërverifikuara, midis të cilave dosje të përndjekurish që kanë kaluar të 80-at dhe që janë në fund të jetës së tyre, që nuk janë prekur kurrë me dorë dhe mbi të cilat nuk është dhënë kurrë një qindarkë. Dhe nuk janë pak. Po të llogarisim se tërësia e dosjeve është 12 760, atëherë 2027 janë shumë. Ndër to, 12 760, nuk është se pjesa tjetër ka mbetur tek kësti i parë. Ka marrë të parin, ka marrë të dytin e ka vazhduar të marrë, mund të ketë që i ka marrë të tëra dhe mund të jenë jo dhe aq të përndjekur sa shumë të përndjekur që nuk kanë marrë sot asgjë. Një padrejtësi, një pasiguri, një zvarritje dhe një hipokrizi e pashoqe.

Ne sot vijmë këtu, me krenarinë që përsëri kemi hedhur një hap modest, por konkret, për të mbajtur zotimin tonë se hipokrizia në radhë të parë duhet të marrë fund, duke ju kthyer pikërisht këtyre 2027 dosjeve, të verifikuara nga paraardhësit dhe duke u ngutur që në radhë të parë t’u japim këstin e parë të parave, atyre që janë gjallë, që janë në muzgun e fundëm të jetës së tyre dhe që s’kanë prekur asnjë qindarkë me dorë. Jo se ato qindarka sot do t’ju shtojnë jetë, por se ato qindarka, sot do t’ju thotë që “po, ju jeni gjallë, nuk keni vdekur, nuk ju kemi regjistruar në listën e të vdekurve dhe nuk ju dimë për të vdekur. Dhe nuk do t’ju lëmë që të ikni sikur të kishit vdekur kur dolët nga burgu, por do t’ju japim shenjën që kjo shoqëri jua njeh dhe jua respekton, plagët që keni në trup dhe në shpirt”.

Braktisja e gjithë këtyre dosjeve për kaq shumë vite me radhë dhe e të gjithë këtyre njerëzve, e këtyre të përndjekurve të gjallë, me mish e me kocka, me gjak e me kujtime është e pakompensueshme. Rikujton fjalët e Daut Gumenit që e përshkruante në mënyrën më rrëqethëse vdekjen e një të burgosuri – “një shok më pak, një amanet më shumë”. Ne nuk duam që të kemi amanete më shumë nga ata që janë gjallë, por duam që atyre që janë gjallë të shkojmë dhe t’u tregojmë se e dimë që janë gjallë dhe i vlerësojmë në të gjallë, jo në të vdekur.

18 milionë dollarë vumë në dispozicion këtë vit. Nuk është një shumë që përmbush të gjitha nevojat, madje është një shumë që përmbush modestish jo shumë gjëra, por unë besoj, gjërat kryesore. Që edhe pse kushtet ekonomike janë shumë të vështira; edhe pse dolëm nga një krizë e jashtëzakonshme që rrezikonte ta mbyste Shqipërinë; edhe pse gjetëm rrugës një mal me 720 milionë dollarë borxhe të pa ditura më parë, të pa regjistruara më parë, të pa njohura më parë, përsëri, me gjithë se këto mund të ishin një justifikim që ne të mos akordonim më shumë fonde sesa paraardhësit, ne kemi akorduar sasinë më të madhe të fonde për 1 vit, që një Qeveri e Shqipërisë ka akorduar për të përndjekurit, në një vit jo elektoral. Sepse unë nuk e quaj aspak të denjë që të krahasojmë fondin e dhënë në kushtet e një krize ekonomike për të përndjekurit, me fondin e shtuar në ngut kur u vetëdogj i ndjeri Lirak dhe kur për pak humbën jetën dhe të tjerë, me panikun se po u iknin votat. Dhe më shumë se 500 persona, menjëherë përfitojnë këtë muaj, në muajin mars, nga ky fond, këstin e parë të dëmshpërblimit të tyre. Dhe kur imagjinoj që ndër këta 500 persona janë një sërë burrash në një moshë shumë të thyer, që për herë të parë do të ndjejnë që shteti, shoqëria nuk i ka varrosur për së gjalli, ndjehem vërtetë i lehtësuar.

Gjithashtu, ne evidentuam rreth 300 dosje problematike, të cilat nuk ishin plotësuar, ishin harruar dhe proceduam për t’i plotësuar, duke bërë publike listën e qytetarëve të programuar. Sepse vazhdoj të them, për ne gjëja më e rëndësishme ishte që nga ky vit të mos kishte asnjë të përndjekur që të thoshte “do vdes dhe s’kam për të parë kurrë që dikush atje në Tiranë, atje në qeveri të kujtohet që jam gjallë”. Fillimi i kësaj pune shumë të përshpejtuar me dëmshpërblimet është vetëm fillimi i një tërësie hapash që kanë të bëjnë me ndërtimin e një politike që në vazhdimësi duhet të garantojë siguri, duhet të garantojë progres dhe duhet të garantojë barazi në trajtim, duke i dhënë fund asaj pabarazisë së krijuar nga politika dhe pastaj të thelluar vit pas viti nga dasia e krijuar prej politikës.

Ne po bëjmë reformën e pensioneve dhe në lidhje edhe me pensionin duam që të kemi masa specifike për të përndjekurit. Nuk ka kurrë rëndësi “sa”-ja por ka rëndësi “si”-ja, në një rast si ky kur gjithë floriri i botës nuk e shlyen dot një rini të tërë të lënë nëpër biruca dhe familje të tëra të shkatërruara shpirtërisht.

Nga ana tjetër, në vendin ku ka qene biblioteka e Enver Hoxhës do të bëhet një zyrë ku do të ruhen intervistat e 70 të burgosurve politikë. Është një projekt i një shoqate jo fitimprurëse Amerikane që ka filmuar me zë dhe me figurë, duke dokumentuar në shqip dhe në anglisht kalvarin e dhjetëra të përndjekurve në të gjithë vendin, nga një i përndjekur 104 vjeçar tek një 40 vjeçar, i cili u burgos me pantallona të shkurtra, siç ishte edhe babai, atë kohë 13 vjeç, i një gruaje që sot punon në Kryeministri, pas një konkursi të ndeshëm. Ajo u hoq nga puna, jo shumë, por 18 muaj më parë, për shkak se një i afërmi i saj, i përndjekur politik, kritikonte qeverinë. Kjo vajzë e një babai që 13 vjeç, me pantallona të shkurtra, hyri në burg. Më bën të ndjehem mirë fakti që me gojën e saj, sot ajo thotë “e përndjekur në të gjitha kohët dhe regjimet, vetëm sot jo”. Dhe ne do të bëjmë çmos që çdo i përndjekur, nuk ka kurrfarë rëndësie se për kë voton, të thotë “sot jo”.

Në fund fare, dua ta falënderoj me gjithë zemër Fondin “Besa” dhe Fonacionin “ABC” që e bënë të mundur realizimin fizik të këtij projekti. I falënderoj, sepse bënë të mundur jo thjeshtë që një godinë e rrënuar, në të cilën unë kam pasur mundësinë të hyj dikur, një herë, dhe jam tmerruar nga rrënimi aty brenda, - dukej sikur ua kishin lënë ashtu që të mos ju dilte malli i birucave, - u kthye në një godinë dinjitoze.

Nuk është ky momenti më i rëndësishëm i bashkëpunimit me Fondin “Besa” dhe me Fonacionin “ABC”. Ky është momenti konkret, ndërsa momenti shpirtëror dhe moral është që edhe pse ne nuk kemi mundësi sot që të dedikojmë qoftë edhe një fond, kaq sa duhej për të rindërtuar këtë godinë, përsëri mundësia gjendet kur Qeveria do. Nuk po i hyjmë bisedës nëse ka pasur apo s’ka pasur mundësi Qeveria t’i përgjigjet një letre që unë e lexova duke u përgatitur për këtë takim, por nuk pata kurajën t’ua lexoj juve, që ia drejtonte një person përgjegjës për këtë Institut, Ministrit të Financave të Shqipërisë vetëm pak kohë më parë, ku i bënte përshkrimin e gjendjes fizike të godinës dhe ku praktikisht, vetëm mure kishte në këtë godinë, as xhama dhe të mos i marrë të gjitha me radhë, se është rrëqethëse letra që shkruan. Dhe për çfarë?! Për të dërguar një fond shumë modest. Nëse kjo letër do të na kishte ardhur ne, sot, mund të ishim në pozitën që mund të mos i kishim paratë, por kur Qeveria do dhe kur me çdo kusht duhet bërë diçka e këtyre përmasave, që më shumë sesa një gjë që të zgjidh problemet jep një mesazh shumë të qartë respekti, absolutisht kjo realizohet. Sepse sado i varfër dhe sado në vështirësi është sot ky vend, ka njerëz si miku ynë dhe miku i shumë njerëzve në nevojë. Unë nuk e njoh personalisht, por e quaj mik sepse me të njëjtën gatishmëri na ka ardhur në ndihmë për të shpëtuar familjet rome, që ju e kujtoni mirë si i gjetëm. I morën i shpërngulën me polici për t’i hapur rrugë një biznesi që donte të ndërtonte pallate dhe i flakën me dhunë. E bënë Shqipërinë, jo gazin, por turpin e Evropës, duke na futur në të gjitha raportet si vendi që persekuton romët. Ndërkohë që kurrë romët nuk kanë pasur probleme me askënd në Shqipëri, përveçse me pushtetin e babëzisë, kur iu ka dalë përpara dhe i ka përzënë për diku tjetër.

Ju falënderoj jashtëzakonisht shumë dhe falënderoj të gjithë ju që patët durimin që të më dëgjoni. Është një ditë e shënuar sepse mendoj se është një ditë që hap konkretisht kapitullin e ri të marrëdhënieve të Qeverisë me të përndjekurit. Do të ishte një gënjeshtër, shumë e madhe nëse unë do të kisha thënë se ne do t’i zgjidhim të gjithë problemet tuaja, - nuk ka shkop magjik që ta kthejë mbrapsht kohën dhe jua thashë, nuk ka mal parash që të bëjë të kapërceni të pakapërcyeshmen, kujtesën, -por jemi zotuar dhe i qëndrojmë deri në fund zotimit që të jemi me ju të ndershëm, të jemi të drejtpërdrejtë dhe t’ju dëgjojmë sa herë që ju do të keni nevojë që t’ju dëgjojmë, t’ju dëgjojmë me respektin më të madh, të bëjmë çdo sforco për të plotësuar sa të mundemi nga gjërat që mund të na kërkoni, por në fund, t’ju bëjmë të ndjeheni në një varkë me të gjithë shoqërinë dhe sigurisht edhe me Qeverinë.

Faleminderit.

KOMENTE